Përkrah valëve: Reflektim mbi pikturat e Ivan Aivazovskyt

Autor: Qendrim Syla

Shumë gjëra mund të jenë të bukura. Peizazhet, fytyrat, veprat e artit apo veprimet e njëri-tjetrit. Yjet në qiell ose rreshtimi drejtvizor i kallinjve të grurit. Reflektimi i diellit në një shishe apo ndonjë poezi a film i ngrohtë nën një natë vetmitare.

Them “mund të jenë” e jo “janë”, sepse bukuria nuk është diçka e prekshme ose që është në vetvete, ajo ekziston vetëm në kokën tonë si një ndjenjë e këndshme. Nëse do të duhej ta definonim bukurinë, besoj se do të thonim kështu:

Ne e perceptojmë diçka të bukur nëse forma, ngjyra apo çfarëdo cilësie e subjektit është tërheqëse për ne, kënaq shqisat tona, veçanërisht syrin.

Mirëpo, teksa është kaq individual ky nocion, pasojat që ka pësuar shihen në mëyrën se si perceptohet e bukura në kohë e vende të ndryshme. E bukura ka ndërruar formë e përmbajtje, e në raste është kthyer në pole të kundërta. Nëse i qasemi historikisht raportit me të bukurën, kuptojmë se ajo ka qenë bashkëudhëtare e njeriut qysh nga koha kur ai vetë ka ekzistuar.

Civilizimet më të mëdha përgjatë historisë, si pikë kyçe kanë idetë e tyrë perkatëse mbi të bukurën dhe gjithmonë ishin në përpjekje për arritje të saj. Mjetet e para të punës ishin të rregulluara në formë simetrike. Vizatimet nëpër shpella nuk ishin veç paraqitje të formave, ato zbukuroheshin me ngjyra apo shtesa hijezimesh brenda formës gjeometrike.

Vizatimet nëpër mure tek njerëzit e parë, piramidat në Egjipt, teatri në Greqinë antike, format e shtëpive në Japoni, epokat dinastike kineze, kultura e gjeometrisë në Islam, vizatimet brenda kishave… Shembujt nuk mbarojnë kurrë.

Mirëpo, përtej kohës e vendit disa elemente nuk dolën asnjëherë nga raporti me të bukurën. Simetria, përsëritja e këndeve, pastërtia dhe minimaliteti mund të gjenden në art dhe jetë si në fillimet tona, ashtu edhe sot. Njerëzit duket se janë nën një marrëveshje qenësore rreth bukurisë së disa gjërave. Thënë troç, e bukura është me njeriun aty ku është njeriu. Dhe duket se ka qenë e do të jetë gjithmonë. Edgar Allan Poe, tek “Parimet poetike”, shprehet:

“Ndjenja e të bukurës është, brenda frymës së njeriut, një instinkt i pavdekshëm, i rrënjosur thellë brenda shpirtit të njeriut. Është ajo që ia qeveris kënaqësinë shpirtit, mes formave të shumëllojshme të tingujve, aromave dhe ndjenjave përkrah të cilave ekziston.”

Pa dashur t’i jap lexime objektive të bukurës, pasi bindjet e mia thonë se ajo gjendet thellë në individin dhe në fakt është një nga faktorët kyç që e dallon dhe përbën njeriun. Dua të përmend se sado që ndjenja e të bukurës është individuale, po ky individualitet i përgjithshëm, po ky raport transcendent krijon një lidhje thelbësore ndërnjerëzore e përtej-rrethanore.

Mirëpo, përtej këtyre bukurive “objektive”, ekzistojnë disa gjëra që respektivisht në secilin person japin kënaqësi shpirtërore kur soditë ato. Një nga këto bukuri është deti dhe dallgët, raporti tokë – ujë në përgjithësi. Një personazh i paemër tek filmi “Satantango” i Bela Tarr thotë:

“My mother’s the sea
My father’s the earth
But what could earth be without the sea.
Fuck You!”

Nuk e di nëse diçka do përshkruante e personifikonte dashurinë dhe përshtypjen time për veprat e Ivan Aivazovsky në mënyrë më të saktë. Sapo dëgjova dy rreshtat e parë m’u kujtuan pikturat e tij. Pasi Ivan Aivazovksy ishte njëri nga ata që e pa të bukurën tek uji. Ndërsa këto fjalë, lus lexuesin t’i trajtojë më shumë si shprehje përshtypjesh nga një pjesëtar i një audience të paditur, sesa një kritikë, qasje apo mendim në lidhje me këto vepra.

Ivan ishte nga ata që pa bukurinë tek uji, e veçanërisht tek deti. Veprat e tij në përgjithësi përmbajnë detin dhe brigjet. Ai kurrë nuk e fshehu dashurinë e tij për peizazhin e detit. Dhe frymëzimi i tij doli të ishte thuajse i pashtershëm (punoi mbi 60 vjet dhe ka mbi 6,000 piktura).

Te piktura “Among the Waves” [Përkrah valëve], piktura që konsiderohet kulminante në punën e tij, Aivazovsky paraqet një stuhi në det, valë kaotike dhe mbi to një qiell të tmerrshëm. I shoqëruar nga era, valët ngrihen dhe në mënyrë të furishme rrokullisen mbi njëra-tjetrën, duke formuar një shkumë që në sytë tanë, duket e gatshme të shkatërrojë çdogjë që i del përballë. Ndoshta në këtë formë Aivazovsky paraqet pasojat e stuhive të emocioneve që mund ta kaplojnë shpirtin e tij (njerëzor) në raste të caktuara, shqetësimin dhe izolimin nga kontakti me njerëz tjerë. Asnjë shpirt i gjallë nuk është në figurë madje edhe zogjtë kanë frikë të fluturojnë në këtë mot të turbullt.

Mbi detin është një qiell i ulët dhe i zi, ai bashkohet me detin dhe nuk ka asnjë copë tokë në horizont, sikur stuhia e detit dhe bubullima e qiellit të bashkohen për t’u formuar në një element të ashpër. Megjithatë, në të majtë këtë horizont e thyejnë rrezet e diellit, ai na përkujton për diçka të mirë dhe të ndritshme dhe pa marrë parasysh sa i egër është deti, qetësia së shpejti mund të vijë dhe gjithçka do të përfundojë.

Ndërsa, tek piktura “Black Sea” [Det i zi], pikturë që konsiderohet edhe paraardhëse e “Among the Waves”, Aivazovsky paraqet nje det poashtu në mes të një stuhie. Gjëja e parë që kap syri është një kufi i qartë që ndanë dy forca të përjetshme – ujë dhe ajër. Lufta e tyre dallohet në shumëçka, para së gjithash është e dukshme në tonet e ngjyrave që përdor piktori.

Deti me nuanca të mbyllta, nganjëherë tmerrues, personifikimi i diçkaje të stuhishme dhe të ashpër, është në kontrast me qiellin gri – kaltër e lehtë, një simbol i qetësisë, diku larg duke u bërë pastërtisht i bardhë.

Imazhi në parim është një det i pafund, pa asgjë në horizont. Është si një entitet i një shpirti të trazuar nga forca kontradiktore dhe luftëtare që përçon një ndjenjë që na lë të mendojmë për vetminë në raport me forcat e natyrës, të cilat mund të na marrin me vete në vende të largëta ose të na dërgojnë në një humnerë të pafundme.

Diku në distancë duket e humbur një varkë e shkatërruar së bashku me pronarin e saj. Prania e një detali të tillë, tregon praninë e një qenieje të gjallë, flet për vogëlsinë dhe papërfillshmërinë që një person ka nëse krahasohet me fuqinë dhe potencialin e tmerrshëm të lindur nga natyra.

Është e vështirë të mos ndjehet se sa i fortë është talenti artistik i Aivazovskit. Ai arriti jo vetëm të portretizonte gjendjen e shqetësuar të peizazhit detar, por edhe të tregonte fuqinë e tij të brendshme. Stuhia e emocioneve dhe ndjenjave që zbulon deti në një person shpërfaqë esencën e tij me ose pa dashje dhe këtë Aivazovsky na e ka bërë mëse të qartë.

Ndërsa, preokupimi ynë me këso lloj gjerash nuk del nga përkufizimi i kënaqësisë dhe bukurisë. Aivazovsky edhe pse mund të tingëllojë i vetmuar dhe i trishtueshëm për nga natyra e personalitetit, ai patjetër përjetoi kënaqësi dhe e pa detin si diçka të bukur, ndoshta edhe të lartë.

E bukura nuk është pronësi nga asnjëra palë, por raport subjekt – observues. Rrjedhimisht, ekziston një pronësi gjysmake nga të dyja palët që kur krijohet vë në theks bukurinë, ndërsa po të mungojë ky raport ajo bukuri gjysmake humbet në skutat e e brendshme tonat.

Pra, e bukura mund të gjendet në gjithçka, nëse njeriu ndjen kënaqesi kur e percepton atë. Pasi duhet të ekzistojë ndjenja e kënaqësisë që ndjen observuesi kur sheh të bukurën. Poe, tek eseja e njëjtë thotë:

“E vetmja kënaqësi që është njëherësh më e kulluara, më e ethshmja, më shpirtlartonjësja, besoj se rrjedhë nga kundrimi i të bukurës.”

Comments are closed.

Navigate