Marko DENEVI: Tregim tmerri

Marko DENEVI: Tregim tmerri

Përktheu: Bajram Karabolli

Zonja Smithson nga Londra (histori të tilla ndodhin përherë me anglezët) vendosi të vrasë të shoqin, jo për ndonjë gjë, por ngaqë i ishte mërzitur, domethënë qe ngopur me të, pas pesëdhjetë vjet martese. Dhe i tha:
– Tadeus, do të të vras.
– Lëri shakatë, Eufemi, – qeshi fatkeqi.
– Kam bërë ndonjëherë shaka, unë?
– Asnjëherë, është e vërtetë.
– Pastaj, pse do të bëja shaka tani, pikërisht për një çështje kaq serioze?
– Mirë, po si do të më vrasësh? – vazhdoi me të qeshur Tadeus Smithson.
– Ende nuk e di. Ndoshta duke të hedhur çdo ditë nga pak arsenik në ushqim. Ndoshta duke të liruar ndonjë vegël te frenat e makinës. Mbase do të rrokullis nëpër shkallë, apo, kur të jesh duke fjetur, do të ta copëtoj kafkën me një shandan argjendi, ose, kur futesh për t’u larë, do ta lidh vaskën me rrymën elektrike. Të shikoj, si të më vijë më mbarë.
Më në fund, zoti Smithson e kuptoi se e shoqja nuk po bënte shaka. Humbi gjumin dhe oreksin. U sëmur nga zemra, nga koka dhe iu shkatërrua sistemi nervor. Pas gjashtë muajsh vdiq. Eufemi Smithson, që ishte një grua e dhembshur, falënderoi Zotin që e shpëtoi e nuk u bë vrasëse.

Comments are closed.

Navigate