Bob Dylan: Ki besim në vete

Bob Dylan – Ki besim në vete

Shqipëroi: Bujar Meholli

Ki besim në vete për t’i bërë gjërat sa më mirë
ashtu siç di vetëm ti.
Në vete ki besim për ta bërë gjënë e duhur
pa pasur nevojë pikëpyetjen ta vësh!
Mos më beso fare mua për ta shfaqur bukurinë
kur ajo mund të ndryshket e shpërfytyrohet,
pra, nëse është dikush që duhet t’i besosh,
ki besim sall në veten tënde!

Ki besim në vete kur je duke kërkuar rrugën
e së vërtetës, vetëm me besim mund ta gjesh…
Dhe gjersa rrugëton drejt shtegut
dije se s’ka kështu apo ashtu, gjithçka duhet të bësh
është t’i besosh vetes!
Mos më beso mua nëse të them “kjo është e vërteta”,
kur ajo mund të jetë veçse hi dhe pluhur,
nëse ke nevojë t’i besosh dikujt,
besoji fuqishëm vetes!

Kur je fillikat mes njerëzve-ujq dhe hajdutëve,
kurrë mos i var shpresat tek njerëzit e paqenë
as mos u skllavëro për diçka që s’e beson në të vërtetë!
Ki besim në vete, nuk do të zhgënjehesh kurrë
dhe kokëboshët s’do të mund të ta hedhin.
Besoji vetes pa e kërkuar përgjigjen
aty ku s’do të mund ta gjesh!
Mos më beso as mua nëse të flas për dashurinë,
kur mund të jetë sall epsh.
Nëse ke nevojë t’i besosh dikujt,
besoji fuqishëm vetes tënde!

1985

Comments are closed.

Navigate