Përktheu: Besnik Domi
Ky shkrim është vazhdim i shkrimit të publikuar disa ditë më parë. Pjesën e parë mund ta lexoni këtu: http://www.virtualsophists.org/letersi/franz-kafka-psikanaliza-e-procesit/
PJESA E DYTË : Teatraliteti i Procesit
Kur Kafka është në moshën 28 vjeçare, në Pragë mbërrin një teatër endacak çifut i udhëhequr nga aktori Lovi. Kafka do ta përcjellë rregullisht këtë teatër për më shumë se një vjet dhe do të ndiejë një adhurim të madh për lojën e tyre. Megjithëse të detyruar të luajnë në vende të këqija dhe para një publiku shumë herë injorant, këta artistë do ta mahnitin Kafkën me artin e tyre aq spontan, me lidhjet e thella që i bashkojnë ata, dhe me gjuhën e shpirtin çifut.
Në ditarët e tij Kafka do të përmendë disa herë këta aktorë komikë dhe personazhet që ata mishërojnë: për shembull Kafka flet shumë për personazhet e bineqëve që janë djallëzorë dhe komikë njëkohësisht dhe që me rolin e tyre të shërbëtorëve përtacë duket se lozin me tërë botën.
Kështu në veprat “Kështjella“ dhe “Amerika” por sidomos në “Procesin“ do të shohim të përshkruar “dy rojet e korruptuara të cilat vijnë ta arrestojnë Jozef K. dhe dy xhelatët që ia kanë behur nga një teatër i panjohur [ … ] dhe të cilët e kanë për detyrë ekzekutimin e tij“.
Studiuesja Marta Robert thotë se mund të vërehet fare qartë parapëlqimi i Kafkës për sjelljet teatrale. Për mimika groteske, për replikat kaotike, të cilat qartazi shfaqin izolimin në të cilin gjendet heroi. Këtu mund të përmendet përsëri kapitulli i arrestimit ku përveç rojeve kemi edhe tre nëpunësit e bankës që bëjnë grimasa të tilla që ngjasojnë në palaçot e trupës së Lovit:
“Kush jeni ju? Ju po thoni se po sjellni arsyen kurse vetë po luani një prej komedive më absurde që mund të ekzistojnë” i thotë Jozef K. inspektorit i cili vije ta arrestojë.
Në të njëjtin kapitull lexojmë edhe:
“Çka-bërtiti K. duke vështruar tre personat. Këta personazhë kaq të parëndësishëm, kaq anemikë, kaq të rinj, të tillë që i mbaje në mend vetëm si anëtarë të grupi [….] qenkan në të vërtetë nëpunës banke?! “
Po të lexohet mirë ky kapitull do të vërejmë edhe gjestet mekanike të palaçove në rezidencën Grubaq, të cilët vrapojnë me shpejtësi nëpër dhomë për të gjetur kapelën e tyre të harruar me gjeste të tilla që duket se burojnë nga një teatër komik apo kinema e burleskut.
Inflacioni i didaskalive
“Skenat” e njëpasnjëshme të cilat ndërtojnë Procesin japin shumë shenja që të përkujtojnë didaskalitë në teatër. Vetëm skena e arrestimit është e mjaftueshme për të dëshmuar se këtu kemi gjestet, fjalët dhe lëvizjet të cilat do të ja kishin mundësuar një regjisori që të inskenonte fare lehtë këtë vepër si dramë e teatrit. Do të përmendim vetëm disa shembuj:
‘Kjo do të ishte njëmend hera e parë, bëri K. duke kërcuar nga shtrati për të veshur pantallonat”
“. . . ai u zhduk duke e mbyllur derën me kujdes”
“Ata tundën kokën: Kjo duhet të jetë një bluzë e zezë-thanë ata”
Domethënë më shumë se në një roman, na duket vetja se kemi hyrë në një shfaqje ku nuk mungojnë aktorët, spektatorët, hyrjet e daljet nga skena si dhe protagonistët e arrestimit të cilët bredhin nga një dhomë në tjetrën, duke u ndeshur apo duke i thirrur njëri-tjetrit. Gjatë gjithë kësaj kohe një grup pleqsh i vështrojnë ata, gjë që bën K. të pezmatohet ngase ai i njeh menjëherë se ata janë spektatorë.
Për këtë arsye K. dëshiron që ta ndërprejë këtë gjë dhe duke treguar me gisht i bërtet inspektorit: “Atje paska edhe spektatorë“
Fjalët “shfaqje, komedi, rol “përsëriten spontanisht nga aktori kryesor i kësaj “drame”
të Kafkës.
Spektakli dhe spektatorët
Tërësia e kapitujve të “Procesit” e vendos Jozef K. në vende të mbyllura apo të ngushta (dhoma e tij, dhoma e piktorit) por ndonjëherë edhe në mjedise të hapura mirëpo pa i përcaktuar dimensionet e atyre hapësirave (salla e gjyqit, Katedralja, trualli ku do të ekzekutohet ). Por e përbashkëta e gjithë këtyre hapësirave është se personazhi gjithmonë është i vështruar nga disa “spektatorë” nëpërmes dyerve apo dritareve të panumërta.
Dyert dhe dritaret paraqesin gjithmonë kufij të pakalueshëm apo të çara që hapin shtigje të rrezikshme për K. Për shembull në kapitullin 1 “dera me dy pjesë […] ishte e hapur krejt”, mu te kjo derë e Zonjushës Burstner e priste komisari. Gjithashtu vazhdimisht nga dritaret e ndërtesave përballë ai vështrohet nga pleq shumë kureshtarë.
Në një mënyrë gati diabolike, spektatorët rriten vazhdimisht në numër duke formuar në fund një kor të ngjashëm me korin antik por i cili është akoma më i tmerrshëm se antiku ngase ky kor rri i heshtur dhe funksion sipas disa ligjeve misterioze të cilat mbesin krejt enigmatike për personazhin ( i cili ndihet vazhdimisht i vështruar nga ky kor.)
K. do ti bërtasë kolegut të tij Kuliç “ Mos shiko në atë drejtim”
Ai e ka fjalën që të mos i vështrojë ata që e vështrojnë atë, pra i akuzuari nuk mund të durojë shikimin e atyre që e akuzojnë. Derisa K. vështrohet nga dhjetëra sy në sallën e gjykatës, në po atë kohë ka një komunikim të syve të gjykatësit me “spektatorët“, një komunikim i cili duket se është një marrëveshje e fshehtë midis tyre dhe që K. i ngjan se paraqet një rrezik shumë të madh:
“Derisa K. u ndal dhe i hodhi një sy gjykatësit, iu duk se vërejti që gjykatësi pa thënë asnjë fjalë , dikujt në turmë i bëri një shenjë me sy. K. qeshi duke thënë: Mu në këtë çast ky gjykatës njërit prej jush po i drejton një shenjë të një marrëveshje të bërë”
Personazhi kryesor do të ndeshet me vështrime që bashkohen kundër tij apo që e rrethojnë atë të tërin, pa i lënë shteg shpëtimi. Ta marrim shembullin e dy vajzave të reja të cilat po sa hyjnë në ndërtesë gapërrojnë sytë përmbi të duke mos larguar shikimin e tyre madje as kur personazhi dëshiron të fshihet.
Të gjitha këto elemente, pra prania e kudo ndodhshme e vështrimeve, pozicionimi shumë i përpiktë i protagonistëve nëpërmes dyerve dhe dritareve që shërbejnë gati si kuadro filmike, loja e vazhdueshme e kalimit të pasazheve nga një vend në tjetrin–na përkujtojnë akoma më shumë se teatrin në një art tjetër: Kinemanë.
Loja e dritës dhe e hijes
Shumë qartë, libri i Kafkës është i ndërtuar në një tablo bardh e zi, kurse ngjyrat tjera janë përmendur aty aq rrallë dhe aq shkarazi sa ato mund të mos bien fare në sy. Ajo që haset dendur nga ana tjetër janë saktësimet që bën Kafka mbi dritën dhe mbi terrin i cili është shumë mbizotërues në këtë vepër:
“ … drita e hënës nuk ndriçonte më shumë se një kënd të ngushtë të dritareve”
“ … mirëpo mjegulla nuk lente që të shikohej më larg se sa pullazi me dëborë i ndërtesës fqinje“ .
Mbi ngjyrat e tablove të “Procesit“ dëshmon edhe vizita e K. në Katedrale, ku kemi një vërshim të territ ndërsa llamba dhe të gjithë mjetet tjera ndriçuese kanë këtu rolin jo vetëm për ta shprehur simbolikën e këtij vendi të kultit por edhe për ta përforcuar këtë atmosferë që të shtrëngon dhe të trazon.
Mirëpo gjithashtu nëpërmes këtij Kapitulli mbi Katedralen Kafka duket se portretizon edhe ndjenjat e tija ndaj këtij vendi. Ai jep përshtypjen se nëpërmes këtyre tablove bardh e zi paraqet ndjenjën e tij e të qenit i huaj si ndaj katedrales ashtu edhe ndaj religjionit katolik. Drita dhe hija kanë funksionin e shfaqjes të një mjedisi të errët, plot ambiguitet dhe shtypës.
Personazhet e veprës
Thelbi përmbajtësor i kësaj vepre zhvillohet nëpërmes kësaj ngjarjeje: akuzimi i një njeriu nga një Gjyq i padukshëm që ndodhet kudo.
Përveç Jozef K. personazhet tjera të kësaj vepre mund të ndahen në dy grupe:
-ata që e ndihmojnë K. Këtu mund të numërojmë zonjën e shtëpisë ku jeton K (Zonja Grubaq, fqinjen e zonjës Grubaq ( zonjusha Burstner), dajën e tij, Elsën dhe Lenin;
-kurse ata që punojnë kundër K. dhe që i shërbejnë gjyqit janë: të gjitha personat që vijnë ta arrestojnë dhe që në fund e ekzekutojnë K., nëpunësit e gjyqit, gjykatësit, bile edhe predikuesi në Katedrale i cili akuzon K. në një mënyrë enigmatike.
Personazhet që akuzojnë K. janë më të shumtë, ata shumohen vazhdimisht duke dëshmuar se Gjyqi gjendet gjithkund. Kudo që shkon K. hapësirat (kuzhina, pullazi) menjëherë shndërrohen në vende të gjyqit ndërsa madje edhe personat më banalë ( disa vajza të vogla!) zbulohet se punojnë vazhdimisht për Tribunalin.
Gjithçka duket se vërteton thënien e studiuesit Goldshmit i cili thotë: “Gjithkund ku shkon K. është gjyqi, ndërsa K. shkon gjithkund ku ka gjyq”
Ky gjyq i fshehur dhe i heshtur, akuzon pa prova dhe nuk e njofton të akuzuarin as për qëllimet apo motivet që ka:
“Sepse në përgjithësi procedura mbahet e fshehtë jo vetëm për publikun por edhe për të akuzuarin” (kapitulli7) “ndërsa dokumentet e akuzës janë të ruajtura në gjykatë dhe nuk mund t’iu qaset as i akuzuari e as mbrojtja e tij “.
Por kulmi i të gjithave është se nga fjalët dhe nga roli që luan, madje edhe avokati që e mbron K. jep përshtypjen se ka bërë një marrëveshje të fshehtë me palën akuzuese.
Domethënë ekziston një komplot i përgjithshëm i cili e paraprin por edhe e shkakton fajësinë, që ta vendos pastaj tek fajtori – i cili është i rrethuar nga të gjitha anët nga ajo. Mirëpo, kemi në këtë mes edhe kokëfortësinë e K. (që është pjesë përbërëse e fajit të tij) , i cili e dënon veten që vazhdimisht të ndeshet me Gjyqin
“Personazhi” i K.
Kryepersonazhi Jozef K. paraqet njëfarë personazhi të zbrazët, të cilit ia njohim vetëm emrin dhe inicialin e mbiemrit (inicial i cili është një element që intrigon pareshtur lexuesin ngase vazhdimisht shtrohet pyetja se vallë K. a paraqet germën e parë të vetë Kafkës??). Fizionomia e këtij personazhi asnjëhërë nuk do të na përshkruhet qartë, gjithashtu asnjëherë nuk do të njohim me saktësi botën e tij të brendshme shpirtërore. Për më tepër edhe pozita e tij shoqërore do të mbetet pak e njohur (do të dimë vetëm se ai është një nëpunës i rangut deri diku të lartë dhe se ka të veshur uniformat e nëpunësve bankar të Pragës të fillim shekullit 20. Mund të përpiqemi të hamendësojmë, nëpërmes fjalëve dhe veprimeve të tij, se cilat janë disa nga veçoritë kryesore të karakterit të tij; kështu do të duket se do të gjejmë shenja të mosbesimit, një sens të fortë humori, një përbuzje ndaj nëpunësve më të ulët por edhe një qyqari ndaj shefit të tij, dhe për shkak të situatës ku ndodhet edhe një frikë obsesive ndaj komploteve që po ia përgatisin pareshtur. Interesant është edhe qëndrimi i tij ndaj femrave të cilat në mjaft raste e ngashënjejnë atë deri në atë masë sa ai turbullohet dhe bie në një vorbull erotik mu në kohën kur duhet ta përqendrojë gjithë vëmendjen e tij në Procesin që po i përgatitet (këtu mund të përmendet përvoja e K. me Lenin dhe me gruan e nëpunësit të gjykatës). Mirëpo edhe ana e tij e përvetësuesit të femrave do të vie në shprehje në këtë roman, e shprehur kjo si magjepsje që ai i shkakton Zonjushës Burstner nëpërmes sharmit të tij mashkullor.
Pra edhe sa i përket qëndrimit të tij ndaj femrave ky personazh na mbetet mjaft i paqartë. Kështu në tërësinë e elementeve të tij K. do të përfaqësojë një figurë e cila nuk mund të përkufizohet me sukses.
Marta Robert do të konkludojë shumë drejtë se ky K. paraqet një personazh i cili nuk ka asnjë veti tërheqëse, se është një njeri krejt jo interesant, që nuk ka kurrfarë formimi psikik subtil dhe që nuk di ta jetojë jetën dhe pasionet e saj. Të gjitha këto tek ai mungojnë plotësisht.
Mirëpo në anën tjetër sa i përket intelektit të tij ka shumë gjëra që mund të thuhen. Shihni si diskuton, argumenton, gjykon me një logjikë juridike në çastet kur komisari vije ta arrestojë (kapitulli 1). Por, në anën tjetër kemi edhe një naivitet fëminor i cili e bën lodër të njerëzve që i takon (në rradhë të parë të personave që punojnë për Gjykatën por edhe i të gjithë femrave ). E gjitha kjo shkakton tek ai turbullime të vazhdueshme psikike (zënie e frymës, klaustrofobi, mani e ndjekjes etj)
“Si mund të shkoj në bankë nëse jam në gjendje arresti [. . .] Domethënë nuk qenka aq keq që të jesh i arrestuar [ . . .] Pra atëherë, nuk po duket se është aq e nevojshme që të më informonin se jam i arrestuar“ ( kapitulli 1)
Faji i Jozef K.
Midis dy ngjarjeve vendimtare (arrestimit dhe ekzekutimit) në këtë roman do të ndodh ajo që mund të quhet evoluimi i fajit të K., faj ky që edhe për personazhin edhe për lexuesin do të mbetet shumë rrënqethës ngase përgjatë tërë kohës asnjëherë nuk do të sqarohet “krimi“ i bërë. “Procesi“ që do t’i ndodh atij do të jetë krejt i pazakonshëm: ai do të arrestohet (por nuk do të mbahet në arrest), i caktohet se do ta gjykojnë (pa saktësuar asnjë orar të saktë), do të arrestohet përsëri dhe do të ekzekutohet pa u dhënë asnjë shpjegim.
Ky proces nuk ka kohë apo hapësirë, ngase ai ndodh gjatë gjithë kohës dhe kudo, ndërsa shihet se që nga fillimi K. fatalisht tanimë është i dënuar. Së paku një gjë është e sigurtë në këtë vepër të ankthshme K. është fajtor pse ai është K., K.është fajtor ngase ai ekziston. Kjo vepër duket se përngjason në një alegori të vetë ekzistencës njerëzore, ndoshta edhe shprehje e “mëkatit origjinal” biblik apo ndoshta edhe një ndjenja e madhe e fajësisë e vetë Franc Kafkës (gjë që u shpjegua në pjesën “Aspekte biografike”).
Ligji
Mirëposi interpretim më i rëndësishëm i fajësisë të K. do të merret ideja e një Ligji Suprem për të cilin do të flasë prifti në kapitullin e 9. Ndoshta akoma më saktë do të mund të thoshim se do të jenë “dyert e Ligjit” ajo që paraqet çelësin për të kuptuar alegorinë kryesore të këtij libri. K. do të ndëshkohet ngase nuk ka kuptuar që ekzistonte një derë që ishte e caktuar vetëm për të, të cilën ai nuk do të dijë as ta gjejë e as ta kapërcejë.
Çka do të mund të hapte ajo derë?
A do të mund të hapte ajo derë shtigjet e “shpëtimit” apo të vdekjes?
As kjo nuk do të shpjegohet ndonjëherë.
Fjalët që i thotë në katedrale a do të na ndihmojnë që të hedhet sadopak dritë në këtë mes?
A është fakti që gjykatësi i cili shqipton dënimin mbetet i panjohur arsyeja pse K. do ta pranojë aq lehtë ndëshkimin e tij?
Si duket fati i tij është që të lindet, të jetojë 30 vite, pastaj të vdesë si një”qen” pa arritur të kuptojë asgjë nga e tërë kjo! Dhe ndoshta ndëshkimi i tij në radhë të parë ka ndodhur ngase K. nuk beson se mund të ekzistojë diçka tjetër e cila vije pas vdekjes?!
K. ashtu siç edhe të gjithë njerëzit tjerët të cilët nuk kërkojnë arsye tjetër për të ekzistuar përveç kësaj jete tokësore përjeton vetminë që sjell pamundësia për tu përgjigjur mbi kuptimin e jetës dhe kuptimin e vdekjes.
Moris Blansho vëren se Kafka është i fascinuar me fenomenin e vdekjes dhe për përshkrimin e saj artistik. Duket se personazhet e Kafkës synim përfundimtar të jetës së tyre kanë vdekjen, se ata janë pjesë e një dimensioni të pakufishëm të vdekjes.
Kafka në Ditarin e tij do ta pranojë vetë:
“Shkrimet e mia më të mira janë bazuar në këtë aftësi për të vdekur i kënaqur … në të gjitha këto pjesë të shkruara shkëlqyeshëm kemi të bëjmë me dikë i cili po vdes dhe që këtë e sheh si një mashtrim të rëndë që iu ka shkaktuar…. të tilla përshkrime për mua paraqesin një lojë të fshehtë, unë përjetoj kënaqësi që ta ndiej vdekjen edhe vetë nëpërmes këtij të vdekuri”
Kështu Jozef K., ashtu si edhe personazhet tjera të Kafkës, nga krijuesi i tij do të dërgohet deri në vendin e asgjësimit të tij. Kjo dëshmon “modernitetin“ e kësaj vepre dhe shpreh një përmasë metafizike dhe ekzistenciale të këtij libri.
Si një ndër mendimet e fundit të këtij shqyrtimi mund të thuhet se narracioni i Kafkës funksionon si një inskenim i një fajësie të ankthshme të kësaj drame universale që e quajmë “situata njerëzore”. Dhe këtu duket se Kafka ka pësuar ndikime edhe nga Paskali.
Për ta kuptuar fajësinë universale që e mundon K. do të na ndihmonte shumë nëse konceptet si: gjykatë, gjykatës, gjykatë supreme do të zëvendësoheshin me kuptimin e “Zotit”. Kjo në disa raste do të mund ta zvogëlonte misteriozitetin e këtij krijimi artistik. Mund të merren këta shembuj:
“ . . . ajo që po më ndodh mua është vetëm një rast i izoluar pa ndonjë rëndësi të madhe në vetvete . . . por që zbulon një procedurë që është përdorur edhe ndaj shumë njerëzve tjerë. Janë këta njerëz ata që po i mbroj unë këtu e jo vetveten time“
( kapitulli 3)
‘ … le të merret aktgjykimi papandehur dhe të shqiptohet në një çast arbitrar , nga një person arbitrar …“ ( kapitulli 8)
Dhe në çastin e fundit para vdekjes, pyetja e fundit që shtron K. do të jetë: “Ku ishte gjykatësi i cili asnjëherë nuk mund të shihej? Ku ishte gjykata supreme tek e cila asnjëherë nuk mundi të arrinte?“ (kapitulli 10)
Pikërisht me shfaqjen e “vetmisë të njeriut pa Zot“ do të përfundojë ky libër. Gjithashtu si figura të fundit do të paraqiten edhe tablotë e dehumanizimit të këtij “fajtori“, të këtij “qeni”, turpi i të cilit ka rrezik ta mbijetojë edhe vdekjen e tij.
FUND
——————————————————————————————————————–
*Ky artikull publikohet në kuadër të projektit “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual”. Kjo iniciativë ka për qëllim promovimin e shkrimtarëve dhe filozofëve nga kulturat franceze dhe gjermane. Projekti u mbështet nga programi Kultura për Ndryshim që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institut.
Comments are closed.