Rilke i shkruan poetit të ri

Rilke i shkruan poetit të ri

Letra dhe këshilla drejtuar poetit të ri, ose ndonjë artisti tjetër, që është në fazën e entuziazmit krijues, kanë shkruar dhe kanë dhënë edhe letrarët edhe krijues të arteve të tjera.

Mirëpo këto letra të Rajner Maria Rilkes janë shkruar në trajtën e prozës letrare dhe si të tilla shquhen për interesimin e gjerë dhe të thellë.

Letrat të shkruara prej vitit 1903-1908, Rilke ia ka dërguar poetit të ri, Franc Ksaver Kapus, i cili nga poeti i madh gjerman ka kërkuar vlerësim gjykues për vjershat e tij.

 Në total janë dhjetë letra që Rilke i’a dërgon poetit të ri. Më poshtë po e sjellim letrën e parë të Rilkes. 

 

Paris, 17 shkurt 1903

I nderuar zotëri,

Nuk ka shumë që e kam marrë letrën tuaj. Desha t’ju falenderoja për besimin e madh që shprehni në të. Unë nuk mund të gjykoj për llojin e vargjeve tuaja; sepse nuk e kam atë të drejtë. Me asgjë tjetër nuk mund të preket më shumë një vepër arti se sa me fjalë kritikuese: mund të vijë deri te shumë keqkuptime. Gjërat nuk janë aq të kapshme dhe as që thuhen me fjalë, ashtu siç duam të besojmë ne në të shumtën e rasteve. Shumica e ngjarjeve nuk thuhen dot me fjalë, ato zhvillohen në një hapësirë, në të cilën kurrë nuk ka mundur të depërtojë fjala, dhe më të pathënat nga të gjitha janë veprat e artit, këto ekzistenca enigmatike, jeta e të cilave në krahasim me tonën, e cila ik me vrap, zgjat çuditërisht përjetësisht.

Më lejoni t’ju them që vargjet tuaja nuk janë të llojit të veçantë, por një përpjekje e qetë drejt personales. Këtë e ndjej më së forti në poezinë e fundit “Shpirti im”. Aty diçka tepër e veçantë do të vijë në shprehje. Dhe në poezinë e bukur “Leopardit” mbase rritet një lloj afërie me këtë të madhërishmen, të vetmuarën. Megjithatë, poezitë ende nuk janë diçka më vete, as ajo e fundit dhe as ajo e Leopardit. Letrës tuaj të shkëlqyeshme që i shoqëronte vargjet, nuk i mungon forca të më sqarojë disa mangësi, të cilat edhe unë i ndieva gjatë leximit të vargjeve tuaja, pa mundur t’i numëroj tani.

Ju më pyesni, në janë të mira vargjet tuaja. Ju më pyesni mua. Më parë keni pyetur edhe të tjerë. Ua dërgoni revistave. Ata i krahasojnë me poezi të tjera dhe shqetësoheni kur disa redaksi ua refuzojnë. Tashti (nëse më lejoni t’ju këshilloj) ju lutem të hiqni dorë nga e gjithë kjo. Ju shihni prej jashtë dhe këtë para së gjithash nuk guxoni ta bëni tashti. Askush nuk mund t’ju këshillojë dhe askush nuk mund t’ju ndihmojë, për këtë të jeni të bindur. Ekziston vetëm një mjet i vetëm. Mundohuni të depërtoni në thellësinë e shpirtit tuaj. Zbuloni shkakun që ju çon të shkruani; vërtetojeni në i ka ai rrënjët në skutat më të thella të zemrës tuaj, pyesni veten në do vdisnit nëse u ndalohej të shkruanit. Kjo para se gjithash: pyesni veten në orën më të qetë të natës: e kam patjetër të shkruaj? Bini në të thella pas një përgjigje të thellë. Dhe po qe se do të ishte ashtu, domethënë po qe se përgjigja e juaj do të ishte thjesht “e kam të domosdoshme”, atëherë ndërtojeni jetën tuaj sipas kësaj domosdoshmërie; jeta e juaj deri në çastin e fundit duhet patjetër të jetë një shenjë dhe një dëshmi e kësaj shtytjeje. Pastaj afrojuni natyrës dhe përpiquni të thoni, sikur të ishit njeriu i parë i kësaj bote, se çka shihni dhe përjetoni, çka doni dhe çka humbisni. Mos shkruani poezi dashurie; në fillim shmangiuni atyre formave, që janë të zakonshme dhe të rrahura nga të tjerët: ato janë më të vështirat sepse duhet një forcë e papërshkruar të japësh diçka tënden. Prandaj shpëtojeni veten nga motivet e përgjithshme që ua imponon përditshmëria; përshkruani trishtimet dhe dëshirat tuaja, mendimet e çastit dhe besimin në diçka të bukur – të gjithë këtë përshkruajeni me një çiltërsi të pashoq dhe për ta shprehur atë, përdorni gjërat e rrethit tuaj, imazhet e ëndrrave dhe të kujtimeve tuaja. Kur t’ju duket e varfër përditshmëria, mos e fajësoni atë, por veten tuaj. Dhe i thoni që nuk jeni sa duhet poet që ta ndizni fantazinë në të; sepse për krijuesin nuk ka varfëri dhe vend të varfër e pa rëndësi. Ta zëmë sikur të ishit në burg, muret e së cilit do të pengonin të depërtonte çdo lloj zhurme nga jashta – a nuk do ta kujtonit atëherë me mall fëmijërinë tuaj? Përqëndrojeni aty vëmendjen tuaj. Përpiquni t’i ngjallni senzacionet e fjetura të kësaj të kaluare të largët; personaliteti juaj do të forcohet, vetmia juaj do të hapet dhe gjithçka ka për të shkëlqyer, kështu që zhurma e botës së jashtme do të marrë fund.

Dhe po qe nga kjo kthesë e brendshme do të lindin vargje, atëherë nuk do t’ju shkojë ndër mend të pyesni dikë, në vargjet e juaja të jenë të mira. Gjithashtu nuk keni për të bërë as përpjekjen më të vogël që ta ngjallni interesimin e revistave për punën tuaj: sepse këtë do ta shihni si diçka tuajën personale, si një pjesë dhe si një zë të jetës tuaj. Një vepër arti është e mirë, po qe se ajo lind nga domosdoshmëria. Në këtë lloj të zanafillës së saj qëndron edhe gjykimi për të: nuk ka tjetër. Prandaj, shumë i nderuar zotëri, nuk dija këshillë tjetër pos kësaj: të depërtoni në thellësinë e shpirtit tuaj dhe t’i kontrolloni thellësitë, nga të cilat buron jeta juaj; dhe këtu keni për të gjetur përgjigjën e pyetjes tuaj, në e keni patjetër të krijoni. Merreni ashtu siç është, pa u munduar ta interpretoni. Mbase del që jeni të prirë për të qenë artist. Pastaj pajtohuni me fatin pa pyetur për çmimin, i cili mund të vinte nga jashta. Sepse krijuesi duhet të jetë botë me vete, ku do të gjente gjithçka dhe në natyrën, me të cilën është lidhur.

Por ama, pas kësaj rënie ndoshta keni për të hequr dorë për t’u bërë një poet (siç u tha, mjafton të ndiesh që edhe pa shkruar fare mund të jetosh). Po edhe atëherë kjo kthesa, për të cilën unë ju lus, nuk ka qenë kot së koti. Që nga aty jeta e juaj ka për të gjetur rrugën e vet dhe që kjo rrugë ka për të qenë e mirë dhe e pasur, këtë jua dëshiroj më shumë se sa që mund t’ju them.

Çka mund t’ju them tjetër? Mua më duket të jenë thënë të gjitha; së fundi desha t’ju jepja vetëm edhe një këshillë, të zhvilloheni në qetësinë dhe seriozitetin më të madh; këtë nuk mund ta pengoni, po qe se shikoni jashta dhe po nga jashtë prisni përgjigje për pyetjet, të cilave mbase vetëm ndjenja e juaj e brendshme mund t’ju përgjigjet në çastet më të lehta të jetës suaj.

Ishte kënaqësi për mua të gjeja emrin e zotëri profesor Horacek-ut në letrën tuaj; për këtë dijetar të zotë kam ruajtur respektin më të madh dhe i jam shumë mirënjohës për gjithçka. I thoni ju lutem që më vjen shumë mirë që ende iu kujtokam dhe që di ta çmoj këtë.

Vargjet që m’u besuan, ua kthej njëkohësisht me këtë letër. Edhe njëherë ju falenderoj për madhështinë dhe përzemërsinë e besimit tuaj, ndaj së cilit me përgjigjen time u përpoqa të jem sa më i denjë, e jo siç jam në të vërtetë një i huaj i humbur.

Me përshëndetjet e mia më të sinqerta:

Reiner Maria Rilke

Përkthyes: Arbër Celiku

Comments are closed.

Navigate