Fatos Lubonja: Kuraja dhe tmerri i vdekjes

Por braktisja e dashurisë për jetën në funksion të përgatitjes për vdekjen, nuk është punë e kurajos, kjo është punë e frikës për të përballuar çastin e tmerrshëm të pushkatimit. Aq sa kishte moment kur do të doje të ishe i çmendur për të mos e kuptuar ardhjen e atij çasti. Ishin forma se si të afrohej ujku për të të shqyer. E ndërkaq dashuria për jetën i rezistonte kësaj shpërbërje, këtij mohimi të saj.


“Pastaj vinin prapë momentet kur filloja dhe e ndjeja trupin si diçka të shtrenjtë, kur i shikoja duart e mija dhe më dukej thuajse e pabesueshme që ato ishin një gjë e imja, që s’do më përkiste më; kur vuaja shumë për gruan nga përfytyrimi se pasi kasha vdekur ajo do të bëhej e dikujt tjetër dhe kushedi çfarë fati do të kishin fëmijët”*


Dhe ndërkaq kuptoje se kuraja për të përballur vdekjen ishte diçka tjetër që nuk e mohonte dot dashurinë për jetën. Kuptoje se kjo dashuri për jetën, që na bën të dobët dhe të gatshëm për kompromise poshtëruese me ujkun, përmban brenda saj edhe forca që ta bëjnë të vështirë pranimin e poshtërimit të vetes. Te dashuria për jetën/veten ujku gjen edhe rezistencën ndaj tij sepse një vete e tjetërsuar nga poshtërimi është një tjetër vete që nuk e duam, që nuk e duan gjykimet tona morale, edukimi ynë si qenie shoqërore. Ato na bëjnë të kemi ndjenja të turpit dhe poshtërimit.


Kuraja e ushqyer nga dashuria për të vërtetën, për të drejtën, (për Zotin tek ata që besojnë), nuk mund të imagjinohet pa këtë aftësi të mendjes për të krijuar distancë nga vetja, për ta parë atë me sytë e të tjerëve që na duan apo që duam të na duan. Kjo dashuri na jep dobësi, por edhe forcë për të ruajtur veten, për të ruajtur të paktën kuptimin e vetes. E prapë ngrihet pyetja: çfarë bën që të triumfojë njëra faqe apo tjetra faqe e kësaj dashurie?

Shkruan: Fatos Lubonja

Comments are closed.

Navigate