Qasje psikanalitike mbi romanin Ankimi i Portnoit

Studim mbi veprën “Ankimet e Portnoit” të autorit Philip Roth
Autor: Veron Dobroshi

Psikanaliza si teori dhe teknikë terapeutike merret me studimin e pjesës së pandërgjegjshme të trurit (ndërdijen) si dhe çrregullimet psikike, ndërsa termin për herë të parë e përdor vetë themeluesi i saj, Zigmund Frojdi në vitin 1896. Më vonë psikanaliza zhvillohet edhe në drejtime tjera, kryesisht nga nxënësit e Frojdit si Karl Gustav Jung, Alfred Adler si dhe neo-frojdistët si: Erik From, Heri Sullivan etj. Gjatë terapisë së psikanalizës, pacientët pasqyronin mendimet, fantazitë, ëndrrat e tyre ku përmes studimit të konfliktit që ka pacienti në ndërdijen e tij, terapisti konstaton problemet që determinojnë simptomat dhe çrregullimet tek ai person. Psikanaliza me kohë gjen zbatim edhe në fushat tjera. Njëra ndër to është fusha e studimeve letrare. Kjo fushë në të cilën është duke u bërë edhe ky studim, synon të pasqyrojë botën psikologjike të personazheve, relacionet, shtytjet, nxitjet, konfliktet, ëndrrat dhe konceptet e ndryshme të Frojdit, dhe janë pikërisht disa nga kryeveprat letrare siç është rasti i Hamletit të Shekspirit, e cila e ka provokuar mendjen e Frojdit për t’i hyrë studimeve më të thella të kësaj vepre për nga ana psikologjike.

Një vepër tjetër që kërkon një studim të thelluar psikanalatik është edhe romani “Ankimi i Portnoit” i Filip Rothit, i botuar për herë të parë më 1969. Ky roman flet për trajtesën e seksualitetit, jetën e një të riu hebre, i cili rrëfehet para psikanalistit të tij rreth detajeve të ndryshme intime nga jeta e tij, duke filluar që nga fëmijëria e hershme. Vetë autori i këtij romani është me origjinë hebreje dhe vetë jeta e tij ka pasur ndikim të madh në krijimtarinë personale. Edhe protagonisti i romanit, Aleksandër Portnoi është një lloj alteregoje e shkrimtarit. Ai është ulur përballë psikanalistit të tij dhe rrëfehet nga fillimi deri në fund të romanit. Sipas fjalëve të narratorit lexuesi arrin të kuptojë relacionin e ngushtë të Portnoit me nënën e tij. Ajo është pjesërisht përgjegjëse për zhgënjimet në jetën tij gjatë fazës së rritjes. Ajo në një mënyrë përpiqet që ta kontrollojë jetën e tij në aspekte të ndryshme. Portnoi përpiqet që t’i identifikojë sjelljet e tij duke fajësuar prindërit, veçanërisht nënën. Ai gjatë rrëfimit shpesh ndalet te ky relacion i ngushtë duke treguar se çfarë ndikimi dhe roli ka pasur ajo në jetën e tij gjatë fazave të ndryshme të zhvillimit të tij seksual si dhe raportet me femrat tjera dhe ndikimin e tyre në jetën e tij. Pikërisht, romani fillon me një formë krahasimi që bën protagonisti, ku secila mësuese e tij ia kujton nënën e vet, sa herë që i shihte ato.

Ajo më ishte ngulitur aq fort në vetëdije, saqë gjatë vitit të parë të shkollës së mesme, m’u krijua përshtypja se te secila nga mësueset e mia, ishte maskuar nëna ime.

Këtu shohim se rrëfimi fillon në vetën e parë dhe nga fjalia e parë ballafaqohemi me relacionin nënë-bir. Një nga arsyet themelore për çrregullimin seksual buron nga marrëdhënia e ngushtë mes nënës dhe fëmijës dhe në rastin e Portnoit, kemi referencë direkte te nocioni Kompleks i Edipit, që burimin e ka në antikitet, tek vepra e Sofokliut Edipi Mbret, ku Edipi vret babanë dhe martohet me nënën e tij. Ky mit më pas bëhet edhe koncept frojdian duke u përdorur si një element i rëndësishëm në studimet e teksteve letrare. Te ky roman, gjejmë disa raste ku narratori këmbëngul që veprimet e tij nuk janë si ato të Edipit. Kuptohet qartë që ai posedon njohuri të thella edhe për këtë fenomen. Ky fenomen në fushën psikologjike kuptohet si fazë kur një fëmijë i gjinisë mashkullore gjatë moshës 2-3 vjeçare hyn në fazën e zhvillimit libidinal dhe ka ndjesi pozitive të organit të tij seksual dhe pëson nxitje seksuale ndaj nënës së vet.

Protagonisti fillon me rrëfimet për kujtimet e fëmijërisë së hershme duke kaluar me shpejtësi përmes këtyre kujtimeve. Përderisa u theksua që vazhdimisht rrëfimi i tij bazohet në relacionin me nënën dhe familjen e tij, merr edhe shembuj konkret, në veçanti për lidhjet me femrat, siç ndodh psh., me rrëfimin për një prostitutë në Romë, një rast në të cilin kuptojmë se nëna ka natyrë kontrolluese ndaj tij. Në një rast brenda romanit shohim se nëna e saj kërkon prej tij që ai të urinojë si djalë i rritur, por ai në vend të kësaj, ejakulon. Sipas Frojdit, fëmija kalon nëpër disa faza gjatë zhvillimit seksual, ky zhvillim realizohet nëpërmjet zhvillimit të libidos ku manifestohet epshi në formë anale dhe orale, falike dhe kulmi arrin në organizimin gjenital. Kur njëra nga këto faza pëson çrregullim, kjo si pasojë sjellë obsesionimin apo fiksimin. Në rastin e Portnoit, nëna është një formë e “nxitjes” së këtij çregullimi në fazën falike, gjë që rezulton me ngjarjet që ndodhin në jetën e Aleksandër Portnoit, siç janë rastet e fiksimeve të tij me objektet seksuale. Kjo e përcjell protagonistin e romanit edhe më vonë, diku rreth moshës tetë ose nëntë vjeçare, por tash ndaj një femre të cilën në shtëpi e ka sjellë babai dhe ai ndjen tërheqeje seksuale:

Isha vetëm tetë apo nëntë vjeç, por ajo kishte me të vërtetë këmbë të hatashme, aq sa nuk mund t’ia shqisja dot sytë, këmbë të tilla që të befasojnë ngaqë rrallë i sheh te ndonjë lëneshë me fytyrë të regjur që sillet rrotull… Me ato këmbë – oh, natyrisht që ai e shalonte atë… apo jo?

Një term i rëndësishëm në studimet psikanalitike është termi “Asociacioni i lirë”. Sipas Frojdit, pacientët janë më të aftë që ta verbalizojnë informacionin psiko-dinamik dhe për ta arritur të ashtuquajturën “asociacioni i lirë”, besohej se psikanalisti duhej të kishte sa më pak kontakte me pacientin pasi kjo mund të rezultojë me çrregullime psikike. Pacienti mund të fliste për ngjarjet nga thellësia e ndërdijes së tij dhe kjo mund të shkaktonte traumë. Portnoi është shumë inteligjent dhe ta krijon bindjen që ai e njeh mirë jo vetëm Frojdin, por edhe teknikat e tij terapeutike. Për ta përforcuar këtë konstatim, duhet potencuar fakti që ai gjatë romanit përdorë terma dhe koncepte të ndryshme nga psikologjia, duke filluar që nga termat frojdianë rreth psikës që kanë rolin determinues në procesin e ndërdijes dhe gjithashtu për fenomene të ndryshme si ankthi depresiv, kastrimi, frika, tabuja etj. Gjatë tekstit gjejmë referenca të shumta tek Frojdi dhe konceptet e tij psikanalitike. Ai flet për situata të sikletshme dhe po aq ironike nga momentet e rëndësishme të jetës së tij. Nuk mungojnë as pjesët rreth ëndrrave dhe fantazive. Portnoi është një djalë, i cili si pasojë e çrregullimeve psikike që i ka, si pasojë e gjërave që u përmendën më sipër, shpesh herë fantazon skajshmërisht për situata të ndryshme seksuale duke fantazuar femrat dhe çastet erotike me to, të cilat në shumë raste kanë përshkrime të natyrës pornografike. Frojdi thotë:

Por unë nuk mund ta lë mënjanë lidhjen e fantazive me ëndrrën. Edhe ëndrrat tona të natës s’janë gjë tjetër veçse fantazi të tilla, siç e kemi bërë evidente nëpërmjet interpretimit të ëndrrave. Gjuha me urtësinë e saj të pashoqe i ka dhënë përgjigje prej kohësh pyetjes mbi natyrën e ëndrrave kur i quajti krijimet e nxituara të fantazuesve ëndrra me sy hapur. Nëse megjithë këtë udhëzim ndihmës më së shumti na mbetet i paqartë kuptimi i ëndrrave, kjo vjen ngaqë dëshira të tilla, nga të cilat kemi turp t’ia fshehim vetvetes, të cilat i shtyjmë duke i shtypur në pavetëdije, pra, këto dëshira te ne gjallërohen gjatë natës. Dëshira të tilla të shtypura dhe derivatet e tyre nuk meritojnë asgjë tjetër veçse një shprehje të shtrembëruar keq. Pasi punimet shkencore arritën shpjegimin e shtrembërimit të ëndrrave, nuk është më e vështirë të dallosh se ëndrrat e natës janë po të tilla përmbushje dëshirash, siç janë ëndrrat me sy hapur dhe fantazitë e njohura mirë nga ne të gjithë.

Por Aleksandër Portnoi ndjen se nuk sheh ëndrra dhe nuk ndjen nevojë për to ngase ai ëndërron pikërisht me sy hapur. Çrregullimi i ekuilibrit të tij psikik, deziluzionet e ndryshme, raportet me nënën dhe fenomene tjera e shtyjnë atë drejt kundërshtimeve të ndryshme, shpesh edhe me vetveten dhe diku kah fundi i romanit, ai thotë:

Ëndrra? Sikur të kishin qenë vetëm ato! Por unë nuk kam nevojë për ëndrra, doktor, ja përse me vështirësi i shoh ato – sepse në vend të tyre, kam këtë jetë. Mua çdo gjë më ndodh në dritën e plotë të diellit! Shpërpjesëtimi dhe melodrama, kjo është buka ime e përditshme! Përkimet e ëndrrave, simbolet, situatat tmerrësisht qesharake, banalitetet, çuditërisht ogurzinj, rastësitë dhe poshtërimet, goditjet e fatmirësisë apo fatkeqësisë, çuditërisht të përshtatshme, që të tjerët i përjetojnë me sytë mbyllur, unë i përjetoj me sytë hapur!

Doktori apo terapeuti në këtë roman ka rolin e lexuesit, pasi ai nuk flet, vetëm dëgjon. Ai flet vetëm në një rast, aty ku edhe mbaron romani. Romani përmbyllet me fjalët e psikanalistit:

Pra, |tha doktori|. Ndoshta tani mund të fillojmë. Mirë?”

Fakti që Portnoi është duke u rrëfyer para psikanalistit të tij dhe kërkon të shërohet me çdo kusht bën që ai të flasë me një gjuhë shumë të sinqertë dhe kjo determinon gjuhën e drejtpërdrejtë, temat erotike, intime, sekretet, dëshirat etj., tema të cilat në shoqëri perceptoheshin si tabu. Ai flet lirshëm për masturbimin dhe përdorë një gamë të gjerë sinonimesh për t’i përshkruar organet gjenitale, terma të cilat i përdorë shpesh gjatë rrëfimit. Narratori është i gjithëdijshëm, pavarësisht që ai nuk jep edhe shumë detaje të gjendjes momentale, psh, nëse ai është i ulur në karrige apo i shtrirë teksa po rrëfehet në zyrën e psikanalistit, këtë lexuesi nuk arrin që ta kuptojë. Emri i këtij psikanalisti përmendet vetëm disa herë brenda romanit, ai quhet Dr. Spielvogel, ndërsa narratori i drejtohet vazhdimisht me ‘doktor’. Një element që del në pah në këtë roman është mospërdorimi i emrave konkretë të të dashurave për të cilat rrëfen Portnoi. Ai flet përmes pseudonimeve dhe i ka shfrytëzuar këto dashnore për t’i shfryer dëshirat e veta seksuale, por dëshira që mbeten jo fort të plotësuara, ai vazhdimisht ankohet. Duke iu referuar Frojdit, kuptojmë që fëmijëria dhe adoleshenca e këtij karakteri rezultojnë me konflikt të brendshëm dhe fiksim. Ai i drejtohet me pyetje psikanalistit, por nuk pret që t’i kthehen përgjigjet dhe përmes monologëve të shumtë provon që t’i përgjigjet individualisht ku shpesh pyetjet kanë trajtën e pyetjeve retorike. Rrëfimi ka natyrë të një dialogu me lexuesin. Autori bën një lojë narrative ku shpesh ndërron pozicione të rrëfimit, mirëpo Portnoi është i vetmi që rrëfen. Në shumë raste narratori i flet narraterit (lexuesit fiksional).

Portnoi ndjehet i zhgënjyer kur bëhet i vetëdijshëm për ngjashmëritë e grave tjera me nënën e tij, gjë që presupozon të jetë si pasojë e superegos, duke e ditur se ai nuk duhet të ndjejë dëshirë seksuale ndaj nënës së tij. Kjo “grindje” apo mospajtim mes idit dhe superegos së Aleksandër Portnoit përsëritet gati në secilën skenë të masturbimit dhe personaliteti i tij ka vazhdimisht konflikt të brendshëm. Por ama, Portnoi gjithashtu na del si një personazh neurotik dhe neuroza nënkupton konfliktin mes idit dhe egos e cila shkakton simptoma të shqetësimit psikik. Ai është një djalë shumë i zgjuar, i cili është i vetëdijshëm për “sëmundjet” e tij dhe kërkon nga psikanalisti t’ia sigurojë burrërinë, t’ia heqë frikën dhe të vazhdojë të jetë i lumtur. Zgjuarsia e tij dëshmohet qysh në fëmijëri, kur ai kupton shumë rreth fenomeneve të ndryshme të seksualitetit. Ai ka admirim të madh për nënën e vet dhe e lavdëron me fjalë të ndryshme në raste të caktuara, madje në disa raste me pasazhe të gjata, por në të njëjtën kohë ka frikë prej saj. Në një domen duket se ai ndjen dashuri dhe neveri në të njëjtën kohë, mirëpo të dyja i mban të diferencuara dhe ky fenomen në fushën psikologjike njihet si mekanizëm defansiv. Përmend edhe mosmirënjohjen e saj në rastet kur bëhej fjalë për ndëshkimet që merrte ai kur nuk i bindej asaj. Ai është një djalë i prindërve hebre, por ai personalisht është kundër fesë në përgjithësi dhe jeta e tij i duket një shaka hebreje ndërsa tiparet e hebraizmit i duken tejet negative. Përderisa ai flet në vazhdimësi për masturbimet e tij, e sheh se në shoqëri kjo konsiderohet një temë tabu. Ja si shprehet narratori në një rast teksa rrëfehet para psikanalistit rreth tabusë:

Përse një trazim i vogël, është kaq përtej mjeteve të mia? Përse duhet që shmangia më e vogël nga traditat e respektueshme, të më shkaktojnë një ferr të tillë të brendshëm? Sa i urrej ato tradita të neveritshme! Kur në të vërtetë, unë kam një horizont më të gjerë, sesa tabutë! Doktor, doktori im, çfarë thoni ju, le ta kthejmë ID në YID! Lirojeni libidon e këtij djali të bukur hebre, ju lutem, është e mundur? Ngrijeni çmimin nëse duhet – do t’ju paguaj me çdo çmim!”

Sipas Frojdit, baza e tabusë është veprimi i ndaluar, për kryerjen e të cilit ekziston një prirje e fortë në ndërdije. Ai është i vetëdijshëm për anomalitetin e nevojave të tij të tepërta për ta vënë organin gjenital (penisin) e tij në çdo “vrimë”, mirëpo ai vazhdon ta bëjë atë. Çështja e masturbimit të tij lidhet ngushtë me me obsesionimin ndaj këtij akti, apo thënë ndryshe fiksimin që shndërrohet në varshmëri. Ai rebelohet ndaj identitetit të tij hebraik, ritualeve hebraike dhe ndjehet i shtypur nga ato. Ai ndjen nevoja seksuale dhe jeta e tij ndahet mes dy linjave, nevojave të tij seksuale dhe normave morale. Tema e hebraizmit kryesisht në këtë roman funksionon për të dhënë efekte komike në tekst. Por kjo temë është gjithashtu një nga çështjet e rëndësishme të romanit, pasi jeta e protagonistit kalon përmes dukurive të cilat bazën e ka në një shoqëri të tillë, ndaj të cilës Portnoi ndjehet inferior, por në të njëjtën kohë edhe i irrituar tej mase. Romani në përgjithësi mbështetet shumë në idetë frojdiane dhe karakteri i Aleksandër Portnoit tregon ndikimin e teorive frojdiane në shoqërinë amerikane. Shprehjet dhe nevojat seksuale bashkë me variacionet e tyre të shumta, ndryshimet dhe kuptimet e saj janë disa nga elementet kyçe te ky roman. Mungesa e një barriere apo e një kufizimi seksual bën që ai të rebelohet kundër vlerave dhe zakoneve socio-kulturore të bashkësisë konservatore hebreje. Portnoi jeton në një situatë dihotomike, mes shtypjes dhe lirisë, ku shkaktari kryesor është pikërisht hebraizmi që është përcaktues për shumë gjëra në jetën e tij pavarësisht mosbindjeve të tij ndaj fenomeve të ndryshme religjioze.

Comments are closed.

Navigate