Piktorët holandez në Paris

Piktorët holandez në Paris

Autor: Muhamedin Kullashi

Ekspozita e piktorëve holandez, me vepra nga fundi i shekulli të XVIII deri te fillimi i shekullit XX, po mbahet në të ashtuquajturin Petit Palais (Pallati i vogël, me 5.000 m2), ku gjendet Muzeu i arteve të bukura i Parisit, në afërsi të avenysë Champs Elysées (Fushat e Eluzeut). Ky muze u ndërtua në vitin 1900, me rastin e Ekspozitës univerzale.

Kjo ekspozitë, e hapur midis shkurtit dhe majit të këtij viti, përmban një përzgjedhje të pikturave të nënt pikëtorëve të shquar holandez, që kanë jetuar e vepruar një kohë në Paris : Vans Spaendonck (Spendonk), Ary Scheffer (Shefer), Jonkind, Maris, Kaemmerer (Kemerer), Breitner (Brajtner), Van Gogh, Van Dongen dhe Mondrian.

E njëjta ekspozitë është mbajtur vitin e kaluar në Muzeun Van Gogh në Amsterdam. Këto dy ekspozita janë shoqëruar me botimin e një libri, në gjuhën holandeze vjet, e këtë vit në gjuhën franceze (i botuar nga Musée des Beau-Arts, Paris, f.272.) që përmban shqyrtime të pikturave të ekspozuara, në Amsterdam dhe në Paris, si dhe reproduksionet e këtyre veprave. Me titullin Holandezët në Paris 1789-1914, ky libër ofron studime të pikturave të përzgjedhura për këtë ekspozitë por edhe vrojtime për rrethanat brenda të cilave këta piktorë i kanë ngjizur këto vepra. Kriteri i përzgjedhjes, siç e shpjegon titulli i librit, ka të bëj, përveç cilësisë, me qëndrimin e këtyre piktorëve në Paris, hulumtimet që kanë zhvilluar ata për artin piktural francez në atë kohë, me komunikimet dhe bashkëpunimin me artistë francez. Autorë të teksteve janë kritikë holandez të pikturës, Jonkman, van Dijk, Hopmans, Jansen, Catarutti). Të përmendim këtu të dhënën, se në periudhën XVIII-XX, në Paris kanë qëndruar, disa vite, mbi 1300 pikëtorë holandez. Natyrisht, pikëtorët holandez kanë qëndruar, për punën e tyre kërkimore, edhe në Gjermani, Itali e Britani të Madhe, por pjesa dërmuese e tyre janë orientuar kah Parisi. Në shkrimet (ditarë, korespondenca, kujtime etj.) që kanë lënë, bashkë me pikturat, ata përshkruajnë hollësisht qëndrimin e tyre, kryesisht në Paris dhe regjionin parizien, relacionet që krijuan me piktorët francez, frymëzimin që gjetën në qarqet dhe atelet e artistëve francez.

Koha e artë e pikturës së barokut flaman, me Rembrant-in, Rubens-in, Van Dayk, Vermeer, Jordaens e Potter nga shekulli i XVII, për këtë brez piktorësh ka qenë në njerën anë gurre e frymëzimit, e anën tjetër, barrë e rëndë ngase e kishin të vështirë të ngrihen në nivelin e paraardhësve.

Udhëtimi dhe komunikimi

Shumica e pikturave të nënt piktorëve të përzgjedhur për këtë ekspozitë, paraqesin bulevardet e Parisit, skena nga jeta pariziene, pejzazhet e regjionit, të Normandisë, në veri dhe Provansës, në jug të Francës. Ata gjejnë në Paris vepra të shumta në Muzeun e Luvrit, i cili u hap me 1793, por edhe në muze të tjera të Parisit ku ishin të ekspozuara, veç pikturave të piktorëve francez, edhe ato të piktorëve italian, spanjoll, holandez si dhe skulptura nga antikiteti greko-romak. Disa nga piktorët holandez vijojnë studimet në pikturë në Ecole des beaux-arts të Parisit (Shkolla e arteve të bukura), në Ecole des arts et métiers (Shkolla e arteve të bukura dhe zanateve), por edhe në atelet e kolegëve të tyre francez.

Hapësira më e çmuar ku piktorët holandez kishin mundësi të ekspozojnë veprat e tyre ishte i ashtuquajturi Sallon, në muzeun e Luvre-it, i cili i takonte Akademisë së arteve të bukura, institucioni më prestigjioz i pikturës në Paris, me ekspozitat bienale. Natyrisht kishte edhe hapësira-galeri të tjera alternative për ekspozim, midis tyre edhe ato që sfidonin stilin dhe standardet e Akademisë. Megjithkëtë, hapësira më e madhe e ekspozimit të veprave artistike ishte në Ekspozitat univerzale, midis viteve 1855-1900, në Paris.

Një tipar i kësaj ekspozite shquhet me shoqërimin e pikturave të artistëve holandez me ato të piktorëve francez, ku hetohet ndërndikimi artistik. Mirëpo piktorët holandez, megjithë modestinë e tyre proverbiale, nuk ishin vetëm nxënës të mjeshtërve francez, por edhe artistë origjinal që do të ndikojnë te krijimtaria artistike e piktorëve francez. Lidhur me këtë dëshmojnë sa vet piktorët francez, që ngashnjehen nga pikturat e holandezëve, aq edhe krtikët francez të pikturës.

Pikturat e Gérard van Spaendonck (1746-1882) e hapin këtë ekspozitë; temë e përhershme e artit të tij ishin lulet, bimët dhe natyra në përgjithësi. Ai erdhi në Paris në vitin 1769 dhe shpejt arriti të bëhet, në saje të talentit të tij, piktor i oborrit të mbretit Luigji i XV e më vonë edhe trashëgimtarit të tij, Luigjit të XVI. Pikturat e tij me vazo dhe shporta lulesh, me begatinë e ngjyrave, gjallërinë e motiveve, u bën gjithnjë e më të perfeksionuara. Filozofi francez Denis Diderot (Didro), i cili ishte edhe kritik i shquar pikturës së kohës së tij, në njerin nga shkrimet e veta (në Salons) shpreh magjepsjen e vet me bukurinë e buqetave të luleve të Spaendonck. Ai përmend aty reagimin e dukës së Enghien, nënt vjeç, në oborin mbretëror, ku ishin ekzpozuar disa piktura me lule të piktorit holandez : duka i ri kërkoi leje që ta marr një lule nga buqeta, meqë i dukej e gjallë, ndonëse zhanëri i këtyre pikturave cilësohej si natyrë e vdekur me lule.

Piktori tjetër, Ary Scheffer (1795-1858), në saje të pikëturave të çmuara, u bë anëtar i Akademisë së arteve të bukura të Francës. U shquan pikturat e tij me personazhe të familjes mbretërore Louis-Philippe, me dukën e Orleanit si dhe të markizit La Fayette (Fajet), i cili mori pjesë në luftën për Pavarësi të SHBA-ve dhe ishte kundërshtar i familjes së Burbonëve, ngaqë kjo i kundëvihej ndryshimeve që solli Revolucioni francez.

Pikturat e Scheffer-it shoqërohen në këtë ekspozitë me disa piktura të pikëtorëve francez, që kanë ushtruar ndikim, si Théodore Géricault (Zheriko), Théodore Rousseau(Ruso) dhe Eugène Delacroix (Dëlakrua). Kundrimi i analogjive dhe ngjashmërive midis këtyre pikëturave zgjojnë mbresa e përfytyrime të reja për pejazhet, portretet apo epizodat e ngjarjeve, të kapura e të përpunuara nga imagjinarja e artistit.

Skena nga jeta pariziene

Pikturat e Johan Barthold Jonkind (1819-1891) shpalosin më së shpeshti pjesë të rrugëve, kejeve të Parisit si dhe « botën artistike të kafeneve »të Parisit. Jonkind shpesh shkon në kafenen e njohur të artistëve « Le Divan Le Peltier », ku ishin të pranishëm, veç tjerëve, edhe piktori impresionist Gustave Courbet (Kurbe) dhe poeti Charles Baudelaire (Bodler). Në korespondencën e vet ai kujton diskutimet pasionante të artistëve francez për burimet dhe rrethanat e frymëzimit, për kërkimin e mjeteve të shprehjes në pikturë e poezi.

Pikturat e Jongkind për rrugët e Parisit, në këtë ekspozitë, shoqërohen me pikëturat e impresionistëve Camille Corot (Koro), Alfred Sisley, me tema të njëjta. Veç tjerave është impresive këtu piktura e Jongkind, “Rruga Notre Dame e Parisit”(1866), krejt e ndryshme nga pamja që ka sot kjo rrugë. Bie në sy drita qiellore që derdhet mbi shtëpitë e ulëta dhe rrugën, dritë kjo që nxitë prehjen e soditjes. Edhe piktura « Pamje mbi bulevardin Royal »(1877) ose « Notre-Dame e Parisit, pamje nga keji Turnelle », që ofron një kontrast midis një qielli pjesërisht i zymtë e i ngrysur me dritën e ngrohtë që rrezaton mbi shikuesin. Ndërkaq, pikëturat e G.H. Breitner (Brajtner)(1857-1923), paraqesin skena nga rrugët e vogla të Parisit, jo bulevardet luksoze, as skenat nga oboret mbretërore, por bredhjet e personazheve të ndryshme, me një kolorit karakteristik impresionist. Breitner ushtroi stilin e vet impresionist edhe me figurat e balerinave dhe femrave nudo, prandaj, pranë këtyre pikturave gjenden edhe ato te piktorit francez E.Degas, i cili kultivoi këto tema.

Pikturat e Vincent van Gogh(19853-1890) nga periudha e tij parizienne (1886-1888) dëshmojnë për ndryshimin e stilit, orientimin kah impresionizmi dhe puentilizmi (pikëzimi) dhe kalimi në neoimpresionizëm. Korrespondenca e begatshme e piktorit, me më se 800 letra është burim i çmuar për të ndjekur evoluimin e rrugëtimit të tij artistik si dhe dramat e tij jetësore. N. Bakker, cekë në librin për këtë ekspozitë, se Van Gogh, në fillim të qëndrimit të tij në Paris nuk është fort i mahnitur me stilin impresionist. Në një letër ai madje thekson se në fillim ka qenë i dëshpruar me impresionizmin francez, se kjo pikturë i ësht dukur « e shëmtuar, keq e pikturuar, keq e vizatuar, me ngjyrë të keqe, gjthçka në të e mjerueshme. »(f.182). Pikëpamja e tij mbi impresionizmin francez do të ndryshojë gradualisht, gjatë vitit të dytë të qëndrimit të tij në Paris, pasiqë pati mundësinë të komunikoj për së afërmi me vepra të ndryshme të artit piktural të C. Pissaro, C. Monet, e më vonë edhe të neoimpresionistëve P. Signac (Sinjak), E. Bernard. Kjo periudhë përputhet me kërkimet e tij për « ngjyra intenzive, e jo për një harmoni të hirtë » dhe për dritë të theksuar në pejzazhe. Pikëturat e ekspozura këtu, « Pamje e Parisit », « Bulevardi i Clichi-së », « Kopshti i perimeve dhe mullinjt e Montmartre-it ». Preokupimi i tij ishte si ta fusë dritën brenda këtyre pejzazheve me kopshte në paralagjet e atëhershme të Parisit (f.194). Njera nga piktuat e ekspozuara këtu, që do të çmohet shumë më vonë, është « Kopshti me të dashuruarit ». Van Gogh u frymëzua edhe nga tabllot japoneze të stampuara : nga ky ndikim doli piktura e ekspozuar këtu « Kumbulla e luëzuar : sipas Hiroshige »(1887)1887.

Në fund të shkurtit 1888, Van Gogh, ndonëse i kapluar fuqimisht nga kjo « vatër e ideve », nga jeta intenzive artistike, do ta braktis Parisin për të shkuar në Provansë, në Arles, në kërkim të një « mjedisi me ngjyra të gjalla dhe një klimë më të ngrohtë »(f.201). Ndonëse në një letër, drejtuar një miku holandez në Anvers, shkruante (vjesht 1886): « Parisi është Paris, është vetëm një Paris, dhe sado e vështirë që mund të jetë jeta aty, madje edhe sikur të bëhej më e rëndë dhe më e vështirë, ajri i Francës e ndriçon frymën dhe të bën mirë, jashtëzakonisht shumë mirë ». (f.179)

Vrojtimi i Heideggerit për « Këpucët » e Van Goghut

Kësaj periudhe pariziene i takon edhe piktura Këpucë të vjetra me lidhëse (vjesht, 1886), ndonëse kritikët e pikëturës kanë theksuar se ajo përkah stili i takon më shumë kohës klasike(“koha e artë) të pikturës holandez.

Te përmendim këtu se në tekstin e tij me titull “Origjina e Veprës së artit”(1936), për të ndriçuar këtë çështje, filozofi gjerman Heidegger-i (Hajdeger) merr si shembull tabllon e njohur të Van Gogh-ut « Këpucët ». Ai e shikon artin si origjinë të artistit dhe veprës. Kësisoj, për të « çështja e origjinës së veprës artistike bëhet çështje e esencës së artit. » Për të shpjeguar se ç’është arti Heidegerri bën një qëmtim të veprës të cilën e emërton si send dhe më shumë se një send : edhe simbol, alegori e një kuptim. Shqyrtime mbi “sendësinë e sendit” por edhe mbi prodhimin janë shumë te dendura në këtë tekst.

Heideggeri e interpreton kësisoj këtë tabllo të van Gogh-ut: « Në intimitetin e errët të këpucës është shënuar lodhja e hapave të punës…Nëpërmjet këtyre këpucëve kalon thirrja e heshtur e tokës, dhurata e saj e heshtur e farës e cila pjeket, refuzimi i saj i fshehur i vetes në ugar të fushës dimërore. Pëmes këtij prodhimi rikalon shqetësimi memec për sigurinë e bukës, gëzimi i heshtur për të mbijetuar sërish karshi nevojës, ankthi dhe lindja që po afrohet, drithërima nën vdekjen që kërcënon. »

Comments are closed.

Navigate