Lindja e vetes, kalon nga porta e vdekjes

Kritikë mbi poezinë “The End” nga Jim Morrison 

“If the doors of perception were cleansed, everything would appear to man as it is, infinite.”- William Blake 

Grupi i muzikës ‘rock’ “The Doors”, i themeluar më 1965 në Los Angeles(USA), shënon një moment historik, në vetëdijen për liri të individit dhe shoqërisë. Jim Morrison, lideri dhe poeti i grupit, e përdori poezinë dhe muzikën për tu revoltuar ndaj tabuve dhe autoriteteve në shoqërinë amerikane të kohës. Emri “The Doors” u vendos nga Morrison, i frymëzuar nga libri i Aldous Huxley-”The Doors of Perception” (Dyert e Perceptimit). Morrison duke u bazuar edhe tek Huxley, besonte se individi dhe shoqëria jetonin në iluzion, dhe përmes artit na fton të thyejmë murin iluzor dhe të kalojmë në anën tjetër (Break on Through). Kalimi në anën tjetër nuk nënkupton se do të gjendet e ‘Vërteta’, por vetëm se e ‘Vërteta’ që i është servuar individit nga shoqëria, morali, autoriteti, ideologjia, do të relativizohet, dhe individi do ta kupton se jeta mediokre dhe monotone e përditshmërisë, apo thënë ndryshe, jeta pas dyerve të Moralit dhe Politikës, është vetëm një iluzion, dhe individi është i lirë për ta realizuar veten ashtu siç dëshiron, në përjetësi. Individi është i lirë të mos përkoj askund dhe të jetë i lumtur.  

Për ti hapur dyert e perceptimit, njeriu duhet të provoj të zhvishet nga paragjykimet e shoqërisë, moralit, religjionit, autoritetit, shkollës, mësuesit, ideologjisë, idealizmave… sepse duke qenë i veshur me petka të tilla dogmatike dhe absolute, njeriu nuk mund ta njoh njeriun, përkundrazi, njeriu nga pozita të tilla vetëm do ta paragjykojë njeriun, dhe shoqëria do të ndahet në grupe që promovojnë urrejtjen, dominimin dhe shkatërrimin. Pas gjithë kësaj fshihet pamundësia për ta njohur dhe realizuar Unin(veten). Kjo gjendje pamundësie krijon firkë, pasiguri, urrejtje…

Mjeti për të arritur këtë zhveshje lakuriqe, për ti hapur dyert e perceptimit dhe për ta kuptuar se e vërteta e vetme është se, ‘nuk ka të vërteta absolute‘, bëhet përmes Artit, përmes aktit krijues. Të komunikuarit përmes artit, dashurisë dhe të bukurës, i’a mundëson individit ta njoh veten dhe tjetrin pa paragjykime dhe me sinqeritet, sepse tashmë nuk ka shtypës dhe promovues të të ‘Vërtetës’. Në këtë pikë bëhet vetëdisimi se çdo gjë është iluzion dhe e vërteta është vetëm brenda vetes time. Këtu edhe iluzioni im ka kuptim, sepse është vetëm i imi.

 

THE END

Në poezinë “The End” apo ‘Fundi‘, Morrison trajton një problem shumë të rëndësishëm ekzistencial: Problemin e shkëputjes së individit nga ‘lidhjet fillestare’, me qëllim realizimin e lirisë për veten. Një rilindje, për të pasur një vdekje dinjitoze. Me “Fundin” fillon faza e parë e shkëputjes dhe revoltës. Pothuajse në të gjitha poezitë e Morrisonit gjejmë motive ekzistenciale, dhe probleme të tilla si: Vdekja, liria, jeta, ankthi, autoriteti, etj.

Me ‘The end’, Morrison e mendon vdekjen. Vdekjen ai e sheh si një çliruese nga dhembjet dhe vuajtjet e jetës, dhe në këtë kuptim, vdekja nuk do duhej të shihet me pesimizëm, por përkundrazi, si një shpëtim nga të jetuarit dhe vuajtjet. Për këtë gjë Morrison do të shprehej:

Por njerëzit i frikohen vdekjes më shumë se dhembjes. Është e çuditshme se si i frigohen vdekjes. Jeta të lëndon disa herë më shumë se vdekja. Në momentin e vdekjes nuk ka më dhembje. Vdekja do të duhej të ishte miku jonë.

Me këtë ide mbi vdekjen, Morrison në fakt vetëm është duke ironizuar. Po ironizon me ata që jetën e promovojnë si një ferr dhe ku dhembja shihet si një gjë e keqe. Ta kategorizosh dhembjen dhe vuajtjen si dicka të keqe, dhe në anën tjetër, të kundërtën e dhembjes, si të mirë dhe si qëllimin e fundit të jetës, është me fjalë tjera të krijosh një dogmë-Dogmën e ‘të Mirës’ dhe ‘të Keqes’. Duke e promovuar jetën si ferr, njeriut ju premtua parajsa. Kjo ka qenë mënyra iluzore dhe dogmatike për ta mbajtur njeriun nën kontroll dhe për t’ia shuar instiktin për Jetë-Liri.

Këtu Morrison e përfaqëson filozofinë e Friedrich Nietzsches. Sipas Nietzsches, dhembja do të duhej të na shtynte përpara për të krijuar, dhe për ta realizuar veten. Dhembja është vetëm një gjendje dhe kjo gjendje nuk duhet të përzihet me kategori morale. Njeriu nuk duhet të dorëzohet përballë dhembjes. Vuajtja dhe dhembja janë të pashmangshme për të krijuar vlera-për të shkuar përtej së mirës dhe së keqes. Vuajtja duhet parë si shenjë se njeriu po jeton, se njeriu po ndjen dhe është gjallë, se është në jetë. Po ta largonim vuajtjen edhe dhembjen, do të ishim të vdekur. Kjo qasje nuk duhet keqkuptuar si një filozofi që promovon vuajtjen dhe dhembjen, por si një filozofi që na mëson si të përballemi, duke e pranuar fillimisht se vuajtja ekziston dhe nuk është e keqe. Ky është edhe parimi kryesor i filozofisë ‘Stoike’.


Dhimbja dhe vuajtja janë gjithmonë të pashmangshme për një inteligjencë të madhe dhe një zemër të thellë. Njerëzit e mëdhenj, mendoj, që kanë trishtim të madh në tokë.” Fyodor Dostoyevsky

Në vazhdim të poezisë Morrison trajton në mënyrë metaforike shkëputjen e individit nga ‘lidhjet fillestare’-kafshërore, të cilat me inerci e tërheqin atë drejt sigurisë, rehatisë, monotonisë, mungesës së krijimit. Këto lidhje fillestrare, në teorinë e Frojdit i gjejmë tek: Kompleksi i Edipit. Sipas Frojdit individi për tu shkëputur duhet në mënyrë metaforike ta ‘vras babain'(autoritetin). Në poezinë “The end”, Morrison këtë shkëputje e përshkruan kështu:

Father, yes son, I want to kill you,
Mother…I want to…fuck you

Individi pasi të ketë arritur shkëputjen nga tutela kafshërore e familjes dhe fisit, do të jetë në gjendje ta realizoj veten si një njesi e pavarur. Në këtë kuptim, “The End” apo “Vdekja” tashmë merr një kuptim metafizk. Vdekja tani kuptohet si një mohim i vetes, si mohim i vlerave tradicionale dhe esencialiste, mohim i moralit të gatshëm, si mohim i vetes së djeshme: Mohim i babait, nënës, mësuesit, shkollës, profesionit, policit, luftës, pushtetit, autoritetit, dhe mbi të gjitha, mohim i të ‘Vërtetës’. Për tu realizuar individi duhet të mohoj. Mohimi në filozofinë e Nietzsches ka rrolin vendimtar në rrugën drejt krijimit të vlerave. Për të arritur ‘Mbinjeriun’ duhet të mohosh moralin dhe njeriun(veten) brenda atij morali. 

‘It hurts to set you free
But you’ll never follow me
The end of laughter and soft lies
The end of nights we tried to die.’

Madje as liria nuk është pa dhembje, por mbetet e domosdoshme për të jetuar.

Shkruan: Ardian Batusha

Comments are closed.

Navigate