Kjo është poezi e ndaluar

Kjo është poezi e ndaluar

Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur
është shkruar në një çast delikat
të mbushur plot qelb nga kupa e jetës.
Mbi sfondin e arsyes së fshehtë e të frikshme
që derdhet nga malli për flokun e dikujt
dhe dridhet nga frika e zvetënimit.
Kjo poezi është e ndaluar
dhe nuk preferohet që ta lexojnë
njerëzit që nuk frikësohen nga e ardhmja.
Besimtarët. Ateistët. Agnostikët. Nga askush.
E ardhmja ngjall drithërimat e fshehura
në banesën më të thellë të shpirtit tim.
Më duket sikur nuk ka për të ngjarë
asgjë e mirë
Dhe askujt nuk kemi për t’i kërkuar
një fjalë të mirë
sepse nuk do të na thonë për asnjë çmim.
E shenjtë dhe e shtrenjtë është fjala e mirë.
Ja pse njerëzit refuzojnë të flasin përveçse
kur shajnë bërtasin godasin njëri-tjetrin me grusht
dhe e lidhin gjuhën e tyre me një gur në cep gremine.
Fjala e mirë është e shenjtë dhe e shtrenjtë.
Ja pse njerëzit kundërshtojnë të shkruajnë letra dashurie
kur nuk shihen gjurmët e gjysmës tjetër të tyre çkadoqoftë
një fije floku një qerpik një buzëqeshje një aromë djerse.
Ja pse njerëzit nuk pranojnë të lexojnë poezi.
Aq më pak poezi të ndaluara
plot me dyshime e me herezi.
Kjo poezi është e ndaluar
sepse është e shkruar në një moment sublim:
para se të qëroj një banane
dhe të nis e të shkruaj poezinë tjetër

Për madhështinë e jetës.

Autor: Nuhi Sadiku

Comments are closed.

Navigate