Tmerri i 1984

Ese mbi romanin ‘1984’ të George Orwell

Tmerri i 1984

Për t’iu shmangur paksa tronditjes që shkakton ‘1984” në vetëdijen e gjithsecilit, duhen parë apo lexuar ”Brave New World” i Aldous Huxley-t, ”Fahrenheit 451” i Ray Bradbury-t, ”Procesi” i Kafkës, ”Brazil”, ”The Truman Show”, ”The Matrix”, ”They Live”, etj.

Sidoqoftë, ”1984” hyn në ata të rrallë libra të cilët përmbajnë dhe tregojnë atë çfarë dikush ka në mendje, por për një arsye a tjetër nuk arrin ta formulojë me anë të fjalëve. Vetë Orwell e pohon një gjë të tillë dhe e pranon se një libër i mirë, apo i arrirë, është mirëfilli ai që tregon atë çfarë dikush tashmë e di. ”1984” nuk hyn vetëm në ata libra të cilët kategorizohen kohë pas kohe si ”klasikët”, apo ”detyrimisht një nga të mirënjohurit me aq e kaq shitje në mbarë botën”. ”1984” hyn në ata libra që i tejkalojnë skajet e kohës e rrethanës.

Është frikshmërisht e lehtë ta rrokësh thelbin e kësaj vepre nëse kihet parasysh të lindurit e të rriturit në një vend ish-komunist. Ajo çfarë më tmerron nga vepra është se deri më tani pandehja se regjimi diktatorial komunist mund të kishte qenë më i suksesshmi ndër sistemet totalitare, por në fakt një sistem si Big Brother (Vëllai i Madh), shkon përtej të gjitha regjimeve totalitare.

Big Brother e ushtron përjetësisht fuqinë e tij mbi popullin, ndryshe nga sistemet e tjera diktatoriale, të cilat patën një jetë jo aq të gjatë. Komunizmi u instalua në sajë të vullnetit të masave, apo proletarëve, siç edhe Orwell i shënjon ”të ulëtit”, të cilët kërkonin thjesht të përmirësonin pozitën e tyre dhe t’i shpëtonin gjendjes duke u kthyer në ”të mesëm”. Në këtë mënyrë, masat do nxisnin rënien e sistemit të vjetër, apo të ”të lartëve”, duke fituar kështu më shumë liri dhe të drejta.

Problemi shfaqet në momentin kur ”të mesmit” ekzistues bashkëpunojnë me masën për ta ndryshuar pozitën e tyre dhe për t’u shndërruar në ”të lartë”, për ta nënshtruar pastaj masën. Si përfundim masës i vishet pëlhura e mashtrimit se kërkesa e saj është përmbushur dhe se të drejtat dhe liritë njerëzore i janë garantuar. Kjo gjendje vazhdon deri në atë lloj pike kur masa ndërgjegjësohet e vetëdijësohet sërish, duke e grisur këtë pëlhurë e duke e kuptuar gjendjen e saj nën atë sistem.

Ndryshe nga diktatori, Big Brother është i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëpranishëm, pa patur nevojë të jetë fizikisht afër popullit. Askush nuk e njeh, askush nuk e sheh apo e ka parë apo dëgjuar zërin e tij të vërtetë. Askush nuk e di nëse ai është njeri apo një tjetër lloj qënieje, e prapë, është shumë më i fuqishëm se çdo diktator. Kjo fuqi e tij qëndron te shfrytëzimi i njerëzve rreth tij për të ushtruar kontrollin, duke ia shndërruar e ndryshuar thelbin. E vetmja arsye përse Big Brother është i pashkatërrueshëm është se ai i ngjan Zotit. Regjimet totalitare kanë dështuar pikërisht për këtë arsye: të individit që u kthye në diktator. Ky njeri përpiqej të krijonte njëfarë mjedisi hyjnor rretheqark tij dhe njëfarë fryme të mbinatyrshme në lidhje me figurën apo qënien e tij. Një trajtë e tillë shfaqet edhe më përpara në historinë e njerëzimit, kur mbretërit ishin edhe zota, e faraonët ishin më tepër qenie hyjnore sesa njerëzore. Personi vetë është përfaqësues i ideologjisë, ai bëhet vetë regjimi e sistemi, kthehet në fytyrën dhe imazhin e pushtetit. Ai është më tepër një kult, idhull, sesa thjesht një person. Pavarësisht, prapa gjithë asaj fasade të mbilartësuar të adhurimit e lavdijësimit, gjendet një individ, i cili mbart dobësinë, brishtësinë e thyeshmërinë e të qenit njeri. Kur diktatori vdes, sistemi shembet në atë pikë bashkë me ideologjinë.

Është tmerruese të mendosh se në Big Brother fuqia është e pandërprerë dhe e përhershme dhe se nuk ekziston ndofarë hapësire për kryengritje apo vetëdijësim shoqëror, pasi nuk ka diçka këtillë. Njeriu zhvishet nga njerëzorja dhe instinktet bazë. Nëse nën regjimet e mëparshme totalitare, bëhej përpjekje për ta ndryshuar njeriun me anë të forcës dhe dhunës nëpërmjet dënimeve me vdekje, kampeve të punës etj., në Big Brother njerëzit kërkonin vetë të ndryshonin, ose shndërroheshin në sajë të mënyrave më të mprehta e hollësishme si nëpërmjet gjuhës së folur e të shkruar, duke formësuar kështu mendimet e natyrën e tyre, për t’i kthyer më pas në njerëz lehtësisht të kontrollueshëm e të manipulueshëm.

Pavarësisht gjithçkaje, cili është synimi i fundit e themelor i Big Brother? Ta zëmë se fuqia e tij tejkalon në kohë dhe hapësirë, cili është qëllimi i fundit i kësaj? Nëse supozojmë se njerëzit në të ardhmen do ktheheshin të gjithë në krijesa tërësisht të bindura, të shtruara, panjerëzore, të kontrollueshme, katërcipërisht të pafuqishme, çfarë ngelet më pas për t’u arritur?

Patjetër, do arrihet fuqi më e madhe, por a ka diç më përtej kësaj, apo prapa skenës së dukshme? Çdo sistem duhet ta ketë një mangësi, ashtu siç ka mangësi dhe të meta tek njerëzit. Tmerri këtu është vetë pagabueshmëria e një sistemi, që është krejtësisht e kundërta e shtetit dhe ligjeve të natyrës, siç e përcaktoi dikur Thomas Hobbes në ”Leviatan”. Ta mendosh për pak, mjafton për të shkatërruar gjithçka që beson se të dallon apo përcakton se kush dhe çfarë je. Po sikur njeriu në ty nuk është ti, por prapëseprapë nuk ke si ta zbulosh përderisa nuk ka ngelur asnjë gjurmë vetëdijeje apo ndërgjegjeje në ty? Deri në sa shtresa mundet të depërtojë një ideologji? Si mundet njeriu ta përballojë, ta anashkalojë dhe ç’ndryshim do kishte sikur ta bënte? Kjo rrjetë e tërë, e krijuar aq përsosmërisht kthehet në të vetmen të vërtetë, të vetmin realitet e të vetmin besim. Si mundet dikush ta kuptojë, aq më tepër të çlirohet nga kjo rrjetë? Mungesa e mundësisë për t’i shpëtuar është vetë tmerri.

Për Virtual Sophists,
Shkruan: Lorena Beshello

Comments are closed.

Navigate