Poezi nga Velimir Khlebnikov (1885-1922)*
Shqipëroi: Dritëro Agolli
Kërkoja veten
I ri, i vetëm mes natës shurdhe,
Mbuluar me flokë
Të dendura,
Të gjata deri në tokë.
Rreth meje-natë.
Dhe fillikat, i turbullt në ëndërrime,
Kërkoja shokë,
Kërkoja veten time.
I dogja flokët në kokë,
Derdha tok me unazat zhelet
Dhe veten time dogja,
I dogja fushat, arat dhe pemët,
Një qeshje më pushtoi e një gulçim.
Dhe fushë e Khlebnikovit krejt në flakë.
Mes prushit Un-i im
Shkëlqeu në terr të zjarrtë,
E mori lumi!…
Tani largohem kokëshkrumb diku,
Mos prisni, më s’jam Un-i,
Jam krejt një Ju!…
*Viktor Vlladimiroviç, i quajtur Velemir, lindi në stepën e Kalmickës, në guvernën e Saratovit më 1885 dhe vdiq në Moskë më 1922. Ishte një ndër themeluesit e futurizmit rus. Në poezinë e tij, tepër të vështirë për ta kuptuar, ndjehet një mençuri e madhe ligjërimi, ku shprehen me dhunë idetë nihiliste dhe anarkiste, sidomos në përmbledhjet “Bastisja e natës”, “Nata para sovjetëve”, “Përse” dhe “Poemat e urisë”. Khlebnikovin e quanin universal. Ai dinte çdo gjë.
Comments are closed.