Bob Dylan: Kohë e gjatë ka kaluar

Poezi nga: Bob Dylan
Shqipëroi: Bujar Meholli

Kohë e gjatë ka kaluar

Prindërit më rritën me shumë butësi,
isha biri i vetëm i tyre,
në rini koka m’u turbullua
dhe braktisa shtëpinë time
kur mbusha trembëdhjetë pranvera.
Oh, kohë e gjatë ka kaluar
dhe vazhdon e kalon, koha nuk ndalet…

Në perëndim të Teksasit
nëpër gjithë ato fusha u enda
me përpjekjet për të gjetur punë
por ata më thanë se jam ende riosh,
sytë e mi kapsalliteshin kur dëgjoja
fjalët: “Mbathja për në shtëpi!”
Kohë e gjatë ka kaluar,
e do të kalojë sepse koha nuk ndalet…

Vërtitesha andej këndej me tren
sorollatesha nëpër qytete të ndryshme,
me lloje të ndryshme njerëzish u takova,
në njëfarë pike të gjithë ata janë njësoj.
I kam të qarta fytyrat fëmijërore
që pashë, mbaj mend gjithë ato udhëtime,
vërtet koha ikën shpejt,
sa kohë e gjatë ka kaluar!

Dikur zura sevda në një çupë të re,
ajo ma theu zemrën dhe jo njëherë;
zemra m’u thye dhjetëra herë prej saj.
Kam ecur larg krejt fillikat
me trishtin brenda pa ia shfaqur askujt,
kohë e gjatë ka kaluar,
koha ikën shpejt…

Shumë herë kam ecur përbri autostradës
duke u përpjekur në çdo udhëtim
me sytë e përgjakur dhe dhëmbët e shtrënguar,
vështroja makinat që vej e vinin
tërë ajo hapësirë boshe mbushur me ajër
qëndronte ashtu sipër kokës sime,
nga atëherë shumë kohë ka kaluar,
koha vërtet nuk ndalet, ikën shpejt…

Nëse nuk mund ta ndihmoj dikë
me ndonjë fjalë a me ndonjë këngë,
nëse nuk mund t’i tregoj ndokujt gjë
ta dini se ata janë duke lajthitur,
unë e di që nuk jam profet
as bir i ndonjë profeti,
thjesht u shkriva në kohën
që ka kaluar e vazhdon të kalojë…

Ju mund ta posedoni gjithë bukurinë
me lëkurën e freskët, shndritëse,
por do të rrini e bëni sehir duke parë rininë
e shkërmoqur para syve tuaj,
atëherë do ta blatoni emrin në gurin e varrit
duke gdhendur qartë:
“Një i shkrirë në kohën që ka kaluar
e që vazhdon të kalojë!”…

1962

Comments are closed.

Navigate