“Emili ose Mbi Edukimin”

(Pjesë e shkëputur nga vepra e Zhan Zhak Ruso-Emili apo Mbi Edukimin)

Përktheu: Besnik Domi

Mos lufto dëshirat e tij me vrazhdësi, mos mbyt imagjinatën e tij, nxjerre nga frika në mënyrë që ajo mos të lind fantazma. I flisni atij për dashuri, për femra, për kënaqësi: përkujdesuni që në bashkëbisedimet tuaja ai ta gjejë një joshje e cila miklon zemrën e tij. Mos kurseni aspak për tu bërë i besuari i tij, vetëm i këtillë ju do të bëheshit me të vërtetë mësuesi i tij: në atë rast mos u frikësoni që bisedat e juaja do ta bezdisin, ai do t’iu flasë atëherë juve akoma më shumë sesa që ju madje kishit dëshiruar fillimisht.

Nuk dyshoj asnjë çast që nëse lidhur me këto maksima kam ditur të marr të gjitha masat e duhura dhe Emilit tim i kam mbajtur ligjërimet e përshtatshme (për rrethanat dhe moshën që po arrin) ai vetvetiu do të mbërrijë në pikën ku dëshiroj ta dërgoj. Kështu me zell do të hyjë nën mbrojtjen time, duke më thënë me të gjithë ngrohtësinë e moshës së tij, i tronditur nga rreziqet që sheh se e rrethojnë: “O miku im, o mbrojtësi im, o mësuesi im! Rimerrni prapa këtë pushtet që dëshironi ta linit, po në atë çast ku për mua ishte koha më e rëndësishme që ai të qëndrojë ende tek ju: ju e kishit këtë pushtet deri tash vetëm për shkak të dobësisë sime, tash do ta keni këtë nga zgjedhja e vullnetit tim – dhe kjo do të jetë për mua gjëja më e shtrenjtë. Më mbro mua nga të gjithë armiqtë që më rrethojnë, e sidomos nga ata që i mbaj në vetvete dhe të cilët më bëjnë të tradhtoj: mbikqyrni veprën tuaj, me qëllim që ajo të qëndrojë e denjë për ju. Do të ju bindem ligjeve tuaja, këtë e dua gjithmonë, ky është vullneti im i përhershëm. Poqese ndonjëherë nuk do të ju bindem kjo do ishte diçka që rrodhi jashtë fuqive të mija. Më bëni të lirë duke më mbrojtur nga pasionet që më krijojnë dhunë: mos më lejoni që të bëhem skllavi i tyre dhe më detyroni të bëhem zot i vetvetes i cili nuk do t’iu bindej shqisave të mia, por arsyes time.”

Kur e keni shpier nxënësin tuaj në këtë pikë (e nëse nuk ka arritur deri këtu, kjo ka ndodhur për shkak të fajit tuaj!): ngurroni që ta pranoni miratimin e tij të shpejtë, duke u frikësuar se nëse ndonjëherë pushteti i juaj do ti duket shumë i rëndë ai do të gjykojë që duhet të ikë nga atje, duke ju akuzuar juve se gjatë këtij miratimi të parë fillestar ia keni mbushur mendjen duke e befasuar. Në këto çaste, vetëpërmbajtja dhe hijërëndësia e juaj do të zënë vendin e tyre dhe një ton i këtillë do të ndikojë akoma më shumë në të, mu për shkak të faktit se për të kjo do të jetë hera e parë që do ta ketë vërejtur këtë gjë tek ju.

Pra, ju do ti thoni atij:

“Djalosh, ju i merrni si të lehta detyrimet e vështira: do të duhej ti njihjit mirë paraprakisht ato, për të pasur të drejtën për ti ndërtuar pastaj: ju nuk e dini ende mirë se me çfarë fuqie shqisat ju shtyjnë drejt humnerës së veseve -nën joshjen që krijojnë kënaqësitë.

(…) a nuk e shihni vallë se duke ju detyruar të më bindeni, ju ndërkaq më detyroni të ju udhëheq, që duke më detyruar të harrohem më shtyni të ju përkushtohem për të mos i dëgjuar as ankesat e as psherëtimat tuaja, për ti luftuar pandërprerë epshet e juaja dhe ato të mijat? Ju po më impononi një zgjedhë akoma më të vështirë sesa atë tuajën. Para se të ngarkohemi me këtë detyrë ne të dytë duhet ti masim fuqitë tona: prisni pak, më jepni pak kohë për të menduar mbi këtë, dhe dijeni se ajo që premtohet më ngadalë mbahet gjithmonë me më besnikëri”.

Dijeni edhe ju, ju vetë, që sa më të vështirë e keni të merrni përsipër zotimin aq më lehtë këtij zotimi do tia mundësoni realizimin. Ka rëndësi që djali i ri të ndiejë që premton shumë kurse që ju premtoni akoma më tepër. Kur të vie çasti , dhe ai të ketë, (ta themi kështu!) nënshkruar kontratën pedagogjike, atëherë ndërroni gjuhën tuaj: vendosni poaq butësi në sundimin tuaj – njëlloj si më parë që paralajmëruat rreptësi. Ju do ti thoni atij: miku im i ri, përvoja ju mungon, por unë do të përkujdesem që arsyeja të mos ju mungojë. Ju do të keni mundësi që gjithkund ti vëreni motivet për sjelljen time; për këtë ju duhet vetëm të prisni që të jeni gjakftohtë. Filloni gjithmonë duke iu bindur kërkesave të mija dhe pastaj filloni të kërkoni shpjegime lidhur me urdhërat e mia: do të jem i gatshëm për të ju shpjeguar ato menjëherë posa të jeni i aftë për t’i kuptur, dhe nuk do të frikësohem që ju të bëheni gjykatës midis meje dhe juve. Ju zotoheni të jeni i dëgjueshëm, dhe unë ju premtoj që të mos përdor këtë dëgjueshmëri përveçse për të ju bërë më të lumturin midis njerëzve.”

*Ky artikull publikohet në kuadër të projektit “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual”. Projekti mbështetet nga Bashkimi Europian përmes projektit “Kultura për Ndryshim”, projekt që implementohet nga Multimedia dhe Instituti Goethe.

Comments are closed.

Navigate