Përplasja jetë-vdekje

PËRPLASJA JETË – VDEKJE
(Rreth romanit “Shtrati 13” të Petrit Palushit, që u vlerësua si romani më i mirë në Panairin e librit në Prishtinë, 2017)


Luftë mes jetës dhe vdekjes. Betejë e fuqishme e shpirtit njerëzor. Mbijetesë. Dashuri fisnike.
Janë këto katër aksiomat që përshkruajnë romanin e Petrit Palushit, me titullin hermetik dhe tronditës në momentin e parë: “Shtrati 13”.

“Shtrati 13”, më tepër sesa rrëfim, është gjurmim i thellë mbi ndërdijen njerëzore. Kësisoj, romani është një trajtim ekzistencial i frikës së njeriut nga mosekzistenca, nga e panjohura…, nga vdekja. Në krejt faqet e romanit mbretëron një klimë drithëruese, një ambient i zymtë që të jep ndjenjën e pasigurisë. Në shikim të parë, nga perspektiva e ndërtimit të ngjarjes, duket se është roman i shtruar në një rrafsh plotësisht të zakonshëm. Mirëpo, ajo se çka e bën të veçantë shkrimtarin Palushi është, pikërisht kjo, e zakonshmja, përditshmëria.

Petrit Palushi, ka guxuar ta bëjë atë se çka nuk e bënë të tjerët, pra, t’i mëshojë të zakonshmes dhe t’i japë një konotacion thellësisht shpirtëror e filozofik. Rrëfimi i Petrit Palushit, është përplasje reale midis dy anëve të medaljes. Në njërën anë, thërret vdekja. Në anën tjetër, rikthehet ngrohma e jetës.

Ajo çka ndodh është sensacionale. Krejt e paimagjinueshme. Në çastet më të vështira të njeriut, rikthehet një dritë dashurie. E ngjashme me dritën në fund të tunelit, që udhëtarit i japë shpresën se sado rrugë e gjatë dhe e errët, do të lindë prapë dielli.

Është një ngjarje tmerruese e mbështjellur nga një ndjenjë e butë, ndjenjë fisnike e dashurisë.
Është tematikë hulumtuese në themelin e shpirtit. Aty ku përplasen ndjenjat njerëzore.
Është rrotullim rreth çastit më delikat dhe shokues.

Së këndejmi, ky roman shfaq interesin e njeriut për mosnjohje. Në rastin tonë, mosnjohje të vdekjes nga personazhi kryesor, Ulpian Agshtegu. Finesat e frikës që personazhi duket se i ka, autori ka arritur që t’i shoqërojë me një revokim kujtimesh, me një përditshmëri të rëndë.
Romani është narracion i arsyeshëm, racional dhe nxjerr në sipërfaqe një sfidë ku njeriu është krejtësisht i pafuqishëm, sfidën e vdekjes, sfidën e tmerrit.

Askush nuk do të donte ta imagjinojë veten në pozitën e personazhit kryesor, ku pafuqia është vesi i tij, ndërkaq dashuria është virtyt i patjetërsueshëm. Romani në fjalë, përveç titullit shumë të rrallë e enigmatik, është edhe një krijim gjuhësor i rrallë, tejet i rrallë. Një ikje e shkëlqyer nga konturat, shpeshherë diskriminuese gjuhësore.

Gjatë narracionit, Petrit Palushi përdor gjetje gjuhësore prej smeraldi, të kristalta nga bukuria.
Gjatë romanit lexuesi do të zbulojë gjetje, dy vargje të një kënge:

“Fytyra jote dritë në terr
Nata ditës dritë i merr…”.

Janë fjalët e personazhit kryesor, për personifikimin e dashurisë.
I gjithë romani është apoteozë e fuqishme për dashurinë, ndonëse në lexim të parë nuk duket ashtu.

Janë pikërisht dashuria, ndjenja finoke, emocionaliteti i ngrohtë që edhe sikur të mos e dija autorin, nuk do të më lejonin të mendoj se isha duke lexuar ndonjërin nga tregimet horror të Edgar Allan Poe – së. Pra, thënë troç, dallimi mes këtij romani dhe “tregimeve të tmerrit” të Poe – së janë pikërisht veçoritë e lartcekura.

Për këtë, duhet duartrokitur autori, sepse ky i fundit jep mesazhin final që me çdo lindje të diellit, lind një shpresë e re, sado jetëshkurtë qoftë. Edhe në qoftë dita e fundit e jetës, ka vend për dashuri dhe nuk është gjithçka e zezë.

Ky roman, perceptuar si këndi i vdekjes, është vet konstruksioni mendor i njeriut. Është arkitektura shpirtërore e tij. Mirëpo, këtu gjejmë edhe përshkrimin më të mirë të betejës së njeriut me vdekjen. Pra, ky i fundit, është i prirur të përballet me beteja të ndryshme.
Personazhi kryesor lufton deri në dhëmbë me vdekjen e cila e ka gjoksmbështetur për muri.
Mirëpo, gjithmonë gjendet një shpresë se do të dalë jashtë nga kjo mendësi e zezë, nga ky emocionalitet. Do të dalë jashtë vendit ku shtjellohet e gjithë ngjarja. Jashtë spitalit.

Shpëtimi është më afër se kurrë, njëjtë edhe vdekja. Dashuria është aty. I takon lexuesit se nga cila anë e sheh romanin. Një gjë dihet, si dita që është me dritë e nata me terr:
Ulpian Agshtegu, personazhi i çuditshëm i Petrit Palushit, këtij shkrimtari shumë të veçantë për nga stili krijues, për nga narracioni, nga reflektimi transcedental, do të jetojë gjatë.

Ulpiani i ka ikur vdekjes edhe për një kohë të gjatë, ai do të jetojë në mendjen e lexuesve, sado që kjo shprehje (do të jetojë në mendjen time, në kujtesën time, etj.) është banalizuar kohët e fundit.

Maestro Petrit Palushi do të mbahesh mend gjatë, si një nga reformatorët e prozës shqipe.

Shkruan: Nuhi Sadiku

Comments are closed.

Navigate