Arti si reflektim e përvojë personale dhe të jetuarit përmes përjetimeve simbolike

Arti si reflektim e përvojë personale dhe të jetuarit përmes përjetimeve simbolike – Recension mbi filmin “Stalker” të Andrei Tarkovskit

Të shumtë janë regjisorët që arrijne të realizojnë filma që mbeten tronditës për nga përjetimi, mirëpo pak, shumë pak të tillë, mbërrijnë të zgjerohen përtej kornizave të asaj se çka filmi mund të shprehë.

Në historinë e përgjithshme të kinemasë, kam përshtypjen se askush nuk ka mundur të krijojë diçka përtej asaj çka mund të shprehë filmi dhe poashtu arti në përgjithesi, duke mbetur njëkohësisht besnik ndaj shpirtërores, sa regjisori Andrei Tarkovsky.

Filmat e tij karakterizohen me imazhe shqetësuese, të paraqitura në kohë të gjata me një ritëm të ngadaltë dhe reflektues, të shoqëruara me dialogje që ngrenë pyetje në nivele filozofike, fetare dhe psikologjike. Kur sheh filmat e Tarkovskit, nuk ndjehesh si para nje fotografie që lëvizë, por duket sikur je duke ri-ëndërruar, duke kaluar nëpër një përvojë unike dhe je i vetëdijshëm që do të mbetet përjetësisht e tillë.

r nga përmbajtja, sot, kur duket se bota e kinemasë është zhytur në ujërat e cekëta e sipërfaqësorë, të bombarduar nga raklama, ku maredhëniet ndërnjerëzore janë reduktuar në shfryerje epshesh seksuale, ku njohja me botën vecse ka përfunduar, Tarkovski qëndron si një ‘spartan’ i vetmuar në mes të katastrofës kinematografike, duke thirrur që të i kushtohet vëmendje njeriut-dimensionit shpirtëror.

Ingmar Bergman, në një intervistë kur pyetej për Tarkovskin thotë:

Kur filmi nuk osht një dokument, atëherë është një ëndërr. Kjo është arsyeja pse Tarkovski është më i madhi nga të gjithë. Ai lëviz me aq natyrshmëri në dhomën e ëndërrave dhe vetëdijes. Ai nuk shpjegon asgjë. E çka duhet të shpjegojë sidoqoftë!?

Ai krijoi një gjuhë të re, burimore ndaj natyrës së filmit, që paraqet jetën si reflektim, jetën si ëndërr.”

Mirëpo çka e bën Tarkovskin të jetë në këtë nivel, thuajse të paarritshem nga të tjerët?

Mendoj se mbi të gjitha, qëndrimi i tij i palëkundshëm se njeriu para se të jetë një qenie materiale, është një qenie e thellë shpirtërore. Në filmat e tij ky element është lehtë i dukshëm, dhe në të njejtën kohë paraqet pikën që bie ndesh me shumicën dërrmuese të botës kinematografike. Duke qenë se jeta shpirtërore i tejkalon ligjet, dhe është jashtë normave artificiale njerëzore ajo injorohet deri në tjetërsim. Duke qenë se dimensioni shpirtëror i njeriut kërkon reflektime të thella dhe të sinqerta, kjo e fundit humbet terren ndaj problemeve më sipërfaqësore dhe që në shikim të parë duken më tërheqëse e që në fakt nuk janë probleme në esencë por vetëm iluzion i problemit.

Në kinemanë e rëndomtë trajtimi i dimensionit shpirtëror bëhet më shumë sikur të ishte shkak-pasojë e një ngjarje, apo si një shtojcë e jashtme që ndihmon në nivelin e mirëqenies. Ajo ështe një pjesë me të cilen personazhet merren në kohen kur ajo tashmë është bërë e paevitueshme, kur ka kaluar në shkallën e neurozave.

Pikërisht këtu është pika që dallon Tarkovskin nga shumica e film-bërësve tjerë, ai dimensionin shpirtëror e trajton si një komponent esencial të ekzistences njerëzore, ajo paraqet themelin e të ekzistuarit. Nëse në filmat tjerë shpirtërorja mund të jetë pjesa e një jete, tek ai kjo jetë është themeli i jetës, apo edhe vetë jeta. Ajo depërton në vetë përpunimin e filmit.

Kjo besoj se është e dukshme në secilin film të Tarkovskit, sidomos tek filmi i tij i fundit, ‘Stalker’, ku secili personazh kalon nëpër një krizë të thellë shpirtërore. Dhe përderisa secila krizë është unike, ato së bashku formojnë një mësim, qëllimi bazik i secilës është: Të mbahet gjallë shpirti brenda trupit. Brenda prangave të shqisave duhet të lulëzoj esenca.

Personazhi i Percjellesit (Stalker), është shembulli më i mirë i njeriut që lufton për të gjetur rrugën e “drejtë”, ai këtë e bën duke përdorur instiktin e tij (këtë e bën duke u mbështetur tek një “zë i brendshëm”).

Përderisa shumica e njerëzve janë mësuar vetëm me plotësimin e dëshirave sipërfaqësore, (duke mos i kushtuar vemendje zërit të brendshëm) për t’i drejtuar ata, krijohet një huti të madhe tek bashkëudhetarët e Përcjellësit, e bashkë me ta, edhe tek audienca. Në vend që ai të nxitohet për te ‘Zona’, duke shkelur, shijuar dhe plackitur çdo gjë që i del përpara, ai ecën ngadalë i drejtuar nga e brendshmja, duke pritur për shenja që ta drejtojnë rrugën për te caku, duke bërë zhurmë sa më pak që është e mundur dhe duke u munduar që pengesat dhe çrregullimet të jenë minimale.

Nëse do më duhej t’a thoja me një fjali gjithë cfarë ndjej për ‘Stalker’, do thoja se është një letër drejtuar njeriut modern, një paralajmërim drejtuar individit se cdo ditë e më shumë po largohet nga esenca e tij.

Pervecse një traume metafizike, do thoja që është edhe një thirrje drejtuar nënvetëdijes që të shemben muret dhe të perballemi me vetveten, në mënyrë që ta njohim atë. Këtë e bën në një mënyrë tepër shqetësuese por disi edhe të lehtë, ambicioze dhe te bukur.

Filmi është tejet jetëpërshkrues, këtë mund ta themi duke u nisur që nga personazhet, tre protagonistët kryesore jane:

Përcjellësi (Stalker)*, Shkrimtari (The Writer) dhe Shkencëtari (The Scientist). Të tre së bashku prezantojnë tre komponentët esencialë të natyrës njerëzore: shkrimtari paraqet pjesën artistike e cila e përndjek njeriun, atë në kërkim të vetëparaqitjes, perfeksionizmit, abstraksionit e të bukurës në vetvete;

Shkencetari, paraqet botën e fakteve, të vërtetës, në kerkim, materialen, konkreten.

Dhe së fundi, Stalker është gjithçka që nuk bën pjesë në këto të dyja. Eshtë ajo “bota e mesme”, bota me konfuzion, (pseudo)ekuiliber, mestarja, e parehatshmja, melankolia, nostalgjia, ështe ajo bota tepër e panjohur në krahasim me këto dy “ekstreme”, është bota në të cilën asgjë nuk ka formë e as nuk është e paformë, është ajo pjesa e nënvetëdijshme në gjendjen psiqike tonë, janë ato ndjenja të fajit të panjohura e të paemërueshme së bashku të cilat nuk mund të njihen, e as zhduken me evolucionin tone psiqik.

Stalker, tenton që nëpërmjet shenjave të e jetojë jetën; e Tarkovski, në një pjesë tek “A Poet in the Cinema” (Nje poet në kinema), thotë: “Unë nuk besoj në një mundësi dijeje, unë jam pothuajse një Agnostik. Dija na huton nga qëllimi kryesor në jetë. Sa më shumë që dijmë, aq më pak njohim: sa më shumë që thellohemi, horizonti ynë ngushtohet.”

Pra, nëse bëjmë një krahasim në raport paralelik, do thonim që Stalker, njejtë si Tarkovski, tentojnë ta jetojnë jetën përmes shenjave që Zoti lë, duke tentuar që të gjenden simbolika, përjetime dhe shenja të cilat na drejtojnë në rrugën për tek Ai.

Stalker gjatë filmit, të njejtën gjë e bën, ai hedh nje unazë te lidhur me një shami të lidhur me pjesë rrobe te shqyer, duke vënë në pah nje simbolike tejet personale: në rrugën për tek e panjohura, e vetmja mënyrë e kërkimit të saj është përmes besimit.

Andrei Tarkovski dehumanizon personazhet e tij në një menyrë aq të theksuar saqë as nuk iu jep personazheve emra, ata nuk kanë identitet sepse ata prezantojnë njeriun e kohës sonë ku shqetësimet, kërkesat dhe rrugët e tyre janë të njejta me shikuesin e sotëm.

Këto personazhe janë të njohura edhe si simbole që paraqesin një lidhje alegorike me ne, shikuesin, dhe me vazhdimin e filmit, ata përngjasojnë aq shumë në qëndrime dhe dëshpërim, dhe dehumanizohen në nje shkallë aq të lartë saqë duken esencialisht të njejtë me njëri-tjetrin.

Filmi fillon në një mjedis të prishur urban, të cilin Tarkovski e paraqet përmes një filtri të hirtë dhe të pajetë. Kur mbërrijne ‘Zonën’, ajo është gjithë ngjyra, plot jetë; ajo është utopia e jetës urbane, ku nuk ka probleme dhe askush nuk i ndjellë ato; secili nga të tre arrin në ‘Zonë’ duke shpresuar të përmbush një pjesë të humbur prej tyre: Shkrimtari kërkon besimin dhe frymezimin, profesorit i ka kaluar afati për një zbulim shkencor që duhej ta përfundonte, dhe përcjellësi duket se është i varur nga ndihma për të tjerët, gjë që edhe shpjegon zemërimin e tij në fund kur nuk e arrin këtë.

Ka një pjesëmarrje të madhe të skenave me ujin, simbolikë për lëvizjen, shndërrimin, pastertinë, jetën e ndoshta edhe etjen; thuajse nuk ka skenë pa ujë: Gjatë rrugëtimit personazhi, ose personazhet atakojne ujëvara, lumenj, bunare, përrenj e shi. Në një skenë, ata hyjne deri ne gjoks thellë në ujë, pa deshiren më të vogel për pije- një pastrim (ndoshta i pavërejtur) teksa afrohen për te dhoma e dëshirave.

I gjithë filmi është i mbushur me simbolika, qe rithekson mënyrën e jetesës që duhet të bëhet sipas Tarkovskit, pasiqë dija, sadoqë përmbushëse mund të jetë, (bashkë me të edhe të jetuarit e jetës në raport kërkimi zgjidhjesh dhe stërthjështësime komplikimesh të saj), nëse vendosim një raport paralelik të dijes dhe përjetimit, atëherë këto dy paralele do ishin gjithmonë të kundërta me njëra-tjetrën për kah zhvillimi, një jetë me dije të “madhe”, nuk mund të jetë përveçse e zbrazët për kah përjetimi dhe njohja.

Dija është njohje e pikës së fundit të rrugës që subjekti ka, ndërsa njohja dhe përjetimi është bashkudhëtim, empati teletransportuese që individi merr për të bashkndjerë me subjektin. E ndoshta, e vetmja mënyrë për të arrirë tek rruga që mundëson bashkudhëtimin me subjektin, është besimi.

Në njërën nga pjesët e fundit te rrugëtimit brenda Zonës, është shpërfaqja e vetme e fuqisë së Zonës: një zog normal, pas disa sekondash fluturim, në rrugën tek e cila do ta conte larg nga imazhi të cilin po e shihnim, zhduket papritmas për tu kthyer prapa në hapsirë dhe kohë – simbolikë për tejkalimin dhe mospërfilljen e kohës si dimension nga Zona.

Ndoshta, këtu qëndron edhe pika kulminante sa i përket aktit të besimit dhe madhështisë së filmit: Mungesa e plotë e dramacitetit dhe injorancës që besimi mund, dhe shpesh mbart me vete. Audienca është po aq injorante sa edhe udhetarët protagonistë në film, (nese mund te ndahemi nga ta).

Stalker thotë se Zona është një vend tejet i rrezikshëm, dhe analizimi i tij në nivel gjeografik është tejet helmues, pasiqë ai është i nënshtruar ndaj një ndryshimi konstant. Mirëpo përveç skenës se lartepërmendur nuk ka ndonjë rast që dëshmon qartë aftësitë mbinatyore të Zonës. Ne si audiencë, jemi të rezervuar nga çfarëdo forme pamjesh të mëtejshme të cilat do na njoftonin me fundin e rrugëtimit. Ne në fakt kemi vetëm fjalën e Stalker qe ekziston Zona.

Si rrjedhojë, ne mbesim aq injorant sa Shkrimtari dhe Shkencëtari për cakun e tyre, aq të verbër sa edhe ata vetë në rrugëtimin e tyre drejt zbulimit. Zona që shohim ne është një grumbull fushash të pastërta nga kontaminimi, ndërtesash dhe sendesh jo-natyrore të shkatërruara. Ndërsa Zona në të cilën na kërkohet të besojmë është një vend i gjallë e i vetëdijshem.

Mirëpo, pavarësisht këtij dështimi në të jetuar të njeriut, mjerimi e shkatërrimi nuk mund të jetë e atij niveli saqë të mos ketë as edhe nje fije shprese. Fëmija, apo Monkey (Majmuni/ja) është po ajo shpresë (ketu vie në shprehje teknika vizuale e Tarkovskit): Ka një ndarje pothuajse hermetike midis dy botëve, Zona, apo vendi utopik, ku gjithçka është plot me ngjyrë, ngjyrë që simbolizon jetën dhe shpresën, dhe bota jashtë Zonës, që paraqitet permes një imazhi bardhezi.
Monkey është njeriu i vetëm i paraqitur me ngjyra jashtë Zones, duke sugjeruar se ajo është një shenjë për një të ardhme me shpresë, jetë dhe ngjyra. Ky simbolizëm theksohet nga skena enigmatike përmbyllëse e filmit. Simbolizëm që, përmes një lidhjeje “kontaminizuese” Zonë-individ, jep idenë e një kapaciteti teorik të Zonës që të e shtyjë njeriun drejt një evoluimi që do ta ngrit’te në një nivel mbinatyrorë.

Në skenën e fundit të filmit, Monkey lëviz gotën pa e prekur, skenë kjo që thuajse i jep kuptim gjithë filmit. Kjo skenë mendoj se është pjesa më konkrete e filmit, pasiqë vetëm aty tregohet drejtpërdrejtë se i gjithë filmi është metafizikë, temë rreth së cilës zhvillohet i gjithe filmi. Realisht kjo skene është e vetmja skenë ku meanifestohet bota metafizike të cilës i shkruan Tarkovski (përvec asaj që përmendëm, që kalohet shumë shpesh pa u vërejtur fare), aty tregon se ka një botë të pashpjegueshme, irracionale, të cilën nuk mund të ia shpjegojmë dikujt, e as të na shpjegohet, pasiqë rruga e vetme për të arritur tek ajo botë është përmes përjetimit, e përjetimi s’ka se si të arrihet pëvecse i vetmuar.

Stalker, ne nje rishikim, e ndoshta riperjetim, do thoja qe është nje reflektim tejet personal i Tarkovsit, është nje prove se artisti nuk ndahet nga arti, dhe nje shperfaqje botëkuptimi nëpermjet veprave artistike.

Stalker është nje shqetësim nostaligjik i shoqëruar me përsiatje të thellë mbi natyrën njerëzore, ku kinemaja dhe filozofia shkrihen në një formë te vetme, për të formuar një vepër të paprësëritshme arti.

Stalker është nje simbolikë për jetën, pasi sic thotë edhe ai vete: “Arti simbolizon kuptimin e jetës sonë.”

Shkruan: Qendrim Syla

Comments are closed.

Navigate