Stefan Zweig, shkrimtari që ëndërroi botën pa kufij

Shkruan: Bujar Meholli

Stefan Zweig, shkrimtari që ëndërroi botën pa kufij

Kur flasim për shkrimtarin austriak Stefan Zweig, kemi parasysh prototipin e intelektualit të shquar, njeriun që ia kushtoi tërë jetën letërsisë ku trajtoi sërë temash, gjinish e formash për t’u bërë njëri nga autorët më të lexuar në mbarë botën. Jeta e Stefan Zweig-ut është shumë interesante dhe komplekse me përpjekjet e tij kulturore dhe kontributin që dha për paqen, afrimin e popujve dhe bashkimin e tyre përmes artit. Veprimtaria e tij letrare është mjaft e dendur. Zweig-u i ri nisi rrugëtimin letrar me poezinë për të vazhduar me përkthime, ese, drama, novela e romane, biografi të personazheve të rëndësishme, krahas memoareve dhe udhëpërshkrimeve (Zweig njihet si autor që udhëtonte shumë). Çka e bën Zweig-un autor të spikatur, të lexuar në masë të madhe dhe të përkthyer në pothuajse të gjitha gjuhët e botës? Padyshim, kultura e gjerë, sensibiliteti i hollë dhe idetë pacifiste të shprehura në letërsi përmes një stili të veçantë që depërton lehtë dhe thellë te lexuesi. Këto e bëjnë Zweig-un njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit 20-të, të kërkuar e të lexuar edhe në ditët e sotme.  

Qysh në fillim, Zweig-u pozicionua kundër nazi-fashizmit të cilin e luftoi gjer në fund të jetës, ani pse jo haptazi; librat e tij u dogjën nëpër sheshet e Gjermanisë me urdhër të Hitlerit, por idetë që rridhnin nga letërsia e tij megjithatë mbijetuan. Në një artikull të gazetës The New Yorker, studiuesi dhe eseisti George Prochnik shkruan: “Zweig-u bëri punë të furishme në shkrimin e autobiografisë, libër i cili u konceptua si mesazh për të ardhmen. Brezave pasardhës u mbetej detyra e rindërtimit të shoqërisë nga rrënojat e nazizmit. Ai ishte i vendosur të gjurmojë terrorin nazist dhe të vë në pah verbërinë e njerëzve që i shkonin pas.” Pra, Zweig ishte autor i angazhuar, që do të thotë mori anë dhe qëndrim ndaj ngjarjeve socio-politike dhe ndaj botës në përgjithësi. Në shekullin e kaluar, një numër i madh i artistëve ishin të angazhuar. Përveç bindjeve ndaj pulsioneve të tyre, ata nuk mund të ishin shurdh ndaj situatave me të cilat po përballej bota. Këtu ndërmendim diktaturën hitleriane që po shkatërronte gjithfarë vlerash duke e shndërruar në vend të zymtë jo vetëm Evropën, por mbarë botën.

Stefan Zweig me talent të jashtëzakonshëm në prozë, artist me sensibilitet të hollë, nuk mundi të jetë indiferent ndaj padrejtësive dhe shtypjeve që po preknin shoqëritë evropiane. Siç e shohim nga autobiografia Bota e djeshme (Kujtime të një evropiani), Zweig-u i tëhuajtur nga Evropa, atdheu i tij shpirtëror, e vuan shembjen dhe vetëshkatërrimin e kontinentit të vjetër. Si njohës i thellë i historisë së Evropës, ai vë paralele mes kohës së bukur kur jehonte muzika e arti dhe njerëzit jetonin në paqe, dhe kësaj kohe lufte që po sillte konflikte, intolerancë, fanatizëm e diktaturë, me pak fjalë, mjerim shoqëror. Zweig nuk u aktivizua politikisht asnjëherë; si njeri paqësor i ndodhur mes pabarazive, padrejtësive, racizmit dhe ardhjes së Hitlerit në pushtet (Zweig rridhte nga një familje hebraike), u largua nga Evropa; gjatë viteve në ekzil, me zemrën e thyer, ishte aq i ndjeshëm saqë i dha fund jetës në Brazil, dhimbshëm, bashkë me të shoqen, për ta përlotur gjithë botën intelektuale. Gjersa lexonte gazetat dhe shihte se bota po shkonte drejt fundosjes, duke mos i përballuar dot mizoritë, ky autor i madh pacifist, qytetar i botës, i la botës shëndenë “me vullnet të lirë dhe ndërgjegjshëm” siç shprehej në një letër. Ai kishte ëndërruar një botë pa kufij, ku njerëzit e çfarëdo race, feje e gjuhe do t’i bashkonte e bukura, e dobishmja, arti dhe kultura, pa pasur nevojë për ligjet e kota, jofleksibile.

Për fat të mirë, Zweig ka tërhequr vëmendjen e përkthyesve shqiptarë të cilët ndër vite kanë sjellë veprat e tij artistike, esetë, trajtesat, si dhe biografitë e letrarizuara shumë të njohura. Disa nga këto vepra të Zweig-ut që ‘flasin’ shqip janë: Padurimi i zemrës, Dehje nga metamorfoza, Maria Stjuart, Frojdi, Pushtimi i Kostandinopojës, E fshehta e Bajronit, etj… Gjersa lexojmë novelat dhe romanet, shohim talentin e tij për t’i skalitur personazhet duke u futur në skutat më të thella të psikikës së tyre, përmes gjuhës ekspresive të pasur dhe të gjallë shohim se si Zweig-u portretizon gjendjen e rëndë ekonomike të personazheve të rëna, dëshirat dhe ëndrrat e tyre mes mjediseve të varfra ku gëlon inflacioni e prostitucioni që çojnë gjer në vdekjen e njerëzve nga sëmundjet, uria e vuajtjet. Nga ana tjetër kemi personazhe të shoqërisë së lartë austriake që jetojnë mes të mirave materiale, por me trauma shpirtërore e me dhimbje të shkaktuara nga padrejtësitë dhe situata e tendosur socio-politike që po rrënonte gjithçka. Siç shprehet Mario De Micheli, kritiku italian i artit: “Njeriu kurrë s’ka qenë më i vogël dhe s’i ka munguar kaq shumë gëzimi dhe liria, andaj ai ulëret dhe s’është i qetë, kjo është britmë ankthi e kohës sonë që thërret shpirtin: është ekspresionizëm.” Realiteti i dhimbshëm që pasqyrohet përmes pendës së Zweig-ut përqendrohet te faktorët etik e moral që janë përcaktuesit e transformimit dhe ndryshimit të gjendjes që kishte pllakosur. Zweig e kishte mik të mirë Freud-in dhe u ndikua nga ai. Analiza psikologjike që ua bën personazheve, gjurmimet në të brendshmen e tyre mes vrullit të mendimeve dhe dilemave, e bëjnë Zweig-un autor tepër të lexuar. Me idenë se duke përsosur etikën dhe moralin shoqëria do të bëhet një e tërë dhe do të transformohet, Zweig del autor tipik utopist. Kur plasi Lufta II Botërore të gjitha iluzionet e tij u shembën, ky shpirt delikat s’mundi assesi ta marrë veten nga katrahura shoqërore që mbretëronte. Qoftë përmes novelave të jashtëzakonshme Novela e shahut, Amoku, Një natë fantastike, Letra e një të panjohure, Rrugica nën dritën e hënës, etj, qoftë përmes romaneve, Zweig, është i aftë të krijojë personazhe komplekse që bartin idetë e tij, depërtimin në thellësi të brendësisë së njeriut dhe zbulimin e enigmave psikologjike. Si ithtar i dijes, i muzikës së bukur e i ndjenjave fine që sjell arti, dhe si kundërshtar i zjarrtë i gjërave të pavlera dhe kotësisë njerëzore, ai nuk mundi t’i përshtatet një bote të mbushur me terror dhe luftë ku nuk kishte siguri për asgjë. Zweig iku për të ngelur një nga mendjet më brilante të shekullit 20-të dhe njëri nga utopistët e mëdhenj që u përpoq të krijojë një botë pa kufij ku mbizotërojnë dashuria dhe paqja.

Comments are closed.

Navigate