Fredi – poeti që trishtohej nga stinët

Fredi – poeti që trishtohej nga stinët

Nuhi SADIKU


Një gjë duhet të pajtohemi të gjithë: Frederik Rreshpja, nëse nuk është poeti më i madh, është poeti më autentik i poezisë shqipe. Me të ndodhi revolucion i madh në ligjërimin poetik brenda poezisë, duke i lënë jashtë reaktantët jopoetikë që e kishin rënduar poezinë shqipe të deri atëherëshme dhe përbënin një reaksion multifunksional që nuk prodhonte vetëm poezi. I ra hise Rreshpes që në kaosin poetik të realizmit socialist, t’i kthente gjërat në vendin e tyre. Me të do të niste një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm në konsolidimin e figurave letrare dhe ndryshimin drastik të motiveve poetike. Frederiku, apo Fredi siç parapëlqente ta quante veten, zgjodhi që në poezinë e tij thjeshtësisht të përdorë ngjyrat, figurat e shumta letrare dhe zhgënjimin politik e jetësor.

Është e çuditshme sesi simbole të llojllojshme si: zogu, deti, qielli, gjethi, shiu, vetmia, vdekja, dashuria dhe nëna, kishin parakaluar para syve edhe të poetëve tjerë, mirëpo jo të gjithë ditën t’i katapultojnë brenda poezisë, siç bëri Rreshpja. (Nuk e vë dorën në zjarr: mund të ketë tek-tuk ndonjë poezi të ndonjë poeti tjetër me këto motive, mirëpo nuk ka vepër poetike të ndërtuar mbi universalitetin e tyre, siç është sistemi poetik i Fredit).
Përveç kësaj, poezia e Fredit e kaloi edhe provimin më të madh që mund t’i nënshtrohet një poezi: ndërrimin e ligjërimit poetik. Nga një narrativë poetike, e shkruar në një gegërishte të fisme, Rreshpja çuditërisht dhe për habinë time kaloi në diskursin standard.
Dhe ky transformim, pothuajse, nuk e la as shenjën më të vogël në aspektin cilësor të poezisë së tij.
Shihni sesi Rreshpja i këndonte dimrit në dy variantet gjuhësore. Për të, dimri mbeti dimër, pavarësisht se në cilin variant do t’i shkruante.

Në fushat dimnore (fragment)

Dëbora e thinjun përulet
Si bard plak mbi telat e mpimë
Tutje fushës shtyllat trishtohen
Për sa ndamje që bartin në hapsinë.
***
Do më kujtohet edhe kanga e vjetër
Që këndova për ty
Ktu një natë
Ja, dëbora e thinjun po u bie
Si bard plak telave të gjatë.

Dhe tani ta shohim një poezi për dimrin, të shkruar në gjuhën standarde:

Dimër

Bie dëborë. Rënkojnë
Qerret e lodhura si një kor tragjedish antike
Në udhën e vjetër të fshatit.
Dhe mua m’u kujtua pabesia jote.

Sigurisht, dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë.
Mëpastaj, zoti i tradhëtuar vështronte
Fushën e mbuluar me qefin
Si për një të vdekur madhështor.

Ah, si të shkoi ndërmend pabesia,
Si të shkoi ndërmend dëbora!
Më deshe shumë.
Po erdhi një ditë që ti shpike dëborën…
Tani rri dhe vërej fushën ku vdes madhërisht dashuria.

Për dallim prej shumë poetëve, që mbijetojnë në poezi falë prurjes së vëllimshme, te Fredi është pikërisht aspekti cilësor që del fitimtar mbi atë sasior.
Diçka tjetër që e shquan Fredin është se ai i mbishkruan vargjet e tij (P.Palushi). Ta zëmë, vargun: “Kam një pritje të vjetër dhe s’di ku ta lë” (Diku, kudo), ai në variantin pasardhës të po kësaj poezie e mbishkruan kësisoj: “Zot, jam tmerrësisht i vonuar!”.
Frederik Rreshpja, poashtu, di që shprehjet e tij t’i jetësojë poetikisht brenda disa konturave surreale.

“Më vdiq edhe kjo vjeshtë, më shkoi edhe kjo ditë
Qefini me gjethe të tharë.
O dimri i drerëve me brirët në erë
Kë vjeshtë të qaj më parë?”




Ç’është Itaka e Rreshpes?


Itaka e Rreshpes, anash veprës poetike, duhet parë si rrugëtim maratonik drejt realizimit individual – një odiseadë e dhimbshme që nuk mbaron asnjëherë. Në të ka vetëm vuajtje, harrim, pikëllim, humbje, trishtim dhe shumë vetmi.
Itaka e Rreshpes është rrugë me gjemba shtruar nga të tjerët që çon në portat e zvetënimit.
Brenda kërkimit të Itakës së Rreshpes, gjendet një si Penelopë. Ajo është Lora, që siç duket u lodh nga rrugëtimi dhe nuk vazhdoi me Fredin. Askush nuk e di se a ekzistoi vërtetë, sepse Fredi mjeshtërisht e metamorfizoi atë në varg. Një metamorphis fisnik, për dallim nga metamorfoza e Kafkës.

Nuk më flet.
I ke premtuar vdekjes, e kuptoj” –
e mirëkupton atë Fredi.

Të dy kemi qenë të bukur. Por ti tani,
Je akoma më e bukur, kështu me pak vdekje në sy” –
vazhdon ai.

Në rrugëtimin e tij, pati turbulenca, valëvitje mirëpo nuk pati degradim në sistemin vleror të poezisë. Prandaj, për Fredin, Itaka – është Itakë vetëm në simbiozë me poezinë. Prandaj ai e kërkonte vazhdimisht Itakën e tij.

Por Itakën time e kam shpikur vetë
Se kam nevojë të domosdoshme për ishuj!”

Imazhi si diskurs poetik


Fredi është poet imazhist. Ai gjatë shkrimit të poezisë, përveçse shkruante, njëkohësisht i pikturonte poezitë. Me aq sa kam lexuar nga poezia shqipe, askush nuk ka arritur që t’i inkuadrojë ngjyrat në poezi sikur bëri Fredi.
Si imazhist, ai e krijoi një frymë që gjatë leximit të jep sensin e çlirimit nga thatësia e vargut – thatësi kjo që mbretëroi një kohë të gjatë.
Është një varg i nivelit të lartë meditativ, ky i Rreshpes. Fredi, duke lozur me imazhe, arrinë që të përçojë sinjalin e ndjesive të tij.
Këtë më së miri e shpjegojmë nëpërmjet një strofe nga poezia e hershme e Rreshpes: Nën linjat e reja elektrike.

Mbramja po zbret mbi pyjet dhe udhët.
Mbi sinqeritetin e dëborës – natë.
Mirëmbrëma male!
Sonte çdo shtëpi asht një agim i vogël.

Kjo katrenë do të duhej ta shtangte secilin lexues. Sepse poezia e trajton një fenomen teknik, krejtësisht jopoetik: linjat e reja elektrike. Dhe nëpërmjet vargut maestral Sonte çdo shtëpi asht një agim i vogël, poeti suksesshëm i jep konstruktin një metafore që në thelb thotë: sonte s’kemi nevojë për ndriqimin e sinqertë të dëborës, sonte erdhi drita elektrike.

Ndër imazhet që më së shumti bien në sy te poezia e Fredit janë shiu dhe deti. Siç duket, i regjur me vrazhdësinë e qytetit, ai assesi nuk arriti që t’i ikë ngacmimeve të imagjinatës. Mendja e tij prodhonte llojlloj skemash të fenomeneve natyrore. Ai sillej me to, sikur t’i kishte në shuplakë të dorës.

Ky shi sonte

Qerrja e shiut mbjell pellgje nëpër natë
Dhe ikën pyjeve me vërtik.
Qerrtari i zi nëpër kodra
I bie vjeshtës me kamxhik.
***
Qerrtari i zi nëpër kodra
Përzë vjeshtën pa mëshirë
Po vjen Perandoria e ftohtë e dimrit
Oh, sa do të ngrijmë zemra ime!

Në këtë poezi, me një lexim shumë të ngulitur, identifikojmë që shiu për Fredin është një lajmës i keq, që paralajmëron ardhjen e dimrit – kësaj perandorie të ftohtë. Shiu do ta ndajë Rreshpen, me stinën që më së shumti e donte: vjeshtën.
“I bie vjeshtës me kamxhik” – ky është vargu që shpërfaqë dhimbjen e poetit për ikjen e vjeshtës. Është një elegji për një vdekje të një diçkaje, që do të ringjallej prapë pas tri stinësh. Por, për Rreshpën stina e dimrit është e gjatë, tmerrësisht e gjatë dhe e frikshme.
Pra, Fredi i përdorë stinët për të krijuar një konstelacion simbolesh.

“Unë vetëm u bëj një vizitë stinëve, o njerëz
Kurse mendjen e kam tek ju”.


Mua më trishtojnë stinët, ti e ke ditur
Dhe me botën më ndanë një udhë me kilometra vetmi”



Fanitja e fëmijërisë

Është pikërisht motivi i fëmijërisë ai që, për mua, do ta bëjë Fredin autor të njërës nga tri poezitë më të mira të shkruara deritani në gjuhën shqipe:

Ushtari i vjetër

Pashë fëmijët në rrugë. Të qeshur,
Të bukur dhe delikatë si vazotë e çmuara,
Ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.

Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,
Që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…

Kjo poezi ka diskurs deskriptiv dhe në lexim të parë nuk jep të kuptojmë se ka diçka meditative, diçka të thellë – të nënvetëdijshme brenda saj. Mirëpo, nëpërmjet kësaj poezie Fredi në mënyrë brilante përthyen vargun. Ai fillon me fëmijët e qeshur, të cilët trishtohen nga pamja e përvuajtur e një poeti që krejt çka ka janë poezitë dhe kapelja.
Ai e krijon një kontrast pamjesh: nga një peizash plot kolorit, në një natyrë të qetë.
“…nuk kam qenë kurrë fëmijë…” – kjo është linja e ligjërimit që do ta përcjellë Fredin gjatë gjithë krijimtarisë poetike.
Ai në një rast tjetër thotë:

Që fëmijë e kam kuptuar
se kisha lindur i mallkuar me art…”.

Mirëpo, ndonëse fëmijëria e tij e paqenë e trishton, atje thellë gjendet një kujtim që do të bëhej simbol i poezisë së tij: nëna.

“Ave, nëna ime. Vetëm tek ti kam besuar.
Zot tjetër nuk kam pasur kurrë!
Amen!”

Për Rreshpen, nëna është kult. Dhe nuk ka kush që e mohon këtë fakt! Ai nuk heziton të vajtojë për vdekjen e saj.

Nëna ime ti dhimbje e pashuar
Ka kaq vjet që pushon në dheun e zi
Siç duket edhe yt bir së shpejti
Do ta lërë këtë botë, nënë, e di”.

Pa nënën e tij, për të, nuk është asgjë më e njëjtë. Ai edhe kur e lutë vdekjen e tij që të vie dhe ta marrë, ka për qëllim takimin me nënën.


Vuajtja nga vetmia, vrulli i vdekjes


O ajr i mbrëmjes mbështillmë,
erdhi ora të vdes përsëri!”

Ky është dy vargëshi më reprezentativ i Rreshpes. Me këtë distik ai e thërret një vdekje mitologjike, të mbështjellur nga ajri i mbrëmjes. Megjithëse, e di që nuk ka çfarë t’i jap më kësaj bote, sepse bota u tregua e pamëshirëshme me të dhe ia mori gjithë ato çka i pati, përveç kapelës.
Vetmia, përveçse në poezitë e Rilkes, nuk të ngjan në vetmi kur i lexon disa poetë të tjerë.
Mirëpo, kur i lexon poezitë e Frederik Rreshpes për vetminë, nuk ka gjasë të mos e ndjesh në palcë, një vetmi që pëllet si një zot indian [titull poezie nga autori i shkrimit].
Ai ia di vetmisë të gjitha truket e saj dhe e di mirë si t’i shndërrojë në poezi. Dhe nëse ka ndonjë arsye pse Fredi i takon një niveli kaq të lartë të poetëve është pikërisht vetmia. Sikur edhe, nëse ka ndonjë arsye që Fredi ishte një njeri i përvuajtur, i varfër deri në skajmëni, është pikërisht vetmia.

Nga doli kjo vetmi kështu,
më përpara nuk ishte”.

Atë e tronditë prezenca e vetmisë. Dhe kjo shihet në dyvargëshin e mësipërm. Ai shpeshherë e thërret kohën kur ka qenë fëmijë dhe e ka pasur nënën të gjallë.
Prandaj, e thërret vrullshëm vdekjen e tij. Një thirrje kjo që ngjanë në mesazhet e shkruara në letër, të mbyllur brenda një shishe qelqi dhe të hudhura në det. Mesazhe/thirrje që nuk dihet a do të lexohen/dëgjohen nga ndokush.
Fredi nuk kishte çfarë të humbte, madje thoshte që i vjen keq që nuk kishte vdekur vjet.
Për të vdekja do të thoshte çlirim, sepse ishte lodhur në vetminë e lirisë dhe brutalitetin e jetës. Ishte lodhur nga të qenit i harruar.
Në poezinë e tij, vdekjen e gjejmë si dhuratë hyjnore. Një njeri që ishte tradhëtuar nga çdokush, nuk u tradhëtua vetëm nga poezia dhe nga vdekja. Ai i besonte vdekjes se kurdoherë do të vinte. Pavdekësinë e shihte si mallkim.



Zvetënimi i Fredit

Si njeri që mbajti 17 vjet e 3 muaj burg, nuk mund të presim prej tij, përveçse zhgënjim. Por, Fredi nuk ishte njeri i thjeshtë. Ai ishte njëri ndër poetët më të mirë të letërsisë shqipe. Një Esenin vetmitar që sorollatej rrugëve të Tiranës, që e vizitoi vetëm njëherë Prishtinën – për të cilën la një sentencë të mahitshme: Edhe qielli e përkëdhelë Prishtinën – dhe i mbeti peng që nuk mundi ta vizitoi Prizrenin.
Liria po e zvetënonte Fredin, po e asgjësonte. Ai ishte një njeri politikisht i zhgënjyer dhe kjo vërehet edhe në disa prej poezive të tij.
Miting për Enver Hoxhën, Liderët janë disa prej poezive të tij ku ai e derdhë mllefin e tij për sistemet politike me të cilat i kishte rënë të përballej dhe për harrimin që ia bënë ato.
***
Se Fredi, përmes poezisë dinte të bënte hatanë, të krijonte befasira që lexuesi nuk i priste, e dëshmon kjo poezi. Është pikërisht kjo poezi që do të mund t’i përgjigjej, pyetjes hipotetike të ndonjë lexuesi: “Po mirë, ky Fredi a ka ditur t’i shkruaj lumturisë”? Po, e ka bërë vetëm njëherë, kur e kishte vetëm edhe një fije shpresë që diçka do të ndryshonte.

Për një vjollcë

Çeli vjollca e vogël mbi gurishte
Si një ylber mbi planete të panjohur.

Kështu kam ëndërruar edhe unë dikur
Të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër,
Për tërë ato që thashë
U tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.

Më me fat janë perënditë
Që kthehen te toka të skalitur.

Ti s’ke për t’u skalitur kurrë,
E veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit.

Ky qe fati yt prej ylberi
Me një kryq shiu te koka
Por fati sundon tërë popujt e zotave
Të shumtë si rëra.
Vjollcë e vogël, o shpirt!


Referencat:
[1] “Duke kërkuar Itakën”, Rreshpja F., SHB ”Princi”, Tiranë.
[2] “Frederik Rreshpja, që nuk e kuptuam kurrë”, Palushi P., SHB “OMBRA GVG”, Tiranë.

Comments are closed.

Navigate