I humburi: Rrëfim mbi një të çmendur

Recension mbi romanin “I humburi” të Fatos Kongolit
Shkruan: Ardian Batusha

 

Hyrje

Ndonjëherë të mjaftojnë disa rreshta për të reflektuar për librin, ndonjëherë të mjafton vetëm titulli. Në rastin e veprës së Fatos Kongolit-“I humburi”, i ke të dyja. Nëse nuk të mjafton titulli, porsa e përfundon faqen e dytë përballesh me këtë fjali rrënqethëse:

Për të gjithë e në të gjitha pikëpamjet kam qenë e jam njeri kot, i humbur.”

Për një moment, pasi ke lexuar këtë rrëfim jetësor brenda një fjalie, të duket sikur nuk ke çfarë lexon më. E gjitha çfarë ishte për t’u thënë u tha, e përse të vazhdohet tutje? Ky rrëfim sa tronditës aq edhe i sinqertë vetëm sa shpalos thellësinë e autorit.

Pyetja e radhës mund të ishte: Si mund të jetohet kot?

Përgjigja në këtë pyetje do paraqiste gjithë përpjekjet sizifiane të të jetuarit. Një përgjigje e tillë nuk mund të vijë ashtu, kot. T’i përgjigjesh kësaj pyetje, së pari duhet të jesh i sinqertë dhe pastaj të ndjesh dhembje. Jo, dhembje për ndonjë vdekje, as dhembje fizike, por janë dhembje të një natyre tjetër. Janë dhembje që mund t’i përjetojë vetëm njeriu që ka kuptuar në palcë absurdin e jetës, janë dhembjet që vijnë nga ‘dhuna’ e vetëdijësimit.

Romani ‘I humburi’ është një pasqyrë e qartë dhe tronditëse e shoqërisë autoritare, tiranike, e deri edhe jo-njerëzore në Shqipërinë komuniste. Më shumë se një tregim për një shoqëri të caktuar, ky rrëfim ilustron se si funksionon një shoqëri e cila ekzistencën e saj e bazon në frikë dhe bindje, një analizë e tillë vlen për të gjitha kohërat e për të gjitha shoqëritë. Pushteti dhe mekanizmat e tij janë të pranishëm në një formë apo tjetrën, herë më të drejtpërdrejtë, e herë i fshehur nëpërmjet mekanizmave mbrojtës.

Vepra në fjalë kumton rrezikun që i kanoset njeriut nga sisteme të tilla të bazuara në bindje dhe autoritet. Nëpërmjet personazheve autori përshkruan të gjithë mekanizmat e një shoqërie të tillë. Të gjithë personazhet së bashku ndërtojnë mozaikun e tmerrshëm. Secili është në vendin e tij apo saj. Autori me kujdes i zbërthen personazhet dhe na mundëson të njohim në thelb ekzistencën e shoqërive autoritare, të cilat në fjalorin e Karl Popperit mund të kishin edhe elemente tribale-fisnore.

Në shoqëri të tilla, të gjithë kanë vetëm një qëllim-pushtetin, por pushteti  është i verbër. Për disa bëhet mjet për të fshehur neurozat dhe për disa bëhet kuptimi i ekzistencës. Ata më të dobëtit, ata që nuk kanë pushtet, shndërrohen në objekt për t’i kënaqur egot dhe për të mbytur ekzistencën e atyre që fshihen pas pushtetit. Të rrallë janë ata që mund t’i bëjnë ballë joshjes së pushtetit.

Dhe pushteti ka një magji më të fuqishme se bukuria femërore. Pushteti i posedon të gjithë, me meshkuj e me femra. Meshkujt i posedon deri në perversitet, femrat deri në ҫfeminizim.

Në një shoqëri autoritare ku çdo gjë është e centralizuar, në një shoqëri ku përmasat e pushtetit kalojnë në perversitet dhe tjetërsim të njeriut, askush nuk mund të jetë i sigurtë për asgjë. Në një situatë të tillë nuk e kupton se nga do të vijë sulmi, nuk e njeh kundërshtarin tënd. E vetmja gjë që mund të presësh janë kafshimet e gjarpërit që do të vijnë nga e panjohura. Më të dhimbshme se kafshimet dhe helmi, është vetë e panjohura, aq më tepër kur kafshimi vjen nga ata që më së paku e pret.

Ishte koha kur askush nuk ndihej i sigurtë. As të lumturit në lumturinë e tyre, as të mjerët në mjerimin e tyre. As torturuesit, as të torturuarit.”

Kur edhe xhelati pret që ҫdo ditë t’i hiqet koka nga një xhelat tjetër, ky është fundi i humanizmit. Tanimë nuk mund të flitet për njeriun.

Thesar Lumi, një fëmijë që vëzhgon

Personazhi kryesor i librit është Thesar Lumi, të cilit do t’i referohemi me nofkën “I humburi”. Në fund të fundit, kështu do duhej të ishte. Ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e periudhës komuniste dhe paraqesin kujtimet e Thesat Lumit. Nëpërmjet jetës së tij ai rrugëton nëpër skutat më të errëta të një shoqërie autoritare sikurse ishte ajo në Shqipëri.

Thesar Lumi është një fëmijë kurioz që blen çdo situatë rreth tij. Ai jeton me nënën dhe babain. Jo rastësisht autori e fillon tregimin me kujtimet e një fëmije. Për të mos thënë të gjitha, shumica e elementeve të personalitetit, bazën e kanë në fëmijëri. Varësisht se në çfarë situatash ndrydhëse dhe shpërthyese kalon një fëmijë përcaktohet karakteri i tij. Si për çdo fëmijë, raporti fillestar dhe kryesor është ai ndërmjet tij dhe prindërve. Fëmija që të jetë i shëndosh duhet të ndërtojë raport me veten dhe botën përtej raportit të tij me prindërit. Nga niveli që e tejkalon barrierën e quajtur familje apo lidhje fiilestare do të ndërtohet vetja e tij. Sa më i çliruar të jetë nga këto lidhje fillestare individi do të jetë më i lirë dhe më pranë vetes.

Babai i Thesar Lumit e kishte humbur fuqinë në sytë e djalit. Dobësinë e babait djali e kishte spikatur nga një takim ndërmjet drejtorit të shkollës dhe babait. Babai në vend të ishte mbrojtësi i fëmijës, përkundrazi kishte rënë viktimë e autoritetit të drejtorit dhe ishte kthyer kundër të birit. Këtë rënie “I humburi” e kishte kuptuar. Babai nuk paraqiste më asgjë në sytë e tij, por as drejtori. Ata ishin në shkallë të ndryshme, por në fakt paraqisnin të njëjtin lloj njeriu. Të dy ishin të dobët, sepse të dy kishin nevojë të nënshtrohen dhe të nënshtrojnë. ‘I humburi’ e kuptonte shumë mirë këtë situatë. Figura e babait dhe drejtorit paraqisnin një hiç. Në një paragraf të vetëm, Kongoli e jep shumë saktë raportin e një shoqërie autoritare.

Kisha vënë re se, kur vinte ndonjë inspektor, drejtori nuk sillej si zakonisht, bëhej i butë, i sjellshëm, gënjente dhe ia hidhte inspektorit pothuaj njëlloj siç e gënjenin dhe ia hedhnin atij mësuesit.”

Për shkak të dobësisë të babait, nëna ishte e tij dhe ‘I humburi’ ndihej triumfator. Prandaj shuplakat dhe të rrahurat e babait për të nuk ishin asgjë, paraqisnin vetëm një numër. Do thotë dikush që është thjeshtë kompleksi i Edipit. Por “I humburi” kishte shkuar përtej kompleksit të Edipit. Në vend që nëna të paraqiste idenë e fitores, dhe të ishte objekti nëpërmjet të cilit ai do të projektonte veten dhe vullnetin e tij, ajo ishte po aq e dobët sa edhe babai. Dobësia e nënës ashtu sikurse e drejtorit jepet në një nga skenat e librit:

Pas një nate me zënka ndërmjet babait dhe nënes, ku i pari si zakonisht ishte mposhtur, nëna si për ta vulosur fitoren e saj, e detyron burrin të flejë në dhomën e ditës. Të nesërmen ‘I humburi’ ndjen pështirosje nga skena qe i del para syve. Nëna dhe babai gjenden duke u ledhatuar dhe duke pirë kafe. Kjo skenë për të humburin është momenti i triumfit edhe mbi të ëmën. Aty ai e kupton se ndonëse nëna paraqiste autoritetin, edhe vetë autoriteti ka nevojë për objektin të cilin do ta zotërojë-një raport sadisto-mazohist. Ndonëse i pavetëdishëm për nocione të tilla, fëmija e kupton situatën. Padroni pa skllavin nuk është padron, ashtu sikurse nënshtruesi nuk ka kuptim pa të nënshtruarin. Ky moment është neveritës për “të humburin”. Ai e shikon sa të vegjël janë këto dy krijesa.

Kjo është arsyeja pse Thesar Lumi është i lirë. Ai është mbi të gjithë, sepse e kupton situatën dhe thjeshtë vazhdon lojën pa qëllime madhore. I vetmi qëllim i tij ishte të dashuronte dhe të ishte i sinqertë. Ai jetonte të tashmen. ‘I humburi’, sikurse ‘ I huaji'(Mersault) i Albert Camus, nuk ndjen dhembje për nënën dhe të afërmit. Ai i ka tejkaluar autoritetet dhe qëndron mbi ta. Jo si një autoritet i tyre, por si një autoritet mbi veten e tij. Kur je çliruar nga autoriteti i jashtëm nuk ke nevojë të sundosh. Nuk ke nevojë të jesh mbi apo nën- kjo është liria.

I humburi” i kishte kuptuar mekanizmat autoritare të shoqërisë. Ai madje e kishte luftuar këtë autoritet. Jo nëpërmjet librash, por nëpërmjet veprimit të një fëmije që e kupton situatën. Thesar Lumi e kishte kuptuar kompleksin e inferioritetit, kompleks të cilin shoqëria vetëm sa e ushqente më shumë. Ky kompleks ështe i lidhur ngusht me autoritetin. Madje këta të dy nuk mund të ekzistojnë pa njëri- tjetrin. Inferioriteti vjen si pasojë e autoritetit dhe autoriteti e ushqen edhe më shumë inferioritetin.

Kur i kupton këto mekanizma shoqëror dhe reflekton mbi to, ashtu sikurse “I humburi” ke vetëm një rrugë: –të fshihesh brenda vetes. Aty ku do të ndihesh i vetmuar, i humbur, i huaj, por edhe i sigurtë sepse e ke veten. ‘I humburi’ është ai që e ka kuptuar lirinë e tij. Madje pikërisht për këtë ai është i humbur, sikurse Mersoja i Albert Camus, që ndihej i huaj sepse e kishte kuptuar kotësinë e ekzistencës përballë kërkesave të shoqërisë, edhe “I humburi” ndihej i tillë në raport me shoqërinë, e cila vetëm kërkonte që ai të ishte i tillë apo i atillë.

 

I humburi përballë vdekjes

Pas periudhës së fëmijërisë Thesar Lumi vazhdon ecejaket e tij në një fazë tjetër. Tani për të ka filluar periudha universitare. Aty për herë të parë ai e ndjen rrezikun e të qenit ndryshe. Nëse më parë rrezikun e njihte vetëm në teori, tani ai ishte i pranishëm në ҫdo hap. I humburi mbante një sekret të madh dhe të rëndë. Pesha e sekretit e ndrydhte. Sa më absurd të jetë sekreti aq më ndrydhës është. Dhe sekreti ishte më shumë se absurd. Thesar Lumi ishte detyruar të urrejë një person që nuk e njihte fare. Ky qe sekreti i kobshëm.

Momenti i kthesës tek “I humburi” është kur ai me sinqeritetin e një njeriu që ka kuptuar të jetuarit, çlirohet nga sekreti i fëmijërisë së tij.

I humburi”, pa fajin dhe pa dijen e tij, kishte pasur dikur një ungj (dajë), që ishte arratisur nga vendi. Një gjë e zakontë për një diktaturë komuniste. Për këtë mëkat të ungjit, ‘i humburi’ detyrohet të urrejë njeriun që nuk e kishte takuar kurrë. Ai e urrente personin e panjohur vetëm për një arsye- shoqëria ashtu donte. Kjo është absurde dhe e sëmurë. Por, kërkesat e shoqërisë të tilla janë të sëmura. “I humburi” vendos të çlirohet nga ky sekret i pakuptimtë dhe u rrëfehet dy personave me të cilët ishte e pamundur të mos ishe i sinqertë. Ladi dhe Sonja janë të vetmit që njësoj si Thesar Lumi e kishin kuptuar çmendurinë e shoqërisë. Prandaj ai ndihej i lirë të shpaloste një sekret të tillë-monstër. Ai ishte i vetëdishëm që nuk do gjykohej.

Si për të treguar forcën e madhe që kishte sekreti, menjëherë pas shpalosjes së tij, Thesar Lumin e ndoqën vetëm ngjarje të zeza. Një e nga një të gjithë miqtë dhe mikeshat më të sinqerta u shuan në një mënyrë apo tjeter. Disa u vetëvranë e disa të tjerë u internuan. Thesar Lumi nuk i takoi më kurrë miqtë e jetës. I lodhur ai vazhdonte të jetonte me sinqeritet. Vazhdonte të jetonte ashtu si dinte ai vetë. Ai qëndronte stoik përballë mureve të absurdit. Kur kishte mundësinë të fitonte faljen ai nuk pranoi; kur kishte mundësinë të fillonte një jetë komode ai e përbuzi; përbuzja e tij ishte triumfi më i madh i njeriut, përbuzja e tij ishte triumfi i të qenurit i sinqertë.

Të gjitha diktaturat një ditë do bien. Sado që të zgjasin ato nuk janë më të gjata e më të fuqishme se sinqeriteti i një të humburi.

Në fillim të viteve 90-ë, komunizmi në Shqipëri ishte shembur. Me shembjen e komunizmit filloi eksodi i shqiptareve drejt Perëndimit. Atëherë kur portat u hapën, kur liria i trokiti, pikërisht atëherë kur pritej që edhe Thesar Lumi të kapte këtë liri, ai vendosi të kundertën. Ai vendosi të vazhdonte jetën në qytetin e pluhurosur, të vazhdonte të ishte i humbur dhe i kotë. Kjo ndodh për nje arsye “I humburi”, për dallim nga të tjerët, që lirinë e tyre e kërkonin jashtë, përtej brigjeve, “I humburi” lirinë e kishte gjetur brenda. E kishte kapur lirinë duke i kuptuar autoritetet dhe inferioritetet, duke e kuptuar një shoqëri e cila funksiononte nëpërmjet këtyre dy mekanizmave. Ai për dallim nga ta, ishte i çliruar. Ikja nga vendi ishte e pakuptimtë. Ai nuk kishte nevojë të kapte lirinë nëpërmjet një anije tutje në brigjet e vendit fqinj. Përkundrazi ai kishte kapur lirinë duke u çliruar nga shoqëria-burimi kryesor i jo Lirisë.

Simbolika e varrit në fund të rrëfimit është shumë domethenëse dhe e fuqishme. Vendi i parë që viziton Thesar Lumi pas vendimit për të mos u larguar në Itali, janë varrezat. E ç’ kuptim ka të ikësh në një vend tjetër, qoftë ai edhe vendi më i zhvilluar, kur në fund do përfundosh me një gur mbi kokë.

Varret janë të njejta kudo, si në Itali dhe Shqipëri. Ata që largohen janë ata që nuk e kanë kuptuar se janë të vdekshëm. Ata sillen me jetën sikur të jenë të përjetshëm. Ata mund të ndryshojnë vetëm vendin ku jetojnë, por jo edhe raportin e tyre me shoqërinë dhe autoritetin. Ata nuk do jenë të lirë as në vendin fqinj. Liria e tyre do të jetë vetëm fizike. Varri është simboli i kotësisë së jetës, varri është pamundësia e njeriut për të menduar për të jetuarit. Ҫdo përpjekje e bashkëvendasve të Thesar Lumit për të kapur lirinë përballë varrit e humb kuptimin. Përballë varrit mund të ulet vetëm një njeri i sinqertë. ‘I humburi’ ishte i tillë, ai u ul përballë varreve. Camus tek ‘I huaji’ shkruan:

Një njeri që kish jetuar vetëm një ditë mund të kalonte pa vështirësi njëqind vjet në burg. Ai do të kishte aq kujtime sa për të mos u mërzitur.

Në rastin e Camus ky ishte Mersault (I huaji) kurse tek Kongoli ky ishte Thesar Lumi( I humburi). “I huaji” dhe “I humburi” janë njësoj. Atyre nuk u bën përshtypje se ku do jetojnë, në Paris, Romë apo në ndonjë qytezë të humbur të Shqipërisë. Për ta mjafton të jenë të lirë dhe nuk do mërziten.

 

I humbur dhe i lumtur

I humburi’ nuk është i humbur për shkak se nuk kupton, por përkundrazi sepse kupton çdo situatë dhe është i vetëdishëm për shoqërinë dhe neurozat e saj. Ai është “I humbur’ sepse çdo gjë e ka në pëllembë të dorës. Është i humbur sepse duke parë qartë pozitën e shoqërisë, refuzon të jetë pjesë e saj. “I humburi”, është i humbur sepse është i vetëdijshëm për “ҫmendurinë” e tij. Të jesh i humbur do të thotë të jesh i sinqertë me veten dhe botën.

I huaji’ te Camus dhe ‘I humburi’ te Kongoli, ngjasojnë fort. Të dy janë të gjykuar nga shoqëria. Të dy ndihen të kotë. Të dy janë në absurd.

Për të gjithë e në të gjitha pikëpamjet kam qenë e jam njeriu kot, i humbur.”

 

Veprimet e tyre nuk kanë racionalitet. Veprimet e tyre janë të zhveshura nga pasojat e shoqërisë. Ata janë jashtë sistemit. Në anën tjetër, ështe shoqëria që mundohet t’i fut brenda saj, duke i gjykuar, shpallur fajtor dhe duke iu dhënë mundësinë që të falen, vetëm e vetëm që ata të bëhen normal. Pra, në një anë të gjykon dhe në anën tjetër të jep një mundësi të fundit. Cmendurinë e ndan një fije e hollë. Shoqëria ashtu i do ata, normal. Shoqëria nuk e duron dikë që është ndryshe.

Njeriu ose duhet të jetë siç e do shoqëria ose do të vuajë të qenurit i çmendur. Ҫmimi i çmendurisë është i rëndë. Shoqëria të degëdisë, të internon, të poshtëron, dhe në fund të vret. Në një shoqëri autoritare dhe histerike, sikurse ajo në librin e Kongolit, njeriu krijohet (ndërtohet) nga raporti që zgjedh të ketë me shoqërinë. Në këtë zgjedhje njerëzit në librin e Kongolit ndahen në 3 grupe.

Grupin e parë, e bëjnë ata që shndërohen në veglat e shoqërisë, pushtetit, partisë. Këta janë më të rrezikshmit. Janë pa identitet. Sapo të kryejnë shërbimin ndaj shoqërisë-partisë edhe ata do kthehen në të çmendur. Do internohen, burgosen dhe zhduken.

Grupin e dytë, e bëjnë ata që vendosin të jenë të sinqertë dhe të mos nënshtrohen. Këta përfundojnë të vdekur për së gjalli.

Grupin e tretë, e përbëjnë ata që nuk mund të jenë as në grupin e parë as në të dytin. Ata zgjedhin një rrugë shumë të guximshme dhe jo të guximshme në të njejtën kohë. Në këtë grup hyjnë të vetëvrarët. Apo thënë troç: të sinqertët e paguximshëm.

Thesar Lumi bën pjesë në grupin e dytë, grupin e njeriut që ka vendosur të jetë i sinqertë dhe të durojë çdo vuajtje, por asnjë vuajtje nuk është aq e rëndë sa vuajtja e të mosqenit i sinqertë. Ajo është vuajtja më e tmershme që mund të ketë njeriu, është vuajtja e mungesës së lirisë. Prandaj ashtu sikurse Sizifin (që perënditë e kishin dënuar të ngjiste shkëmbin çdo ditë), “të humburin” e Kongolit duhet ta shohim të lumtur.

Epilog

I vetmi moment kur ‘I humburi’ ndjen dhembje për nënën jepet në skenën përmbyllëse. Në fund të librit ai përballet me shikimin e syve të saj. Në sytë e nënës shikon tërë vuajtjet e një krijese që ka pritur tërë jetën, vuajtjet e një krijese që për qëllim ka pasur një krijesë tjetër (fëmijën). Më shumë se dhembje, ai ndjen keqardhje. Nëna kishte pritje të mëdha për të birin, kurse ai u kthye në një të humbur, në një matrapaz, njeri të kotë, që nuk i hynte në punë shoqërisë. Kjo ishte keqardhja e Thesar Lumit.

Është keqardhje e një njeriu që e kupton vuajtjen e nënës dhe e kupton pakuptimësinë e pritjes dhe rjedhimisht edhe pakuptimësinë e vuajtjeve të saj. Thesar Lumi e kupton absurdin e pritjeve që ka shoqëria për njeriun. Ai ka vendosur të mos i realizojë pritjet e nënës, babait… Ai ka vendosur të revoltohet ndaj kërkesave meskine të shoqërisë, ai tashmë ka zgjedhur rrugën e tij, të jetë i sinqertë dhe i lirë.

Sepse jeta ime ka qenë mediokre, jetë e një njeriu që nuk ishte kurrkush e nuk u bë dikush, një jetë anonime e shkrirë në anonimatin e një lagjeje të humbur, në një qytezë të humbur…”

Comments are closed.

Navigate