Rreth pikturave të van Gogh-ut

Rreth pikturave të van Gogh-ut
Autor: Muhamedin Kullashi

Pikturat e Vincent van Gogh(19853-1890) nga periudha e tij parizienne (1886-1888) dëshmojnë për ndryshimin e stilit, orientimin kah impresionizmi dhe puentilizmi (pikëzimi) dhe kalimi në neoimpresionizëm. Korrespondenca e begatshme e piktorit, me më se 800 letra është burim i çmuar për të ndjekur evoluimin e rrugëtimit të tij artistik si dhe dramat e tij jetësore. N. Bakker, cekë në librin për këtë ekspozitë, se Van Gogh, në fillim të qëndrimit të tij në Paris nuk është fort i mahnitur me stilin impresionist. Në një letër ai madje thekson se në fillim ka qenë i dëshpruar me impresionizmin francez, se kjo pikturë i ësht dukur « e shëmtuar, keq e pikturuar, keq e vizatuar, me ngjyrë të keqe, gjthçka në të e mjerueshme. »(f.182). Pikëpamja e tij mbi impresionizmin francez do të ndryshojë gradualisht, gjatë vitit të dytë të qëndrimit të tij në Paris, pasiqë pati mundësinë të komunikoj për së afërmi me vepra të ndryshme të artit piktural të C. Pissaro, C. Monet, e më vonë edhe të neoimpresionistëve P. Signac (Sinjak), E. Bernard. Kjo periudhë përputhet me kërkimet e tij për « ngjyra intenzive, e jo për një harmoni të hirtë » dhe për dritë të theksuar në pejzazhe. Pikëturat e ekspozura këtu, « Pamje e Parisit », « Bulevardi i Clichi-së », « Kopshti i perimeve dhe mullinjt e Montmartre-it ». Preokupimi i tij ishte si ta fusë dritën brenda këtyre pejzazheve me kopshte në paralagjet e atëhershme të Parisit (f.194). Njera nga piktuat e ekspozuara këtu, që do të çmohet shumë më vonë, është « Kopshti me të dashuruarit ». Van Gogh u frymëzua edhe nga tabllot japoneze të stampuara : nga ky ndikim doli piktura e ekspozuar këtu « Kumbulla e luëzuar : sipas Hiroshige »(1887)1887.

Në fund të shkurtit 1888, Van Gogh, ndonëse i kapluar fuqimisht nga kjo « vatër e ideve », nga jeta intenzive artistike, do ta braktis Parisin për të shkuar në Provansë, në Arles, në kërkim të një « mjedisi me ngjyra të gjalla dhe një klimë më të ngrohtë »(f.201). Ndonëse në një letër, drejtuar një miku holandez në Anvers, shkruante (vjesht 1886) : « Parisi është Paris, është vetëm një Paris, dhe sado e vështirë që mund të jetë jeta aty, madje edhe sikur të bëhej më e rëndë dhe më e vështirë, ajri i Francës e ndriçon frymën dhe të bën mirë, jashtëzakonisht shumë mirë ». (f.179)

Vrojtimi i Heideggerit për « Këpucët » e Van Goghut

Kësaj periudhe pariziene i takon edhe piktura Këpucë të vjetra me lidhëse (vjesht, 1886), ndonëse kritikët e pikëturës kanë theksuar se ajo përkah stili i takon më shumë kohës klasike(“koha e artë) të pikturës holandez.

Te përmendim këtu se në tekstin e tij me titull “Origjina e Veprës së artit”(1936), për të ndriçuar këtë çështje, filozofi gjerman Heidegger-i (Hajdeger) merr si shembull tabllon e njohur të Van Gogh-ut « Këpucët ». Ai e shikon artin si origjinë të artistit dhe veprës. Kësisoj, për të « çështja e origjinës së veprës artistike bëhet çështje e esencës së artit. » Për të shpjeguar se ç’është arti Heidegerri bën një qëmtim të veprës të cilën e emërton si send dhe më shumë se një send : edhe simbol, alegori e një kuptim. Shqyrtimet mbi “sendësinë e sendit” por edhe mbi prodhimin janë shumë te dendura në këtë tekst.

Heideggeri e interpreton kësisoj këtë tabllo të van Gogh-ut: « Në intimitetin e errët të këpucës është shënuar lodhja e hapave të punës…Nëpërmjet këtyre këpucëve kalon thirrja e heshtur e tokës, dhurata e saj e heshtur e farës e cila pjeket, refuzimi i saj i fshehur i vetes në ugar të fushës dimërore. Pëmes këtij prodhimi rikalon shqetësimi memec për sigurinë e bukës, gëzimi i heshtur për të mbijetuar sërish karshi nevojës, ankthi dhe lindja që po afrohet , drithërima nën vdekjen që kërcënon. »

Comments are closed.

Navigate