Kritika e poezisë pesimiste

Kritika e Poezisë Pesimiste
 
 
(Një sallë biblioteke, disa studjues kritikë; hyn Hirjoni.)
 
Hirjoni:
Mirëdita zotërinj!
 
I pari Kritik:
Mirë se erdhe Hirjon!
 
I dyti Kritik:
Jemi tepër të zhgënjyer nga ju, Hirjon!
 
Hirjoni:
Të zhgënjyer?! Përse kështu vall?
 
I pari Kritik:
Hirjon, shiko, e kemi fjalën për poezitë e tua…
 
Hirjoni:
Ëhë, e ç’farë kanë poezitë e mia?
 
I pari Kritik:
Nuk dua të them që ti s’e di por, sot njerëzit janë tepër të ngarkuar nga punët e përditshme, nga studimet, problemet në familje, jeta e komplikuar bashkëshortore, jetesa jo e mirë, problemet politike etj… dhe ne poetët jemi këtu për ta përmirësuar gjendjen shpirtërore të shoqërisë, t’i ngrejmë moralisht edhepse rrethanat në të cilat ndodhen janë të zymta. Ky është qëllimi jonë.
 
I dyti Kritik:
Po, qëllimi ynë ka të bëjë pikërisht me krijimin e një shoqërie më të mirë, më të qetë dhe plot dëshirë e shpresë për të ardhmen. Ndërkohë, zotëri i nderuar, ti me poezitë e tua nuk po bën gjë tjetër veçse të kundërtën e gjithë kësaj çka përmendëm, dhe kjo është e rrezikshme.
 
I pari Kritik:
Pra, Hirjon, ajo çka duam të themi është se ti mund të ndryshosh. Madje mund të bësh një deklaratë duke treguar se ke qenë tepër i trazuar shpirtërisht dhe tani je më mirë. Je i qetë dhe më në fund mund të nisësh të shkruash diçka që do pritet fort mirë nga lexuesit dhe që nuk cënon më brishtësinë e tyre. Hirjon, ne besojmë se ti mund të ndryshosh. Madje, ti duhet të ndrysh.
 
I dyti Kritik:
Po, dhe për të qenë më të qartë, nëse nuk ndryshon, atëherë më mirë mos shkruaj fare.
 
Hirjoni:
Më vjen keq zotërinj, por, nëse ju jeni të lumtur, unë s’jam aspak, dhe si të tillë e shoh veten. Nëse idhujt tuaj ëndërrojnë për një botë të ndritur, të mit shpesh mendojnë për një botë të djegur. Nëse ju doni të krijoni manifeste që flasin për një harmoni të shtirur, unë s’mundem. Nëse ju ëndërroni t’ju ngrejnë përkujtimore si pishtarë të një rryme letrare që shërbehet si moral i kulluar (e që s’është tjetër veçse dinakëri), unë sërish s’mundem. Madje, do preferoja më mirë të më shpinin në Gijotinë.
E di ç’keni, lërini librat e mi, mos i studjoni, ose më mirë digjini, flakini tutje; në lum, në baltë, nëpër shkëmbinj që të myken e kalben… kudo që të mundeni. Mos i shihni me sy, pështyjini, flakini me këmbë. Ose, nëse e mbani veten si të moralshëm, strukini këta libra diku në ndonjë cep të thellë të bibliotekës; aty ku flejnë fjalët e poetëve që ju i quani vetëm fantazues bosh. Lërini aty të prehen si pakënaqësitë e një poeti të pakënaqur, si fletë të baltosura, të përgjakshme, të kobshme, çmitizuese, të pamoralshme, djallzore, poshtëruese… Quajini si të doni, sepse në fund të fundit, ju jeni kritikët.
Dhe, me lejën tuaj zotërinj, po largohem duke ju lënë shëndenë!
(Del)
 
I dyti Kritik:
A e patë? Është komplet i krisur. Mendoj se as që ia vlen barra qiranë të merremi me të. Harrojeni zotërinj, ky njeri s’i hyn në punë as dreqit.
 
I treti Kritik:
Ndaj të njejtin mendim. Këtij njeriu dhe veprave të tij as që ka për t’i mbetur ndonjë grimcë në shekujt e ardhshëm.
 
I katërti Kritik:
Në shekujt e ardhshëm the? Ky s’kalon dot as këtë dekadë!
 
I pari Kritik:
Mos ndoshta u treguam pak si tepër të ashpër me të?
 
I dyti Kritik:
Unë do thoja aspak. I dhamë atë çka meritonte.
 
I pesti Kritik:
I respektoj mendimet tuaja zotërinj por, druhem se rrethanat do vijnë ndryshe nga ç’paramendoni.
Lexuesit na ndjekin vazhdimisht dhe e kanë mirëpritur vizionin tonë optimist për të ardhmen e ndritur, por, dyshoj se do vijë shumë shpejt momenti kur përputhja jonë me realitetin do bëhet vështirësisht e pranueshme, dhe pas kësaj, zhgënjimi do jetë i pashmangshëm. Pra, ajo çka dua të them është se pasi lexuesit ta kuptojnë nga përvoja se parimet tona optimiste mbahen mbi dërrasa të kalbura, atëherë do jetë radha e tij. Njerëzit do i kërkojnë librat e Hirjonit si ujqër të uritur, ndërsa tanët do i grisin si qenë të tërbuar.
Më vjen keq miqtë e mi, por e ndjej veten tepër pesimist në këtë pjesë.
 
Shkruan: Gerald Ramaj

Comments are closed.

Navigate