Çmendia e vetëdijshme

Çmendia e vetëdijshme
Rreth dramës “Henriku i IV” i Luigi Pirandello-s
Autor: Muhamedin Kullashi

Henriku i IV është vepra teatrore e Luigji Pirandello-s (1867-1937) e cila ka nxitur komente e interpretime të shumta, jo vetëm në Itali, por edhe në qendra kulturore të vendeve tjera të Evropës dhe SHBA-ve, ku vazhdon të vehet shpesh në skenë. E shkruar në vitin 1922, ajo paralajmëroi transformime të thella në dramaturgjinë moderne.

Ngjarjet e kësaj pjese teatrore supozojnë dy nivele : nivelin historik, ngjarjet që lidhen me fatin e perandorit Henrikut i IV i Gjermanisë (1015-1085), në veçanti konfliktet e tij me papën Gregori i VII ((1015-1085), konflikt ky politik që doli nga rivalitetet rreth supremacisë së Kishës me mbretëritë dhe perandoritë në Evropë, dhe i cili cilësoi jo vetëm periudhën mesjetare por edhe atë të Rilindjes dhe modernitetit. E megjitatë nuk kemi të bëjmë me një dramë historike. Historia del këtu më shumë si një grackë e personazhit kryesor. Niveli i dytë ka të bëjë me të tashmen (në fund të shekullit XIX) e një province në jug të Italisë dhe me relacionet e personazheve që i takojnë aristokracisë fshatare iltaliane : personazhi kryesor, i cili paraqitet si Henriku i IV, markiza Matilda Spina dhe bija e saj Frida, markizi i ri Carlo di Nolli, baroni Tito Belcredi, doktori (psikiatër) Dionisi Genoni, katër pseudo-këshilltarët sekret, shërbëtori i dhomës dhe dy ushtarë me shtiza. Skena, ku zhvillohen ngjarjet, është salloni i një pallati që është e rregulluar sikur t’ishte salla e fronit të perandorit Henriku i IV (1050-1106) i Gjermanisë, sikur t’ishte pallati perandorak në Goslar të Saksonisë. Personazhi kryesor nuk ka emër të veçant, ai paraqitet sikur t’ishte Henriku i IV.

Teatri në teatër

Një moment struktural i kësaj tragjedie është pikërisht bartja (kohore e hapësinore) e një të kaluare të largët të para 8 shekujëve brenda realitetit social e psikologjik në një provincë të jugut të Italisë, në shekullin e XIX. Personazhi kryesor « Henriku i IV» paraqitet këtu si një fiksion që duhet të riprodhoj realitetin e pallatit të perandorit mesjetar në Saksoni. Ky personazh, njëzet vite me parë, pas një aksidenti të kalërimit dhe lëndimit të kokës, e humbi arsyen. Familja e tij vendosi t’ia lehtësoi barrën e çmendisë, duke i organizuar një jetë fiksioni, me aktorë të paguar, të veshurë me kostume të kohës së perandorit Henriku i IV. Kjo mizanskenë i krijon personazhit kryesor hapësirën e mbyllur të pallatit si skenë e teatrit, aq më tepër se këshilltarët sekret dhe personazhet tjera (markiza Matilda, baroni Belcredi etj.) duhej vazhdimisht të rikrijojnin iluzionin teatral se e gjitha ndodhë në pallatin perandorak të Henrikut të IV. Mirëpo, gjatë rrjedhjes së shfaqjes, raportet që sajohen midis personazheve bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara, nën presionin e imperativit për të riprodhuar situata nga e kalauara e largët, që lidhen në veçanti me peripecitë e konflikteve të Henrikut të IV me Papën Gregori i VII. Kësisoj, Pirandello ndërton një teatër brenda teatrit. Simulimi i komunikimeve dhe relacioneve midis personazheve, brenda një ambienti perandorak të simuluar, shtron një varg pyetjesh e dilemash për personazhet që luajnë role të cilat implikojnë një distancë të tyre ndaj personalitetit të vet dhe kohës së tashme në të cilën ata luajnë.

Mirëpo, personazhi kryesor duket sikur është mishëruar me rolin e Henrikut të IV ; ai nuk ka emër tjetër dhe duket i shkëputur nga e tashmja e shoqërisë brenda së cilës ai është, e jo se jeton brenda saj, ngaqë del i ngujuar brenda një të kaluare të largët dhe në një mjedis të veçantë. Robert Abirached, njeri nga njohësit shumë të mirë të opusit teatral të Pirandelols mendon se « ankorimi i tij brenda një bote imagjinare, aq gjatë sa ai mbetet i shpërvetësuar nga vetvetja për shkak të çmendisë së tij, është emër tjetër i burgut brenda të cilit mbetet i ngujuar.» f.14

Momenti të cilin e kemi zgjedhur për ta marrë në shqyrtim ndodhë në aktin e dytë. Pas një bisede me Matildën, Belcredin, Di Nolli-n dhe Doktorin (psikiatrin), dhe pasi këta të kenë dalur nga salla, «Henriku i IV », bën një kthesë të papritur kur duke folur për këta i thotë njerit nga këshilltarët e vet : « Cfarë palaço janë këta ?… a nuk e kupton ? A nuk e kupton si i kam veshur, si i kam rregulluar, si i obligojë të dalin para meje, këta bufon të tmerruar. Dhe ata i frikësohen vetëm një gjëje: kanë frikë që të mos ua heqë maskat e tyre prej palaçoje, që të mos zhvesh mbulesën e tyre mbrapa së cilë fshihen; thuajse nuk jam pikërisht unë ai që i ka detyruar të maskohen ashtu, për vet kënaqësinë time, për kënaqësinë që kam të luajë si i çmendur!…] Mjaft më. T’i japim fund kësaj loje! Kjo nuk më zbavit më !… Ata thuajse nga mëshira e luanin këtë komedi ndaj meje, për të mos e nxitur tërbimin e një njeriu të mjerë i cili tanimë është jashtë bote, jashtë kohe, jashtë jete. »102

Është fjala për një situatë që përmbysë rrjedhën e ngjarjeve brenda këtij pallati, si një ishull i vetmuar. Pas njëzet viteve, personazhi kryesor flet me një luciditet të theksuar për lojën teatrale që zhvillohej në këtë pallat. Dyshimi se lëndimi i tij ishte kurdisur nga Belcredi, për shkak të rivalitetit të tyre rreth Matildës, është vetëm një detaj i raporteve të ngarkuara të personazheve. Ngase maskat, me të cilat bashkëjetojnë personazhet, kanë shumë shtresa.

Përtypja e jetës së të vdekurëve

Pastaj duke iu drejtuar këshilltarëve, pasi t’u ketë urdhëruar që të gjunjëzohen, « Henriku i IV » u thot : «[…] Të gjithë, para të çmendurëve, duhet të qëndrojnë kështu..[…] Tani çohuni në këmbë, dele të mjera. – Ju m’u nënshtruat? Keni mundur të ma veni këmishën e të çmendurëve…-ta shkelësh dikënd me peshën e një fjale ? S’ka asgjë më të lehtë ! Ç’është ai dikushi? Një mizë! E tërë jeta është ndrydhur nën peshën e fjalëve! Nën peshën e të vdekurëve! Më shikoni: mund të besoni seriozisht se Henriku i IV është ende i gjallë? E megjithatë shikoni! Po ju flasë dhe po ju jap urdhëra juve që jeni të gjallë. Ju bëni atë që unë dua! A ju duket edhe kjo të jetë një farsë, fakti që të vdekurit vazhdojnë të mbisundojnë jetën? Po, këtu është njëmend një farsë, por dilni nga këtu, shkoni te bota e të gjallëve. Po agon atje. Koha po shpaloset para jush. Është agimi. Kjo dritë që është para jush- thoni ju – ne do të bëjmë¨atë që dëshirojmë! Po, ashtu? Ju? Ju mund t’i thoni lamtumirë të gjitha traditave! T’i thoni lamtumirë të gjitha konventave! Filloni të flisni! Ju vetëm do t’i përsëritnit të gjitha fjalët që janë thënë përherë ! Ju besoni se po jetoni ? Ju vetëm përtypni jetën e të vdekurëve ! »104

Habia por edhe stepja, frika dhe tmerri që i sheh në sytë e këshilltarëve të cilëve u flet, e nxisin të shtojë: «E keni të qartë se stepja e juaj mund të shndërrohet në tmerrim, thuajse t’ishte fjala për diçka që do bënte që t’u ikën trolli nën këmbët e juaja dhe që do t’ju merrte ajrin për të marr frymë ?[…] Sepse të gjendesh në praninë e një të çmenduri, e dini se çka do të thotë kjo? kjo don të thotë të jesh në prani të dikujt i cili i lëkund deri edhe themelet e gjithë asaj që ju keni ndërtuar brenda jush dhe rreth jush, logjikën e të gjitha konstruksioneve të juaja ![…]. »f.105-107, (nënvizimi ynë).

Në aktin e II-të, personazhi kryesor saktëson më tej pikëshikimin e vet ndaj personazhve tjera. Duke treguar kostumin me të cilin është i veshur ai thot : «Ky kostum, ky kostum i cili është për mua karikaturë evidente dhe e qëllimshme e kësaj maskarade të vazhdueshme, e kësaj maskarade e të gjitha çasteve, marioneta të padashura (të pavullnetshme) e të cilave ne jemi, kur (ai tregon Belcredin), pa e ditur, ne maskohemi me atë që besojmë të jetë – ky kostum, kostumi i tyre, mos ua zëni për të madhe, ata nuk i shikojnë ende si pjesë të personit të tyre. »124 Më tutje ai thekson : « Unë jam shëruar, zonja dhe zotërinjë: ngase e di fort mirë se këtu shtihem si i çmendur, e madje qetazi ! Fatkeqësia e juaj qëndron aty se çmendinë e juaj e jetoni të trazuar, pa qenë të vetëdijshëm dhe pa qenë spektatorë të saj.” Belkredi konstaton se Matilda është e magjepsur me çmendinë e vetëdijshme të « Henrikut të IV ».125 Më tej ai shton: « […] ngase Henriku i IV, jam unë: unë, që jam këtu, tani e njëzet vite, a kuptoni ? I ngrirë në përjetësinë e kësaj maske ! »126(nënvizimi ynë) Kësisoj, të jetuarit me maska i bën relacionet midis personazheve më të sofistikuara, kufijtë midis çmendisë dhe racionalitetit, midis së kaluarës dhe së tashmes, e sidomos midis të jetuarit dhe vdekjes dhe janë më të paqarta.

Momenti i përmbysjes së raporteve midis « Henrikut të IV » dhe të afërmëve të tij ka një aspekt të veçant që i takon relacionit të personazhit kryesor me psikiatrin. Veçantinë e këtij relacioni mund ta vejmë në pah duke e krahasuar me relacionin e mbretit Georges-i i III i Anglisë ndaj psikiatrit, në vitin 1788, ashtu si e analizon Michel Foucault në Pushteti psikiatrik (1973-1974). Foucault e paraqet « skenën e terapisë psikiatrike » të mbretit anglez si vend ku « zhduket i tërë aparati i mbretërisë », kurse « të çmendurin e largojnë nga e gjithë familja e tij dhe nga gjithë ajo që e rrethon », duke e vendosur në një pallat të izoluar mbretin, ndaj të cilit ishin të nënshtruar të gjithë shtetasit e Anglisë. Tani, në këtë pallat, që paralajmëron spitalin psikiatrik, përmbyset ky raport, ngase mbretin e sundojnë dhe ia caktojnë të gjitha veprimet, jo vetëm psikiatri dhe ndihmësit e tij, por madje edhe dy ish shërbëtorët e tij.

Ndërkaq, në skenën e Henriku i IV të Pirandellos, personazhi, i cili është njëherit dhe aktori i vetes, ua rikujotn atyre që duhej të kujdeseshin për të se përderisa ata kanë mundur t’ia veshnin këmishën e të çmendurëve, ai përkundrazi ua ka imponuar atyre veshjet, i ka detyruar të dalin para tij, ua ka imponuar sjelljet dhe fjalët. Ky realacion i përmbysur, është vetëm njera nga shtresat e kësaj shfaqje të thellë dhe enigmatike të Pirandello-s. Është thënë se pjesa teatrore e Sartre-it Të ngujuarit e Altonës (1959) është ndikuar dukshëm nga kjo e Pirandello-s. Mirëpo, talenti i Sartre-it, sikur nuk ka arritur këtu të realizojë thellësinë e kërkimeve të Pirandello-s.

Comments are closed.

Navigate