Literatron – Kundër virtytit të lejuar

Literatron – Kundër virtytit të lejuar
Recension mbi veprën “Literatron”, të Robert Escarpit

Nëse do të kuptosh rreziqet e të shkruarit, duhet kuptuar paraprakisht çfarë do të thotë të lexuarit, si të merret mesazhi. Kjo është në vetvete një qasje shkencore e pastër.

Procesi i përkthimit të idesë në fjalë, e fjalës në veprim mekanik siç është të shkruarit dhe në fund sjellja, është në tërësi pothuaj i automatizuar ngase përsëritet dhe nuk ka kufij kohorë a rrethanorë. Literatron-i, pavarësisht se tingëllon si diçka jashtëtokësore, është emërimi i këtij procesi. Robert Escarpit, pionieri francez i teorisë së informacionit u shfaq me një tjetër vepër satirike që vinte në lojë sipërmarrësit dhe shpikësit, jo pa njëfarë tendence për të tallur rrethanat e mendësinë e kohës. Si ithtar dhe ndjekës i Partisë Komuniste Franceze, ai mbështeste regjimin Stalinist në Tiranë. Ishte bashkëthemelues i Shoqërisë Miqësore Franko-Shqiptare dhe drejtor i gazetës ‘’Albania’’, nga ku kuptohet arsyeja e lejimit të shkrimeve dhe ideve të tij në Shqipërinë e atëhershme komuniste. Kjo vepër e tij pikareske përshkruan bëmat e një ‘’heroi’’ të pandershëm i cili vjen nga një rang i ulët shoqëror dhe ushqehet në sajë të intrigave të tyre, karakteristikë kjo e një shoqërie të korruptuar.

Kujtimi i parë që më ka mbetur nga z. Filipo është një burrë me uniformë. Atëhere unë isha pesë vjeç dhe ai ishte me leje. Ime më i hidhej në qafë duke qarë dhe e puthte në buzë. Ne po e përcillnim te autobuzi i Bordosë. Kur erdhi prapë te ne ai nuk ishte më me uniformë dhe ne banonim, nëna ime dhe unë, në një vilë të madhe në La Ym me një burrë me çizme dhe krejt të veshur me rroba jeshile që, me sa mora vesh më vonë, ishte oficer gjerman. Gjatë kësaj vizite, z. Filipo u zu me time më dhe u largua nga vila duke përplasur portën. Ai ishte nga luftëtarët e Rezistencës dhe e kishin internuar. Kur mendoi se unë isha rritur dhe isha në gjendje të kuptoja mjaft gjëra, ime më ma shpjegoi punën me këto fjalë:

A e sheh, Merik, në botë janë ata që hanë, sikurse ne, dhe ata që hahen, sikurse ky mistreci i mjerë. Mos harro se, në qoftë se nuk do që të të hanë, sulmo vetëm ata që janë më të dobët se ti.

Kjo ishte e gjithë edukata që më dha ajo.’’

Literatroni është një produkt, pajisje, apo makineri që i ngjan kompjuterit të sotëm. Nëse ideja e kompjuterit është nisur nga shifrat dhe llogaritja, ideja e literatronit përkundrazi përqendrohet tek përkthimi i mendimeve në fjalë të shkruar si dhe analiza apo redaktimi i veprave e shkresave. Nga vetë fjalëformimi litera dhe tron krijohet përshtypja e një pajisjeje elektronike, nga vetë prapashtesa dikur tejet kërshëri-ndjellëse –tron, që do ishte zgjatim i mendjes dhe shqisave, por që në të vërtetë është një prodhim i mendjes dhe zgjatim i asgjëje. Shpikësi i tij përpara se ta përfytyronte pajisjen vizualisht, bëri një konceptim të shkëlqyer të produktit, duke e shmangur kështu nevojën e mishërimit të idesë. E ç’kuptim do kish të mishërohej kur ideja ishte kaq e përsosur në vetvete? Mishërimi i saj shpeshherë mund të ketë mangësi e si rrjedhojë t’i shkatërrojë pritshmëritë.

Luiza u prish me mua gjatë vitit të dytë të studimeve të mia në fakultet. Ajo donte që unë të filloja studimet për të marrë diplomën e anglishtes, për arsye se kisha prirje për gjuhësi. Dëshironte që me kohë unë të merrja titullin e profesorit të shkollës së mesme ose ndoshta, dhe ky do ishte kulmi i ambicieve të saja, të mbroja një tezë për doktorat – që kështu, më në fund, të martohej me mua. Nga të gjitha këto gracka për budallenj, martesa ishte ajo që më pengonte më pak. Kjo është një punë që bëhej shpejt, pa pasur nevojë për ndonjë përgatitje dhe, po qe se del një provë e papëlqyer, ke kurdoherë mundësinë ta ndryshosh, ta ndërpresësh ose ta fillosh nga e para. Përkundrazi, sikur t’i kushtosh vite të gjata punës shumë të mundimshme për të siguruar përfitimin e dyshimtë që të bëhesh skllav i një diplome, më duket se është kulmi i budallallëkut. I diplomuari, që sa më shumë specializohet, aq më shumë bëhet i ditur, që të ushtrojë aftësitë e tija ka vetëm një hapësirë shumë të vogël, sa sipërfaqja e diplomës së tij prej pergameni lëkure gomari.

Simbolika e Literatronit nuk kufizohet vetëm tek një mekanizëm, ajo paraqet jo vetëm kundërshtinë e hapur të autorit ndaj sistemit kapitalist, sipërmarrjes private dhe antikonformizmit, por edhe se deri ku arrin shkalla e vetëmashtrimit dhe e të besuarit të një utopie. Escarpit është shprehur se sistemi komunist është një domosdoshmëri, gjë që e veçon nga qëllimi i ekzistencës së sistemeve tjetërsoj. Shpikësi i pajisjes që do ia ndryshonte jetën miliona njerëzve është rasti më dëshpërues i një sipërmarrësi, mes dhjetërave e qindrave të këtillë. Në një kontekst kapitalist ku risia e sotme bëhet të nesërmen e dalë-boje dhe demode, duhet ecur me hapa të stërmëdhenj për të rrëmbyer kohë dhe vëmendje aq sa është e mundur të kushtohet. Vetëkuptohet që koha dhe vëmendja janë të shenjta jo vetëm për qëllime përfitimi dhe reklame, por edhe për ekzistencën e vetë qenies dhe rolit të tij në shoqëri.

Për sipërmarrësin, qëllim i ekzistencës së tij është produkti, pra Literatroni. Është kaq i mahnitur pas tij, kaq i befasuar me shpikjen e tij, e cila ende nuk ka marrë një pamje të qartë në mendjen e vet e rrjedhimisht të askujt. Megjithatë kjo nuk e pengon atë që të arrijë shumë larg, deri në frenetizëm me Literatronin, me vetë gjetjen e fjalës, me konceptin e saj, me shkëlqimin e tij pasi ideja e tij të patentohet, me famën, luksin, rëndësinë e ekzistencës së tij. Sa e ndritur duket dhe vetë bota me Literatronin, e ardhmja duket e shkëlqyer dhe njerëzit tashmë do kenë një pajisje që transmeton mendimet e tyre dhe i transkripton idetë e tyre në fjalë, prozë, poezi! Profesorët do e kishin punën e tyre tejmase të lehtë, pa le nëpunësit që thjesht do e adhuronin! Degë të reja fakulteti do krijoheshin në sajë të tij e hulumtimet gjuhësore do ishin katërcipërisht më të thjeshta e të frytshme!

‘’… – Letërsi dhe shkenca humanitare, zoti kryetar.

  • Hëm, po. Mos keni hyrë në audiovizuel, rastësisht? Audiovizueli, aty po, mund të

fitoni! Financat e derdhin paranë lumë për të, komisionet votojnë sa të duash, zgjedhësit japin votën. Ai u bën përshtypje. Ata as që e dinë se çfarë është. As unë nuk e di. Po ju, a e dini?

  • Disi, zoti kryetar. Unë merrem me gjuhësi…
  • Me gjuhësi? Mirë, mirë!… Pa dale… biologjuhësi… eurogjuhësi… Më duhet një parashtesë, e kuptoni vetë. Parashtesat më të mira sot për sot, janë ‘bio’ për shkak të kancerit dhe ‘euro’ për shkak të Tregut të Përbashkët. Është edhe një tjetër, që shkon përpara, është ‘kozmo’ për shkak të kërkimeve speciale… kozmogjuhësi… si ju duket?
  • Eh…

Ai u ngrit dhe mori kapelen.

Shikoni, ajo që është më mirë është prapashtesa, një prapashtesë. Nga të gjitha prapashtesat, i dashur mik, më e mira është ‘tron’. Diklotron, betatron, positron… a e shihni se ç’dua të them… Sikur bubullin. Me një ‘tron’ të vendosur me marifet keni për të kositur miliona dhe do të siguroni prioritetin për çdo gjë. Unë madje njoh një natyralist që e ka pagëzuar laboratorin e tij shëtitës ‘fitotron’… nga ‘fitos’, që do të thotë ‘natyrë’ në greqisht, apo jo? E kuptoni parimin? Mjafton që ta futni diku atë ‘tronin’ dhe jua mbushin duart me flori.’’

Pavarësisht joshjes pas risisë, koha kalon shumë shpejt dhe magjepsja masive vjen duke u zbehur. Literatroni nuk u materializua kurrë, pasi ishte e pamundur të krijoje një pajisje që automatizon mendimet dhe idetë. Mirëpo shpikësi kapet aq fort pas Literatronit, saqë nuk e pranon faktin që ai nuk mund të materializohet. Sikur ta pranonte do të thoshte që kish dështuar. Dështimi në këtë rast është njëlloj me vdekjen. E po në këtë rast vdekja nuk vjen në formën e saj të gjithhershme, por si ngushëllim, nanurisje nga një ëndërr madhështore prej së cilës dikush i dha dikur qëllim qenies së vet.

Tani unë e shihja vetveten tamam ashtu siç isha, dhe pa turp e pa frikë. Mund të më quajnë tregëtar gënjeshtrash, lodrues me erën, njeri që do të kapë retë me duar, mirëpo sikur të mos kishte njerëz si unë, kush do ta vinte në lëvizje botën? Nga Literatroni do të mbetej përgjithmonë diçka nga do të dilnin patjetër mjaft të këqija dhe disa të mira. Po, pa të, ato pak të mira nuk do të ekzistonin fare, nuk do të ishte madje as kjo diçka. Edhe sikur të mos ishim ne që bëjmë mjaft gjëra, që shesim mend, që maskojmë, që bëjmë marifete, duhej të na krijonin, sepse atë pak të vërtetë që endet nëpër botë, pikërisht ne e vëmë në lëvizje nëpërmjet shumë gënjeshtrave. Kur ata që dinë dhe ata që prodhojnë do ta kuptojnë mirë se çfarë janë dhe se çfarë mund të bëjnë, vetëm atëhere mund të mendohet që të na zhdukin. Njerëzit do të kenë ende nevojë për një kohë të gjatë për disa hileqarë të vërtetë dhe falsifikatorë të vlefshëm, të aftë për të kaluar mes shtresës së dendur të njerëzve të ndershëm, që rri mbi këtë botë si një kore balte dhe për t’i dhënë mundësinë njerëzimit të shkretë që të thithë nganjëherë diçka tjetër, përveç ajrit të mykur të virtyteve të lejuara.

Për Virtual Sophists,
Shkruan: Lorena Beshello

 

Comments are closed.

Navigate