Bir i cilit At’ jam unë…

Bir i cilit At’ jam unë…
Autor: Gerald Ramaj

Bir i cilit At’ jam unë në këtë horizont malor?
I cilës nënë në detin e furishëm?
Përse bariu kthehet çdo mbrëmje duke numëruar bagëtitë e tij
Dhe fati i grabitqarit është mallkimi i perëndisë për mundimtarët?
Kur nga ky ballkon shoh vajza me vello të bardhë që vrapojnë nëpër lëndinë
Përse në dhomën time të gjumit nuk zhurmon orkestra?
Ku janë zambakët?
Në pellgun e kopshtit tim lëkunden vetëm gjëmbaçë të tharë!
Sirena të trishta në direkun e anijes së përmbysur si çati mbi muret e shtëpisë sime,
Drerët tërheqin vagona minierash,
Minatorët këndojnë këngë mortore
dhe shkulin gurë themelesh
për bustin e shpronësuesit;
Këngë lavdie në pijetoret e çmendinës,
Psikiatrì të tejmbushura,
Psikologët mbajnë konferenca në thertoret e qytetit;
Aeroplanët bombardojnë provincat me lajme dhe sëmundje të trashëgueshme;
Televizorët trasmetojnë pulset e zemrës
në banesat e zbrazura,
Minjtë dorëzojnë në mejhane djathin e vjedhur dhe rrëfejnë pendesën për instinktin e mbijetesës,
Fëmijët vrapojnë në parqet e mbjella me opium,
Kuajt dremisin në kullotat e djegura fosilore,
Kalorësit vajtojnë në dhomat e aborteve,
Lumi spitalor depoziton në det mbetje organesh,
Breshkat strehohen nën trupat e peshqve mbanë luginave liqenore,
Këpucët e mia prehen në ballkon, lyer me baltë dekompozimesh,
Dhe unë i heshtur vështroj tej,
Bir i cilt aAt’ jam unë?
At’ i cilit bir?
Bir i cilës nënë?
Cila grua është nëna e tim biri?
Unë dikund At’ i një mendimi,
Dikund At’ i një fytyre,
At’ i një ati;
Bir i një toke…
Tokë e një biri,
Dhé i një rrënje,
Rrënjë e një planeti,
Një planet nomad në shkretëtirën qiellore;
Udhëtar që mban mbi supe një torbë me diell!

Comments are closed.

Navigate