Heshtja mbrojtëse e Egos

“Everything that irritates us about others can lead us to an understanding of ourselves.” – Carl Jung

Që nga kujtimet e para mbi veten, kam qenë i mahnitur me sjelljen e njeriut dhe me arsyet që e shtyjnë njeriun të sillet në mënyrën e caktuar. Gjëja e parë që e kam vërejtur si fëmijë është mospërputhja e realitetit subjektiv(asaj që flitet) dhe realitetit objektiv të botës(asaj që është në vete). Më bëhej se ekzistonte një arsye tjetër për gjithçka ndodhte në botën time. Thjesht e ndjeja se fjalët që më vinin nuk pikturonin realitetin ashtu si ishte.

Fitova përshtypjen se njerëzit në mënyrë të heshtur ishin pajtuar që të thonin gjëra për të cilat e dinin që nuk ishin të vërteta, duke i përsëritur ato vazhdimisht derisa shndërroheshin në norma dhe mbi të cilat askush nuk reflektonte. Me sa duket, ekzistonin disa të pathëna, të mishëruara brenda kulturës, të cilat i mbronin individët dhe ua ushqenin Egon, kurse në anën tjetër ajo(kultura) shfaqej si ‘bujare’ dhe ‘e pafajshme’. Një nga problemet që kisha vënë re në lidhje me këtë, ishte injoranca e masës në raport me njohjen e vetes. Përveç që ishin “tabula rasa” në lidhje me arsyet pse vepronin në një mënyrë të caktuar, kisha vënë re se ata kishin formuar një mburojë që i muroste për ta ruajtur të paprekur “pafajësinë” dhe “shenjtërinë”, për gjithçka të ligë që sipas tyre ndodhte në botën e tyre. Karakteristikë e tyre ishte ankesa e vazhdueshme për këtë gjendje. “Virusi i pafajësisë” ishte i përhapur kudo, dhe në të njejtën kohë të gjithë e pranonin se diçka nuk shkonte me shoqërinë. Ajo çfarë thuhej në përgjithësi ishte: “E di që diçka nuk është në rregull me shoqërinë tonë, por unë nuk jam përgjegjës për këtë.” Ky ishte perceptimi individual mbi realitetin.

Kur u vetëdisova për një gjendje të tillë, fillova ta pyes veten: Çfarë nëse kaosi i shoqërisë vjen si pasojë e shumës së realiteteve të perceptuara individualisht nga secili? Kjo kishte kuptim por nuk përbënte përgjigjen e plotë. Çfarë nëse ekzistojnë dy siteme paralele që operojnë krejtësisht ndryshe kur jemi në grup dhe vetëm me veten? Ka shumë mundësi për të shpjeguar një gjë të tillë, por mbi të gjitha, çdo sjellje lidhet me besimin e pavetëdishëm të individit, se një sjellje e caktuar do ti rris mundësitë për mbijetesë. Ajo se çfarë individët mendojnë se është rruga e duhur është shumë subjektive dhe mundet që fare lehtë të jetë gabim. Kjo mund të dërgojë deri tek pamundësia e individit për ta kuptuar rrolin e tij në realitetin kolektiv.

E gjitha kjo, krijon tre probleme me injorancën kolektive të cilat do ti rendis poshtë:

1. Problemi i parë me injorancën kolektive është se ajo pashmëngshëm zhvillohet drejt veprimeve të liga;

2. Së dyti, është pamundësia e masës(kolektivit) për tu vetëdisuar për gjendjen e tyre kolektive;

3. Së treti, formohen mekanizma mbrojtës të fortifikuar dhe pothuajse mahnitës tek individi, për ta përligjur mungesën e përgjegjësisë së tyre në raport me gjendjen kolektive(shoqërinë). Rjedhimisht edhe nëse individët vetëdisohen për gjendjen e shoqërisë, prapë se prapë, ata do vazhdojnë të besojnë ëmbëlsisht në iluzionin se ai/ajo nuk kontribojnë në gjendjen e pakëndshme në të cilën mund të ndodhet shoqëria.

Shkruan: Florent Osmani

*Ky artikull fillimisht u publikua në gjuhën angleze.

https://medium.com/@florentosmani/ever-since-i-can-remember-i-have-been-fascinated-by-how-people-behave-and-why-do-they-behave-the-c21d467dd12

Artikullin e përktheu: Ardian Batusha

Comments are closed.

Navigate