Rezistenca përmes heshtjes në veprën “Murtaja” të Albert Kamysë

Rezistenca përmes heshtjes në veprën “Murtaja” të Albert Kamysë

Shkruan: Matthew Blackman 

Përktheu: Veron Dobroshi

Shkrimtari dhe filozofi Albert Camus u rrit në një botë heshtjesh në një periferi të klasës punëtore në Algjer. Nëna e tij, e cila ishte pjesërisht e shurdhër dhe fliste aq pak sa njerëzit supozonin se ajo ishte memece, ishte një figurë misterioze në jetën e tij. Poeti dhe studiuesi Stephen Watson e përshkroi atë si një figurë të ngjashme me Krishtin në botën e pa fe të Camus. Fazat e rregullta të tuberkulozit të Camus, të kontraktuara kur ishte 17 vjeç – e vendosën atë në një “manastir” të “heshtjes” teksa ai përpiqej të merrte frymë. Dhe pastaj ishin, siç e tha Camus, arabët e “heshtur dhe të nënshtruar” me të cilët ai u rrit së bashku në Algjeri. Duke pasur parasysh rrethanat e rinisë së tij, mbase nuk është për t’u befasuar që forma e tij e fundit e protestës politike ishte një refuzim për të folur.
Në krijimtarinë e Camus, heshtja është kudo. Ajo shpesh qëndron në kundërshtim të plotë me shtetin burokratik, racionalizmin borgjez dhe ideologjitë që mbështesin “vrasjen racionale”. Heshtjet vendosen në kundërshtim me diskurset dominuese që justifikojnë shtypjen, dhunën dhe vrasjet në emër të “lirisë” ose “ligjit dhe rendit”. Në romanin më të famshëm të Camus, “L’Etranger” (I huaji) 1942, personazhi kryesor, Meursault, është dënuar me vdekje: jo për vrasjen e një arabi, por sepse ai qëndron i heshtur përpara normave të shoqërisë franceze dhe sistemit të saj ligjor.

Sidoqoftë, historia e heshtjes së famshme publike të Camus fillon me të vërtetë me botimin e veprës “Murtaja” (The Plague) në vitin 1947, një roman që ka gjetur një lexues të ri në periudhën tonë të COVID-19. Kronika e qytetit të Oranit të infektuar nga murtaja, në Algjerinë veriore, pasqyron paralele të ashpra me «normalitetin tonë të ri». Heroizmi i ndjekur nga punëtorët e vijës së frontit, vdekjet e reklamuara çdo ditë, shkenca jo e plotë, retorika e pamatur sociopolitike, shpresa e dëshpëruar për një vaksinë, janë të gjitha aty.

Kronika e Oranit, e rrethuar nga minjtë, tregon mundimet e Dr. Rieux, një mjek i qetë punëtor gjatë një kohe me një murtajë në “194–”.Ndërsa puna e Rieux merr një angazhim më të gjerë publik.Ai miqësohet me një tjetër njeri të heshtur me emrin Tarrou. Së bashku ata marrin përsipër detyrat e luftimit të bakteries pa fytyrë,  kujdesin për të infektuarit, numërimin e të vdekurve, pastrimin e qytetit dhe testimin e një vaksine të re.
Thelbi i veprimeve të këtyre dy burrave të heshtur është një pikë më e madhe filozofike – një pikë që bëhet e qartë vetëm kur Tarrou i sugjeron Rieux-it “të marrim vallë një orë pushim – për miqësi?” Ndërsa ata ulen, “heshtja kthehet” në qytet, Tarrou zgjeron nocionin e murtajës nga një mikrob pa fytyrë dhe amoral, me idenë se njerëzit janë bartës të tij; që në një epidemi, veprimet njerëzore kanë pasoja shkatërruese dhe të vdekshme.”Dhe unë e di gjithashtu, që ne duhet të ruajmë veten pafund,” i thotë ai Rieux-it, “që në një moment të pakujdesshëm ne marrim frymë para fytyrës së dikujt dhe e bartim infeksionin tek ai … Gjithcka cfare unë mbaj,” vazhdon Tarrou, “është që në këtë tokë ka murtajë dhe ka viktima, dhe varet nga ne, për aq sa është e mundur, qe të mos i bashkojmë forcat me murtajat. “

Siç do të shpjegonte Camus pas botimit të “Murtaja”, jo më pak në veprën e tij filozofike “Rebeli” (1951), murtaja që çdo person mbart me vete transmetohet sa në frymën e fjalëve tona, ashtu si në kollë apo teshtitje. Diskursi ideologjik që justifikon dhunën dhe “vrasjen racionale”, siç bëri fashizmi, kolonializmi dhe komunizmi, është po aq vdekjeprurës sa çdo pandemi. Murtaja, në këtë kuptim, duket se ka një rëndësi edhe më të ashpër jo vetëm në pandeminë tonë aktuale, por në një botë politike ku vlerësohet dhuna vrasëse e autoritetit.

 Për këto ide, Camus do të tallej, pyetej dhe dënohej sistematikisht deri në ditët e sotme. Shoku i tij i dikurshëm Jean-Paul Sartre ishte i pari që poshtroi Camus-in, duke e tallur pa pushim për qëndrimin e tij naiv, moralizues ndaj gjithë dhunës politike. Për të bërë një omëlet, duhet të thyeni disa vezë, thoshin Sartre dhe shokët e tij marksistë. Siç thekson Ronald Aronson, Sartre shkoi më tej, duke sugjeruar se dhuna kishte vlerë etike.
Kjo betejë filozofike midis burrave, e cila fillimisht u zhvillua në botimin e Sartre “Les Temps Modernes”, (Kohët moderne), do të merrte vrull së bashku me problemet në Algjeri. Si redaktor i gazetës Franceze të Rezistencës Combat, një zë i rëndësishëm në Francën e pasluftës, Camus kishte bërë thirrje për t’i dhënë fund kolonializmit francez. Por, siç thekson studiuesi John Foley, Camus kishte kërkuar një zgjidhje për “një shtet” për Algjerinë e tij të dashur, vendi i federuar brenda Francës me të drejta të barabarta politike për arabët dhe berberët[1].
Por zëri i Camus ishte një zë margjinal, dhe dy diskurset dominuese që dolën nga debati ishin pa kompromise luftarake. Nga fillimi i viteve 1950 shumë nga miqtë në të majtë të Camus, kishin filluar të mbështesnin me zë nacionalizmin militant arab të FLN[2], ndërsa zëri kundërshtar i një institucioni luftarak francez u mbështet nga kolonët francez me të cilët Camus ishte rritur. Asnjëra palë nuk do të bënte kompromis dhe në vitin 1954 filloi në shkallë të plotë një luftë e pavarësisë. Një vit më vonë, Camus do të shkruante se nëse asnjëra palë nuk do të dëgjonte njëra-tjetrën, Algjeria do të bëhej një vend murtaje; “një vend i rrënojave dhe i kufomave, që asnjë forcë, asnjë fuqi në botë në shekullin tonë, nuk do të ishte në gjendje që ta rikthente.
Me qindra mijëra (disa thonë miliona) njerëz të vrarë dhe një politikë e torturave të miratuara nga qeveria franceze, lufta algjeriane do të ishte një nga më të këqijat dhe më shkatërrueset që do t’i përjetonte Afrika. Siç deklaron historiani Robert Zaretsky, profecia e “murtajës” së Camus u bë realitet kur civilët nuk u bënë thjesht dëm kolateral, por shënjestra si për francezët ashtu edhe për FLN (Fronti Liberal Nacional).

Në janar 1956, Camus u përpoq të bënte një ndërhyrje në mjedisin toksik ku jetonin dhe merrnin dhunë radikalët FLN dhe “Ultras” francezët. Siç thotë Zaretsky, në një përpjekje për të “zbatuar etikën e Tarrou”, Camus shkoi në Algjer për të ndërmjetësuar një armëpushim civil. Duke ecur në sallën në të cilën ai do të fliste, ai dëgjonte mijëra “Ultras” në Place du gouvernement që thërrisnin për vdekjen e tij “Camus në trekëmbëshin për varje!”. Ndërsa ai u ngjit në skenë me presidentin e ardhshëm të parë Arab të Algjerisë, Ferhat Abbas, një turmë e inatosur rrethoi ndërtesën duke kërkuar kokën e Camus.

Gurët thyen dritaret kur ai filloi fjalimin e tij, duke thënë: “Ky takim duhej të demonstronte se ka ende një mundësi për dialog”, por nuk ishte kështu. Edhe Abasi i moderuar, miku i Camus dhe bashkë-organizatori i armëpushimit civil të propozuar, do të bashkohej me FLN-në disa muaj pas takimit të tyre. Camus as nuk do të bashkohej me retorikë me “klanin e tij të bardhë”, as nuk do të mbështeste FLN-në. Në vend të kësaj, ndërsa dhuna në Algjeri u rrit, ai dha dorëheqjen nga gazeta L’Express dhe refuzoi të fliste publikisht për këtë çështje. Ai e kuptoi që retorika ishte pjesë e problemit. “Kur fjalimi mund të çojë në asgjësimin e pamëshirshëm të jetës së njerëzve të tjerë”, ai do të vazhdonte të thoshte, “heshtja nuk është një pozicion negativ”.

Por heshtja e tij publike nuk do të thoshte dështim për të vepruar. Deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident automobilistik në vitin 1960, ai vazhdoi të punonte përmes kanaleve të prapambetura, duke shkruar mbi 150 thirrje zyrtarëve qeveritarë në emër të arabëve që përballen me burgim ose dënim me vdekje. Pavarësisht nga këto përpjekje, heshtja e Camus mendohet se akoma ka dhënë pëlqiminin e vet për rolin vrasës të qeverisë Franceze në luftë. Emily Apter, për shembull, vëren se emri i Camus shkakton një “rekord të mjerueshëm në Luftën e Algjerisë që me të drejtë i kushtoi atij miqësinë me të majtën”.

Reputacioni i tij pësoi dëmtime të mëtejshme nga pozicioni i tij i heshtjes. Edward Said, në librin e tij Kultura dhe Imperializmi (1994), dha një goditje të veçantë letrare. Siç tregon John Foley, Said përfundoi punën që Conor Cruise O’Brien e kishte filluar me monografinë e tij të famshme, Camus (1970). Pozicioni i tyre u përmblodh nga Apter kur ajo tha se Camus ofron në fiksionin e tij një “anulim sistematik të karaktereve arabe”. Pjesa më e madhe e kësaj kritike i drejtohet L’Etranger (I huaji), një roman në të cilin protagonisti vret një Arab pa emër dhe të heshtur në një plazh. Më keq se kjo, vazhduan Said dhe O’Brien, ishte se nuk kishte pothuajse asnjë prani të arabëve në veprën “Murtaja”, pavarësisht se ngjarja ishte vendosur në Algjeri. Siç shkruajti O’Brien, duke ngritur në mënyrë të konsiderueshme temperaturën retorike, largimi i Arabëve nga Orani coi në një “zgjidhje përfundimtare artistike”.

David Carroll iu përgjigj këtij argumenti, duke treguar se heronjtë e “Murtajës” luftojnë pa u lodhur për të shpëtuar jetën e njeriut. Të sugjerosh që Camus dëshironte një gjenocid arab, qoftë edhe vetëm si një mendjemadhësi letrare, duket e çuditshme kur merret parasysh qëndrimi i Camus ndaj “vrasjes racionale”. Camus e bëri plotësisht të qartë se mbështetja alegorike e Murtajës ishte një sulm kundër krimeve të nazizmit dhe kolonializmit. Siç do të vinte në dukje Carroll diku tjetër, shumë gjëra “u asgjësuan” në Oran në romanin “Murtaja” fashizmi dhe komunizmi, si fillim. Siç thotë narratori, kur shikonte një kamp karantine në Oran, kishte “kampe” të tjerë diku tjetër përveç “për mungesë informacioni të dorës së parë dhe për respekt të vërtetësisë, [narratori] nuk ka asgjë për të shtuar në lidhje me to”. Ka apostrofim të vetëdijshëm në vepër; heshtje të cilën Camus e shtyn lexuesin për ta mbushur.
Biografi i Camus, Olivier Todd citon Camus të ketë thënë që, duke shkruar “Murtajën” me Luftën e Dytë Botërore të varur mbi të, romani do t’i “tregonte njerëzve që kanë marrë pjesën e reflektimit, heshtjes dhe vuajtjes morale gjatë luftës”. Për O’Brien, Said dhe Apter, kjo ka pak kuptim. Për ta, heshtja dhe mungesa është një pozicion krejtësisht negativ, shënjues i përjashtimit dhe anulimit. Kjo mund të jetë kështu për ta, por sigurisht nuk ishte për Camus.
Ky nocion i heshtjes do të shfaqej përsëri në tregimin e Camus “Burrat e Heshtur” (1957) – një histori e papërmendur nga O’Brien, Said ose Apter – e cila tregon historinë e bashkëpunëtorëve të fuçisë që kthehen në punë pas një greve të dështuar. Këta burra, të dy ‘pied noir’[3] dhe arabë, thuhet se janë të mbushur me “një zemërim dhe pafuqi që ndonjëherë dhemb aq shumë sa nuk mund të bërtasësh”. Yvar, një pied noir, ndan sanduiçët e tij me një personazh të quajtur Said, ndërsa ata presin konfrontimin me shefin, i cili merr formën e një refuzimi për të folur. Heshtja këtu, si në gjithë punën dhe jetën e Camus, ishte njëkohësisht një zë dhe një vend rezistence.

Në kohën tonë aktuale, ky nocion i heshtjes së rezistencës mbase vlen të merret në considerate; si një përgjigje ndaj mediave sociale, diskurseve politike të polarizuara dhe botës tonë të turbulluar dhe të sapo filluar me COVID-19. Ndoshta është një përgjigje e vlefshme ndaj pretendimeve dhe kundërpadive në lidhje me ato që na tregojnë të dhënat e caktuara shkencore. Të folurit, siç mësoi Camus, mund të dëmtojë dhe të mos ofrojë zgjidhje. Por, përsëri, heshtja nuk do të thoshte dështim për të vepruar. Tarrou dhe Rieux nga “Murtaja” vazhdojnë të luftojnë murtajën, jo me fjalë, por me metodat që kanë në dispozicion, ato të cilat ata e dinin se nuk do të shkaktonin dëm.

Shënim: Fusnotat janë të përkthyesit me qëllimin për t’i bërë më të qarta në shqip disa nocione për lexuesin.


[1] Berberët – janë një etni e disa kombeve kryesisht autoktonë në Afrikën e Veriut dhe disa pjesë veriore të Afrikës Perëndimore. Berberët kryesisht jetojnë në Marok, Algjeri, Tunizi, Libi, Mauritani etj.

[2] Fronti Liberal Nacional – Parti politike nacionaliste në Algjeri

[3]  Pied Noir – janë njerëzit me origjinë franceze dhe europiane që kanë lindur në Algjeri gjatë periudhës së sundimit francez nga 1830 në 1962, shumica të cilëve u larguan për në Francën kontinentale pasi Algjeria fitoi pavarësinë.

Comments are closed.

Navigate