PINK FLOYD – KOHA

PINK FLOYD – KOHA (TIME)

Duke i lënë pas çastet e një dite monotone
I harxhojmë orët papërfillshëm
Duke bredhur këtij qyteti 
Teksa presim për dikë a diçka të na hapë sytë.

Je lodhur nga drita e diellit 
Rri në shtëpi dhe shiun që bjen shikon 
Je i ri, ke gjithë jetën përpara
Dhe sot ke mjaft kohë që atë ta çosh dëm.
Pastaj ashtu kalimthi një ditë 
që i ke lënë 10 vite prapa shpinës e kupton.
Askush nuk të tregoi vrapin kur ta fillosh
Duke humbur kështu çeljen tënde. 

Dhe pastaj ti vrapon e vrapon që ta zësh diellin
Por ai fundoset… dhe del përsëri prapa teje.
Dielli është po ai mirëpo ti je vjetëruar
Tash ke më pak frymëmarrje
Tash çdo ditë e më tepër 
vdekjes je duke iu afruar. 
Çdo vit duket se po bëhet më i shkurtër
Po kurrë s’ka për të ngjarë të gjesh më kohë.
Planet që ose nuk ekzistojnë hiç 
ose janë thjesht disa vargje shkarravinë
Janë të mbytura qetë në pikëllim. 
Koha iku, 
Mbaroi kënga, 
Mendoja që kisha më shumë për të dhënë. 

Në shtëpi, përsëri në shtëpi
Sa të mundem të jem këtu më pëlqen
Është mirë t’i rreshkë eshtrat pranë zjarrit
Kur të jem i lodhur dhe kur nga të ftohtit trupi më kërcen. 

Larg atje, përskaj fushave
një këmbanë e hekurt tingëlloi
i thërret besimtarët të bien në gjunjë
Butësinë e fjalëve magjike ta dëgjojnë. 

Poezia nga Roger Waters
Përshtati: Nuhi Sadiku & Ardian Batusha

Comments are closed.

Navigate