KOSOVATRANS: Absurdi dhe komedia

Shkrim recensional nga Prof. Dr. Josif Papagjoni mbi shfaqen “KOSOVATRANS” të Naser Shatrollit

Në festivalin e teatrit “Flaka e janarit” të Gjilanit, datë 23 janar 2018, trupa e teatrit të Podujevës «Avdush Hasani» shfaqi diadramën e dramaturgut dhe regjisorit Naser Shatrollit “Kosovatrans”.

Shatrolli është autor i ri dhe mban firmën e disa teksteve dramatike, ka shkruar mjaft shkrime kritike duke përcjellë në shtyp dhe medie vepra teatrore të shumta e duke ofruar, më së shpeshti, vlerësim të sinqertë, pozitivitet e kurajim. E kam ndjekur edhe më herët krijimtarinë e tij dhe kam vënë re se vit pas viti, përtej pasionit prej rishtari, të cilin gjithkush e ka mbajtur pranë vetes si një rrahje zemre (shpresash dhe ëndrrash), për sukses dhe për vetëshprehje të individualitetit të vet artistik, gjithnjë e më shumë jam bindur se ai është “burrëruar” në familjen e artistëve të teatrit dhe dramës.

Kam mbresën e mirë se nesër ai do të jetë një krijues i vyer, në mungesat dhe nevojat që skena dhe drama shqipe ka sot për sot për emra të rinj, sa serioz e të talentuar, aq dhe mëtues të “pafalshëm” të dafinës dhe të meritës.

Një vit më parë ai solli po një diadramë me titullin “Karramel”, e cila fitoi çmimin e parë po në festivalin e Gjilanit dhe u vlerësua nga kritika. Në atë tekst e shqetësonte fort raporti eter-bijë, një marrëdhënie e brishtë, delikate, ku përplasen mendësi kontroverse dhe ku ndershmëria është fare pranë me shtirjen, ku e jashtmja bëhet e brendshme dhe anasjelltas, ku kundërshtia dhe lëndimi që vjen nga sjellja e tjetrit shndërrohet në premisë për çlirim, rebelim, riidentifikim dhe katarsis. Me këto dy diadrama të suksesshme, dhe disa tjera si: ”Brisku”, ”Muhamed Ali” për të cilat kam dëgjuar e lexuar porse nuk kam gjetur mundësinë me i shikuar, Shatrolli duket se po i njeh gjithnjë e më shumë ligjet e hekurta të skenës, njeh “tekat” e suspansës dhe kurthet e strukturës dramatike, njeh trysninë psikike brenda një a dy vetjeve njëherit, njeh ngjeshjen e lëndës dhe dialogun, respekton domosdonë e shpërfaqjes së gjendjeve të ndera e në zgripe shndërrimesh karakteriale, sikundër ecën brinjë më brinjë kah natyra e fjalës skenike duke iu shmangur retorizmit, zgjatjeve, letrarizmave, dëshirës dhe tundimit për të artikuluar fjalë të “bukura” në dukje dhe “mendime’ që vijnë në formë pohimesh, por që më shumë na lodhin dhe dalin jashtë vëmendjes sonë se sa bëhen pjesë e përjetimit. Dhe prandaj dramën ai e sjell jo aq përmes një ligjërimi poetik, dëftues dhe rrëfimor, por përmes ligjërimit skenik e dramatik, ku koha tashmë është tejet e kufizuar dhe vëmendja e publikut duhet mbajtur e ngritur, veshëpërpjetë, gati si në një shkrehje çarku. Dhe kjo kërkon intuitë, diç të brendshme, sikurse njohje të ligjësive të skenës, s’bëhet me leksione, as me porosi.

Cilësi të tilla që vijnë ca nga studimet e mirëfillta të dramës si gjini letrare, shkollë të cilën N. Shatrolli e ka kryer, dhe ca më shumë nga aftësitë dhe talenti që janë ashtu të ndodhur brenda vetjes dhe formimit të tij, mënyrës së tij të vetshprehjes si shkrimtar, – të tilla cilësi pra e të tjera sosh m’u dukën se u rishfaqën në po atë epëri e në po atë nivel edhe te diadrama e fundit “Kosovatrans”. Por besoj se Shatrolli ka pasur “mik” në suksesin e shfaqjes edhe një aktor të formatit kombëtar siç është Ismet Azemi. Në të dyja këto diadrama ai bëhet njëherësh qenie trikrerëshe: dramaturg, regjisor dhe prijës teatri.

Cilësimi i fundit ngjan si i tepruar dhe një përlëvdim që i jepet njerëzve me ndihmesa të mëdha në teatër dhe udhëhapjet e tij, por unë e përdor në kuptimin e një artisti që ngulmon të ndërtoj “teatrin e vet”, pra një koncept të vetin mbi teatrin, çka nis më së pari me idenë se si ai e sheh teatrin, dhe përfundon paskëtaj me realizimin e kësaj apo asaj premiere, ku do të synoj më tej, ç’udhë lipsen ndjekur. Unë i mëshova paksa më shumë kësaj ideje se e di që një prijës a “lider” i teatrit, sidomos kur bën bashkë këto tri shëmbëlltyra dhe misione (autor, regjisor, drejtues), ka fuqinë dhe të drejtën të ndërtojë teatrin e vet, sikundër kanë bërë Brehti, Piskatori, Arto, Grotovski, Shepardi dhe autoritete të mëdha të teatrit botëror, por edhe Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Pirro Mani e, sidomos, Serafin Fanko, Fadil Hysaj ndër ne.

Por po i rikthehem diadramës “Kosovatrans”! Një shumësi idesh përbëjnë përmbajtjen e kësaj diadrame, të cilat tubohen në synimin për të ofruar një situatë të vështirë tranzicioni e turbullire ndër shqiptarët e Kosovës pas luftës. Nga gjithë ai korp mendimesh të mbledhura në tekst, së paku disa syresh duket se formësohen dhe shkrihen në dialogun që zhvillohet midis dy personazheve, një ish komandanti të UÇK, të cilit i janë vrarë dy djemtë dhe gruaja dhe një burri të ri, emigrant në Zvicër, me familje të shkatërruar, i lodhur, i mllefosur nga dështimet dhe zhgënjimet, që kthehet në vendlindje, por që është gjithsesi disi i paqartë, i turbullt, i errët, i dëshpëruar. Çfarë qëndrimi po mban shoqëria kosovare ndaj luftës dhe luftëtarëve të saj? A ka respektin e merituar kjo luftë apo ironizohet nga segmente që duan ta bjerrin e ta zvogëlojnë madhështinë e saj? Sa është spekuluar politikisht me të? A kanë qenë pjesëtarët e saj njerëz të vërtetë të sakrificës dhe heroizmit apo shumëçka është e trukuar, një mashtrim mediatik e një farë fotoshopi grotesk, kartolinesk? Deri ku mbërrin e drejta e tyre, vallë shkon edhe tek e “drejta” për të shkelur ligjet e për të zaptuar tokat e të tjerëve? Cili është detyrimi ynë ndaj tyre dhe i çdokujt ndaj luftës dhe lirisë? Po ndërkombëtarët a mos e teprojnë me të drejtën e ndëshkimit ndaj liderëve luftarakë të UÇK, për të krijuar balanca diplomatike mes dy ndërluftuesve, shqiptarëve dhe serbëve, ndoshta një farë “loje”, duke respektuar parimin e baraslargimit, rrjedhimisht duke i bërë njësoj viktimën dhe xhelatin, pa diferencuar agresorin nga i pambrojturi, me qëllim krijimin e një klime pajtimi, harrimi, fajësimi ku ndëshkimi është i dykahshëm?! Ideja tjetër që lëvrohet në dramë ngulet në pyetjen: Cili është raporti kulturor midis modelit perëndimor të lakmuar të jetesës dhe modelit lindor që zvarrget këmbëve tona? A është modeli perëndimor ai më i përkryeri apo ka aty diçka abuzive, ka ekzagjerim, shkelje të moralit, gjë e cila shkatërron traditat e mira, familjen, raportin prindër-fëmijë, marrëdhënien burrë-grua? Po qytetërimi ynë tradicional a duhet ruajtur me xhelozi si vlerë antropologjike e vyer dhe e patjetërsueshme apo ka vend për shkëputje të dhimbshme dhe refuzim të formave, ndonjëherë primitiviste, patriarkale, të cilat janë ushqyer gjatë prej një shoqërie të ngritur mbi autoritetin e mashkullit, burrit të shtëpisë etj.

Idetë e artikuluara në vepër janë me kah dramatik dhe të mprehta, janë aktuale, për këtë shkak dhe pllenuese. Por nga dëshira për të thënë shumëçka në një dialog, autori hedh e pret ide të mbivendosura njëra përkundër tjetrës, gjë e cila e hapërdan lëndën dhe e largon vëmendjen nga ajo që mund të ishte kryesore: së paku, qëndrimi ndaj njerëzve që bënë luftën, ndaj të drejtës si dhe përplasja e mendësive midis brezave dhe qytetërimeve.

Gjithsesi më duhet të them se teksti prek gjësende të dhimbshme të jetës dhe problematikës aktuale, prandaj dhe tërhoqi vëmendjen e publikut gjilanas dhe krijoi një heshtje të tensionuar, pjesë e impaktit ideoemocional të saj me përjetimet e spektatorëve. Dhe kur teatri e mbërrin këtë kuotë sipërane, heshtjen e mbushur përplot tension psikik, përplot përjetim, heshtjen ku buisin lëvizje ndjenjash dhe emocionesh, kur nuk pipëtin kurrëgjë, as një kollë e vetme, atëherë po, teatri ka arritur pikën e tij më të mirë. Afërmendsh, kjo lidhet edhe me publikun, me emocionin e tij. Dhe në Gjilan unë e ndjeva atë emocion. Tema e mprehtë ma dha. Por edhe guximi për ta thënë haptazi atë që autorin e shqetëson, si dhe të gjithë neve. Dhe kur teatri vë gishtin në plagë, ai e flak tutje pelerinën mbushur me lule dhe na tregon trupin e shqyer nga plagët.

Vlerë epërore e kësaj shfaqjejeje ishte dhe loja e fuqishme e aktorit të mirënjohur Ismet Azemi, një aktor plot hijeshi në skenë, me një zë tenor ku shqipja përcillet fort bukur, e qartë, kumbuese dhe ku vrullimi shpirtëror mes diagramave temporitmike të gjetura me kujdes krijonte një tension të brendshëm ndër ne, që na bënte ta ndjekim me kërshëri. Diku ai mund të ketë dhe ndonjë klishe aktrimi, të gjithë aktorët s’u shmangen dot atyre, janë pjesë e përvojës, e përsëritjes, e vetë individualitetit, deri edhe e stilit. Prandaj dhe, mbase, duhet ta mbajë parasysh më fort faktin se është një burrë me djemtë e vrarë në luftë dhe familjen e shuar me tërësej, pra me një brengë e pikëllim të madh dhe që habitshëm ndërton një ngrehinë të re!!! Po për kë vallë?! As për veten e tij, besoj se jo! Dhe këtu rrënjëzohet, madje, absurdi. Ngrehina e re shndërrohet në pikëllimin më të madh, në nëntekstin tragjik të gjendjes së tij. Lumturia në dukje është kthyer rrokapjekthi në fatalitet. Kjo është e bukur dhe e mpehtë për mua.

Aktori Ismet Azemi shpesh e jep shastisjen që e kaplon herë-herë, çka dëshmon se me intuitë ai e kupton ç‘është lëngata dhe trishtimi i personazhit, absurdi që e qerthullon atë, pa e ditur asfare vetë. Ai duket se e sfidon absurdin por absurdi është aty, në çartjen e tij të parrokshme nga gjendja ku gjendet: stoicizmi fals që kërkon të mbulojë dhe të mposhtë pikëllimin e babait me djemtë e vrarë. Për këtë arsye unë do dëshiroja që aktori të zhbirilonte edhe më thellë në kurthin e kësaj ndjeshmërie ambiguide, ani pse ai e ka për qejf dhe si formë vetëparaqitjeje diku-diku klishenë e “teatralitetit të bukur”. Gjithsesi, kjo nuk e ul aspak përroin e rrëmbyeshëm të vrullimit të tij psikik, pushtetin e lojës së tij, që na fali aq kënaqësi. Loja e Ismet Azemit ta mbush shpirtin, ka plasticitet dhe një spërndritje skenike të veçantë. Dhe kjo i tejkalon të gjitha.

Faris Berisha aktor i ri dhe me një lojë të natyrshme, i qëndroi bukur mirë modelit të lojës së Ismet Azemit dhe të dy së toku krijuan një duo të pritshme, harmonike, komunikuese dhe, madje, përplotësuese ndaj njëri-tjetrit. Ai ravijëzoi të riun e dëshpëruar dhe stresuar nga jeta në mese sociale evropiane (zvicerane) të keqkuptuara, ku familja dhe raporti burrë-grua gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e krizës morale të shoqërisë, ashtu sikundër edhe marrëdhënia etër-bij, të cilat që të dyja kanë nevojë për rikonceptime, qëndrime konstruktive, shmangjen e teprive dhe snobizmit, si dhe një emancipim të tërësishëm ku humania asnjëherë nuk mund të zëvendësohet apo të tejkalohet. Mizanskena regjisoriale e Shatrollit është përgjithësisht e ekuilibruar, e vendosur në një simbolikë-ngrehine hekuri si Kosova në ndërtim e tranzicion (struktura prej hekuri që lëviz e rrotullohet lart e poshtë në sheshin skenik) brenda një skenografie moderne (Zeni Ballazhi) që përdoret për nevojat aktoriale, pastaj pjesa kostumografike (Flutura Dedinja) që shpërfaq karakterin e dramës së personazheve dhe të natyrës së dramës si dhe koreografia e Robert Nuhës që stigmatizohet karakteri i dramës perëndimore dhe muzika e Drinor Zymberit që depërton thellë në damarët e rrjedhës së përgjithshme të dramës.

Por nga nevoja për ta energjizuar mizanskenën, sikur është ”tepruar” me lëvizjet të përhershme të saj duke i dhënë konotacione skenike, që s’kishte arsye përse të ngjante në çdo dialog e copëz konflikti midis dy personazheve. Ndonjë element i natyrës tjetërsuese kur aktori del nga roli, si ai me mollët që i jepen publikut, edhe mund të shmangej duke e kërkuar pauzën emocionale të personazheve në tjetër mënyrë e konotacion fizik, jo gjegjësisht, të themi, një forme teatrore “brehtiane” që s’ishte e domosdoshme në kësi teksti dhe koncepti teatror të ndjekur.

Në fjalë të fundit, shfaqja ishte një sukses i merituar, me veprim të ngjeshur, një trysni psikike që rritet dhe ku përpara vetes na dalin pyetje të vështira, që kërkojnë ndershmëri ndaj ndërgjegjes sonë, ndaj vetë shoqërisë, për të mundur të ndërtojmë kështu atë imazh social, politik, antropologjik, human dhe civil, që e lakmojmë të gjithë: shoqërinë e të drejtës…

Teatri: «Avdush Hasani» Podujevë
Autor i shfaqjes: NASER SHATROLLI
Interpretojnë: ISMET AZEMI & FARIS BERISHA

Ass. i Regjisë: Ermal GËRDOVCI, Muzika: Drinor ZYMBERI, Skenografia: Zeni BALLAZHI Kostumografia: Flutura DEDINJA, Koreografia: Robert NUHA, Dizajner: Berat LLAPASHTICA
Mjeshtër i skenografisë dhe rekuizitat: Ekrem Xhaka, ndihmës mjeshtër: Mursel Haziri, Ndriçimi: Albert Gashi dhe Skender Latifi

Comments are closed.

Navigate