Analizë socio-psikologjike për filmin ‘Joker’

Analizë socio-psikologjike për filmin ‘Joker’

Shkruan: Qendrim Badalli


Filmi Joker i lansuar në vitin 2019 vlerësohet si një nga filmat më të njohur dhe më të mirë të prodhuar në dekadën e fundit.  Ky film provokon maksimalisht imagjinatën, kreativitetin, kritikën dhe arsyen njerëzore. Kjo analizë do të fokusohet ekspluzivisht në personazhin kryesor të këtij filmi, në karakterin, kontekstin social si dhe në veprimet e tij.

Në rrafshin individual, Joker është një individ me karakter të komplikuar i cili pa dyshim vuan nga disa çrregullime mendore.  Joker është një narcist i cili ka probleme të theksuara neuro-emocionale të shprehura me veprime të pakontrolluara dhe ekstremiste. Joker po ashtu është personi që përballet me absurdin njerëzor. Hamendjet nëse jeta e tij është komedi apo tragjedi, si dhe një nga formulimet më emblematike në bllokun e tij “Shpresoj që vdekja ime të ketë kuptim më shumë se jeta” shprehin absurditetin në të cilën është zhytur personazhi karizmatik.

Joker me gjithë komplekset e tij, me një gjendje të rënduar në aspektin social, ai është person i lirë dhe jokonvencional. Joker nga shkallët e lagjes së tij nuk zbret si të tjerët, ai zbret duke vallëzuar, teksa vallëzon në një stil unik artistik. Në një shfaqje teatri, ai nuk përmbahet si gjithë të tjerët, ai flet sinqerisht dhe hapur për gjithçka mendon. Joker, është një i lirë që nuk brengoset për të tjerët dhe që kryen veprimet e tij ashtu si ai do. Kjo liri dhe kjo qasje e tij jokonformiste e bëjnë atë të shihet si ‘I çuditshëm’. Joker është njeriu i lirë që jeton jashtë konstrukteve socio-morale, pra jashtë konjukturave siç jeton shumica. Për këtë ai paguan një faturë jo të vogël.

Joker personifikon shoqërinë e kontrollit. Ai qëndron në ‘Dhomën e Observimit’ teksa mban po ashtu në xhep ‘Kartele Identifikuese’  të gjitha këto për shkak të personalitetit të tij. Në shoqërinë tonë, në shoqërinë e Jokerit, çdo gjë identifikohet, çdo gjë klasifikohet, në një ndarje shkencore të qartë dhe me thikë midis ‘normales’ dhe ‘patologjikes’. Kjo është kritika që filozofi francez Michel Fuko i kishte drejtuar shkencave sociale dhe në veçanti psikologjisë klinike.

Në rrafshin social, Joker është një  burrë i shpërfillur nga shoqëria, që jeton i izoluar dhe që i takon klasës së ulët. Ai nuk i ka shpëtuar as bullizmit dhe stigmës. Këto rrethana kanë krijuar një frustrim dhe një gjendje përgjithësisht depresive tek ai. Joker, ilustron më së miri ngritjen e një problematiki ikonik si pasojë e rrethanave sociale ku ai rritet si dhe si pasojë e traumave kontekstuale. Kur Joker qëllon për vdekje drejtuesin e shfaqjes në përfundim të filmit, ai i thotë:  Më ke ftuar në emision që të tallesh me mua. Joker kryen akt në shenjë revanshi ndaj mospërfilljes së tij. Krimi i tij para se gjithash është shprehje e kërkesës për barazi.

Joker është njëkohësisht edhe protestë ndaj sistemit. Ndaj një sistemi politiko-social, që favorizon njerëzit në klasa dhe margjinalizon të klasifikuarit si të dobët dhe patologjik. Protesta e dhunshme qytetare në fund të filmit në shenjë solidarizimi me Jokerin është shenjë e qartë se përtej një jete njeriu kemi të bëjmë me një hendek më të gjerë dhe më të madh klasor, hendek i cili jo rrallëherë prodhon keqbërës serik. Joker është vetëm njëri nga ta, njëri nga ne në potencial.

Ngjyrosja e fytyrave, vendosja e maskave, veshja e kostumeve shumëngjyrëshe, më shumë se shije artistike reflekton avangard postmoderne, ku estetika dhe imazhi mbizotëron mbi ‘Veprimin e Arsyeshëm’ që promovonte moderniteti. Në fakt, Joker, i  tëri, është simbol postmodern. Në arsyetimin e tij për vrasjet në Metro, ai ndër të tjera thotë: “ Ju tregoni çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe”, me tonalitet ironie, kontestimi dhe kryeneqësie. Pikërisht ideja e relativizimit moral dhe deri në nje instancë edhe e atij juridik, përbënë njërën nga bazat kryesore të epokës postmoderne.

Joker, nuk është personazh që jep paralajmërim për njeriun e ri apo për botën e re. Në fakt, Joker, është shprehje e gjendjes sonë faktike. I një sistemi që ndan e nuk bashkon, i një sistemi që krijon me bollëk njerëz të mërzitur, të trishtuar, të izoluar, që fillimisht humbin kuptimin e jetës dhe me pas humbin edhe arsyen, si të tillë ata ngriten si të rrezikshëm për shoqërinë dhe veprojnë kundër saj. Sociologu francez, Emile Dyrkhem, në teorinë e tij sociale në mësonte se edhe sjellja më individuale e njeriut është pasojë e brymosjes sociale të individit, në këtë kontekst, pyetja që shtron Joker, dhe përmes tij pyetja me të cilën përballet sot bota për problemet e tilla është kjo: A është Joker, apo individi, fajtori i vetëm i asaj çfarë ai është, i asaj në çfarë ai mund të transformohet?


Comments are closed.

Navigate