BIRI QË BRAKTISI TË ATIN (Rrëfenjë arabe)
Përktheu: Bajram Karabolli
Dikur,
në një vend, jetonte një njeri me të shoqen, me djalin e tij të
vogël dhe me të atin që ishte shumë plak. I thotë gruaja të
shoqit:
– Jam shumë e lodhur dhe e mërzitur me babanë. Ai është
shumë plak dhe nuk vlen më për asgjë.
–
Është babai im dhe e kam për detyrë ta ndihmoj, – iu kthye
burri.
– Mirë, atëherë, zgjidh e merr, ose babanë, ose mua, –
i thotë ajo me vendosmëri.
– Po, sipas teje, ç’duhet të
bëjmë? – i thotë i shoqi.
– Është shumë e thjeshtë. Çoje
diku në mal dhe lëre atje, – nguli këmbë e shoqja.
Pasi u
mendua shumë, duke parë se e shoqja e kishte ndarë mendjen, ai
vendosi ta shpinte babanë në mal dhe ta braktiste. Sikur do të
shkonte për një piknik, përgatiti dy kuaj dhe ushqim për ta marrë
me vete. Për ta bërë sa më bindëse këtë punë, mori e dhe
djalin e vogël. Dhe i thotë të atit:
– Baba, po bëj me tim bir
një shëtitje lart në mal. A do të vish edhe ti? Të bën mirë,
ka ajër të pastër.
– Mirë, – i thotë babai, që s’i shkonte
kurrë në mendje se cili qe qëllimi i vërtetë i të birit.
Dhe
u nisën të tre. Gjyshi me nipçen ishin vërtet të gëzuar për
këtë udhëtim të papritur.
Më në fund, mbërritën lart në
mal, në një pyll të freskët e të vetmuar. Burri shtroi disa
batanije përtokë, e shtriu të atin plak aty, la pranë tij
ushqimet dhe ujin që kishin marrë me vete dhe i thotë:
– Baba,
rri këtu, sa të kthehemi ne. Po shkojmë të presim dru.
Pa
ditur gjë se po braktisej, plaku i mjerë, pa kurrfarë shqetësimi,
pranoi të qëndronte vetëm. Veç kur kaluan orë të tëra dhe i
biri me të nipin nuk po ktheheshin, mendoi mos u kishte ndodhur
ndonjë gjë e keqe. U shqetësua aq shumë sa nisi të qante. Donte
të bërtiste, po nuk kishte fuqi. E megjithatë, kush do ta
dëgjonte?
Ndërsa burri me të birin po ktheheshin në shtëpi.
Djali i vogël, i shqetësuar, e pyet të atin:
– Babi, pse e lamë
gjyshin atje vetëm? Nuk do të kthehemi ta marrim?!
Dhe i ati iu
përgjigj:
– Jo. Do ta lëmë atje. Është shumë plak dhe nuk
vlen më.
Djali i vogël, u mallëngjye prej këtij veprimi dhe
filloi të qante:
– Dua gjyshin! Dua të kthehemi e të marrim
gjyshin!
– Të thashë, bir, është shumë plak… edhe i sëmurë
është… S’kemi ç’bëjmë… Duhet ta lëmë atje…
Atëherë,
i biri i thotë:
– Po pse, babi, kështu do të bëj edhe unë?
–
Çfarë do të bësh?! – pyeti, gati i alarmuar, i ati.
– Po ja,
kur unë të rritem, të bëhem sa ti dhe ti të bëhesh sa gjyshi,
të plakesh e të jesh i sëmurë si gjyshi, të të çoj në pyll
dhe të të lë atje, vetëm?!
Vetëm atëherë burri kuptoi se
ç’mëkat po bënte. U ligështua shumë dhe i penduar e, duke
mallkuar veten, u kthye për të marrë të atin.
E gjeti
plakun e shkretë ku e kishte lënë. I ra në gjunjë dhe, duke
qarë, i kërkoi falje. Plaku që mori vesh gjithçka, duke i
përkëdhelur flokët, i tha:
– Mos qaj, bir. Unë nuk ia bëra
këtë gjëmë babait tim, kështu që Allahu nuk do të lejonte që
ti të më braktisje në këtë mënyrë.
Comments are closed.