Përmasat e fushëbetejës konsumerike

Kritikë mbi librin “Zgjerimi i fushës së luftës” të Michel Houellebecq

Për Karl Marksin,“historia e të gjitha shoqërive,është historia e luftës së klasave“. Por në veprat e tij të botuara postum, kudo që përsëritej kjo maksimë, miku i tij Fridrih Engels – i cili u kujdes për botimin e tyre – vuri një fusnotë poshtë saj, në të cilën shkruante: “domethënë gjithë historia, që ne kemi në dokumenta të shkruar“.

Në mos historia para Marksit, të paktën historia nga koha e tij e këtej, me një kthjelltësi dhe qartësi shumë më të madhe, është “histori e luftës së klasave“. Por si duket kjo histori? Nëse e huazojmë (e pse jo ta përvetsojmë?!) llupën e Marksit për historinë, në mënyrë që ta shohim nga afër se si bëhet kjo luftë sot, ajo që do të shohim, është e tmerrshme deri në palcë, lemeritëse deri në asht.

Lufta e klasave, për të cilën Marksi ka folur aq shumë, shpesh, gabimisht mendohet si një luftë kolektive dhe e mirëorganizuar, apo akoma më larg, si një luftë fronti, me llogore e ushtarë, dhe një armik të caktuar përballë jush. Por në fakt, kjo luftë, është shumë më e komplikuar nga sa duket e mendohet, dhe sado që ajo mbetet gjithëpërfshirëse për nga shtrirja, fushat e betejës së kësaj lufte nuk janë lehtësisht të përvijueshme. Ndonëse në thelb mbetet një luftë unike, prej kohësh, lufta e klasave zhvillohet njëkohësisht në disa fronte, dhe në secilin prej këtyre fronteve, luftohet në shumë beteja, me përmasa që variojnë në varësi të kohës, vendit, nivelit ekonomik dhe kulturave. Tek qëmtojmë luftën e klasave përmes llupës së Marksit, mund të krijojmë edhe hartën e saj: një hartë e një lufteje permanente botërore, me emrat e fronteve dhe të vend-betejave.

Gjashtëdhjetë e pesë vite pas kumtit të pakumt të Remarkut, më në fund, kemi të reja nga Fronti i Perëndimit. Dhe sërish, – po si në rastin e Remarkut, – këto të reja na vijnë të artikuluara përmes letërsisë. Raportuesi bartës i tyre, është një francez ndër francezët më të urryer nga francezët. Emri i tij Michel Thomas tani është bërë Michel Houellebecq, kurse raporti i tij quhet “Zgjerimi i fushës së luftës“ (“Extension du domaine de la lutte“). Për shumë kë, e sidomos përvetë francezët, nga të gjithë Michel-ët e Francës, ky Michel, është katërcipërisht një mishërim i Albert Kamysë. Ndërsa për lexuesit dhe kritikët, ai është autori më skandaloz dhe më i paskrupullt europian. Racist, ksenofob, seksist, mizogjen, islamofob dhe pornografik, janë cilësimet më të shpeshta për të dhe për veprën e tij.

I lindur më 1956 në ishullin francez Reunion, Michel Thomas ishte djali i një doktori algjerian dhe i një instruktoreje franceze të skijimit. Deri në moshën gjashtë vjeçare, ai u rrit në Algjeri nën kujdesin e gjyshes nga e ëma, prej së cilës më pastaj do të huazonte mbiemrin e saj, për emrin e tij letrar, Michel Houellebecq. Meqë siç kishte thënë vetë Michel, prindërit e tij „e humbën shumë shpejt interesimin për ekzistencën e tij“, ai u dërgua në Francë që të jetonte me gjyshen nga babai, një grua me bindje komuniste, e cila siç duket pati shumë ndikim në formimin e tij. Më 1975, ai nisi studimet në Paris për agronomi, në ndërkohë që gjatë kësaj kohe, ai shkroi poezi dhe themeloi një revistë letrare të quajtur ‘Karamazov’. Por do të duhej të vinte viti 1994, që Michel të bëhet i njohur gjerësisht për publikun francez. Në atë kohë, ai botoi romanin e tij të parë, të cilit i kishte vënë një titull jo fort të rëndomtë: „Zgjerimi i fushës së luftës“. Prej atëherë e deri më tash, Houellebecq ka botuar edhe pesë romane të tjera: “Thërmijat elementare“, „Platforma – qendra e botës“, “Ishulli i mundshëm“, “Harta dhe territori“ dhe “Nënshtrimi“. I cilësuar si një roman thellësisht francez, “Harta dhe territori” mori më 2010 çmimin Goncourt për letërsi. Megjashtë romane për pesëmbëdhjetë vite, duket që Houellebecq ka disi një ritëm të gadaltë të punës. Por këto romane, kanë qenë mëse të mjaftueshme që Houellebecq të mbahet si një zë i thellë dhe reprezentativ i qytetarit të vetmuar europian, i cili në të njëjtën kohë, përballet me ankthe: ankthin e zgjedhjes së produktit mes një bollëku masiv; dhe ankthin e përballjes me bashkëqytetarët të imigruar nga vendet e botës së tretë.

Në këtë pikë, përmes romanit të parë të Houellebecq, kemi arritur tek fronti perëndimor i luftës së klasave. Duke qenë maja e kapitalizmit dhe liberalizmit, Europa perëndimore, përkatësisht fronti perëndimor, paraqet ndoshta frontin më kyç të luftës së klasave. Me veprën e tij, Houellebecq shfaqet në letërsi si një zë autentik i cili nga brenda mureve, na rrëfen melankolinë e kështjellës Europë, dhe jetën aq të vetmuar të qytetarit europian brenda saj. Ai është një kritik i madh i kapitalizmit në përgjithësi, dhe sidomos i efekteve kulturore dhe morale të tij në Europë. E megjithatë, ai nuk është aspak një moralist, dhe aq më pak një shkrimtar i angazhuar apo aktivist i bindjeve të tij. Përkundrazi, ai e mban veten si një konsumator defensiv. Një francez i ndërgjegjshëm për rolin parësor që duhet të ketë Franca dhe francezët, por edhe një qytetar kozmopolit europian, të cilit për të thithur rrezet e diellit, i lejohet të braktis vendin e tij për të jetuar në Spanjë, ndërsa për tu familjarizuar me anglishten, i duhet të jetojë ca vite në Irlandë. Për të Amerika s’është gjë veçse një vulgarizim i çdo gjëje europiane, kurse Azia është një hapësirë e pamatshme që ka prodhuar një “fe budallenjësh“ si Islami, por që falë Tajlandës, edhe një vend i shkëlqyer për turistët seksual nga Europa.

Tek “Zgjerimi i fushës së luftës”, Houellebecq rrëfen jetën e punëtorit europian, përmes fatit të personazhit të tij, një programuesi programesh kompjuterike. Siç na e thotë vetë, duke dashur që t’i ikë vuajtjes nga ajo çfarë ka parë, ai ka vendosur të shkruaj një roman, me të cilin ai nënkupton një tërësi anekdotash ku heroi është vetë ai. Pak a shumë, një zgjedhje personale, për një rrëfim autobiografik. Në këndin hyrës të prezantimit, ai nuk fillon të na flas me emrin, por me moshën dhe profesionin. Emri i një qytetari europian dhe aq më tepër i një francezi, është i vetëkuptueshëm. Michel, François, Jean apo Pierre, ka pak rëndësi. Të gjithë janë të mposhtur përballë rolit të tyre prej mirëmbajtësisht të të njëjtit sistem. Në një shoqëri kapitaliste dhe liberale me një popullsi që po plaket, ajo që ka rëndësi është mosha juaj dhe puna që bëni. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një francez në të tridhjetat, analist-programues në një kompani që ofron shërbime informatike. Ai ka një pagë dy herë më të lartë se paga mesatare, por halli nuk është këtu. Duke qenë jo fort i pashëm dhe me një të kaluar me faza depresive të shpeshta, ai nuk hyn dot në mesin e të lakmuarëve nga femrat. I mbërthyer në beqari, përtej monotonisë së punës, ai vret kohën duke pirë nga katër pako cigare në ditë, teksa shkruan tregime me kafshë dhe për kafshët. Në sytë e tij, plani urbanistik i Parisit të jep gabimisht ndjesinë e të përjetuarit të Luftës e Tretë Botërore, kurse rrugët e tij, janë një katrahurë Michel-ësh që ndjekin njëri tjetrin. Në një mënyrë fataliste, krejtësisht të pashmangshme, ai është një mishërim dhe personifikim i zbrazëtisë së frikshme të shpirtit të europianit, bartës i pavëmendshëm i përvojës aq të varfëruar të modernitetit (W.Benjamin). I ndodhur në pozita mbrojtëse, ai mundohet t’i’u shpëtojë egërsive të kapitalizmit, pa i’u kundërvënë vetë këtij sistemi, por përkundrazi, duke shfrytëzuar pikërisht krijesat dhe sajesat e tij. Kështu, duke besuar në pashmangshmërinë e të qenit konsumator, ai përpiqet të kanalizoj konsumin vetanak, për të shpëtuar nga konsumi i çthurur i shoqërisë. Maksima “konsumoj, pra jam”, mbanë të fshehur ne vete një pjesë pasuese të saj: “konsumohem, pra jam.” Është pikërisht gjindshmëria e dobët e programuesit për ta unifikuar këtë maksimë , ajo që e shtyen atë drejt një reflektimi filozofik, mbi nevojën e pashmangshme të zgjerimit të fushës së luftës, në betejat e konsumit të frontit perëndimor. Në këtë momentum, përmasat e fushëbetejës konsumerike, janë tërësisht determinuese mbi mundësitë e mbarëvajtjes së ciklit të pranisë së europianit në botën qerthull të kapitalizmit liberal.

Nevrik me të tjerët dhe apatik në vetëvete, analisti-programues duket të jetë krejt i pafuqishëm për të ndryshuar gjë. Ndonëse një analizues i thellë dhe i thukët i shoqërisë, duke qenë një tip vetmitari dhe i mbyllur në vetëvete, ai mbetet thjesht një punëtor i deproletarizuar. Nevoja për ta shtjelluar dhe shpërfaqur sistemin në të cilin jeton dhe i cili e ka sjellur në këtë gjendje, e shtyn atë drejt artikulimit të një teorie proto-filozofike mbi lidhshmërinë e ekonomisë kapitaliste dhe jetës seksuale të atyre që e jetojnë këtë sistem ekonomik. Gulçimi i tij shpërthen në kapitullin “Rikthim te lopët”, ku duke shikuar kolegun e tij të punës Rafael Tiserandin, një njëzet e tetë vjeçar i virgjër, ai e përkufizon tekstualisht teorinë e tij mbi pashkëputshmërinë, dhe lidhshmërinë në raport të drejtë të seksit dhe parasë. Sipas teorisë së programuesit, liberalizmi i pa fre ekonomik, ka përbri tij edhe një sistem paralel që është liberalizmi seksual. Të dyja këto sisteme liberale, janë të ndërvarura nga njër tjetra, dhe që të dyja drejtohen nga ligji itregut. Ashtu siç disa grumbullojnë pasuri të mëdha dhe disa të tjerë rropaten në varfëri, njashtu disa ngrisin një jetë seksuale plot larushi, kurse disa katandisen në masturbim. Nëse liberalizmi seksual ka përfshirë çdo cep dhe klasë shoqërore, liberalizmi seksual po e zgjeron fushën e tij të luftës drejt të njëjtave rezultate. Kapitalistët kërkojnë treg dhe bordellot kërkojnë klientë. Kapitalistët vizitojnë bordellot, dhe duke paguar me kapitalin e tyre, ata i kapitalizojnë bordellot, në ndërkohë që mirëmbajnë sistemin që i ka pjellur që të dy. Kompanitë luftojnë për punëtorë të kualifikuar, dashnorët dhe dashnoret luftojnë për më të mirin prej tyre. Konsumoj dhe palloj. Konsumoj dhe dua të konsumohem. Palloj dhe dua të pallohem. Por përtej këtij raporti liberal para-seks, tek projektohemi në formatin dekartian, nga “konsumoj, pra jam”, përte “palloj, pra jam”, si duket, do të na duhet të presim ende gjatë. E nëse e keni humbur durimin tashmë, e tëra është në dorën tuaj: livizni këmbët dhe hidhuni në anën tjetër, ashtu që peshorja e homo liberalismusit, nga liberalizmi ekonomik të anoj kah liberalizmi seksual!

Shkruan: Durim Abdullahu

Comments are closed.

Navigate