Viktor Frankl: Mbi njeriun karrierist dhe kompleksin e inferioritetit

Viktor Frankl: Mbi njeriun karierist dhe kompleksin e inferioritetit

(Kritikë mbi psikologjinë individuale të Alfred Adler)

Shkruan: Ardian Batusha


Kompleksi i inferioritetit dhe Psikologjia Individuale

Psikologu Alfred Adler mendonte se burimi kryesor i neurozave të njeriut është ndjenja inferioritetit. Njeriu e kalon gjithë jetën në përpjekje për ta tejkaluar këtë ndjenjë, duke qenë madje shpesh herë edhe jashtë realitetit. Sipas Adler-it njeriu fillon të ndihet inferior qysh në kohën e fëmijërisë së hershme (kur foshnja e kërkon vemendjen e prindërve). Në moshë më madhore, ndjenja e inferioritetit mund të manifestohet tek njeriu përmes një mungese të madhe vetbesimi, pamundësi për të perceptuar anët pozitive të karakterit të tij, pamundësi për të njohur pikat e forta ku njeriu do të mund të fokusohej dhe ti zhvillojë ato, inferioriteti poashtu mund të manifestohet edhe si frikë nga gjykimi ku shpesh her mund të kalojë edhe me paranoja sociale e morale. Njeriu inferior në mënyrë të pavetëdishme do ti përcaktojë qëllimet e tij jetësore ku këto qëllime do të jenë në thelb vëtëm përpjekje për ta tejkaluar (kompenzuar) ndjenjën të inferioritetit. Veprimtaria e tij do të kanalizohet në atë formë që t’ia mundësojë njeriut inferior kompenzimin e kësaj ndjenje.

Alfred Adler do të themelonte teorinë e tij të quajtur “Psikologjia Individuale” e cila në thelb do ta trajtonte njeriun si qenie inferiore dhe do ti ndihmonte atij ta tejkalojë këtë ndjenjë-kompleks.

Kritika e Viktor Frankl mbi Psikologjinë idividuale të Adlerit

Viktor Frankl është një tjetër psikolog dhe psikiatër austriak i cili do të ketë një qasje kritike ndaj shkollës së Alfred Adlerit dhe sidomos qasjes së Adlerit ndaj natyrës njerëzore. Frankl nuk e mohon asnjëherë rrolin e Adlerit dhe kontributin e dhënë në fushën e psikoterapisë, ai madje as nuk e mohon ndjenjën e inferioritetit. Kritika e Frankl me një fjali do të ishte kjo: Duke qenë se Adleri e redukton natyrën njerëzore vetëm në prizmin e ndjenjës së inferioritetit, ai e humb pamjen ndaj tërësisë së natyrës njerëzore si të tillë. Sipas Frankl, duke e trajtuar njeriun vetëm si qenie inferiore ne e kemi amputuar këtë njeri dhe një njeri i amputuar është karikatura e njeriut. E thënë më ndryshe, Frankl nuk mendon se problemi i njeriut neurotik është inferioriteti por qasja që Adleri ka ndaj këtij kompleksi. Duke e problematizuar këtë kompleks ne harrojmë anët tjera të njeriut. Inferioriteti mund të jetë një karakteristikë e njeriut por asesi nuk mund të jetë pikënisja e tij. Të njejtën kritikë Frankl do ta bëj edhe për qasjen e Sigmund Freud ndaj trupit dhe ndrydhjes seksuale.

Njeriu inferior do ti fokusojë të gjitha energjitë me qëllim tejkalimin e kompleksit me cdo kusht. Si pasojë e kësaj përpjekje shpesh ndodh ajo që tek Adler njihet edhe si mbikompenzimi (overcompensation). Praktikisht kjo do të thotë devijim i njeriut në luftën e tij për ta tejkaluar kompleksin e inferioritetit. Ky devijim nënkupton se tash tek njeriu do të lind një ndjenjë e re: Superioriteti, që mund të jetë po aq i dëmshëm sa edhe inferioriteti. Në jetën shoqërore superioriteti rëndom manifestohet si një luftë për të arritur pozitat e privilegjuara shoqërore (dukja apo imazhi). Si rjedhojë, përmes kësaj qasjeje të Psikologjisë Individuale, njeriu inferior, njeriu i shtypur, duke tentuar të clirohet nga komplesi, në fakt ai prangoset edhe më shumë nga prangat e tij por tash nga një kompleks tjetër. Ndoshta ky njeri nuk do të ndjehet më inferior ndaj shoqërisë, por domosdo do të ndjehet i humbur për veten e tij dhe i thatë në raport me kuptimin e jetës. Ky njeri tashmë superior në raport me shoqërinë është shumë inferior në raport me veten e tij. Këtu qëndron edhe kritika e Frankl. Duke e cituar Scheler-in Frankl thotë me të drejtë se “kjo psikologji është tipike për tipin e njeriut karrierist”.

Karrierizmi si përpjekje e njeriut për të ndërtuar veten e tij në raport me shoqërinë dhe pozitat që ajo i ka krijuar, nuk duhet të merret si dicka negative në veten e saj, sepse për ironi edhe vet Frankl do të ishte njëfar karieristi. Por kur karrierizmi shndërrohet në mjet për të luftuar një kompleks të caktuar atëherë ai mund të jetë madje edhe i rezikshëm. Njeriu karrierist është në gjendje që për hir të karrierës të shkeli të gjitha parimet morale me qëllim që ta arrijë ndjenjën e superioritetit. Ky njeri do të mund të konsiderohej një pragmatist në dëm të harmonisë shoqërore dhe individuale(të brendshme). Për fat të keq, duke qenë se këto shtysa karrieriste janë thellësisht të brumosura në pavetëdije, njeriu karrierist nuk e ka as idenë më të vogël mbi veprimet e veta dhe pasojat që sjellin ato. Mekanizmat e tij mbrojtës do ta arsyetojnë cdo veprim, cdo sjellje, ku paradoksalisht, i njejti njeri në një periudhë tjetër do ti konsideronte të njejtat veprime si jo të moralshme dhe jo parimore.

Për Frankl qoftë inferioriteti qoftë shtysat seksuale nuk duhet të kenë rrol qendror tek njeriu. Ato paraqesin të kaluarën. Njeriu duhet të fokusohet tek e ardhmja dhe e tashmja. Njeriu sipas Frankl nuk përcaktohet as nga kompleksi i inferioritetit as nga kompleksi i Edipit thënë me termat e Freud. Njeriu i Frankl është qenie unike, qenie atomike, me potencial që ti jap kuptim jetës së tij por fillimisht duke transcenduar nga dimensioni fizik, social dhe psiqik.

Për të mos shkuar më tutje ne besojmë se ‘psikologjia individuale’ e Adler-it duke e mbitheksuar rëndësinë e shtysave që vijnë nga statusi social, e ka anashkaluar përpjekjen për të synuar një ‘status moral’, se madhështia e njeriut do të mund të arrihej jo thjesht nga disa ambicie të zakonta dhe sipërfaqësore. Ne besojmë se tek njeriu ekziston një shtysë shumë më e lartë se arritja thjeshtë e disa ‘titujve tokësorë’. Njeriu synon për dicka shumë më të lartë, synon drej pavdekësisë së vetes së tij të brendshme.” Viktor Frankl  

Comments are closed.

Navigate