Marsel Prust: “Kur lexojmë, na pëlqen gjithmonë të dalim pak nga vetja e të udhëtojmë”

Marsel Prust: Në kërkim të kohës së humbur

Ese nga Shqiponja Duro

Krijimtaria e Marsel Prustit përfshin një seri romanesh ose një shtatologji, nëse mund ta quaj kështu. Rreth 2600 faqe krijim që fillon me fjalën ‘longtemps’ (kohë e gjatë) e mbaron me fjalën ‘temps’ (kohë), e që Prusti do ta titullonte « Në kërkim të kohës së humbur » (À la recherche du temps perdu ). Përvojat personale të njohjes e të leximit të veprës së shkrimtarit të shquar francez janë të ndryshme. Unë mora për herë të parë në dorë « Dashuria e Suanit » (Du côté de chez Swann). Fillova ta lexoj me endje dhe me një nerv disi të pashpjeguar. Fakti që thuhej e shkruhej gjithandej se çdo krijim i tij është kryevepër më kishte ndikuar pritshmërinë e leximit. Kështu që në faqet e para kisha një habi, por edhe një lloj « zhgënjimi ». Ose unë nuk po e kuptoja atë që lexoja, qortoja veten. Dhe i rikthehesha përsëri nga fillimi. Përpiqesha të gjeja figurat ose diçka « wow effect », por më kot. Nuk po më ngjiste. Më krijonte një nervozizëm. Vendosa ta lija ca ditë leximin për të zgjedhur një moment më të qetë. Të rikujtoja çfarë kisha lexuar. E rimerrja ditën në vijim për ta lexuar ‘shtruar’, e çliruar nga pritshmëria e përsosmërisë, të ngjitesha me kuptimin e shkronjave dhe ashtu leximi sikur filloi të ecë si një tren në shinat e tij, teksa jashtë bie shi dhe të gëzon e të kënaq ndjesia se je i mbrojtur brenda, duke soditur në mënyrë romantike rrëkezat e ujit që përplasen pa zhurmë në xham. Mund ta krahasoj këtë lexim me kënaqësinë që të jep një pikturë e bukur apo një foto që të kujton një dashuri të hershme. Përvuajtja e Suanit për gruan që donte filloi të më prekë shpirtin. Ja, kjo mund të jetë, mendoja shpesh, kur shkëputesha pakëz nga shkëlqimi i shkronjave apo kur mbaja shënim fjalë të reja në frëngjisht, të cilat leksiku im i kufizuar nuk i integronte dot në kuptimin e frazave të gjata. Nuk ishin vetëm fjalët e reja që shkaktonin moskuptimin e menjëhershëm të një fjalie të gjatë, tipike prustiane, por ishte edhe arti i ndërtimit të frazave me togëzime të zhdrejta që të impononin ose një përqëndrim stoik ose nervozizëm dhe braktisje të leximit.

Në vëllimin e IV “Sodome et Gomorrhe” do të gjejmë një mjeshtëri të stilit analitik dhe mbase nga më të përsosurat në letërsinë botërore, përveç ushtrimeve të stilit, romaneve në një fjali…, do të gjejmë aty fjalinë më të gjatë që përmban 847 fjalë. Temat aq të larmishme, narratori në vetën e parë, kompleksiteti i formës strukturore të fjalisë e detyron lexuesin të transformohet në “punëtor mendjeje dhe durimi”. Nuk di pse më dukej sikur ndjeshmëria, me të cilën Prusti përshkruan botën e brendshme të personazheve, vinte nga një ndjeshmëri e hollë gruaje. Mos ndoshta ngaqë ai ishte homoseksual? Një butësi humane, një çiltërsi fëminore, një botë e pasur, një sinqeritet origjinal, që do e quaja një “hyrje nën lëkurë” të çdo personazhi. Në pozicionin e lexuesit të krijohet përshtypja se nuk ke më pritshmëri se çfarë do të ndodhë me personazhin, sepse ‘intriga’ shkrihet me një kolorit të ri të papriturash me botën e personazheve: me botën shpirtërore; me atë çfarë ndiejnë, mendojnë e parashikojnë ata se do të ndodhë. Segmenti kohor po ashtu të shkrihet; nuk të intereson më të dish ; kur, në çvend, në çfarë rruge jetojnë personazhet, pasi koha kthehet në një nocion relativ dhe vendi të shndrrohet në rrugën ku ti si lexues, kudo në botë, je duke lexuar me librin e Prustit në dorë. Ai kthehet në një një mozaik universal. Narracioni është një “chemin innconu” : një rrugëtim i panjohur. Ai të merr për dore dhe të shëtit në një kopsht pafund e lakuriq.

Fragmentet e kohës kryqëzohen, por ngelen aktuale, meqë dashuria është e pavdekshme në çdo kohë. Kur lexon Prustin, të duket sikur shikon një album me ‘souvenirs’, me kujtime sensuale, që flasin për jetën tonë në kuptimin e brendshëm; thellësisht të brendshëm, të ndjenjave humane. Ndonëse arma e tij më e fortë në teknikën e tij është ‘fraza’, ai të tërheq si një kalë i bardhë drejt një galopimi në çdo kohë. Ai të detyron, të stërmundon të koncentrohesh, të ndiesh, të kuptosh, të çlirohesh nga skemat gjykuese për tjetrin. Dhe një gjë është më se e sigurt : ai të edukon edhe të duash më bukur, edhe të ndërtosh vizionin me ‘ouverture d’esprit’. Të ndiesh thellë qenien njerëzore me gjithë dritëhijet e saj. Po ashtu, Prusti theu tabutë e të menduarit ndryshe, e të dashuruarit ‘ndryshe’; ai trajtoi me një natyrshmëri dhe origjinalitet fenomenin e dashurisë ’inter-gender’; bi-seksualizmin, homoseksualizmin…dashuritë e fshehta, të jetuara në errësirën e mentalitetit të shoqërisë perëndimore që ndryshonte. Personazhet e Prustit hapin dritaret e të ardhmes dhe i paraprijnë asaj. “Proust, c’est moi lorsque je lis “À l’ombre des jeunes filles en fleurs”, do të shprehej Margarite Duras (Prusti jam unë, kur lexoj Prustin ). Të njëjtën gjë thotë edhe Borges për Shekspirin : « Shekspiri nuk ekziston ; ai jam unë, kur lexoj Makbethin, Hamletin, Otello…: Shekspiri është i shkrirë me lexuesin e tij.» Mund të themi se Prusti të krijon një personazh të ri në vetvete që të çon drejt vetënjohjes. Po, ai të ndihmon të njohësh vetveten. Ai shkrin në botën shpirtërore të personazheve edhe atë të mendimit. Personazhet të kujtojnë thënien e famshme të Dekartit : “Cogito ergo sum” (Mendoj, pra ekzistoj)», Sokratin e lashtë grek, i cili konsiderohet themeluesi i filozofisë perëndimore me «Njih vetveten. Unë di një gjë që nuk di asgjë!», zgjidhjen e Kamysë ndaj problemit filozofik si të njohësh dhe të përqafosh absurditetin e jetës, ekzistencializmin e Sartrit me « Ekzistenca e tjetrit e dezintegron ekzistencën time! Ferri janë të tjerët… » apo “L’existence précède l’essence“ (Ekzistenca i paraprin thelbit : esencës). Po ashtu këndvështrimi neutral i narratorit me zhveshjen e njeriut nga dogmat morale :  imoralitetin dhe ‘vdekjen e zotit’ : ateizmin e Niçes. Ndërkohë personazhet nuk ‘filozofojnë’ në mënyrë aktive, ata shpalosen « nën lëkurë » të trupit dhe unit të tyre. Lakuriq. Lexuesi (sja) ; unë si e tillë ; në zbulim të jetës së Prustit u familjarizova me Selesten ; një imazh gruaje (jashtë veprës) që më shumë se një shërbëtore në shtëpinë e Prustit, ajo e shoqëroi me humanizëm e përkushtim atë deri në frymëmarrjen e fundit më 18 nëntor 1922. Ajo e përshkruan shkrimtarin si një fëmijë në një botë aq të lumtur e të dhimbshme. Një mëngjes Prusti do i thoshte tërë dashuri familjare, si një fëmijë i lumtur që kishte parë një ëndërr të bukur : « Seleste, këtë natë ka ndodhur diçka e mrekullueshme, sa madhështore aq dhe e papërshkrueshme. Këtë natë shkrova mbi letër fjalën : ‘fund’. Tani le të vdes. » Lumturia e tij fëminore ishte konfirmimi që jetoi për të shkruar dhe, më në fund, mund të shkonte i qetë dhe i mbushur nga një ndjenjë lumturie « nihiliste » për ekzistencën e tij si individ. Ai jetoi vetëm për të shkruar. Ai punoi e krijoi me bukurinë dhe shpejtësinë e dritës. Sot lexuesi nën mesataren njeh « Pyetësorin e Prustit » ; ai i mesatares njeh relativisht vetveten duke lexuar Prustin, ndërsa lexuesi cilësor që lexon Prustin tejkalon vetveten dhe i lind dëshira ta rilexojë e të shkruajë. Po, leximi i veprës së Prustit kultivon kulturën e të shkruarit, artin e fjalës, teknikat e frazës dhe shpirtit të fjalëve. Vepra e Prustit duhet të jetë në bibliotekat e dashamirësve të librit si një gjë tepër e çmuar, si një flakë e ndezur në dhomën e errësirës që na kujton Wirginia Woolf në vetminë e dhomës së saj dhe fjalët që ajo thoshte për të : « E dua vetminë në dhomën time për të lënë aty në paqe atë çfarë kam brenda meje.» Falë kësaj lloj letërsie hyhet lehtas në universin e shpirtit e lexohet aty edhe ana e errët që përditë e fshehim me maska; e duke e pranuar sa e errët është hija jonë ; aq më shumë bie dritë mbi anën e mirë të të qenit si njeri me « trup që punon » e ndërgjegje që na dallon nga të qenit kafshë josociale. Falë çfarë Prusti të lë të kuptosh, të lind edhe dëshira të udhëtosh. Të bësh udhëtimin më të gjatë : atë rreth e rreth e brenda vetes, sikurse vetë Prusti e quante : « On aime toujours un peu à sortir de soi, à voyager, quand on lit. » « Kur lexojmë, na pëlqen gjithmonë të dalim pak nga vetja e të udhëtojmë. »

FUND

——————————————————————————————————————–

*Ky artikull publikohet në kuadër të projektit “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual”. Kjo iniciativë ka për qëllim promovimin e shkrimtarëve dhe filozofëve nga kulturat franceze dhe gjermane. Projekti mbështetet nga Bashkimi Europian përmes nismës “Kultura për Ndryshim” si dhe implementoet nga Multimedia dhe Instituti “Goethe”.

Comments are closed.

Navigate