‘Nji za’ i ri

Recenzion mbi librin “Nji za” të Donart Rexhbogaj

Shkruan: Serafina Lajqi

 

Përmbledhja poetike “Nji za” e studentit e poetit të ri, Donart Rexhbogaj, artikulohet si shprehësi e brendshme për t’u shprehur vrullshëm e lirshëm në rrjedhën e saj. Ky “za” i strukturuar dhe i ndarë në katër cikle, shpalos qëndrimin e këtij poeti të ri, rebelimin e mospajtimin e tij, si kundërpërgjigjeje ndaj heshtjes. Poeti, ndonëse i ri në moshë, duket se është brumosur e pleksur në udhëtimin e vet poetik, aq sa për ta shprishur heshtjen e për t’i lindur fjalët:

 

Ngjyra t’ngatërrueme

t’pshtjelluna marrëzisht

pushtuen me harmoni

nji za t’vjedhun

t’frikësuem nga heshtja

 

Në këtë harmoni kaotike, ‘fjala lindi fjalën ’duke e bërë poetin, fillestar të një udhe të re, akoma të gjatë. Ndaj edhe cikli i parë mban titullin ‘Fjala lindi fjalën’ si shënjues i një fillimi të ri, i një nxitjeje poetike të shprehur kohë më parë.

Në ciklin e dytë ‘Gjetje’, poeti tanimë i çliruar nga heshtja, vazhdon kërkimin e vet në gjetjen e fjalës. Një gjetje e tillë, sidomos atëherë kur i nevojitet më së shumti, shënjon në të njëjtën kohë edhe gjetjen e vetvetes. Tani, pas këtij çlirimi, poeti do të ngre më lartë zërin, për t’u shprehur se ‘s’jam ai i djeshmi/ As kafen s’e dua si dje’. Nëse në ciklin e parë, arrin të hetohet një pasiguri ndonëse e gërshetuar me mosbindje e mos-heshtje, tek ky cikël, poezia ngre kokën me vetëbesim për të marrë në varkën e saj gjetjet më të mira. Poezitë sikurse ‘Kafe me shkumë’, ‘Pasqyrë e thyer’, ‘Kënga e lakuriqëve’, ‘Mall i rebeluar’ janë disa nga poezitë me të mira të përmbledhjes, në të cilat vërehen edhe leximet e shumta, por dhe frymëzimet e ndikimet nga poetë të mirënjohur. Nëse Nositi i Lasgushit fliste me zjarr, poeti i kësaj përmbledhje tek poezia ‘Mall i rebeluar’, zjarrin do ta artikulojë në mall: Me mall të vjetër ju flas/Me dhembjen e gdhendur në gur/. Prandaj nuk është për t’u çuditur pse tek ky cikël, ka më shumë poezi së në ciklet e tjera. Arsyeja e parë, konkretizon pra kërkimin e fjalës, gjetjen e skalitjen e saj dhe arsyeja e dytë, tani që fjala është lindur, dëshira e dashuria për rritjen e saj, janë më të mëdha.

Në ciklin e tretë që mban titullin ‘Udha’, poeti e vazhdon udhën e vet poetike, këtë ‘udhë pa kthim’ duke iu lutur lexuesve, miqve, që’ kur të kthehem mos u habitni/mund të dukem si plak ashik’ sepse ‘koha asht veç emën/Ajo nuk ecë si koha jote/ Ajo asht n’mue.’ Tek ky cikël, është dashuria ajo që i hapë udhën fjalës. Poeti, dashurinë e konsideron të madhe, të shenjtë dhe në të njëjtën kohë, njeriun, armikun e saj më të madh:

 

Sot, të plagosim dita-ditës

E kujtojmë se je ngjallë

ndër ne  

përjetësisht…

 

Çdo udhë poetike, rrugëtimin e saj e fillon me një planifikim të organizuar. Në ndërkohë është poezia ajo që do të përcaktojë jetëgjatësinë e udhës. Poeti në udhën e kësaj përmbledhje, niset nga zhurmë e nëntokës, për të përfunduar me melodinë nostalgjike të shiut, si një zhurmë tjetër, por më shumë e akorduar dhe e pëlqyer. Është pikërisht zhurma, një koncept tjetër poetik që thyen heshtjen e këtij poeti, duke i liruar tingujt e saj të ndrydhur e melodik.

Cikli i katërt dhe i fundit, ‘Nga arka e kujtesës’, ndryshon dukshëm nga poezitë e cikleve të tjera. Brenda këtij cikli, është kënga popullore që i vjen si zë i kujtesës poetit. ‘Hana’ e ‘zana’, bëhen figurat kryesore, duke u shndërruar në rrëfyese e dëftuese. Ky depërtim vjen edhe si ndikim rugovas, por edhe fishtian, ndikime këto që kanë zënë vendin e vet në frymëzimin e këtij poeti:

 

Nji natë Hana ish zemnue

zemër plasun, po vajton

shikjon Zanat që po ikin 

thellë ndër male me mrizue. 

 

Përmbledhja poetike “Nji za” e poetit të ri Donart Rexhbogaj, ndonëse nismëtare dhe akoma në kërkim e zhvillim të vetvetes, është zë i një kohe të re, zë i përjetimit, zë që më nuk do të heshtë, tani që veç e ka njohur tingullin e melodinë e vet.

Comments are closed.

Navigate