Mugëtira e murmurimave ose Labirinti i një rrëfimi


Recension mbi romanin “Pedro Paramo” te shkrimtarit Juan Rulfo
Shkruan: Nuhi Sadiku

Pedro Paramo ka kohë që ka vdekur!
Kjo fjali kumbuese është një kumt ogurzi që vë në pah një vdekje jo të zakonshme. Kur dikush ka kohë që ka vdekur, ai nuk do të duhej të kërkohej. Por, Pedro Paramo nuk është si të vdekurit tjerë.
Ai është njeriu më kompleks dhe më misterioz, saqë është e vështirë t’i jepet një klasifikim i saktë brenda nomenklaturës ekzistuese për karakteret njerëzore.
Në fakt, Pedro Paramo, më shumë sesa njeri është një qenie e përbotshme që ka vdekur por vazhdon të flasë. Një qenie e vdekur që vazhdon të bëjë dashuri me vajzat e Komalës, kur të dojë ai. Pedro Paramo, është shëmbëllimi tipik i Komalës. Një vend i harruar nga Zoti, ku flitet për Zotin ose më saktë flitet në emër të tij. Një vend në të cilin dëgjohet simfoni murmurimash. Një vend ku flitet për vdekjen, më tepër se kaq – një  vend ku flet vdekja. Një vend ku flasin të vdekurit dhe flitet me të vdekurit. Komala është vendi ku koha jeton brenda metamorfozës së saj. Ajo kapërcen kufijt dhe di të shkaktojë befasira.
Për më tepër se kaq, Komala është katundi i Pedro Paramos. Pedro Paramo është personazh nga romani me emër të njëjtë i Huan Rulfos. Ndërsa, romani i Huan Rulfos – këtij shkrimtari meksikan , vepra e të cilit përbëhet nga jo më shumë sesa treqind faqe: romani Pedro Paramo dhe përmbledhja me tregime Rrafshina në flakë –  nga shumë njohës të letërsisë, u veçua si Romani më i mirë i letërsisë hispanike.
Është shkrimtari i njohur i letërsisë hispanike, Jorge Luis Borges, ai që do të vlerësonte se Pedro Paramo është një nga romanet më të mirë të letërsisë në gjuhën hispanike dhe në gjithë letërsinë botërore.
Por, Borgesi i madh nuk qe i vetmi. Gabriel Garcia Marquez, do të shkonte edhe më tej duke thënë se në qoftë se do ta kisha shkruar unë këtë roman, as që do të shkruaja kurrë në jetën time.
Veçantia e romanit Pedro Paramo qëndron në konstruktin irracional apo dekonstruktivitetin racional të fabulës dhe tejshtrimit të përmbajtjes. I shkruar me një gjuhë të thjeshtë, duke përdorur fjalëformime lokale të vjetra dhe i rrëfyer përmes narracionit të sistemuar fragmentarisht, e jo siç ndodh rëndom që romani të ketë ndarje me kapituj, romani Pedro Paramo paraqet një pamje jo edhe aq të kthjellët të subjektit letrar, sidomos nëse leximi i këtij është planifikuar të bëhet sa për ta kaluar kohën në ndonjë ditë përvëluese vere.
Ajo çka e shton shkallën e kompleksitetit të kësaj vepre letrare është narracioni i shumëfishtë: në këtë roman flasin të gjallët por flasin edhe qeniet metafizike. Kalimi nga një vetë në tjetrën dhe poashtu kalimi nga një kohë e foljes në kohën tjetër, bëhet në një mënyrë shumë të natyrshme. Nuk ndodh asgjë, thjesht: ndërrohet veta, ndërrohet koha e foljes dhe rrëfimi vazhdon. Pas tri a katër fragmentesh rrëfimi kthehet aty ku ka mbetur.
Një gjë është shumë e sigurt: në një lexim naiv, romani Pedro Paramo krijon ndjenjën që po futemi brenda një habitati të çrregullt, pra se në dorë  kemi copëza romani të papërfunduar.Por, që të kuptohet romani Pedro Paramo dhe të mos hiqet dorë nga ai që në faqen e parë, lexuesi i tij duhet të kalojë nëpër një listë të ngushtë parakushtesh:

1. Të ketë njohje mbi shumësinë narrative nëpër prozat letrare. Pra, të jetë lexues që shtyrë nga kureshtja, mbështetur nga njohja dhe përforcuar nga shija – kultivon laramani leximesh;

2. Të ketë një gatishmëri për të trajtuar disa tema clichè të cilat do t’i përplasen në fytyrë gjatë leximit;

3. Të ketë një paranjohje me ‘kultin e vdekjes’ që e ka popullata lokale e atjeshme, kult ky që e gjejmë edhe në vepra tjera të letërsisë hispanike;

4. Të ketë një vëmendje zhbiruese në morfologjinë dhe pasurinë leksikore të librit.

Meqë jemi tek pasuria gjuhësore, është e padiskutueshme një digresion që duhet të bëhet: prurja e librit në gjuhën shqipe, shqiptimi i tij mjeshtëror nga Bajram Karabolli.
Është prej rasteve të rralla që një libër i shkruar në një trajtë gjuhësore lokale, të përkthehet poashtu, siç bën të ditur vet përkthyesi, në një të folme lokale dhe të përmbajë një leksik sa të bollshëm për nga prurja, aq të pasur për nga gjetja e disa fjalëve që pakkujt do t’i shkonte në mend se ekzistonin.

***
Në romanin Pedro Paramo, autori është thuajse i padukshëm. Aty fjalën kryesore e kanë personazhet e romanit. Ata rrëfejnë, herë njëri e herë tjetri, me një rend të çrregullt. Pedro Paramo, është strumbullari dhe gjithçka thuajse sillet rreth tij. Rrëfejnë gratë e Pedro Paramos, dashnoret e tij, bijtë e tij, rrëfen vet Pedro, etj.
Përveçse personazhet, të cilët kanë interaktivitet mes vete, të atyndodhur janë edhe fantazmat, të cilat murmurojnë.
Prandaj, si titull alternativ i romanit është Murmurimat.
Syzheu i romanit kalon nëpërmjet disa vijave të rrëfimit, varësisht se nga cila prizmë e sheh.
Aty ndodhin ngjarje dramatike, të cilat të falin ndjenjën e rrëmujshme, kur njeriu bombardohet me informacione të shumëllojta dhe nuk ka kapacitetin t’i përballojë ato.
Gjithçka nis kur personazhi Huan Preciado, sipas urdhërit të nënës së tij shkon në Komala, për ta takuar babain e tij, Pedro Paramon. Por, ky nuk do të ishte një takim  i thjeshtë. Do të ishte një takim hakmarrës, për të gjitha të bëmat e tij.

Autorit të romanit Huan Rulfos, nuk i intereson se ç’do të mendojë lexuesi. Ai do të shkruajë atë që mendon ai, ashtu si e mendon ai.
Kësisoj, Rulfo do të gjurmojë thellë në psikën e vet duke prodhuar personazhe të dyanshme: që kanë dritëhijet e tyre dhe nuk janë personazhe statike. Gjatë gjithë leximit, nuk do të mund të dihet se kush është protagonist e kush antagonist. Të gjithë janë aty, në Komala, duke i dëgjuar fantazmat të cilat murmurojnë dhe të cilat i japin romanit ngjyrën mitike dhe melodinë e çuditshme.
Huan Rulfo, me romanin Pedro Paramo ka bërë që lexuesin ta rrapëllojë sa në një temë – në temën tjetër. Prej kohës në kohë. Prej personazhit në personazh. Prej motivit në motiv.
Huan Rulfo, ka mbërritur që me thjeshtësinë e tij gjuhësore, por me mjeshtërinë artistike të shkruajë një roman të përsosur dhe duke u bërë model për shkrimtarë tjerë të mëdhenj.
Ja se ç’do të thotë Gabriel Marcia Marquez pasiqë e lexoi këtë roman:

Isha në këto andralla kur Alvaro Mutis, me hapa të gjatë, ngjiti të shtatë katet e pallatit tim, me një pako librash në dorë, prej të cilave nxori librin më të vogël dhe, duke u shkrirë në gaz, më tha: “Dreqi ta marrë, lexoje këtë mashtrues, nëse do të mësosh!”. Ishte “Pedro Paramo”.
Atë natë nuk vura gjumë në sy, derisa e mbarova së lexuari për të dytën herë; qysh nga nata e tmerrshme kur, nja dhjetë vjet të shkuara, kisha lexuar Metamorfozën e Kafkës, në një bujtinë të kobshme studentësh të Bogotasë, kurrë nuk kisha përjetuar një tronditje të ngjashme.
Të nesërmen lexova vëllimin me tregime “Rrafshina në flakë” dhe u çmerita njëlloj. Shumë më vonë, në paradhomën e një konsultoreje, në një revistë mjekësore, gjeta tregimin kryevepër të Rulfos “Trashëgimia e Matilda Arkanhelit”.
Pjesën tjetër të vitit nuk munda të lexoj asnjë autor tjetër, sepse të gjithë më dukeshin kot.


***

Anash stilit tepër të rrallë e të veçantë të shkrimit, romani Pedro Paramo sendërtohet prej disa ndijimeve të cilat e kanë preokupuar autorin, i cili pastaj i ka shkrirë ato në personazhet e romanit.
Edhe pse, gjithçka në roman, trajtohet me një trampolinë nga realiteti. Ka një bashkëdyzim në mes imagjinares dhe reales. 
Mirëpo, edhe vet ndërtimi i personazheve është çështje në vete. Për shembull, po të analizojmë personazhin e Pedro Paramos, do të na dalin, siç u tha më lart, dy anë të medaljes.
Pedro shfrytëzon të gjitha gratë e Komalës për të pasur raporte intime me to, mirëpo në anën tjetër ai është tmerrësisht i dashuruar në Suzanën. Ka një simbiozë mes njerëzores dhe jonjerëzores, tek ky personazh.
Pedro Paramo është shumë i dhunshëm dhe gjithçka që bën është në funksion të materiales, të pasurisë së tij. Ai është pronar tokash dhe si i tillë, të gjithë banorët e Komalës do t’i sundonte. Kjo simbolizon dallimet e mëdha mes klasës punëtore dhe asaj feudale. Është një akt ku ndërgjegjja njerëzore është e shtangur dhe e nëpërkëmbur nga kamja feudale.
Pedro Paramo, është një arenë në të cilën çdo personazh e ka ankthin e tij moral, diçka që e ndjekë pas dhe që do të ikë prej saj.
Nëpërmjet këtij ankthi, Huan Rulfo, arrin mrekullisht të ndërtojë dy realitete plotësisht kundërthënëse por që kanë lidhje me njëri – tjetrin: incesti dhe Atë Renterio.
Atë Renterio, ndonëse është i thirrur për atë punë, nuk fal. Dhe pikërisht kjo moskokëçarje e tij për të falur, sa shkon dhe bëhet, më sinjifikative. Nëpërmjet këtij personazhi, Rulfo, ia del mbanë portretizimit të moralit edhe brenda fesë katolike. Ai e shpërfaq tejet mirë qasjen autoritative dhe triumfaliste të parisë fetare të asokohshme në Meksikë, kundrejt njerëzve të zakonshëm, praktikuesve të fesë.Mirëpo, në anën tjetër, autori e tërheq një paralele në koordinata diametralisht të kundërta: kur Huan Preciado, i biri i Pedro Paramos, shkon dhe strehohet në një nga bujtinat e Komalës. Aty do të gjejë një vëlla dhe një motër, tepër të vetmuar dhe të harruar nga bota mëtanë tyre.  
Është një fjali, e thënë nga e motra, e cila do ta shkundë lexuesin: Ishim aq të vetmuar këtu, sa vetëm njëri-tjetrin kishim. Dhe, në njëfarë mënyre, duhej banuar ky vend.
Huan Rulfo, është autor brilant i cili ka ditur shumë mirë t’i shkrijë raportet e njerëzve dhe poashtu raportin e fesë me njerëzit brenda një romani, i cili nuk është i lehtë të lexohet.Fare lehtë, si për t’ia vënë pikën, mund të themi: romani Pedro Paramo nuk është roman për gjithkënd, por gjithkush që e lexon këtë roman është e padiskutueshme se do ta dojë letërsinë më shumë sesa para leximit të tij. Mirëpo, ashtu siç i ka ndodhur Marquez-it, periudha e adaptimit me leximin e romaneve tjera mund të jetë jo e lehtë…  




Comments are closed.

Navigate