Nga ditari i Musine Kokalarit

Një e vërtetë e hidhur! Sido që kemi qenë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të mërrnin një vend të mirë në jetën e lirë.
Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, sa që persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare.
Por prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë.
***
I studiova njerëzit e vrazhdë, të paditur në punën e rëndë të ndertimit, jo me romantikën demokratike të dikurshme. Gjithësekush për vete, pa asnjë shenjë solidariteti. Përkundrazi, kush e kush t’ja hedhi duke thënë se unë punoj dhe tjetri s’punon….

Comments are closed.

Navigate