Parisi si sfond i misterit filmik të Polanskit

PARISI SI SFOND I MISTERIT FILMIK TË POLANSKIT

Recension mbi filmin “Frantic” (1988)

Shkruan: Veron Dobroshi

Frantic është film i vitit 1988 me regji të Roman Polanskit, regjisor dhe aktor i famshëm polak. Ai është regjisor i filmave të njohur dhe të suksesshëm si: Rosemary’s Baby, Chinatown, The Pianist, The Ninth Gate, The Ghost Writer etj. Frantic është një film i veçantë në llojin e vet. Fillimisht ky film klasifikohet në tipin e filmave neo-noir që është derivat i zhanrit noir (frëngj.-e zezë), term i përdorur nga francezët për filmat e tipit “dark” të errët, të mjegullt, në një atmosferë krimi e misteri. Pikërisht ky është zhanri i filmit Frantic të vitit 1988 ngjarjet e së cilës zhvillohen në Paris të Francës. Filmi trajton temën e grabitjes dhe intrigave të fshehta që ndodhin në Paris. Dr. Richard Walker rolin e të cilit e luan Harrison Ford është kirurg amerikan i cili bashkë me gruan udhëton në Paris për një konferencë. Teksa po bën një dush në një nga dhomat e “Le Grand Hotel” gruaja e tij merr një telefonatë dhe më pas zhduket. Ai nuk dëgjon gjë dhe pasi sheh që gruaja e vet është zhdukur nga dhoma, fillon kërkimin duke pyetur përreth njerëz në hotel e në rrugë me aq sa ka mundësi në një mjedis që për të është i huaj ngaqë vjen nga Amerika. Ai lajmërohet edhe në ambasadën amerikane, por nuk merr përgjigje të kënaqshme, madje përgjigjet e tyre janë burokratike. Teksa kërkon nëpër rrugë duke pyetur njerëz që i takon, rasti bie që të takohet me një vajzë të re Michelle, rolin e së cilës e luan aktorja e bukur franceze Emmanuelle Seigner. Ajo është një kontrabandiste droge e cila në aeroport ka ngatërruar valixhen me atë të gruas së Walkerit. Teksa gjenden në apartamentin e saj dhe pasi të dy shikojnë valixhen e ngatërruar, zbulojnë se përmbajtja e kontrabanduar nuk është drogë por një kripton, një element elektronik, i përdorur si një detonator për armë bërthamore e vendosur brenda një statuje suveniri të Statujës së Lirisë (Statue of Liberty). Ndërkohë ambasada amerikane bashkëpunon me disa agjentë izraelitë duke kërkuar që ta posedojë pajisjen në fjalë që e konsiderojnë si shumë të çmuar. Si pasojë kjo do të hapë një dyluftim mes Dr.Walker dhe rrëmbyesve të gruas së tij, e cila tashmë është e rrezikuar me jetë nëse nuk iu kthehet pajisja e çmuar. Walkeri dhe Michelle bëhen bashkë në dyluftim ku qëllimi i saj është pagesa që do e marrë. Kjo është në thelb ngjarja e këtij filmi që mbaron me dyluftim dhe gruaja e Walkerit shpëton ndërsa Michelle vdesë, por në çastet e fundit ia dhuron Walkerit pajisjen e çmuar dhe i njëjti e hedh atë në det përpara syve të rrëmbyesve.

Karakteret (Kastingu)

Harrison Ford është aktor i njohur i filmave aksion dhe trillerëve që kanë nivel më të lartë adrenaline. Jo rastësisht Polanski zgjedh aktorin amerikan për këtë film, një film që pasqyron imazhin e një të huaji në një vend të huaj, në tokën franceze, në Parisin e bukur. Misteri që bart filmi qysh nga fillimi e deri në minutat e fundit duke përfshirë skena në të cilat shihen edhe dyluftimet dhe konfrontimet fizike nuk janë të panjohura për këtë aktor, dhe i cili në këtë film është tejet solid me performimin e tij. Si një kirurg i cili në këtë film shndërrohet në një luftëtar dhe kërkues deri në çastin e fundit, bashkëpunues e dyshues, por edhe i indinjuar me situatën në ambasadën amerikane dhe vështirësitë si individ në Paris, në një terren të huaj për të, Ford vjen me një paraqitje tejet të arrirë. 

Rolin e Michelle theksuam që e portretizon aktorja Emmanuelle Seigner. Parisi nuk është i huaj për aktoren ngaqë ajo është e lindur në këtë qytet. Por me realizimin e këtij filmi as raportet e saj me regjisorin s’do të jenë fare të huaja. Një vit më vonë aktorja do të martohet me regjisorin Polanski dhe çifti do të kenë bashkë edhe dy bashkëpunime tjera në projekte filmike. Në filmin Bitter Moon të vitit 1992, film i bazuar në romanin Lunes de fiel të shkrimtarit francez Pascal Bruckner si dhe në filmin The Ninth Gate të vitit 1999 gjithashtu i bazuar në një roman, atë të autorit spanjoll Arturo Perez Reverte të titulluar “El club Dumas”. Edhe ky është një film i tipit thriller-mister ku në rolin kryesor kemi aktorin e famshëm Johnny Depp. Roli i Michelle në filmin Frantic është për shumë lëvdata. Roli i saj i një vajze të re që paguhet për shërbimet që bën dhe më pas takimi me kirurgun Walker dhe rruga që bëjnë të dy për gjetjen e gruas së tij kalojnë në faza dhe skena të ndryshme, herë në apartamentin e saj, herë në makinë dhe në rrugët e ndryshme të Parisit, gjithnjë duke paraqitur imazhe të errëta e të mjegullta, duke mos lënë anash edhe skenën në çati kur ajo rrëzon kriptonin në tokë me gjithë përpjekjet që bën për ta mbajtur. Kjo është një nga skenat e veçanta të këtij filmi ku edhe vetë Walker bën përpjekje paraprake duke manovruar nëpër çatin e apartamentit me valixhe teksa i rrëzohen rrobat dhe gjësendet që gjenden brenda. Pavarësisht moshës shumë të re në këtë film, aktorja dëshmon herët talentin e saj duke e kryer me sukses rolin e dhënë nga Polanski.


Aspekte të mizanskenës (Mise-en-scène)

Mise-en-scène është term francez që i referohet elementeve që shfaqen në skenë, para kamerës. Ajo përfshin lëvizjen e aktorëve dhe të objekteve, hapësirën, ndriçimin, kostumografinë dhe imazhe tjera që përbëjnë aspektet për realizimin e një filmi.

Veshja e aktorëve është nje aspekt që ka nivelin e duhur në sensin e asaj që regjisori ka planifikuar ta paraqesë nëpërmjet simbolikave përmes imazhit filmik. Në Paris Walkerin e gjejmë si një mjek i cili vjen në Paris me gruan e tij dhe ka veshje serioze gjatë gjithë kohës njësoj sic është edhe paraqitja dhe qëndrimi i tij, këto dy elemente janë në proporcion duke bërë që ana e kostumografisë ta përcojë edhe seriozitetin e rolit dhe të intrigës.

Në anën tjetër Michelle-n e shohim në veshje të ndryshme në situata të ndryshme, por përherë tërheqëse duke e plotësuar funksionin e rolit që bart në film. Ajo i përshatet rolit në bazë të momenteve të caktuara. Në njërën nga skenat në një klub nate të qytetit ajo gjendet me Walker-in (Harrison Ford) dhe vallëzon me të në mënyrë sa joshëse aq dhe provokuese ku Walker duket se vështirë i reziston këtij tundimi. Roli i saj në këtë film zbut imazhet e errëta të hapësirës dhe i jep ngjyrim më të bukur dhe më të ndritshëm këtyre imazheve të mjegullta të krimit e spiunazhit në Parisin e fundviteve të 80ta. Këtë imazh e ndihmon edhe kombinimi i buzëkuqit me fustanin e kuq të aktores në vecanti tek skena në një klub nate diku në skenat kah fundi i filmit.

Ndriçimi dhe hapësira


Vetë atmosfera e errët e imazheve jep edhe natyrën e intrigës dhe misterit të filmit. Sigurisht që në këtë aspekt filmik rolin dhe meritën më të madhe ka kinematografi i cili gërsheton elementet e kamerës me ndriçimin. Kinematograf i këtij filmi është bashkekombasi i regjisorit Polanski, polaku Witold Sobociński. Filmi ka skena të shumta ku kinematografi ka bërë punë të mirë në pasqyrimin e imazheve të caktuara duke ia përshtatur natyrës që e kërkojnë ato skena dhe vetë ngjarjet e filmit. Teksa në imazh kryesor gjenden figurat e personazheve, në shumicën e rasteve të dy kryeprotagonistëve, prapa tyre jepen perspektiva të ndryshme të objekteve të caktuara. Për shembull, në skenën e fundit në Île aux Cygnes që është ishull artificial i krijuar në vitin 1827 në mes të lumit Senë (Seine) ku zhvillohet edhe klimaksi i filmit, prapa imazhit të dy protagonistëve  në cep shohim kullën e Eifelit dhe një pjesë të lumit.

Disa herë në film paraqitet edhe Statuja e Lirisë e cila gjendet afër lumit Senë. Kjo statujë që gjendet në shumë vende të botës i është dhuruar Francës nga ana e shtetasve amerikanë që kanë jetuar në Francë për të festuar revolucionin francez. Kjo statujë gjendet e vendosur në Paris që nga viti 1889, plot një shekull para se të realizohet ky film. Inaugurimi i saj aty është bërë më 4 Korrik të atij viti, datë që shënon përvjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Imazhet e caktuara brenda filmit paraqesin edhe gjendjen shpirtërore të personazheve dhe misterin që bart atmosfera e ngjarjeve në film. Pikërisht atmosfera e errët, qetësia në situata të caktuara zbulon forcën artistike të filmit dhe punës së mirë regjisoriale në bashkëpunim me kinematografinë dhe bashkëpunëtorët tjerë.

Imazhi i Parisit në artin e Polanskit (Ambienti)

Enterieri / Eksterieri

Hapësirat kanë një rëndësi shumë të madhe në këtë film. Realizimi i këtij filmi në qytetin e bukur të Parisit s’ka se si t’i mos i zbulojë edhe imazhet e këtij qyteti brenda aparatit filmik të regjisorit, kinematografit dhe gjithë pjesëtarëve tjerë që angazhohen për realizmin e një filmi. Hapësirat e brendshme që gjenden brenda një lokacioni të mbyllur njihen si enterier ndërsa hapësira jashtë objektit emërtohet si eksterier. Këto dy perspektiva hapësinore janë të paraqitura në film dhe janë tejet të larmishme. Filmi zbulon kombinimin e hapësirave të ndryshme për të zbuluar perspektiva të ndryshme të Parisit, përfshirë rrugë, hotele, klub nate, artefakte, salla gjimnastike, apartamente, restorante, çati, aeroporte etj. Enterieri përfshin skenat në “Le Grand Hotel” imazhi i së cilës jepet edhe nga eksterieri dhe përsëriten disa herë brenda filmit. Dhoma e hotelit, korridori janë vetëm disa aspekte brenda këtij lokacioni. Hapësira tjera të brendshme janë apartamenti i Michelle, stacioni i policisë, ambasada amerikane në Paris, në klubin e natës “A touch of class” etj. Në anën tjetër kemi shumë skena që zhvillohen edhe jashtë (eksterier) siç është skena mbi çati, skena në rrugë teksa Walker bisedon me dikë rreth zhdukjes së gruas së tij dhe rastësisht në tokë zbulon një aksesor dore në të cilën figuron emri i gruas së tij, Sondra. Një skenë e bukur që s’duhet shmangur është ajo kur Walker (H.Ford) vështron nga dritarja me plot tension dhe përpara na paraqitet një imazh i lumit Senë me dy ndërtime të bukura që bien në sy, ajo e kullës së Eifelit në njërën anë dhe në anën tjetër ajo e Statujës së Lirisë, të dyja me ndriçim të theksuar dhe një anije në mes të lumit. Pak sekonda më vonë jepet nga afër Statuja e Lirisë e cila jep simbolikën e qartë, tashmë personazhin po e tundon imazhi i statujës që do të jetë vendimtare për gjetjen dhe shpëtimin e gruas së tij. Përmes imazhit të statujës së vërtetë pasqyrohet simbolika e kriptonit suvenir brenda të cilit fshihet fati i gruas së protagonistit e të cilin e tundon pikërisht imazhi që vështron nga dritarja. Këtu zbulohet rëndësia që ka simbolika në artin filmik sepse përmes tyre pasqyrohen mesazhe të shumta. Simbolikat në këtë film janë sa të bukura po aq edhe të punuara mirë nga regjisori dhe gjithë stafi i filmit, por duhet pasur parasysh që imazhi i Parisit ia shton kësaj simbolike një vlerë të dyfishtë në realizimin e këtyre qëllimeve. Janë imazhe të thjeshta në parim, por që paraqesin një gamë më të gjerë të qytetit, rrugëve, kafeneve, hoteleve dhe kulturës parisiene dhe frënge në përgjithësi. Kinematografi i filmit ka bërë punë të suksesshme pasi ka dhënë qartazi dhe me profesionalizëm pamjet e ambienteve si enterieret ashtu edhe eksterieret brenda qytetit të Parisit, që në këtë film reflekton zymtësinë dhe ndriçimin e errët dhe misterioz të ngjarjeve.

Muzika

Arti filmik në raport me muzikën ka rëndësi të jashtëzakonshme për faktin që filmi fiton estetikë më të madhe kur ka edhe muzikën brenda. Muzika si art në vetvete ka rëndësi jetike në zhvillimin e aspektit shpirtëror të njeriut. Edhe në jetën e një filmi muzika ka një rol shumë të rëndësishëm dhe pothuajse të pashmangshëm, pavarësisht që ka përjashtime ngaqë në kinematografi kemi edhe filma pa zë e pa muzikë që janë kryevepra filmike.
 Ajo është pjesë përbërëse e filmit duke përçuar mesazhe, simbolikë dhe emocion, varësisht nga natyra e filmit, ajo shpreh dinamikën dhe tensionin e ngjarjeve. Në filmin Frantic muzika ka një rol të rëndësishëm. Në skenën në klubin e natës kemi skenën e vallëzimit e cila shoqërohet nga prapavija e tingujve të këngës I have seen that face before (Libertango) kënduar nga Grace Jones. Kënga i jep ritëm atmosferës dhe e bën skenën edhe më të bukur në aspektin estetik. Tingujt e kësaj muzike dëgjohen edhe në radion brenda makinës teksa Michelle vozit dhe Walkeri është në ulësen afër saj ku të dy ndajnë pëlqimin për këngët e vjetra edhe pse Walker (H.Ford) nuk e konsideron këngën në fjalë si këngë e vjetër. Përdorimi i këngëve dhe tingujve tjerë muzikorë të sinkronizuar në film bën që skenat filmike të përputhen dhe ta japin më të gjallë tensionin dramatik.

Për muzikën e këtij filmi meritat i takojnë kompozitorit të njohur italian Ennio Morricone i cili gjatë karrierës së tij ka bërë kolonën zanore edhe të shumë filmave tjerë të njohur dhe të suksesshëm si: The Good, the Bad and the Ugly, Cinema Paradiso, The Thing, In the Line of Fire, The Hateful Eight etj. Morricone ka pasur një ndikim të madh në kinematografi por edhe më gjerë, duke qenë njëherësh inspirim edhe për shumë këngëtarë dhe bende të ndryshme të muzikës rok.

Comments are closed.

Navigate