Nazim Hikmet, poeti i rebeluar i shekullit XX

Nazim Hikmet, poeti i rebeluar i shekullit XX


Janë disa shkrimtarë krjimtaria e të cilëve lidhet në mënyrë të pashmangshme me rrethanat në të cilat jetojnë, veprojnë si dhe dukuritë e ndryshme të cilat shndërrohen në burim frymëzimi për atë autor dhe bëjnë që poezia e tij të njihet në mbarë botën. Një nga autorët e tillë është edhe poeti turk Nazim Hikmet, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi veçanërisht poezisë, pasi aty gjen qetësinë, prehjen, frymëzimin. Poezia e tij reflekton një ndjenjë të madhe sepse ky poet shkruan në rrethana dhe situata të vështira.

Hikmeti lindi më 1902 në Selanik. Ai përveç poezive ka shkruar edhe disa romane dhe drama. Për shkak të bindjeve të tij politike, arrestohet shumë herë duke e kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij në burgje të ndryshme. Shpesh Hikmeti është njohur në mbarë botën si komunist romantik, apo edhe revolucionar komunist, këto epitete të cilat e përshkruajnë shumë qartë karakterin e tij rebelues, i cili për asnjë çast e asnjë rrethanë nuk pajtohet dhe shpërthen vrullshëm përmes vargut të tij lirik duke e shndërruar poezinë e tij në një mjet kundërshtimi ndaj situatave dhe dukurive të ndryshme. Kjo bën që poezitë e tij të ndalohen në Turqi dhe populli turk rebelimin e tij e dënon në forma të ndryshme. Kjo shkon deri në heqjen e nënshtetësisë së tij turke, nënshtetësi e cila do t’i rikthehet vetëm 46 vite pas vdekjes së tij.

Nazimi njihej në Turqi si poet revolucionar i cili në veprat e tij pasqyronte realitetin e kombit të tij. Ai ishte zëri i ngritur i vendit i cili u rebelua duke shkruar për çështjet të cilat të tjerët nuk kishin guxim ta bënin. Ai shkon në Moskë për të studiuar ku njihet nga afër me socializmin, luftën e klasave, proletariatin, imperializmin etj. Aty poeti do të ndikohet edhe nga Majakovski dhe futurizmi në përgjithësi. Më 1924 kur Hikmeti kthehet nga Moska për në Turqi, aty do të ndeshet me epokën e sundimit të Mustafa Kemal Ataturkut, i cili kishte themeluar një republikë të re. Hikmeti i cili ishte pasuruar me ideologji dhe ide të barazisë mes klasave, nuk e pranon realitetin e vendit të tij, një realitet në të cilin dominon pabarazia dhe dallimet mes klasave shoqërore. Ai revoltohet dhe mllefin e tij e shpreh përmes shkrimeve që i boton nëpër revista. Pas këtyre shkrimeve pasojnë edhe burgimet. Hikmeti së pari i shpëton arrestimit duke u shpërngulur në Bashkimin Sovjetik, por periudha mes viteve 1925-1938 është periudha e arrestimit dhe e burgjeve në vende të ndryshme.

Hikmeti akuzohet për propagandë komuniste, gjë e cila do t’i kushtojë me vite të tëra burgim. Për ta nxjerrë poetin nga burgu reagojnë edhe shkrimtarë të njohur botërorë nga mbarë bota dhe organizohen fushata të ndryshme. Nga burgu Hikmeti kontakton me të afërmit përmes letrave dhe nuk ndalet asnjëherë së shkruari poezi. Në një nga letrat e tij ai shprehet: “Edhe nëse vdes me këtë fat që kam, deri në frymën e fundit do të jetoj me shpresë.

Poetit asnjëherë nuk do t’i ndahet optimizmi dhe shpresa për të jetuar dhe takuar përsëri me familjen dhe të afërmit e tij. Ai ishte një nga ata personalitete të cilët sakrifikojnë jetën për idealet që i vlojnë në zemër. Temat që trajton ky poet janë të larmishme. Shkruan për përjetimet, situatat, ndjenjat, burgjet, dashurinë, mallin, shpresën etj. Shumë poezi të tij ia kushton edhe grave të tij si dhe të birit, Mehmetit. Poezitë si “Mehmeti”, “Letra e fundit dërguar Mehmetit” janë disa nga poezitë më të bukura që poeti ia kushton të birit të vet. Në to dominon ndjenja e thellë e mallit, mirëpo edhe e shpresësh dhe e besimit se i biri i tij do ta ndjekë rrugën e babait, madje duke i vazhduar edhe idealet komuniste të tij. Ndërsa një nga poezitë më të bukura, por njëkohësisht edhe më të gjata të poetit që i kushtohet njërës nga gratë e tij, ruses Vera Tulakovës mban titullin “Leshverdhja”. Në këtë poezi ka shumë informata dhe përshkrime të dendura rreth takimit dhe njoftimit të poetit me Vera Tulakovën.

Në poezitë e Hikmetit vërehet një dëshirë e madhe që idealin e tij t’ia përcjellë gjeneratave të reja, t’i mbush ata me dëshirën e madhe për të qenë revolucionar e të mos i nënshtrohen askujt ndaj gjërave me të cilat ata nuk pajtohen. Edhe përjetimet nëpër burgje ky autor i pasqyron përmes vargjeve lirike në të cilat optimizmi nuk shuhet asnjëherë. Duhet cekur edhe një fakt, që gjatë kohës së burgimit të tij, ai një herë pati bërë edhe një grevë urie, lajm i cili gjithashtu kishte bërë bujë të madhe. Hikmeti është një emër aq i rëndësishëm në poezinë botërore saqë edhe gjatë viteve të tij në burg, ai nuk e humbet dëshirën për të shkruar, përkundrazi ai gjen forcë më të madhe që ndjenjat e tij t’i ndaj me muret e burgut, të rrëfehet për të gjitha gjërat që e mundojnë brenda dhe poezia shndërrohet në ushqim shpirtëror për të. Në shumë poezi të këtij autori shohim se ai e identifikon shpesh herë veten me emrin e tij, duke dhënë referenca direkte, pra, vepron në mënyrë aktive brenda poezive lirike për ta dhënë edhe më qartë motivin për të cilin shkruan.

Një nga poezitë më referenciale që përmban elementet më të rëndësishme nga jeta e tij është poezia Autobiografia e shkruar më 1961, dy vite para vdekjes së tij. Përmes diskursit poetik duke rrëfyer në formë autobiografie, poeti pasqyron ngjarjet që nga rinia e tij e gjer në pleqëri. Në formë deklarative ai rrëfen gjithë jetën e vet brenda këtyre vargjeve duke i dhënë pikat kryesore përmes të cilave ka kaluar jeta e tij. Në poezinë “Rituali i varrimit” e shkruar në prill të vitit 1963, dy muaj para vdekjes së tij, poeti jep një poezi të zymtë duke paraqitur përgatitjen e tij për vdekje dhe për varrim. Përmes një pasqyre se si do të duket hapësira në atë ditë, rrugët, njerëzit, të afërmit etj., poeti i vetëdijshëm që ka mbaruar misionin e tij në këtë jetë, me një gjuhë lirike jep tablon e ditës së varrimit të tij.

Në poetikën e këtij autori nuk mungojnë as poezitë me motive të pastra ideologjike. Disa nga poezitë e tilla janë: Kënga e atyre që e pinë diellin, Fjala, “Telegrami që arriti mbrëmë” ose poezia “21.1.1924 “ që i kushtohet vdekjes së Leninit. E veçantë në poezinë e këtij autori është edhe shkrimi i poezive në trajtë të ditarit. Në aspektin formal, poezitë e këtij autori janë kryesisht të gjata, një ligjërim i tipit prozaik. Shpesh hasim edhe dialog brenda vargjeve. Vargu i tij kthehet në një monolog të gjatë me përshkrime detajiste siç ndodh rëndom në trajtat prozaike. Gjithashtu përdor vargun e lirë pa rimë duke bërë edhe ndryshime në metrin e vargut. Ai sjell risi jo vetëm në poezinë turke por edhe në atë botërore në përgjithësi. Ai bëri ndryshime radikale në poezinë e vendit të tij me motivet realiste, me problemet universale duke përfshirë edhe temat mbi paqen, lirinë, barazinë, tiraninë etj.

Nazim Hikmet do të mbetet përherë zëri revolucionar i kohës, një agjitator i madh, guximtar dhe shpirt i rebeluar. Sa herë që përmendet emri i tij, poezia do të fitojë konotacionet të ndryshme të luftës, rezistencës, ballafaqimit me pushtetin, trimërinë, revoltën dhe pozitën e njeriut në një shoqëri jo të denjë për të. Fundja kjo është edhe forca e poezisë. Siç thotë edhe vetë Nazim Hikmeti në një rast: Poezia është arti më i përgjakshëm.

Shkruan: Veron Dobroshi

Comments are closed.

Navigate