ROBERTO BOLANJO RRËFEN PËR JETËN E TIJ*
Përktheu nga anglishtja: Nuhi Sadiku
Kam punuar pothuajse gjithçka. Pothuajse gjithçka. Kam bërë çdo gjë, përjashto të jem një vrasës me pagesë ose prostitutë.
Disa gjëra edhe nëse i kam bërë, nuk do t’ua kisha treguar juve. Por, kam punuar në punë të ulëta. Nuk ka asnjë vlerë në këto punë. Përkundrazi.
Por, duke punuar në këto punë, siç reflektoj tani, nuk kam përfunduar të jem një shkrimtar për punëtorët ose për masat.
Gjithmonë kam qenë një shkrimtar i mprehtë. Me fëlliqësirë deri në qafë, por duke ruajtur mprehtësinë e një anglo – kiliani.
*
Kurrë nuk kam tentuar ta shpjegoj Kilin në prozën ose poezinë time. Nuk e kam ditur se ishin shumë intelektualë kilianë gjithandej botës.
Gjithsesi, mendoj që ekzili i sotëm i intelektualëve kilianë është ekzil i artë. Ka nga ata që punojnë në universitete dhe që kanë poste nëpër ambasada. Unë jam në vendin e tretë, qyshkur nuk u konsiderova të bëhem shkrimtar kilian. Të paktën, jo në Kili.
Kjo nuk më shqetëson mua.
Jetova shumë vite në Meksikë. Meksika është vendngjarja e letërsisë sime. Megjithëse, nuk tentoj ta shpjegoj Meksikën.
Kam më shumë tregime që ndodhin në Argjentinë sesa në Kili. E vërteta është që unë nuk ndjehem i përfshirë në intelektualët kilianë që tentojnë ta shpjegojnë Kilin.
Jorge Edward e citoi dikë, ndoshta mund të jenë edhe fjalët e tij, që ishte një shkrimtar kilian që donte të bëhej shkrimtar, por nuk ia doli. Kështu, ai mbeti shkrimtar kilian.
Të jesh shkrimtar kilian është një nivel më poshtë sesa të jesh shkrimtar.
*
Unë vij nga dy familje.
Njëra që ka qenë analfabete qe 500 vite. Konstante dhe rigoroze. Dhe tjetra, nga ana e nënës, që ka qenë e lënë pas dore qe 300 vite. Gjithashtu, konstante dhe rigoroze.
Në atë kuptim, unë jam delja e zezë e familjes. Supozoj që ata do të preferonin çdo gjë tjetër.
Si 50 vjeçar, duke e ditur atë që di tani, nuk do të doja që djali im të bëhej shkrimtar. Do të doja që ai t’i vazhdonte, jo 500 vitet e analfabetizmit, por ndoshta 300 vitet e neglizhimit.
Është e vështirë të jesh shkrimtar! Mirë, as për ta ekzagjeruar jo.
Nëna ime i lexoi disa libra. Babai im i lexoi disa novela kaubojësh. Dhe ai i lexoi këto novela sepse nuk kishte TV. Novela të vogla që i mbaje në xhepin prapa.
*
Nëna ime ishte gjithmonë aktive. E bindi babain tim ta lëshojmë Kilin e të shkojmë në Meksikë. Prindërit e mi gjithmonë kanë qenë duke u ndarë dhe pastaj duke u bashkuar prapë. E tërë fëmijëria ime shoqërohej nga një marrëdhënie e pandryshueshëm e trazuar mes tyre. Meksiko ishte një lloj… një lloj parajse e vogël. Një vend, të lindësh përsëri. Mendoj se në fillim, ishte qejf për ta.
Për mua, nuk ishte edhe aq qejf në fillim. Gjëja e parë që më ndodhi në shkollë ishte se një djalë sfidoi të rriheshim. Ditën e parë, pa e thënë as edhe një fjalë. Vetëm se isha kilian.
Ishte një fëmijë i shkurtër meksikan, nuk dinte si të rrihej. Isha i sigurt që me dy grushte do ta rrëzoja përtokë. Por, e kuptova që nëse do ta rrëzoja atë, të gjithë të tjerët do të vinin. Ishte i mençur sepse mund ta shihja ç’ishte duke ndodhur. U sigurova të ishte një barazim. Ky djalë u bë shok i mirë dhe askush nuk donte të rriheshim.
Ishte si një provë Azteke [popull indigjen dominant në Meksikë, para shek. XVI – shënim i përkthyesit]. Jo shumë e kënaqshme.
Për mua ishte sikur t’i ndërrosh kullosat e kuajve për një metropol. Ishte ndryshim i madh.
*
Për ne në ato vite Allende [ish-President i Kilit – shënim i përkthyesit] ishte goxha konservativ. Për mua, figura e tij ka ndryshuar shumë përgjatë kohës.
E kujtoj një moment, më 11 Shtator, kur po prisja një armë për të luftuar. E dëgjova fjalimin e Allende-së kur tha, në mes rreshtave: Shkoni në shtëpi, koha do të kalojë dhe njeriu i ri do të ecë prapë, nëpër korijen e hapur me plepa.
Në atë moment, m’u duk e tmerrshme. Pothuajse u tradhtuam nga Allende, kur po donim të luftonim për të. Vetëm të rinjtë. Në kohë, ajo gjë e bën atë fisnik, duke shmangur vdekjet tona.
Duke pranuar vdekjen e tij, dhe akoma duke shmangur tonat. Kjo e bën atë pafundësisht të madh.
Do të preferoja të isha në një celulë të MIR [Lëvizja e Majtë Revolucionare – shënim i përkthyesit]. Por, ekzistonin vetëm celula të Partisë Komuniste. Nuk kishte as edhe celula Socialiste.
Njerëz të moshave dhe mendimeve politike të ndryshme brenda të Majtës, u bënë bashkë. Mosorganizimi ishte i madh, saqë tentuan të më dërgojnë me një biçikletë për të vënë kontakt me celulën tjetër.
Problemi ishte se celulat kishin humbur komunikimin mes tyre. Askush nuk dinte se çfarë të bënte.
Përfundimisht më dërguan të vëzhgoja një shtëpi që supozohej të ishte e dikujt nga e Djathta.
Pas 15 minutave, i vetëm në atë rrugë, askush tjetër nuk ishte aty, e harrova kodin, emrin tim… gjithçka. Doja të largohesha!
Mund ta imagjinosh: Aty isha sikur cak. Një automjet i Ushtrisë do të gjuante në mua, sikur të kalonte atypari. Ushtria pati thënë që nuk dëshirojnë njerëz në rrugë.
Ata kërcënonin me gjykime të atypëratyshme. Me ekzekutime të menjëhershme.
Udhëheqësi i celulës Komuniste pati një ide inteligjente: Më së miri ishte të pritej që gjërat të ndodhnin dhe të tjerët të na kontaktonin neve. Veteranët të shkojnë dhe natën t’i kontaktojnë të tjerët. Veteranët e Partisë Komuniste. Sepse, natyrisht, nuk e dinin nëse isha ndonjë i infiltruar, p.sh. nga “Atdhe dhe Liri!” [Grup nacionalist politik dhe paramilitar që luftoi kundër qeverisë së Allende-së – shënim i përkthyesit].
Kjo ishte pjesa ime e 11 Shtatorit. Pa lavdi, pa akte heroike! Ishte për të qeshur ose për të qarë.
*
Më shumë sesa të shkruaja poezi, në moshën 20 vjeçare – dhe unë shkrova poezi, në fakt shkrova vetëm poezi – çfarë doja të bëja ishte të jetoja sikur poet. Isha i interesuar në jetën e poetit. Për mua të isha poet nënkuptone të isha revolucionar, tërësisht i hapur për ndonjë shprehje kulturore. Shprehje seksuale. I hapur për gjithçka. Për ndonjë përvojë me drogat. Toleranca ishte… më shumë sesa tolerancë. Toleranca nuk ishte fjalë që e përdornim shumë. Fjala ishte e përgjithme: vëllazëri. Një utopi e plotë!
*
Për mua poeti më i madh kilian është Nicanor Parra. Pas tij, vinë disa. Neruda njëri nga ta, padyshim.
Neruda është, çka unë doja të isha si 20 vjeçar. Të jetoja si poet, pa shkruar.
Neruda shkroi tri libra shumë të mirë. Të tjerët, shumica e tyre, janë shumë të këqinj. Shumë të këqinj. Disa janë vërtet të infektuar. Por, ai tashmë, jetoi si poet. Ai ushtroi si poet i madh.
Çka ai la prapa, të gjithë këta meshkuj të vjetër antikë latino – amerikanë, zakonisht lënë prapa një gjurmë të vdekjes, shkreti dhe “djegin tokën”.
Gjithmonë ka ndodhur, jo vetëm në letërsi. Do të doja sikur të ishte vetëm në letërsi!
*
Unë kritikën e shoh si krijim, krijim letrar, e jo vetëm si një urë midis shkrimtarit dhe lexuesit.
Një kritik letrar që nuk e sheh veten e tij si lexues, i djallos të gjitha.
Interesante për kritikët letrarë, dhe kjo është ajo ku unë kërkoj për kritikë kreative letrare – kreative në të gjitha nivelet – është se ata bëhen lexues.
Një lexues dinamik, i aftë në gjetjen e argumentit në një copëz leximi, në propozimin e llojeve të ndryshme leximesh.
Diçka tërësisht e ndryshme nga ajo që zakonisht është kritika, e cila bëhet ose shpjeguese ose e ashpër.
Një kritik i rëndësishëm… megjithëse unë pothuajse gjithmonë nuk pajtohem me të dhe megjithatë e pëlqej ta lexoj, më nervozon dhe akoma e pëlqej veprën e tij është Harold Bloom. Ose Steiner.
Francezët kanë një traditë të gjatë të kritikëve dhe eseistëve shumë kreativë. Për shembull, Roland Barthes, është shumë i mirë. Duke ndriçuar jo vetëm një vepër, por një epokë letërsie. Nganjëherë duke bërë gabime tragjike.
Por, narratorët dhe shkrimtarët gjithashtu bëjnë gabime.
*
Në kundërshtim me poezinë, një disiplinë e letërsisë me prirje drejt endogamisë, ku poezitë shkruhen nga poetët, lexohen nga poetët dhe komentohen nga poetët – qarku është tërësisht i mbyllur… – proza duhet të diskutohet me lexuesin. Vetëm me lexuesin.
Brenda turmës së lexuesve, disa janë shumë të mirë, lexues që dëshirojnë gjëra të reja.
Letërsia latino – amerikane, narrativa latino – amerikane ose eseja latino – amerikane, ka fatin e madh ta ketë Borhesin.
Qendra e ligjit të Kanonit të letërsisë latino – amerikane është Borhesi… i letërsisë së gjuhës spanjolle.
Unë do të guxoja të thoja, se së paku për mua, nga Quevedo deri tash, nuk ka ndonjë shkrimtar më brilant sesa Borhesi.
Shkon kështu: Cervantes, Quevedo, Borhes. Kalimi është aq i madh. Kjo nuk flet mirë për neve. Si kulturë. Si kulturë hispano – amerikane.
Nëse na janë dashur 400 vite ose 300 e disa vite, për ta shtuar emrin e tretë në emrat e Shekullit të Artë… kjo flet shumë keq, shumë keq.
Shekulli XVIII është shekull i humbur për letërsinë dhe mendimin hispano – amerikan. Dhe shekulli XIX është pak a shumë i njëjtë.
*
Nëse do të rimishërohem, fatkeqësisht nuk besoj në rimishërim, do të pëlqeja të bëhesha një xhentëlmen belg. Jo tash. Nga të 50-at apo 60-at. Disa nga gratë më të mira janë Bruksel. Nuk ka asgjë më të ndryshme sesa një xhentëlmen anglezo – kilian dhe një xhentëlmen rural belg.
Sepse një anglo – kilian xhentëlmen, në anën angleze dhe në anën kiliane është një njeri i prirur për të kalëruar kuajt.
Një xhentëlmen rural belg, vetëm gjatë pushimeve hip në një Percheron belg [lloj i kalit belg, me origjinë nga Franca Perëndimore – shënim i përkthyesit].
Një Percheron belg është mjaftueshëm sa për të të bërë të qeshësh. E sheh dikë mbi Percheron dhe të bën të qeshësh. Dhe këta burra zakonisht hipin prapa.
Është shumë e ndryshme: Një xhentëlmen belg është shumë më i civilizuar sesa një xhentëlmen anglo – kilian.
FUND
* – titull pune i vënë nga përkthyesi në gjuhën shqipe
Shënim i përkthyesit: Ky rrëfim është marrë nga një intervistë e shkrimtarit kilian, e cila gjendet lehtësisht online.
Vegëza e intervistës me titra në gjuhën angleze:
https://www.youtube.com/watch?v=B0PMd4f80iQ
Comments are closed.