Neruda: Poeti i madh, dashnori i pandalshëm

 

Në 113-vjetorin e lindjes së nobelistit kilian

E shkurtër është dashuria – kaq i gjatë harrimi. Por kur shkruhen, e zeza mbi të bardhë, të dyja i mbeten përjetësisë. Edhe dashuria, edhe harrimi që tek e fundit, i zënë vendin njëra–tjetrit pandalshëm. (Totoja, i pat thënë dikur në një intervistë Oriana Fallacit: Lumturia… është çaste të vogla harrese. Ndryshe e thënë, harrimi, ka vlerën e vet të patjetërsueshme.) Sa për poetin, dashurinë e kthen në poezi. Harresën gjithashtu. Por, nëse e thënë kaq shkurt e thatë nuk nënkuptohet doemos, diferencën e bën poezia. Përkthimi në fjalë i ndjenjës, i emocionit… që gjithsaherë provohet, provohet ndryshëm. Sepse siç vetë poeti e thotë, “Nuk i ngjan më askujt, qysh kur të dua”.

Është NERUDA, i cili për Markezin ishte më i madhi i poetëve të shekullit XX në çdo lloj gjuhe… Më i madhi i poetëve të dashurisë, e me shumë gjasë ndër të mëdhenjtë e dashnorëve të famshëm…

Sot, në 113-vjetorin e lindjes, poezia nuk mund të shkëputet nga dashuritë prej nga pikoi ajo.

 ***

Për zemrën time mjafton kraharori yt,
Për lirinë tënde mjaftojnë krahët e mi.
Prej gojës sime gjer në qiell do të ngrihet
Gjithçka që thellë në shpirtin tënd flinte.

 Një beretë në kokë dhe një llullë në cep të buzës… Padyshim nuk është imazhi që e bën poetin. E kundërta edhe mund të jetë e vërtetë. E në të njëjtën logjikë, nuk është as dashnori që e bën poetin. Kurse e kundërta, me gjasë, është e vërtetë. Sidoqoftë Neruda ishte dashnor i madh. Kurse poezia e tij, e madhe gjithashtu, e përjetësoi edhe si të tillë.

Ishte pikërisht dashnori, ai që i shkroi poezitë e para. “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi” e shfaqi Nerudën 20-vjeçar mbi një kopertinë libri. Besimi i njeriut të sigurt te vetja e bëri të guxonte. Nuk ia la në dorë asnjë botuesi 21 poezitë e para, i çoi për shtyp me shpenzimet e veta. E kotë ta themi që lexuesi i përpiu. Aq sa pikërisht ky hap i parë i poetit konsiderohet ende sot si një bestseller i poezisë, që ka shitur mbi 10 milionë kopje. Ishte poeti padyshim, ama ishte edhe dashuria. Kurse në krye të herës qenë muzat, shoqërueset e përhershme të poetit.

***

Trupi i gruas, kodra të bardha, kofshë të bardha.
Ti shfaqesh në botë, në çastin që jepesh.
Trupi im prej fshatari të plugon
dhe bën që djali të lindë nga thellësirë e tokës.

Isha i shkretë si një tunel. Prej meje iknin zogjtë
Dhe nata hynte me pushtetin e saj të fuqishëm.
Që të mbetem gjallë të farkëtova ty si armë:
shigjetë për harkun, gur për hobenë.

 

Ishte vetë Neruda që tha se libri “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi” lindi në një kontekst autobiografik dhe sentimental shumë të përpiktë. Marisoli dhe Marisombra – pseudonimet pas të cilave fshehu muzat – janë të dashurat që ushqyen historitë dashurore: “Marisoli ishte idili i provincës së magjepsur, me yjet e mëdha të natës dhe sytë e errët si qielli i lagësht, ndërsa Marisombra – beretë gri, zëri si i zogjve, flakë habie ku etja ime digjej – ishte ana fizike e takimeve pasionante me studenten në cepat e fshehtë të qytetit”.

Emrat e vërtetë ai i fshehu, por jo për një kohë të gjatë, sepse ia zbuluan gjithsesi. U mor vesh se muzat qenë Albertina Rosa Azócar dhe Teresa Leon Bettiens. Këto u përmendën në fillim, pastaj të tjera akoma u gjendën të fshehura pas vargjeve.

Kapriço rinore? Më shumë se kaq ishin kapriço poeti që mbetet përgjithnjë dashnor i marrosur, por që gjithsesi mendon se pas dashurisë vjen dëshpërimi, ashtu sikurse pas poezive të dashurisë vjen pashmangshëm kënga e dëshpërimit, ku vetmia mbizotëron… dëshpërimi pra. Sepse e shkurtër është dashuria… dhe paskëtaj poeti ndihet i braktisur si limanet në agim dhe në duart e tij përpëlitet vetëm hija që dridhet... (argumente të denja poezie përgjithnjë. Dhe poetët e dinë mirë. E thoshte edhe Kadareja: …më rrezëllinte si smerald mërzia/ kurse hareja ngrysej si në një muzg me re/ nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja/ sepse secila më e bukur se tjetra qe).

***

Para se të dashuroja, e dashur, asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve,
asgjë s’kishte vlerë
as emër nuk kishte…

Dashuri e pastaj tradhti e gjithë jeta e poetit…

Pas endjeve rinore, tashmë diplomat, Neruda e lë Kilin dhe shkon konsull në Birmani. Gratë edhe aty. Është radha e Josie Bliss, panterës birmane. Një histori e jashtëzakonshme, vështirë e përsëritshme. Më shumë se një histori pasioni dashuror është një dalldi egërshane e vajzës të sëmurë nga xhelozia. Fillesa ishte ndjenjë e butësisë për këmbët e saj të zbathura, për lulet e bardha që ndrisnin mes flokëve të saj të zinj. Por shumë shpejt pllakos frika. Xhelozia e saj është më shumë sesa e papërballueshme. Një natë ai zgjohet dhe e sheh panterën birmane në ballkon, në anën tjetër të rrjetës së mushkonjave, veshur me të bardha që tund një thikë në dorë e thërret:vetëm vdekja i jep fund maktheve të mia. Në një rast si ky, frika shtrëngon fytin. Duhej menduar një zgjidhje e jo një poezi. “Kisha për të përfunduar i vrarë prej saj, – thotë poeti – por për fat mora një mesazh zyrtar që më komunikonte transferimin në Cejlon. Përgatita udhëtimin në fshehtësi dhe një ditë i braktisa veshjet dhe librat e mi, dola nga shtëpia si zakonisht dhe u ngjita në një anije që do të më çonte larg…”.

 ***

Edhe sikur ditët të binin
Në humnerën e netëve –
Përsëri, prapë, ka një pus ku prehet qetësia.

 Dhe duhet të ulesh buzë errësirës
Dhe me durim të peshkosh dritën –
që bie atje.

 Larg prej një dashurie. Mbi një anije që përshkon gjirin e Bengalit, Neruda shkruan poezinë kushtuar gruas që e ka humbur “sepse në gjakun e saj nuk reshtte vullkani i zemërimit”. Por, ndoshta do ta humbte gjithsesi panterën birmane, sepse gjithnjë poetin, një dashuri e re e pret. Kësaj here, është holandezja María Antonieta Hagenaar, me të cilën nuk ngurron të martohet menjëherë dhe pret lindjen e vajzës së tij. Pastaj, me të njëjtën shpejtësi të rrjedhjes së ngjarjeve, Neruda kupton gabimin në të cilin kishte rënë me këtë martesë. Sërish një braktisje, e dyfishtë kësaj here.

 ***

Të dashuroj, sepse vetëm ty të dashuroj,
Pa kufi t’urrej – dhe duke t’urryer të lutem,
dhe masa e dashurisë sime shtegtare
është të mos të të shoh
dhe të dashuroj si i verbër.

 

Premtime që besohen në çastin kur shkruhen. Por edhe premtimi, sikurse Dashuria… është i shkurtër. Tani është koha e Delias.

Me gjasë, vështirë që dashuritë e Nerudës të jenë të zakonshme. E po kështu, edhe dashuria për Delian. Nuk ka më rrezik, por një distancë të pazakontë moshe. Konsulli në Madrid është 30, e dashura e tij plot 54 vjeçe. Midis, plot 24 vjet dallim. Ngjan dhe nuk ngjan me historinë e Karlos Fuentesit, i cili, ende i ri, bir diplomati, kur jetonte në Buenos Aires, vetëm 15 vjeç u dashurua me fqinjën 30-vjeçare, që ishte gjithë ditën e lume vetëm, meqenëse i shoqi qe i zënë me xhirimet e një filmi. Por mënjanë Fuentesin. Sepse historia e Nerudës me Delian nuk ka mbaruar ende. Është gruaja që e infekton me idetë komuniste. Përtej këtij fakti, Delia ishte mirë e përfshirë në panoramën artistike letrare, ndaj mund të ngjajë si gruaja ideale për poetin kilian. Por, kush thotë se është koha e një gruaje të vetme? Poeti flirton gjithnjë. Edhe lidhja me Delian, në fillim e fshehtë e më pas zyrtare, nuk i përjashton lidhjet e tjera. Një herë është piktorja Maruja Mallo me të cilën udhëton në Ishullin e Pashkëve, i cili u shndërrua në poemë. Pastaj vjen Nancy Cunard, pinjolle e një familjeje të njohur angleze, mbrojtëse e të drejtave të grave dhe e kauzës antifashiste, mbi të gjitha dashnore e thekur, edhe ajo, madje koleksionuese burrash të tillë sikurse Tristan Tzara, Erza Paundi apo Luis Aragoni. Neruda mes tyre. Në fakt, asnjëra prej dy grave të sapopërmendura nuk nënkuptojnë ndarjen nga Delia. Kurse Matilda, ia del…

 ***

Matilda ime e adhuruara.  –
Si mund të fle unë pa sytë e tu,
pa më parë ti si mund të rroj?
Unë pranverën vetë e ndryshoj,
vetëm e vetëm të më shikosh ti…

Neruda nis në vitin 1946, pa dijeninë e Delias, të thurë lidhjen me këngëtaren Matilda Urrutia. Është gruaja me të cilën jeton gjatë dimrit ‘51, një periudhë të lumtur në Kapri; një histori që filmi “Postieri i Nerudës” ia bëri të njohur gjithë botës. Ama për një kohë të gjatë mbeti një histori dashnorësh të fshehtë, e jetuar në takime sekrete në kryeqytete të ndryshme të Europës. Kurorëzohet vetëm në vitin 1967, pra 21 vjet pas njohjes, me martesë.

Matilda ishte gruaja që qe pranë poetit në çastet kur ai vdiq. Gruaja e fundit me dy fjalë. Ditën e martesës ai ishte 63 vjeç. Por kjo nuk do të thotë se dashnori ishte arratisur nga poeti. Ka ende kohë për dashuri të reja. Për histori të tjera, nga ato të fshehtat. Sidomos kësaj here, nuk është aq e thjeshtë të rrëfehet. As prej poetit vetë, tradhtarit të pandreqshëm e as prej gruas së tradhtuar. Duhej fshehur pra. Sepse joshësja ishte mbesa e Matildës. Ajo jetonte me çiftin në mënyrë që t’i bëhej ndihmë gruas. Por ja tek Matilda kthehet një ditë në shtëpi në mënyrë të papritur dhe gjen në shtrat të shoqin me mbesën. E kujt i shkonte mendja! E lënduar, gruaja s’mundet veç ta përzërë vogëlushen. Mendon edhe një zgjidhje përfundimtare. Jo, nuk i shkon në mendje të braktisë të shoqin. Tjetër vendim do të marrë. I kërkon presidentit të vendit, Allendes që ta emërojë Nerudën ambasador në Francë. Dhe ikin që të dy. Por nuk ikën poeti nga dashuria. Nga kryeqyteti francez, ai e vijon fshehurazi, bashkë me ndihmën ekonomike, dialogun me Aliçen, e cila padyshim është edhe frymëzuese poezish.

 ***

oh grua, nuk di si munde të më mbash
në truallin e shpirtit tënd, në kryqin e krahëve të tu.
Më e tmerrshmja dhe e shkurtra qe dëshira ime për ty.
Më e shqetësuara dhe e dalldisura, më makute dhe e nderë.

Më shumë sesa pendesë, duhet të jetë konstatim. Se për ikjen shkroi, por jo nga dashuria…

Në 12 korrik të vitit 1972, Neruda feston ditëlindjen. Nëntë muaj më parë kish marrë Nobelin. Pra, edhe një tjetër arsye për të festuar. Shumëkujt nuk i shkonte ndër mend që nuk do ta shihte më poetin. As Kortazarit, as Vargas Llosës, që ishin aty, mes poetësh të tjerë. Neruda ishte rrëgjuar nga një operacion që ia zgjati pak jetën, por prej tij mbeti i dobët dhe i trishtë, pas alegrisë në dukje. Shumë shpejt pas kësaj, ai e lë detyrën e ambasadorit dhe kthehet në Kili…

Pas festës së ditëlindjes, miqtë nuk e panë më… As gratë, dashnoret e poetit. Por poezinë po… atë të dashurisë veçanërisht, enkas farkëtuar, për të mbetur gjallë...

Shkruan: Arta Marku

Comments are closed.

Navigate