Rezonanca e tragjedisë së Euripidit në të sotmen

Rezonanca e tragjedisë së Euripidit në të sotmen
Shkruan: Muhamedin Kullashi

Në këta dy vjet të fundit tragjedia greke, në skenat e teatrove të Belgjikës dhe Francës, është bërë më e pranishme. Jehonë të veçantë pati vërja në skenë e dy pjesëve të Euripidit « Oresti »( e shkruar në vitin 408, p.e.s.) « Elektra »(e shkruar 410, p.e.s) si diptik në një shfaqje në teatrin nga më prestigjiozët të Parisit, në « La Comédie française ». Kurse në Lyon u shfaq, në mbarim të vitit të kaluar, Orestia e Eskilit, me regjinë e M. Lavaudant. Ndërkaq regjisori Milo Raud vuri në skenë në qytetin Gand të Belgjikës shfaqjen « Oresti në Mosul ».

Regjisori i shquar belg Ivo van Hove e vuri në skenë shfaqjen Elektra/Oresti, si një diptik, edhe në Greqi në teatrin antik të Epidaurit, verën e kaluar. Në « La Comédie française » kjo shfaqje u luajt në tre muajt e vitit të kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti. Ishte paraparë që ajo të luhet deri në muajin maj, por në fillim të muajit mars u ndërprenë shfaqjet kur u vendosën masat e izolimit për shkak të COVID-19. Këtë shfaqje e kam parë në muajin janar.

Kjo shfaqje shpaloset me një ritëm të rëmbyeshëm, me skena të dhunshme, me vrasje e hakmarrje të përgjakshme dhe me përplasje të pasioneve, të cilësuara më së shumti me urrejtje e mëni. Shfaqjet e tragjedisë greke, megjithë dallimet midis autorëve të mëdhenj Eskilit, Euripidit dhe Sofoklit, siç dihet, përshkohen me konflikte e tensione të ngjarjeve që shpiejnë në kaosin e botës së brendshme të personazheve por edhe atë të qytetit-shtet (polisi) dhe atyre që orvaten të mbajn një lidhmëri, ndonëse jo harmoninë ideale, midis aktorëve dhe botës.

Spiralja e vrasjeve dhe hakmarrjeve

Në mizanskenën e Van Hove mbisundon vargu i vrasjeve të përgjakshme që zhvillohen në një skenë të mbuluar me baltë, si një truall mbytës ku shemben lidhjet midis më të afërmve, vëllaut dhe motrës me nënen e tyre, si edhe ato të gruas me burrin në një pallat mbretëror. Këto akte dhe atmosfera e përplasjeve të pasioneve shoqërohen me këndimet e korit, me një muzikë të ankthshme dhe vallëzimet që marrin ndonjëherë edhe karakter histerik. Regjisori e bën të theksuar, në rolet e personazheve kryesore aspektin modern të Euripidit, duke nxjerr në shesh lëvizjen dhe transformimin e emocioneve, me shpërfaqjen e subjektivitetit të tyre në situata të skajshme tragjike. Aristoteli, zaten, e vlerësonte Euripidin si « poetin nga më tragjikët ». Ky aspekt do të ndërlidhet, gjatë rrjedhës dramatike të ngjarjeve, edhe me aludime te disa forma të dhunës në paralagjet e qyteteve të mëdha të disa shoqërive të sotme perëndimore. Regjisori mëton të vejë në pah disa korespondenca midis spiralës së konflikteve ku përfshihen personazhet e tragjedisë së Euripidit me trajta të dhunës që bartë procesi i radikalizmit të të rinjëve të këtyre shoqërive.

Të përkujtojmë këtu se këto dy tragjedi të Euripidit, sikurse edhe ato të Eskilit (Orestia dhe Koeforat) dhe Sofoklit(Elektra), janë frymëzuar me ciklin e legjendës së familjes së Atridëve, e mbretit të Mikenës, ndryshe nga ciklet e Trojes dhe ai i Tebës (me mbretin Edip). Madje edhe shumë më heret, te Odiseu i Homerit përmendet vrasja e Agamemnonit nga gruaja e tij Klitemnestra dhe dashnori i saj Egisti, i cili e rëmben pushtetin mbretëror. Pas kësaj, Egisti dhe Klitemnestra i largojnë nga pallati mbretëror Elektrën dhe Orestin e njëherit ua marrinë të drejtën për trashëgimi, si anëtarë të familjes mbretërore. Elektrën e martojn me një bujk plak, për ta evituar rrezikun që ajo të ketë një djalë i cili do të mund të kishte pretendime për trashëgimin e fronit e sidomos që do të mund të hakmerrej, kurse Orestin e dëbojn, për të njëjtat motive, edhe më larg. Por që të dytë, të goditur rënd nga vrasja e babait të tyre dhe dëbimi, ndonëse të ndarë, do ta kenë të njëjtin preokupim : si të hakmirren për vrasjen e babait të tyre, Agamemnonit.

Të cekim me dy fjalë të kaluarën e legjendës, e cila i paraprinë ngarjeve të dy tragjedive të Euripidit që lidhen me fatin e Elektrës dhe Orestit. Princi i Trojës Parisi grabitë e Helenën, gruan shumë të bukur të Menelasit, që ishte vëllai i Agamemnonit, mbretit të Argolidës në Greqi. Kjo grabitje u bë shkas për përgaditjet e luftës kundër Trojës. Mirëpo, flota e anijeve të Agamemnonit nuk mund të niset, për shkak të mungesës së erërave që do ta venin atë në lëvizje : zotat kërkojnë një sakrificë të çmuar, sipas orakullit. Agamemnoni e ndjen si obligim ta sakrifikojë bijën e vet Ifigjeninë. Kjo sakrificë dhe lufta e Trojës do të prodhojë një varg të aksioneve të dhunshme midis aktorëve të këtyre ngjarjeve.

Në skenat e para të kësaj shfaqje, pasi ritakohen, pas një kohe të gjatë, Elektra me të vëllain Orestin bëjnë marrveshjen për aksionin e vrasjes së vrasësve të babait të tyre, Agamemnonit nga Egisti dhe nëna e tyre Klitemnestra. Elektra, madje saktëson se këtë hakmarrje do ta realizojnë me të njëjtën armë (një sakicë) me të cilen ishte vrarë Agamemnoni. Ajo e bind burrin e saj që të shkoj në pallatin e Klitemnestrës dhe t’i thot se gjoja Elektra ka lind një djalë, për ta tërhequr në grackë. Njëherit ajo i kërkon burrit që ta shoqëroj në pallatin mbretëror Orestin deri te Egisti, në momentin kur ky i bën lutjet zotave. Pas vrasjes së Egistit nga Oresti, Elektra e shfaq lumturinë e vet duke kërcyer në skenën e mbuluar me baltë.

Mirëpo, Oresti, ndryshe nga Elektra shfaq hezitime të forta sa i takon vrasjes së nënës së tyre : « Si t’ia bëjmë ? Ajo është nëna jonë …si mund ta vrasim atë ? Unë ia kam borxh tamblin, ia kam borxh ditën që e shoh ! […] Dje isha i pastër – nesër do të më akuzojn për vrasjen e nënës sime. » Ndërsa Elektra i bën vërejtje : « Nëse nuk e mbron çështjen e babait tënd, do të jesh një i pafe, jobesnik./Oresti : Si mund t’i iki ndëshkimit të drejt për vrasjen e nënes sime ?/Elektra : Por kush do të ndëshkoj, nëse i ikën obligimit për t’u hakmarr për vrasjen e babait tonë ?/Oresti : Një frymë e errësirës ndoshta ka marr pamjen dhe zërin e zotit… ».Të përkujtojmë se nuk është fjala këtu për zotin e religjioneve monoteiste, zotin transendent, mbinatyror, por për zotrat politeist, që i takojn botës tokësore, ndonëse kanë disa atribute të hyjnisë, forcën dhe virtytet mbinjerëzore.

« Agon-i » i tragjedisë

Dialogu midis Elektrës dhe Klitemnestrës ka peshë të veçantë në këtë tragjedi. Ky ballafaqim i nënes me të bijën përbën « agon »-in e tragjedisë, skenën ku zhvillohet një si proces gjyqësor i stilizuar ku ndeshen dy fjalime mirë të argumentuara, njeri prej të cilëve i përngjet më shumë akuzës kurse tjetri mbrojtjes. Kësisoj ky « agon » si ballafqim nënkupton një elokuencë gjyqësore.

Në fillim Elektra ia kujton Klitemnestër se e ajo e ka dëbuar, pas vrasjes së babait, dhe se ka mbetur jetime. Klitemnestra e ndjen të nevojshme të arsyetojë vrasjen e Agamemnonit. Motivin kryesor për këtë vrasje ajo e shpjegon me vrasjen, përkatësisht me sakrifikimin e Ifigjenisë, bijës së tyre, për hirë të mbarvajtjes së luftës kundër Trojës. Ajo e vë theksin te mashtrimiqë kishte përdorë Agamemnoni për ta futur në grackë Ifigjeninë që ajo të vijë në vendin ku duhej t’i bëhej sakrifica zotave. Agamemnoni e kishte joshur Ifigjeninë që të vijë në Aulis me premtimin se aty do të bëhet fejesa e saj me Akilin. « Dhe ai e kishte shtrirë mbi një tavolinë të altarit dhe aty ia preu me thikë fytin e bardhë të Ifigjenisë sime…. », rrëfen Klitemnestra. Kjo pastaj, për ta bërë më të theksuar vlerësimin e vet se ai sakrifikim ishte krim i rëndë, thot se ai u bë jo për të mirën e Shtëpisë mbretërore por për ta shpëtuar Helenën, gruan e Menelasit, e cila iku, sipas saj, me dëshirën e vet me Parisin për Trojë. Për ta vërë në pah kotësinë e sakrifikimit të Ifigjenisë nga Agamemnoni, ajo shton se Helena ishte grua e dhën pas epsheve trupore dhe se buri i saj u tregua i pafuqishëm ndaj tradhëtive të saj. Më pastaj ajo shton se Agamemnoni, kur u kthye nga Troja, solli me vete një vajzë të shfrenuar, Kasandrën, priftëreshë e tempullit të Apollonit, që kalonte ditën në transe bakanale. Mirëpo, Elektra ia përkujton nënës së vet se ajo, ngjashëm si Helena, i jipej ëndjeve shqisore me burra të tjerë. Ajo i bën vërejtje Klitemnestrës edhe për faktin se me Egistin e privuan atë dhe Orestin nga e drejta e trashëgimisë. « Pastaj ju më martuat për një Plak dhe më detyruat të bëhem « një e gjallë-e vdekur ». Kësisoj Elektra këtë martesë të detyruar e cilëson si privim nga jeta e mirëfilltë. Pastaj ajo e fton Klitemnestren që të hyjë në shtëpinë e saj të mjerë për ta bërë bëj ceremoninë e skrificës zotave për lindjen e fëmiut të saj.

Pas vrasjes së Klitemnestrës, vijon skena ku shifen Elektra dhe Oresti, të përgjakurë, me shikim të humbur, afër trupave të pajetë të Klitemnestrës dhe Egistit. Që të gjithë, edhe të gjallët edhe të vdekurit, janë të zhytur në baltë, të ndotur me gjak, derdhjes së të cilit i kanë paraprirë vrasjet e mëparshme, të shoqëruara e të nxitura me pasione të forta, me klithma e urrejtje. Kurse Korifeu thekson se ky brez i fëmijëve të Tantalit është më fatkeqi, që mund të merret me mend.

Të cekim se në këtë tragjedi të Euripid vrasja e Egistit, ndryshe nga vrasja e Klitemnestrës si nënë e vrasësve, nuk bëhet çështje, madje as nga trupi i gjyqtarëve, meqë u vlerësua si legjitim.

Oresti vajton për krimin që ka bërë : « Tokë, dhe ti Zeus, shikimi i të cilit /Rëndon mbi të gjithë njerëzit,/Shikoni çfarë kam bërë, këtë vrasje të mënishme :/Të shtrirë në tokë, këta dy trupa,/Të vrarë nga dora ime, të goditur me hakmarrje,/Për atë që kam vuajtur… ». Elektra ndërkaq i thotë të vëllait se ajo është fajtore : « ngase mua më kafshoi tërbimi i kuq ndaj nënës sime, unë fatkeqja, të cilin ajo e lindi, unë bija e saj » !

Që të dytë, duke vajtuar, thonë se tani, kur kanë humbur çdo ardhmëri nuk dinë nga do t’ia mbajn…

Ndalimi e gjakmarrjes

Pas vrasjeve të Egistës dhe Klitemnestrës, hapet debati në këshillin gjyqësor, në veçanti midis Menelasit, xhaxhait të Orestit dhe Elektrës, dhe Tyndarit, babait të Klitemnestrës, pra gjyshit të këtyre, për dënimin që meritojn, në veçanti për vrasjen e nënes së tyre. Derisa Menelasi propozon egzilin si dënim (« Njeriu i ndotur me gjak, pastrohet me egzil »)dëbimin e tyre nga qyteti Tyndar propozon dënimin më të rënd si dënim-shembull i cili duhet të ndikoj që të ndalej zingjiri i hakmarrjeve, i masakrave që u pat quajtur edhe « mallkimi i Atridëve ». Të përkujtojmë këtu se në shekullin e V, në disa qytete-shtete të Greqisë ishte vendosur dënimi me vdekje për gjakmarrje, me qëllim që të ndërpritet spiralja e pandalshme e hakmarrjeve ; pra autorizohej një gjyq, tribunali i Aeropagut, që të ndëshkoj vrasjen, në mënyrë që të pengohej hakmarrja familiare, duke e zëvendësuar atë, qysh atëherë, me drejtësinë civile. Kjo shkëputje nga tradita arkaike, bëhet e dukshme, në forma e situata të ndryshme, si në tragjeditë e Eskilit, poashtu edhe në ato të Euripidit dhe Sofoklit. Derisa tribunali debaton për ndëshkimin e vrasësve të Klitemnestrës dhe Egistit, Oresti dhe Elektra, të mbërthyer në vargun e hakmarrjeve, kidnapojnë Hermionën, bijën e xhaxhait të tyre, Menelasit, për t’i shantazhuar ata që do të mund t’i ndëshkonin eventualisht me dënimin për vdekje. Ndërkaq Kori thot : « O zot jipe Drejtësinë në castin kur kumbon Fati ! »Kori, në fakt, shfaq mirëkuptim për dhimbjen e Elektrës dhe Orestit dhe vullnetin e tyre për hakmarrjen.

Në skenën vijuese del Kastori, njeri nga vëllezërit e Klitemnestrës, i cili njofton Orestin dhe Elektrën se vrasja e nënës së tyre është krim shumë i rënd dhe se gjyqi ka marr parasyshë edhe krimin që Klitemnestra kishte bërë duke e vrar burin e saj, prandaj, në saje të votave të ndara ata nuk do të dënohen me vdekje por me syrgjynosje, pa të drejtë që të kthehen në vendlindjen e tyre. Kastori shton : « Këtë akt e kishit të përbashkët, ky ishte fati i juaj, që të dyve ju ka ndrydhur i njëjti mallkim që e keni trashëguar nga të parët. »

Oresti dhe Elektra kësisoj, pasiqë ishin takuar pas shumë viteve të dëbimit, pas krimeve që bën, sërish duhet të ndahen, ngase janë dënuar të dëbohen në dy vende të ndryshme.

Në këtë shfaqje bëhet e hetueshme rezonanca e tragjedisë antike në aktualitetin e shënuar me atentate terroriste, aktorë të cilëve janë të rinjtë, në disa qytete të mëdha evropiane, të kapluar me pasionin e urrjetjes fetare e ideologjike, me shtytjen për hakmarrje, duke kujtuar edhe sundimin kolonial nga e kaluara. Regjisori Van Hove, shkoqit me ciklin infernal të radikalizmit të tyre. Ai vë në pah me mjeshtri energjinë e rëmbyeshme të trupave të aktorëve dhe pasioneve që prodhojnë aksione të krimeve që janë përgjigje ndaj krimeve të tjera, të mëparshme, që sikur i mbërthejn në spirale të dhunës e cila thëret dhunën tjetër. Balta në skenë sikur e simbolizon mungesën e një perspektive tjetër, të një trualli stabil që do të ofronte rrugdalje nga kjo spirale e pandalshme e dhunës. Regjisori Van Hove, në këtë kreacion skenik, sikur kërkon gjurmët e shkaqeve të ripordhimit të dhunës së përgjakshme në të kaluarën dhe të tashmen : izolimi dhe egzili, përbuzja dhe paragjykimet e padrejtësitë dalin këtu si burim i pasioneve e aksioneve të dhunshme me ritualet makabër që shpalosen në skenë.

Të themi në fund se teksti i këtyre tragjedive të Eskilit ka ruajtur çuditërisht një freski të komunikimit me lexuesin e sotëm, ndonëse është i shkruar hiç më pak se para 26 shekujëve. Koloriti poetik shquan sa kêndimet e korit aq edhe dialogêt e personazheve, por edhe pêrsiatjet e tyre pêr ndryshimet dhe transformimet qê pêsojn ndjenjat e tyre.

Nga aktorët e kësaj shfaqje janë dalluar në veçanti Cristophe Montenez në rolin e Orestit, Souliane Brahim në rolin e Elektrës, Elsa Lepoivre në rolin e Klitemnestrës dhe Denis Podalydes që luan Menelasin.

Comments are closed.

Navigate