Tarkovsky: Qëllimi i artit është ta përgatisë njeriun për vdekjen

Tarkovsky: Qëllimi i artit është ta përgatisë njeriun për vdekjen

Përktheu: Fatlum Sadiku

Kinematografia përgjithësisht mund të përkufizohet si lloj arti origjinal që ngërthen në vete shkallë të lartë tensioni krijues, dhe që vështirë arrihet të kuptohet. Me ketë s’dua të them që unë s’arrij të përçoj kuptim, por që thjesht nuk bëj filma për masa sikurse bën Spielbergu. Po ta zbuloja se mund të bëjë, do të ndjeja dhembje.

Nëse doni t’i flisni një mase të gjerë, jeni të obliguar të bëni filma pa kurrfarë lidhjesh me artin si, Star Wars apo Supermeni. Nuk po them se populli është budalla, porse në asnjë mynyrë nuk do i hyja një mundimi (të tillë), vetëm për të kënaqur masat. Kinematografia nuk i mëson asgjë njerëzimit, sepse ky i fundit të paktën në 4000 vitet e fundit e ka dëshmuar mjaftueshëm, se s’mund të mësojë gjë.

Imazhi është fotografia e së vërtetës. Fotografia e një shkëndize të vogël të asaj që arrijmë të kapim teksa shkëputemi nga verbëria.

Thonë se koha s’mund të kthehet prapa. E vërtetë. E ç’do të thotë e shkuara përballë realitetit të kohës së tashme, çastet e së cilës rrjedhin lumë? E shkuara, është një e vërtetë më e madhe se sa banimi në çast. Së paku më e qëndrueshme dhe më e vazhdueshme. E tashmja humbet mes gishtërinjësh. Brenda së tashmes ngërthehen pakalueshëm të gjitha parakushtet e sheshimit të një të ardhme shkatërrimtare.

Formësimi dhe zhvillimi i mendimeve përcjell disa vite/mosha të caktuara. Dhe për ta pohuar këtë gjë i duhet ta dëshmoj diferencën që ka me strukturat spekulative dhe logjike. Sipas meje logjika poetike është shumë më afër strukturave të zhvillimit mendësor dhe përgjithësisht ligjeve të jetës së sa ligjet e dramaturgjisë klasike. E megjithatë drama klasike me vite është paraqitur si shembulli i vetëm i shprehjes së përplasjeve dramatike.

Një mendim kompleks dhe një botëvështrim poetik, kurrë dhe për asnjë çmim s’mund të krahasohen dhe as të ngujohen në të njejtat kontura me gjërat tejmase publike dhe botërisht të ditura. Kujtimet përgjithësisht janë shumë të vlefshme. Për rrjedhojë njeriu për nga natyra e tij gjithmonë i zbukuron me ngjyrime poetike.

Përgjithësisht ritakimi i kujtimeve me burimin e tyre, pra ritakimi i kujtimit me burimoren, shkund cilësitë poetike të këtyre kujtimeve. Unë mendoj se nga kjo mund të derviohet një parim shumë original për ndonjë film skajshmërisht interesant. Logjika e ndodhive, shprishet në trajtën e veprimeve dhe sjelljeve të heroit. Më pas nga këto nxirret një tregim në lidhje mbi kujtimet, përsiatjet dhe mendimet e heroit.

E kjo na mundëson që heroin ta shohim përmes një dioptrie që s’haset tek llojet e dramaturgjisë, duke mundësuar një efektivtet të madh, zhvillim sa më origjinal të karakterit, shpalosjen e botës së brendshme të këtij heroi. Heroi në fakt s’shihet vërdallë. Por na e mundëson një mendim të rafinuar mbi atë të se çka dhe si mendon. “Pasqyra” do të veprojë nisur nga kjo premisë.

Jeta e njeriut ka aso dimensionesh, e që të tilla siç janë, mund të shpërfaqen vetëm përmes poetikës. Përkundër kësaj, regjisorët e filmave, me kokëfortësi insistojnë se kjo mund të arrihet permes taktizimeve me metoda teknike. E në këta filma, një fenomen konkret si ëndrrat humbet nëpër hilet e filmave demode.

E bukura e fsheh veten nga ata që s’vrapojnë pas saj. E të veniturit shpirtërisht, ata që s’mendojnë mbi kuptimin dhe arsyen e ekzistencës së artit, e megjithatë denjojnë ta vlerësojnë, fatkeqësisht i dëgjon teksa reduktojnë e flasin ngurtë: “Kjo s’më pëlqeu aspak”, “S’është aspak interesante!”. Këto janë gjykime ambicioce, por që fatkeqësisht s’dallojnë nga përpjekja për ta shpjeguar ylberin nga dikush që ka lindur i verbër.

Ky i vërbër është krejt i pandjeshëm ndaj të vërtetës së lindur nga përvoja, dhembjet dhe përkushtimi i artistit për ta përçuar mesazhin tek të tjerët.
Jeta s’është gjë tjetër pos se një kohë që i është dhuruar njeriut për t’u zhvilluar shpirtërisht përgjatë përqëllimimeve e caqeve të tij në ekzistencë.

Tregimi shpirtëror”, pra ajo që shëmbëllehet skenikisht duhet të jetë e brumosur nga (nën)llojet e natyrshme dhe të dukshme të jetës. Por me këtë po sabotohet nganjëherë, bëhen kapje të rënda vizuele (fotografike dhe të kamerës), mjegullohet pamja, aplikohen metoda të dalura mode, ose një zhurmë e përshtatur.

Dhe shikuesi i edukuar në këtë frymë, reagon siç edhe pritet: “Shiko tani, nisi t’i kujtohet!”. Duket se gruaja po e ëndërron!”. Por ç’e do kur me këso përshkrimesh pamore misterioze nuk mund të krijosh efekt filmik të ëndrrës apo kujtimit.

Arsyja përse e refuzoj kinemanë e trillit, lidhet me pamundësinë e kësaj të fundit, ta bëj kapërcimin dhe zgjerimin e perdes së bardhë, d.m.th me arsyen e moslejimit të gërshtetimit të asaj që ipet në skenë me përvojat e shikuesit. Kinemaja e trillit, e vë shikuesin përballë enigmave, zgjidh nyjet e simbolizmave, pret që shikuesi të kënaqet me alegoritë, i flet përvojës së tij intelektuale. Por për krejt këtë ndërtesë enigmaash, ekziston zëvendësimi (shumë më “ekonomik”, vërejtja e imja), e që është fuqia e fjalës. Për këtë arsye unë në detyrën time profesionale prirem kah një lloj krijimtarie që shëmbëllen në mënyrë origjinale rrëkenë time të kohës, ndjesinë time kohore, që pulson që nga ritmet e kapura e të diktuara nga ëndërrat e entuziazmi, deri tek ritmet e lëvizjes.

Është sfilitëse për mua që njerëzëve që e kanë shikuar “Pasqyrën” tu them se prapa saj s’qëndron asnjë qëllim i fshehtë, asgjë e koduar. Teksa mundohesha tu them se filmi s’ngërthen asnjë qëllim tjetër pos të vërtetës, gjithmonë ballafaqohesha me një pasiguri e zhgënjim. Për disa shikues këto shpjegime të mijat s’ishin mjaftueshëm bindëse. Nuk rreshtën së rëni pas gjurmëve të mistereve, simboleve e intencave. Kjo sepse s’ishin të mësuar me film që vizuelizon poezinë, e që mua më zhgënjeu shumë.Meqë bota është e mbushur me enigma, atehëre dhe dukja e saj duhet të jetë e tillë(!)

Nga se ç’mendohet, qëllim i artit s’është të zgjoj mendim, të përcjell mendim apo të shërbej si ndonjë shembull. Jo, qëllimi i artit më shumë se sa nga këto është ta përgadisë njeriun për vdekjen, ta godasë atë në skajin më të fshehur.

Përktheu: Fatlum Sadiku

Comments are closed.

Navigate