Letër, për një vajzë nga Moska

Më e dashura ime A,

Po të shkruaj nga cepi i botës, për të të thënë se sa shumë më mungon prezenca jote. Në jetë ka dhimbje nga shkaqe të ndryshme, por ka vetëm një dhimbje që është nëna e të gjitha dhimbjeve: ajo që vije nga një ndarje e padëshiruar. Takimi i jonë i rastësishëm dhe afatshkurtër i ngjan një zjarri të shuar në gjysmë, por me hirin, plagët, e mbetura poshtë tij.

Se ekzistoka dashuria në shikim të parë, ketë u binda sapo të pashë. E kam para sysh ende ecjen tënde krenare mes njerëzish. Në atë çast ndjeva se mu shembë toka. Ndjeva një dhimbje therëse në zemër. Buzëqeshja jote me përtesë, pastaj flokët e bardhë mbi supe, sytë shprehës – gjithçka e doja tek ti, pafundësisht.

Po të shkruaj nga larg, për të fundit herë, për të të thënë edhe njëherë, se kur ishim bashkë, e ndjeva lumturinë më të madhe në gjithë përmasën njerëzore. Por edhe e dija që do të vij dita e dhimbjes së madhe, dita e ndarjes me ty. Më ngushëllonte vetëm ai mendimi (të kujtohet?) se njerëzit e vërtetë e duan lumturinë por e duan edhe dhimbjen. Të kujtohet kjo! Ti ma the këtë, atë natën e bukur me yje nën dritën llamburitëse të hënës. Si mund të vazhdoj të jetoj pas një natë si ajo! Vetëm një shpirt i madh, si i yti, mund ta pajtoj një lumturi të madhe me një dhimbje të madhe. Ti që e ke kuptuar se njerëzit ngarendin tërë jetën pas lumturisë, duke harruar se nuk ka lumturi pa një dhimbje. Nuk ka lumturi pa vullnetin për të ndjerë atë dhimbjen e madhe, nënën e të gjitha dhimbjeve: dashurinë. Unë i frikësohesha fundit ende pa ardhur. Dhe ja ku po ta përsëris, mendimin tënd: Nuk ka lumturi të madhe pa një dhimbje që i shkon nga pas. Dhe ti, më e dashura ime, u shndërrove për mua në lumturinë dhe dhimbjen më të madhe.

Ne vijmë nga kultura të ndryshme, pa fajin tonë jemi mësuar ta perceptojmë jetën dhe botën në mënyra të ndryshme. Por ja që ka diçka universale tek njeriu: dashuria. Dashuria që ndjej për ty është universale, është dashuria për qenien, për të bukurën, artin, natyrën, për moskuptimet. Dashuria ime për ty është përmbysje e dialektikës. Ti nuk ishe jashtë meje, si jashtësi, nuk ishe ‘Tjetri’ në kuptimin sarterian; jo, ti ishe ajo që unë kisha kërkuar gjithmonë tek vetja ime. Unë e gjeta veten time tek ty. Nuk e honeps fare nëse kjo është egoizëm. Lë të jetë. Ti do të mbetesh përherë për mua ajo vajza e çiltër nga Moska, me shpirt të madh, që arriti ta shoh, po ashtu, një shpirt të madh. Dhe do të të mbetëm përherë mirënjohës për ketë. Për jetë të jetëve.

……………………………………………….

Arrina’

Hëna bënte dritë paqtë

Deti në trazim e sipër

Vetëm Ne

Nën përqafimet e ngrohta, të përbotshme

Dhe me atë frikën e të gjitha frikërave: se një ditë e gjitha u dashka të mbaroj.

………………………………………………….

 

Nga thellësitë më të errëta të shpirtit tim,

A.

Comments are closed.

Navigate