Njerëzit e sinqertë janë të çmendur

Përshtatje poetike nga filmi “Nostalghia” i regjisorit Andrei Tarkovsky
Përshtati: Eranda Bokshi

Kush është ai i lashti i cili flet në mua?
Cili paraardhës flet në mua?
Nuk mund të jetoj njëkohësisht në mendje dhe në trup
Prandaj nuk mund të jem vetëm një person
Ndjej veten të jem mijëra gjëra përnjëherë
Të gjithë mjeshtrit e mëdhenjë kanë vdekur.
Ky është mallkimi i kohës sonë
Udha e zemrës është mbuluar, ka rënë në hije.
Duhet t’i dëgjojmë zërat
Që na tingëllojnë të padobishëm
Truri i mbushur me llumin
E shkollës
Me katran
E me dokumenta koti

Duhet ta dëgjojmë gumëzhimën e insekteve
Fillimi i një andrre të madhe
Duhet të na mbushë sytë
E veshët
Dikush duhet të bërtasë
se ne do t’i ndërtojmë piramidat
S’është me randësi nëse nuk i ndërtojmë!
Duhet ta ushqejmë këtë dëshirë.
Ta vëmë në zjarr
Dhe ti zgjasim qoshet
e shpirtit
si një fletë e pafundme

Nëse dëshiron që bota të shkojë përpara…
Duhet t’i shtrëngojmë duart…
Të ashtuquajturit të shëndetshëm
Dhe po ata të cilët i quajnë të sëmurë
Duhet të pleksen!


Ju të shëndetshmit!
Ҫ’do të thotë shëndeti juaj?
Sytë e të gjithë njerëzimit
Janë kthyer kah gropa
Në të cilën po zhytemi
Liria është e padobishme
nëse nuk keni guximin
të na shikoni drejt në sy
Të hani, të pini
E të fleni me ne!

Janë këta, të ashtuquajturit ‘’normalë’’
të cilët kanë sjellë botën
në prag të shkatërrimit
Njerëz, dëgjoni!
Në ju, uji, zjarri
shkrumbi
Eshtrat në hi
Eshtrat e shkrumbi!

Ku jam unë kur nuk jam në realitet apo në imagjinatën time?
Ja pakti im i ri me botën:
Duhet të ketë diell natën dhe borë në gusht.
Gjërat e mëdha përfundojnë, gjërat e vogla qëndrojnë
Po bëjmë një jetë fragmentesh
Copëzat duhet të bashkohen sërish
Vetëm shikoni natyrën dhe
shihni se jeta është e thjeshtë
Duhet t’i kthehemi origjinës
deri në pikën ku kemi marrë kthesën e gabuar
Duhet t’i kthehemi burimit të jetës
Pa e fëlliqur ujin
Ҫ’dreq bote është kjo
nëse një i ҫmendur duhet t’ju tregojë
se duhet t’ju vijë turp nga vetja!

Dhe tani, muzikë!

Comments are closed.

Navigate