Në kërkim të saj

Në kërkim të saj 
Autor: Gerald Ramaj

Në këtë më të cektën buzë të bregut
e mbi të butën rërë të lagur nga më
fisniket valë të detit
Ku mblidhen më të shenjtat kujtime të
strukura nën guaskat kristalore
E më mortoret copëza të një anije me
marinarë të dikurshëm
Që dremisin nën hijen e më të
pafajshmeve bimë shkëlqenjëse të
funddetit
Dhe fishkëllejnë duke gëzuar balenat
këndonjëse e delfinët lozonjarë,
Unë, më e paduruara mendje, meditoj
në këtë trup djaloshar
E me këtë të lëmuarën dorë të njomë
ulem të shkruaj më të ëmblën dëshirë
torturonjëse
Që më degdis në më të largëtat brigje
oqeanike e më të egrat pyje të këtij
rruzulli tokësor ku ndjesitë më
përhumben mjegullueshëm
Ulem të shkruaj dhe vështroj tej rrugën e
rrezatuar mbi det
Shtruar nga një diell i artë
Dhe teksa mendimet më zjejnë në kokë
mundueshëm
Ky trup çohet prej bregut dhe krillet në
detin e ngrohtë
Noton i tërbuar në kërkim të diellit
U jep krahëve me ashpërsi dhe përqafon
zbaticat përpirëse
Ecën… ecën dhe vetëm ecën mbi rrugën
e artë,
pa e ndjerë lodhjen
I braktisur nga paniku dhe i lehtë si një
gjethe dafine…
E teksa rruga s’mbaron
Teksa Dielli vetëm largohet tej në
horizontin përhumbës
Ky trup marroset dhe kërkon fundin
“Atje… ah, atje fshihet një ndjesi,
Duhet të jetë një dritë… e dua atë
shkëndijë
Një fytyrë atje… e dua të sajën 
buzëqeshje
Një trup… e dua të sajin trup… aromën
dhe lëkurën drithëronjëse…
Po… atje në fund fshihet një zë…
E dua atë melodi që vë shpirtin tim në
gjumë;
Dua të fle… e dua djepin në fund të detit
të shtrihem e të dremis në përjetësi…
Atje në fund ka diçka që më gllabëron e
mortoren jetë më bën ta harroj…
Është një frymë që më ringjallë
E në ujë më kthen;
Më bën valë dhe era më rrëmben
E si veri fryj unë mbi një trup njerëzor…
I zhveshur, i mjegullt, i paformë
Dhe i çrregulluar si gjallesë…
Ka diçka atje në fund, e ndjej; ndaj refuzoj
të dorëzohem pa e mbështjell në krahët
e mi e t’ia puth ballin”…
E në këtë pikë ky trup humb arsyen
Dhe me një të pavdekshëm lufton,
Terret e zhytet poshtë drejt thellësisë,
Çirret, hakërrehet e vreroset,
Mban frymën… ndjen mbytjen që i prek
kraharorin
Dhe prapë ia largon duart e më thellë
vazhdon
Vazhdon e kërkon një të gjallë aty ku kjo
jetë s’duron…
E për një çast gjendet sërish në sipërfaqe,
Merr frymë, sheh tokë rrotull dhe
zhgënjehet…
“I mallkuar horizont… ah i mallkuar edhe
ti rruzull tokësor… e di… e ndjej… ajo
është në fund… dhe mos guxo të më
quash të marrosur… unë do e gjej; e di që
ajo fshihet poshtë në thellësinë fundore…
dhe atje po zhytem ta kërkoj përgjithmonë!” 


21-27 qershor 2019 Durrës-Tiranë 

Comments are closed.

Navigate