Franz Kafka: Qasje psikanalitike mbi veprën “Procesi”

P R O C E S I  I  FRANC  KAFKËS ( 1914 ) 

Analizë mbi veprën “PROCESI” të Franc Kafka
Përktheu nga origjinali: Besnik Domi


*PJESA E PARË:  Ndërthurja e Veprës

Gjeneza e veprës dhe problemet e lidhura me botimin

Studimi i “ Procesit “ nuk mund të fillojë si duhet pa nisur pikësëpari të studiohen rrethanat komplekse të lidhura me gjenezën e kësaj vepre e cila u botua pas vdekjes të autorit.

Këtë vepër Franc Kafka filloi ta shkruajë më 1914, pas 12 korrikut të atij viti kur ai shkëputi fejesën me Felis Bauer. Pra këtë vepër Kafka e shkruan të njëjtin vit me veprën “ Kolonia e të Burgosurve “ dhe një vit para veprës tjetër të tij “Metamorfoza” .

Në pranverën e vitit 1925, një vit pas vdekjes të shkrimtarit,  Maks Brodi, miku i vjetër  besnik  dhe në njëfarë mënyre ekzekutuesi i testamentit të Kafkës , publikon një roman me dhjetë kapituj të quajtur “Procesi“. Duket se ky tekst ka dallime në raport me dorëshkrimin që ka lënë autori. Më herët, në nëntor të 1921, po ky Maks Brod pat shkruar në revistën e mirënjohur “Neue Rundschau” një artikull shumë entuziast mbi një “kryevepër të jashtëzakonshme” të Kafkës të quajtur “Procesi“.

Por deri në vitin 1946, Maks Brodi, do të botojë vazhdimisht “fragmente të reja“ të dorëshkrimit origjinal-të cilat nuk i pat botuar në botimin e parë. Ndonëse duhet t’i jemi mjaft mirënjohës Brodit lidhur me vendimi e tij që të mos e zbatojë dëshirën e Kafkës që dorëshkrimet e tij pas vdekjes të digjen të gjitha, megjithatë në anën tjetër mund të dyshohet paksa në ndershmërinë intelektuale të Brodit i cili bëri tre botime të “Procesit“ ( 1925, 1935, 1946 ) duke shtuar vazhdimisht fragmente të reja dhe duke i radhitur kapitujt me një rend i cili është tani i kontestueshëm.

Si pasojë e këtyre veprimeve të Brodit ne tash kemi disa versione të së njëjtës vepër. Por për më tepër në vitin 1990 studiuesi anglez Pasley pohon se Franc Kafka në fillim ka shkruar kapitujt kornizë të veprës (arrestimi i K. dhe ekzekutimin e tij, bile duke shkruar njëherë kapitullin e fundit e pastaj atë të parin) ndërsa kapitujt e ndërmjetëm të thurrjes të romanit i ka shkruar më vonë. Kjo qasje e ndërtimit të procedeut nga Kafka dëshmon mbi fragmentimin e procesit të krijimit të kësaj vepre si dhe për rëndësinë e kapitujve 1 dhe 10 për thurjen e veprës: gjithashtu kjo qasje dëshmon mbi një kompozicion të ndërtuar nëpërmes puqjes progresive të skenave, ku rradhitja e tyre ndërton narracionin e “aventurave “ të Josef K. Këtu mund ta shohim edhe gjenezën e zhvillimit të veprës, me ndaljet e shkrimit, çrregullimet, rifillimet që ndodhin që nga nisja e të shkruarit (14 gusht) e deri tek kryerja e të shkruarit në fund të po atij viti.

Gjatë jetës të autorit vetëm një fragment i shkurtër i Romanit ishte botuar më 1915. Kemi të bëjmë me pjesën “Para ligjit“ e cila më vonë u përfshi si pjesë integrale e kapitullit 9 të quajtur: “Në Katedrale“ .

Ajo që ka rëndësi këtu është se teknika e përdorur nga Kafka mund të quhet si teknikë e “Kolazhit” teknikë kjo shumë e rëndësishme e artit të Franc Kafkës dhe e cila nga studiuesit e tij quhet edhe teknikë e “tregimeve ëndërrimtare“ .

ASPEKTE BIOGRAFIKE –“ DY PROCESET “

Fejesa e shkëputur

Studiuesit e Kafkës, Moris Blansho dhe Elias Kaneti mendojnë se mu ndarja e Kafkës nga e fejuara e tij në vitin 1914 paraqet atë tërmet biografik i cili shërben për shkrimtarin si shkak për “Procesin “ e tij (i cili edhe do të shkruhet menjëherë pas këtij përjetimi të dhimbshëm). Disa ditë pasi që kishte takuar të “fejuarën“ dhe  të dy familjet në një hotel në Berlin, Kafka në ditarin e tij thotë se atë takim e kishte përjetuar shumë rëndë, sikur një “prangosje të një krimineli“. Ai thotë se ishte ndier si ta kishin lidhur me zinxhirë dhe ta kishin rrethuar me xhandarë.

Mu në këtë ditar më datë 23 korrik ai do të aludojë shumë qartazi në një “gjykim në hotel”. Ajo faqe e ditarit ngjason shumë si në stil ashtu edhe në atmosferë me pjesën e romanit ku K. do të arrestohet. Aty do të gjejmë të njëjtën ndjenjë të ngufatjes (të krijuar nga dhoma e stërngrohur me mure të rrudhura të cilat“ ngushtojnë dritaret të cilat janë të vendosura nëpër zgavra”), të njëjtat shkëmbime të fjalëve armiqësore. Për studiuesin Kaneti nuk ka kurrfarë dyshimi se “vepra artistike Procesi nuk paraqet asgjë tjetër veç një shndërrim letrat të procesit të marrëdhënieve dy vjeçare midis tij dhe të fejuarës të tij “.

Moris Blansho pajtohet me këtë gjë dhe shpjegon se për Kafkën ishte e pamundshme që të gjendej vend edhe për jetën familjare edhe për të shkruarit e veprave:

“Kafkës i nevojitej të kishte më shumë kohë por më pak botë rreth vetes së tij. Bota ishte në radhë të parë familja e tij, e fejuara dhe detyra e tij që të plotësojë ligjin thelbësor që duhej ta bënte një burrë: atë që të kishte një familje, disa fëmijë dhe të bëhej pjesëtar i bashkësisë ku jetonte“.

Për Blanshonë (kjo për ne do të paraqesë një ndër çelësat kryesorë për të kuptuar veprën Procesi) Kafka “braktis mirëqenien tokësore të një jete normale” dhe duke mos u martuar me Felisën ai “ braktis sigurinë e një jete të drejtë, dhe shkel ligjin“.

Duket se atëherë në mendjen e Kafkës do të ngjizet një proces i tërë i fajësimit dhe i viktimizimit të vetvetes, ngase shkrimtari do të duhet ta flijojë jetën e tij për hir të veprës.  Ai do ti shkruajë babait të vajzës: “Aspirata e ime e vetme, vokacioni im i vetëm quhet Letërsi “.

Për Blanshonë ky përjashtim i Botës të përditshmërisë vërtetohet të jetë pozitiv ngase lejon që nëpërmes kësaj vetmie dhe celibati fizik të lind një vepër artistike. Letërsia vërtetohet se është “një fuqi e cila çliron, një forcë e cila na çliron nga shtypja e botës“ duke bërë transformimin çlirimtar nga “ unë “ në “ai”.

Kalim nga ‘unë’ Kafka në “ai” Jozef K? Është ky një simbol që duhet analizuar kur shqyrtohen ndikimet autobiografike në këtë vepër. Mirëpo është tashmë e qartë se shtypja nga Ligji, dhe ndjenja e fajësisë se K. do të akuzohet, na rikthejnë fuqimisht në atë përvojë 12 korrikut 1914 e cila për njeriun ishte aq traumatizuese por për një shkrimtar aq krijuese.      

ASPEKTE TJERA BIOGRAFIKE

Përveç atyre që u përmendën, kemi edhe të tjera afërsi midis jetës dhe veprës të këtij autori. Këto do të ndihmonin që ta bëjnë pak më të qartë këtë vepër kaq enigmatike.

Simboli i të jatit

Mbi raportin që ka Kafka ndaj të atit dëshmojnë “Letra Babait“ të cilat përfaqësojnë shkrime që as  u dërguan e as që botuan ndonjëherë gjatë jetës të Franc Kafkës. Këto letra që ngjasojnë në rrëfime intime para një psikiatri, dëshmojnë mjaft qartë burimet autobiografike të “Procesit“ në lidhje me temat kryesore të tij: Akuza e dëshmuar, Fajësia e pranuar nga Jozef K. Cili është ky Ligj suprem i cili e gjykon K. , e ndëshkon e pastaj edhe e ekzekuton pa pasur “asnjë procedurë procesi”? Përse ky personazh pranon nënshtrimin e tij ndaj një autoriteti suprem që nuk do të paraqitet kurrë por të cilit do t’ia pranojë ekzistencën, autoritet që do ta ndëshkojë kurse ky pa bërë shumë rezistencë do të pranojë madje edhe ekzekutimin ? Për çfarë mëkati do të akuzohet ? Përse ai meriton që të vdesë? “Letrat Babait“ do të na japin dëshmi të një fajësie të pashmangshme të birit dhe do të përngjasojnë fuqimisht me  faqet e “Procesit”. Në këto letra ai do të shkruajë:

Shumë vite më parë, jetoja nga mendimet përplot ankth që ky Burrë vigan, im At, në fund, do të mund që pa kurrfarë arsyeje të më nxirrte natën nga shtrati

Njeriu ndihet në një farë mënyre tanimë i ndëshkuar pa arritur të marrë vesh se a ka bërë diçka të keqe

Ose në një mënyrë akoma më të saktë:

“  . . . ky proces i tmerrshëm i cili rri pezull midis teje dhe Ne dhe në të cilin ty të duket se je pambarimisht i vënë para gjyqit“

Pra tërësia e këtij teksti në formë halucinacionesh paraqitet si një deshifrues i “Procesit” , duke bërë nga babai një “gjykatës suprem” i cili akuzon pa reshtur fëmijët e tij ndërsa djali këtu na paraqitet si një “viktimë “ që vuan ndëshkimin që ia kanë shqiptuar që nga lindja. Ky dënim do të thotë se ai paraqet diçka pak të vlefshme ose pa vlerë fare nëse krahasohet me prindin e tij të stërmadh. Ky djalë që nga dita e parë është i ndëshkuar nga të tjerët për shkakun e thjeshtë . . . se ka lindur!

Kafka do ta shprehë shumë hapur lidhjen që ekziston në mes raportit që ka ai me babain dhe librit të tij Procesi:

“Për shkak të fajit tënd, unë kam humbur gjithë besimin në vetvete,  kam fituar një ndjenjë të pakufishme të fajësisë( si dëshmi e kësaj fajësie të pakufishme, unë një ditë për një person me të drejtë kisha shkruar: ai frikësohej që turpi që kishte do të jetonte më gjatë se edhe vetë ai “ ).

Ja kjo është fjalia e fundit e Procesit.

Duket se pikërisht simboli i babait – i cili është vendosur si një gjykatës anues dhe i padrejtë por të cilit nuk mund ti mohohet pozita e tij superiore në raport me të birin-

do të mund të na jepte një çelës shpjegues që të mund të hyjmë në këtë vepër dhe që të përpiqemi të ndriçojmë absurditetin, iracionalitetin dhe misteriozitetin e qëndrimit të cilin K. e mban përgjatë romanit. Ngase kush është ai që mundet ti kundërshtojë atij i cili ta ka dhënë jetën dhe i cili djalin e vet–kur të rritet-do ta qortojë rëndë se nuk është i gatshëm që ta vazhdojnë profesionin e babait, i cili ngec në studimet e drejtësisë, që nuk mendon gjë tjetër veçse të lexojë libra dhe të shkruajë dhe i cili bën faj aq të rënda sa ndërpret dy fejesa dhe kështu refuzon që t’iu përmbahet konventave dhe të zë një rol të respektueshëm në shoqëri ?

Simboli i çifutit

Sa i përket çështjes të origjinës çifute të Franc Kafkës dhe reflektimit biografik të këtij fakti në këtë pikë duhet të jemi mjaft të kujdesshëm. Kjo për arsyen se derisa shkruan këtë vepër, Kafka nuk vë në qendër të preokupimeve të tija intelektuale apo religjioze faktin se i përket bashkësisë çifute të Pragës. Vetëm në fund të jetës së tij të shkurtër ai do ti kushtojë më shumë kujdes kësaj përkatësie duke shqyrtuar madje edhe mundësinë për të migruar në Palestinë dhe, gjithashtu, duke vizituar shoqatat apo grupet sioniste të qyteteve ku ai qëndronte.

Gjithashtu duhet patur kujdes këtu edhe për shkak të faktit se Jozef. K në këtë libër asnjëherë nuk i paraqitet lexuesit si një çifut dhe do të ishte e rrezikshme që ai të kundrohet si një kopje e plotë e Kafkës pavarësisht nga afërsitë e mëdha që kanë autori dhe personazhi kryesor  (inicialet e mbiemrit, përputhja në moshë).  

Franc Kafka: Praga dhe hapësira estetike evropiane në fillim të shekullit XX

Franc Kafka u lind më 3 korrik 1883 në Pragë dhe vdiq nga tuberkulozi më 1924. Ai ishte lindur në një familje të pasur tregtare të borgjezisë çifute të Pragës.

I ndodhur vetëm pak hapa larg nga getoja çifute e Pragës, ashtu si një numër i madh i çifutëve të pasur të Bohemisë, edhe Franci mori një edukatë plotësiht gjermanike dhe të tëra mësimet e tija i zhvilloi gjermanisht. Qëllimi i familjes së tij ishte që ai të përvetësonte gjermanishten në mënyrë të përkryer në mënyrë që ai-ndonëse çifut-të arrinte të integrohej plotësisht në shoqërinë e tij.

Pikërisht në periudhën e krijimeve të para të Kafkës (në atë kohë Kafka kishte filluar të shkruante diçka nëpër revistat e Pragës apo vizitonte mjediset kulturore prestigjioze çeke) në Evropën Qendrore kishin filluar të përhapeshin rrymat e para “moderniste“ si në artet plastike ashtu edhe në letërsi. Ndonëse në Ditarin e tij këtë gjë nuk e përmend, nuk mund të mos paramendohet që Kafka nuk ishte i informuar mbi këto rryma të reja dhe të mos ti ketë vizituar ato mjedise.

Është mjaft me rëndësi të përmendet që më 1914, përveç “Procesit“ u shkruan edhe Kërkimet e Prustit dhe Uliksi i Xhojsit. Domethënë pa e njohur njëri-tjetrin dhe duke mos bashkëpunuar aspak, këta tre shkrimtarë të mëdhenj shkrojtën njëkohësisht veprat e tyre të mëdha të cilat e kontestuan dhe e shkëputën praktikën letrare nga tradita e madhe e Romanit klasik të shekullit XIX. Modernizmi i “Procesit“ është qartë i dallueshëm si në intemporalitetin e narracionit të tij ashtu edhe nga neutraliteti i stilit të tij. Një prej studiuesve dhe përkthyesve kryesorë të Kafkës thotë se kjo vepër “shpreh artin modern më të fuqishëm, të vetmin në të cilin moderniteti dhe përpikëria ditën të merren vesh”.

Ajo që dihet tanimë me siguri është që Kafka vizitonte mjediset avangardiste të Pragës, Vjenës dhe Berlinit, që ishte një spektator i rregullt i teatrit dhe më pak i kinemasë

(në atë kohë kinemaja ishte ende në fillimet e saja dhe Kafka deri më 1914 kishte pasur mundësi kryesisht të shihte filma metrazhi të shkurtër ku raportoheshin ngjarje nga Kronika e Zezë por edhe kinemanë e burleskut sidomos filmat e parë të Çaplinit).  

Akomë më me rëndësi se kjo duket të jenë vizitat e tij Teatrit Jidish të trupës Lovy të cilat Kafka do ti dojë aq shumë gjatë viteve 1912 dhe 1913 dhe të cilat do të ndikojnë aq shumë edhe në “Procesin”( për këtë lexo pjesën:Teatraliteti i Procesit)

Në anën tjetër qyteti i Pragës është çuditërisht i fshirë nga këto shkrime, megjithëse ndikimi i qytetit në veprën e tij është i pamohueshëm. Marta Robert do të thotë: “bota e Kafkës, kjo copë e vogël e Evropës e quajtur Bohemi, ka pamjen e një armiku të fuqishëm dhe të pakapshëm: me veçoritë e tij, pamjen e rendit por edhe të çrregullsisë reale, me ligjet e paformuluara të cilat i mundësojnë këtij çrregulli të ndërtojë një kohezion, me neutralitetin e saj armiqësor, kjo botë paraqitet si një pengesë e madhe për ndryshimet të cilat Kafka dëshironte ti arrinte tek vetja”.

Konceptet “armik i fuqishëm dhe i pakapshëm-rend në dukje dhe çrregullsi reale-ligje të paformuluara-neutralitet armiqësor-pengesë e madhe” të gjitha këto veçori të qytetit të tij të lindjes, a nuk përfshihen ato në universin letrar të Kafkës të shprehur edhe në veprën “Procesi” ?

Sipas kësaj studiuese ”Qyteti i Pragës Kafkës çdo ditë i ofron një shfaqje të pasur ku afërsitë brenda shoqërisë në të vërtetë veçse thellojnë distancën midis pjesëtarëve të saj, atje ku ndarjet-të ndërtuara nga një ligj i heshtur-respektohen rreptësisht nga të gjithë , duke dhënë kështu përshtypjen se ky qytet ka rënë viktimë e një magjepsjeje”.

Gjithashtu duket mjaft e vështirë që në veprën e Kafkës të gjendet një referencë mbi ndonjë artist bashkëkohanik me Kafkën. Por, pavarësisht nga kjo mund të thuhet se vepra e shkrimtarit nga Praga  bën pjesë në modernitetin e shekullit të tij, pavarësisht nga fakti që sot mbetet  vështirë të matet ndikimi mbi të i ndonjë rryme ideore apo krijuese të asaj kohe

Çështja e Zhanrit

Mund ta vendosim si postulat që “Procesi” është hartuar sipas një qasje fragmentare, ku renditja e tyre nuk është as krejtësisht e rastësishme por as lineare. Duke marrë parasysh këtë aspekt fragmentar të veprës, natyrshëm shtrohet  çështja se çfarë zhanri letrar paraqet kjo vepër: roman? tregim? tregim fantastik? novelë e gjatë?

Duhet përmendur se kjo pyetje shtrohet edhe për shumë vepra tjera të Kafkës të botuara apo të pabotuara gjatë jetës së tij. Në të njëjtën mënyrë analiza e dorëshkrimeve shpalos një redaktim të parregullt i cili bazohet mbi puqjen e fragmenteve, ndërsa “kapitujt” e kësaj vepre më shumë iu ngjasojnë disa grumbujve të ndarë  të cilët mbajnë shënime të bëra nga dora e Kafkës dhe që më shumë duken të jenë Didaskalie të veprave teatrale se sa  në emra  kapituj romanesh. Këta tituj janë:-Në sallën e Auditoriumit-Avokati-Industrialisti, Piktori-Në katedrale…). Duket se autori ka bashkuar të gjitha këto fragmentet të vendit, aktorëve apo  “thurjes të veprimit” në atë mënyrë që të duket se këto shërbejnë për lexuesin si udhërrëfyes të një “loje skenike “.

Afërsia e këtij narracioni letrar me një shfaqje teatrale mund të vërehet edhe nga elemente tjera si për shembull fakti se pa përjashtim të gjitha personazhet e kësaj vepre nuk  përshkruhen  veçse nga rolet që kanë  (avokat, industrialist, piktor) dhe jo më shumë se kaq. Pra në këtë mënyrë asnjëri prej tyre nuk paraqet një personazh apo hero romani por përfaqëson vetëm tip apo prototip figurash letrare. Kështu në këtë vepër nuk do të hasim shumë përshkrime të tipareve të tyre fizike, karakteret e tyre nuk do të jenë të ndërtuara qartë… Për karakterin e tyre mund të marrim vesh aq sa na lejon  dija jonë paraprake konvencionale e tipave njerëzorë (pra tipit të avokatit, të gjykatësit etj), ndërsa gjatë kontaktit me veprën “Procesi“ mënyra e të shkruarit të tij do të na bëjë që ndoshta të ndihemi më shumë si spektator se sa një lexues i veprës.

Duke u nisur nga këtu, duket e përshtatshme  të shqyrtohet se cila është lënda e Procesit, pra përshkrimi i një fajësimi, të një akuzimi të Jozef K. që ndodh në një qytet dhe në një epokë të pacaktuar. Çështja që shtrohet këtu është se a kemi me të vërtetë të bëjmë  me trajtimin artistik të një drame njerëzore me një shtrirje universale? Gjithsesi duhet ti kthehemi kësaj çështjeje thelbësore.

Tani le të shqyrtojmë elementet që kanë të bëjnë më afërsinë e kësaj vepre më një shfaqje teatrale.
——————————————————————————————————————–

*Vazhdimin e shkrimit mund ta lexoni ne artikullin pasardhes.

**Ky artikull publikohet në kuadër të projektit “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual”. Kjo iniciativë ka për qëllim promovimin e shkrimtarëve dhe filozofëve nga kulturat franceze dhe gjermane. Projekti u mbështet nga programi Kultura për Ndryshim që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institut.

Comments are closed.

Navigate