Pafundësia e një dashurie

Letër imagjinare Herman Hesses, shkrimtarit që e ndihmoi fëmijën ta tejkalojë fëmijën, për të mbetur fëmijë përgjithmonë.

“Pafundësia e një dashurie”

Asnjë shkrimtar nuk do arrinte majat pa zhgënjimin e një dashurie. Besoj se njeriu në jetë zhgënjehet mjaft, por asnjëherë si nga mohimi i dashurisë së parë. Ndjenja e lumturisë që të fal, mendimi se një ditë do zgjohesh duke parë sytë e saj, se do dëgjosh zërin e saj kur të thotë mirëmëngjes, se do ndjesh dorën e saj që të mbështjell natën duke të të dhënë ngrohtësinë që vetëm ajo dorë mund të të japë, puthja e saj që vetëm njëherë të jep shijen e pafundësisë… Epo për mua nuk ka zhgënjim më të madh se vrasja e vetes… Për mua nuk ka zhgënjim më të madh se shkatërrimi i realitetit të iluzionit në kokën e dikujt. Tani që po ju shkruaj, besoj jam Herman Hesse që tundoi paqen për ndjenjën dhe lumturoi vdekjen për një buzëqeshje. Tani më shumë se kurrë, besoj se jam endja e frymës së Perëndisë në kërkim të mishit për ti dhenë jetë. Mohimi që sjell dashuria është vdekja e njeriut çdo moment. Nëse vdekja mishore është ndarja nga bota, atëherë vdekja nga shtirja e të qenit i lumtur është ndarja nga të qenit vetvetja. Ne, si endës të përjetesisë në kërkim të dashurisë, s’jemi tjetër veçse zhgënjim i vetes tonë, sepse, miku im, askush nuk e gjeti dashurinë ashtu si e ndjeu në fillim, por i vrarë dhe i plagosur, duke ecur në rjedhën e fatit që beson se do e shërojë nga dhimbja, ecën me shpresën se dashuria e tij do jetë gjithmonë si ajo e para dhe ky është zhgënjimi më i madh i qenies njerëzore, sepse aty ku harresa duhet, aty harresa harrohet.

Dashuria mik, ështe ajo energjia që hedh hapin me ne dhe na drejton drejt së panjohures, kërkimit të vetes dhe kuptimit të jetës. Por si mund të na drejtojë ajo kur ne vete nuk e dimë se çfarë është ajo… Ja përse miku im, them se ajo është e verbër… sepse edhe ajo nuk e di ku shkon derisa gjen veten e saj aty ku gjen mishin për ta plotësuar. Qoftë dashuria triumfi i jetës njerëzore mbi tokë dhe Univers, sepse për të parën herë njeriu është i aftë të ecë, edhepse nuk e di ku po shkon, por thjesht po kalon urën që askush tjetër nuk do e kalojë për të, qofshin këta Zota apo Heronj, sepse në një kënd të Universit atje ndodhet qëllimi ynë… Shume do të duash ti që ta kalojnë urën tënde për ty, por Ai Jehova që të ka krijuar nga balta dhe fryma e ka vënë urën nën hapat e tua, që askush tjetër, qoftë ky filozofi i jetës apo dashuria e verbër të mos e kalojë atë për ty. Se ku të çon kjo urë or mik, Nietzsche e tha kohë me parë, nuk dihet… nuk duhet të pyesim por vetem të ecim me shpresën se atje në fund të saj, dashuria është duke të të pritur me sytë e gjelbër dhe të të thotë, mirë se erdhe dashuri!

Për ‘Virtual Sophists’
Shkruan: Xhonatan V. Shkarpa

Comments are closed.

Navigate