Franz Kafka: Absurditeti i fatit njerëzor

ABSURDITETI I FATIT NJERËZOR

Analizë e romanit “Procesi” të Franc Kafkës
Shkruan: Veron Dobroshi

Mbyllja e rrugëve dhe horizonti i zi, ku në mes qëndron njeriu në skutat e fshehta të mosveprimit dhe të nënshtrimit politik e social, është po aq tmerrues sa edhe e pakuptimtë, për jetën e atij, të cilit i është dhuruar. Ky është thelbi i romanit “Procesi”, një nga romanet më të njohura dhe të veçanta në letërsinë botërore të shekullit XX. Për fatin e mire të letërsisë dhe të lexuesve të saj, veprat e Kafkës nuk u zhdukën dhe bota sot studion një fenomen të veçantë siç ishte arti kafkian. Romani paraqet një gjendje njerëzore, një ndjenjë e të qenit i humbur në shoqëri, një person i nënshtruar në realitetin kërcënues duke paraqitur pafuqinë dhe dobësinë e njeriut përballë fuqisë anonime të pushtetit. Fillimi i romanit menjëherë zgjon kureshtjen se kemi përpara diçka jo të zakonshme, me një njeri i cili arrestohet pa asnjë arsye dhe dëshmi. E ajo çfarë na preokupon dhe na sjell dyshime mbetet ndoshta pyetja: A mund të ketë ndonjë shpifje për një person që nuk ka bërë asnjë faj?
 E tërë kjo mbetet enigma kur jemi në një rreth të papërcaktuar dhe me plot absurditete veprimi. Përderisa ndaj Jozef K. nuk ka asnjë akuzë konkrete të transmetuar, procesi i tij mbetet pezull. Gjatë kësaj kohe hasim në gjykata, në tentime për të gjetur një avokat të përshtatshëm për procesin dhe rregullimi i një gjendjeje ku heroi ndeshet me sistemin totalitar. Duke mos qenë në dijeni se çfarë të bëjë, si të veprojë e kujt t’i besojë, ai përpilon mbrojtjen e vet. në një mënyrë me të cilën kërkon falje për ato që mund t’i ketë bërë duke firmosur njëherësh aktin e fajësisë dhe dënimin e vet. Jozef K. ballafaqohet me zyrtarët e një rangu më të ulët, të cilët nuk janë në gjendje që t’i shpjegojnë arsyet e vërteta. Situata e tij përshkruan pafuqinë e njeriut përballë sistemit totalitar. Ky personazh humb sensin e realitetit, nuk arrin ta perceptojë në vete se a është i burgosur ose i lire. Ajo çfarë nis si dramë e dyshimit përfundon si dramë e fatit njerëzor. Fundi i romanit ka një tablo sikur asgjë nuk ka ekzistuar e nuk ka ndodhur më parë. Ai që vazhdon të ekzistojë është fenomeni i absurditetit në jetën njerëzore. Kjo arrin kulmin në kapitullin e fundit kur Jozef K. e di që po shkon drejt ekzekutimit, por nuk bën asgjë për ta parandaluar e madje nuk shprehet që është i pafajshëm. Dënimi absurd shoqërohet me një vdekje po aq absurde. Ai vazhdimisht vështron nga dritaret dhe për fatin tragjik vetëm në njërën nga to sheh një person të moshuar që nuk dihet se kush e çfarë njeriu është. Këtu paraqitet një skenë e vetmisë totale ku shpirti i njeriut, i lidhur me një botë të lodhur nga pakuptimësia e ngjarjeve të përditshme arrin një trajtë të lodhur emocionale. Eshtë kjo rrethanë e vështirë, një sistem në të cilin njeriu është i dënuar të jetë fajtor. “Procesi” në vete është një metaforë e fatit të njeriut që nga lindja jemi të dënuar të vdesim, secili nga ne vdes dhe për këtë dënim nuk ka ndonjë ankesë. Në anën tjetër është edhe një pasqyrë e jetës së vetë Kafkës me anë të alteregos së tij, Jozef K.së, njeri i pafuqishëm përpara sistemit politik, që në kohëra të vështira merr përsipër një faj që nuk e ka idenë se çfarë është e pse i është caktuar atij. Lidhje të ngjashme mes autorit dhe personazhit gjejmë edhe në veprat tjera të Kafkës. Do e përmbyll me një citat të Kafkës:

“Njerëzimi bëhet një masë e përhimtë, pa trajtë dhe anonime kur heq dorë nga ligji që i jep trajtat. Ligji është tepër abstrakt dhe i paprekshëm nga njerëzit sepse ai ekziston, por në realitet nuk zbatohet.”

Comments are closed.

Navigate