5 janar 1949
I
dashur J.K
Të
falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri.
Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft
mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është
ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë
caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi
i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni.
Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në
kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh
e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në
lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato
janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që
njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e
tyre.
Atë që ti
bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe
si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo
vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të
botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo
duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë,
por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë
e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke
qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ?
Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë
J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I
pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për
egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë
ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të
paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të
mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i
justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.
Nëqoftëse
ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi
i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë
shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili
prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një
misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga
stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e
tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të
pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të
mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i
përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë
realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta
jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi,
ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund
të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk
në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim
që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti
i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor.
Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën
individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga
suksesi, të duken mediokër.
Kështu,
në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja
Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet
fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të
shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër
e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më
tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të
parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë
dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një
shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë
rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e
besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe
në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e
motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e
më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i
çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe
motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore,
me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër.
Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte
qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur
ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të
ndritur.
Shkurt, kur
dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është
niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja
objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e
tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që
të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij.
Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më
e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na
bën të besojmë se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai
që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe
të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i
arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat
e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër
rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse
ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në
një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë
një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo
gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo
është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin
normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar :
imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr
kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto
dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu.
Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë
gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë
natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë
në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një
vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka
rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje
tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë
që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të
bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk
ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e
aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk
ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më
intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e
rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë
mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë
që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të
jetë akoma më e thellë.
Kur
them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për
secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e
artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i
individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur
një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i
duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben
mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta
shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe
personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë.
Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është
një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë
të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të
hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi.
Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet
pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon
dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të
bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë
pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas
rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult
primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam
aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në
fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e
njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe
shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur
dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika
të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.
Në
botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo
kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo
profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të
heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që
nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë
kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një
lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që
duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në
një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po
aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën
morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të
saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me
gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe
nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në
luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu
dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz
që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj
që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të
paraqesë një rrezik serioz për ty.
Shoh
që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj
disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe
personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.
Përktheu:
YD
Marre nga:
http://bllokshenimesh.unblog.fr/2009/11/16/herman-hesse-leter-nje-artisti-te-ri/
Comments are closed.