Nietzsche: Çmistifikimi i moralit

Friedrich Nietzsche

Çmistifikimi i moralit

– Ka ndonjëri dëshirë ta zhysë shikimin gjer në fund të misterit, ku fshihet fabrikimi i idealit mbi tokë? Kush pra ka kurajën! – Ah mirë, shikoni! Qe një i arratisur mbi këtë uzinë të errët. Por prisni ende një çast, Zoti guximtar: duhet si fillim që syri juaj të mësohet me këtë ditë të keqe, me këtë ngjyrë ndryshuese.. Jeni aty! Mirë! Flisni tani! Çfarë ndodh në ato thellësina? Më thoni çfarë shikoni, o njeri i kureshtive më të rrezikshme!
– Jam unë tashmë që po ju dëgjoj.
– “Nuk shoh asgjë, por nuk dëgjoj aq mirë… Është një zhurmë e mbytur zërash të matur, një pëshpërimë mezi e kapshme, një murmurimë skuthe që mbin nga të gjitha rrëzat e skutat. Më duket se gënjejnë; një ëmbëlsi e amshtë lyen me zamkë çdo tingull. Një zhgjëndërr duhet ta shndërrojë dobësinë në meritë, kjo nuk vihet në dyshim – është sikur e keni thënë ju.
– Mandej!
– “Dhe pafuqia që nuk përdor shpagime bëhet, nga zhgjëndërr, “mirësi”; poshtërsia trembëlake, “përulësi”; nënshtrimi ndaj atyre që urrejmë, “bindje” (dmth bindje ndaj dikujt që thonë se urdhëron këtë nënshtrim, e quajnë Zot). Ajo që është e padëmshme tek qenia e dobët, paburrnia e tij, kjo paburrni prej të cilës ai është i pasur e që në shtëpi të tij bën paradhomën, dhe pret në derë, pashmangshëm, kjo paburrni stoliset këtu me një emër mjaft tingëllues e quhet “durim”, ndonjëherë madje “virtyt, pa shtuar se: “të mos mundësh të hakmerresh” bëhet “të mos duash të hakmerresh” e nganjëherë madje falje e fyerjeve (ngaqë nuk e dinë çfarë bëjnë – ne të vetmit dimë çfarë ata bëjnë!”) flitet gjithashtu për “dashurinë e armiqve të tij” – dhe e djersijnë me bula të mëdhaja”.
– Mandej!
– “Janë mjeranë, pa dyshim, gjithë këta murmuritës lutjesh, gjithë këta fallsifikues monedhash, sado qilima përfund rrëzave të tyre, rrinë ngrohtë; – por pretendojnë se Zoti i ka parë e zgjedhur falë mjerimit të tyre; a nuk përkëdhelim ata që duam më tepër? Mbase ky mjerim është gjithashtu një përgatitje, një kohë prove, një mësim, mbase më shumë ende – diçka që do ta gjejë një ditë shpërblimin e tij, që do të kthehet qindfish, me një përqindje madhore, në ar, jo! në lumturi. Kjo është ajo që ata e quajnë “besnikëri e përjetshme”.
– Mandej!
– “Tani më lënë të kuptoj që jo vetëm janë më të mirë se të fuqishmit, zotërit e botës të cilëve duhet t`u lëpijnë pështymat (jo nga frika, oh! aspak nga frika! Por ngaqë Zoti urdhëron për t`i nderuar të gjitha autoritetet) – që jo vetëm janë më të mirët, por edhe pjesa e tyre është më e mira ose të paktën do të jetë një ditë. Por mjaft! Mjaft! Nuk duroj më. Ajër! Ajër! Kjo ofiçinë ku gatuhet ideali, më duket se kundërmon zhgjëndërr qelbet.”
– Ndal! Një çast ende! Nuk keni thënë asgjë ende për këta virtuozët e magjisë së zezë që dinë ta shpien të zezën më të madhe tek bardhësia e qumështit dhe e pafajësisë: – nuk e keni vënë re atë që përbën përsosurinë e tyre te stërhollimi, prekjen e tyre të artistit më të gënjeshtërt? Bëhuni gati! Këto qenie nëntokësore të fryra nga hakmarrja e urrejtja – çfarë bëjnë me këtë hakmarrje e këtë urrejtje? Nuk e keni dëgjuar kurrë një gjuhë të tillë? Për të mos u besuar vetëm fjalëve të tyre, do të kishit dyshuar që gjendeshit mes të gjithë njerëzve të mërisë?…
– “Ju dëgjoj dhe po i hap përsëri veshët (për fat të keq! tri herë për fat të keq! dhe ja prapë i detyruar të mbyll hundët!) Mu tani që i shtrëngoj ajo çka kanë përsëritur kaq herë: “Ne të tjerët e mirë – jemi të drejtët” – ajo çka kërkojnë, nuk e quajnë hakmarrje, por bash “triumfi i drejtësisë” ajo çka urrejnë, nuk është armiku i tyre, jo! ata urrejnë “padrejtësinë”, “blasfeminë”; ajo çka u mbetet për të dashur mbi tokë, nuk janë vëllezërit e tyre në urrejtje, por ata që thonë “vëllezër në dashuri”, të gjithë të mirët dhe të drejtët e tokës.”
– Dhe si e quajnë atë që u shërben si fashë ngushëllimi në të gjitha vuajtjet e ekzistencës – fantazmagoria e tyre e parakohshmërisë së lumturisë në ardhje?
– “Si? E dëgjova mirë? E quajnë këtë « gjykimi i fundit », ardhja e mbretërisë së tyre, e « mbretërisë së Zotit » – por, duke pritur, ata jetojnë në « besim », « shpresë » dhe « përdëllim ».
– Mjaft ! Mjaft !

Përktheu: Anila Xhekaliu

Comments are closed.

Navigate